Ligji i luftës dhe deti/ Bushati – Papoulias: Gati për bisedime, zgjidhje sipas realitetit të ri në rajon

0
129

Gëzim Saliu

 

Kërkesa e LSI-së, Tavo: Situata, e pafalshme, qeveria të zgjidhë problemin e toponimeve

Presidenti grek: Ju mbështesim për integrimin. Bushati: Greqia, partner strategjik i Shqipërisë

 

 

buashti me papouliasProblemet e mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të trajtohen në bazë të realitetit të ri në rajon. Kështu deklaroi dje ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në takimin që zhvilloi me Presidentin e Republikës së Greqisë, Karolos Papoulias, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Athinë. Kryediplomati shqiptar kërkoi që, si vende anëtare të NATO-s, çështjet e pazgjidhura si marrëveshja detare, ligji i luftës apo toponimet të zgjidhen në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe përkatësisë evropiane të të dyja vendeve. “Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e pa adresuara, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe janë me interes të ndërsjellë për dy vendet tona”, – tha ministri Bushati, duke u shprehur besimplotë në progresin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, në interes të dy vendeve dhe popujve, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit. Ndërkohë, gjatë takimit u shpreh vullneti i qartë mes palëve për të ecur përpara në raportet dypalëshe, presidenti Papulias nënvizoi: “Marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke janë të një rëndësie ekzistenciale për rajonin”. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm theksoi vëmendjen e posaçme që qeveria shqiptare u kushton marrëdhënieve të gjithanshme me shtetin fqinj, duke bërë të ditur vlerësimin se Greqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Shqipërisë. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e çmuar të Presidentit Papoulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës së Greqisë, por në vijimësi, gjatë gjithë karrierës së tij, kur ka shërbyer në poste të ndryshme të larta të shtetërore. Ndërsa Presidenti Papoulias shprehu mbështetjen në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, në një vit të veçantë, ku vendet fqinje e partnere strategjike si Greqia e më pas Italia, kanë kryesimin e BE-së.

 

Toponimet

Duke marrë shkas edhe nga vizita e ministrit të Jashtëm shqiptar në Athinë, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, kërkoi dje zgjidhje sa më të shpejtë të problemit me toponimet me shtetin grek. Sipas ligjvënësit të partisë së drejtuar nga Ilir Meta, duhet një trajtim serioz i problemit nga instancat e dy shteteve. “Nuk mund të përbëjë asgjë tjetër përveçse çudi dhe paradoks ky fakt për një vend si Shqipëria, e cila pretendon të fitojë statusin e vendit kandidat në Samitin e qershorit në Greqi. Edhe pse gjithkush nga ne është në dijeni të këtij ngërçi, po ju rikujtoj se mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, mes tyre dhe shumë qytetarë shqiptarë me kombësi greke, jo vetëm që nuk mund të kalojnë kufirin për të parë të afërmit e tyre në fundjavë, por nuk mund të kryejnë asnjë transaksion ligjor, përderisa shteti grek nuk njeh toponimet me emërtesat e vendit tonë. Kjo situatë është e pafalshme. Në radhë të parë për ne, politikanët që po lëmë qytetarët tanë të vuajnë në vitin 2014”, – tha ai. Më tej, deputeti i LSI-së deklaroi se është absurd fakti i mëshimit të shahut diplomatik në kurriz të hallexhinjve, të cilët nuk kërkojnë veçse të vizitojnë vendlindjen pa pengesa dhe të kryejnë transaksione ligjor si çdo qytetar i Evropës së lirë. “Kjo deklaratë vjen pikërisht sot (dje), pasi, sipas informacioneve, mësohet se nesër (sot) ministri ynë i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati, për një takim në kuadër të Kartës së Adriatikut, do të vizitojë shtetin grek. Gjithashtu së shpejti vjen në Tiranë ministri i Jashtëm i Greqisë, zoti Evangjellos Venizellos”, – përfundoi deklaratën e tij Vangjel Tavo.

 

 

Takimi

Rama, Lidington: Britania e Madhe mbështet integrimin e Shqipërisë

 Kryeministri Edi Rama priti dje në takim ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington. Në bashkëbisedimin mes palëve u vlerësua niveli i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe u shpreh angazhimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, në nivel teknik dhe jo vetëm, në një sërë fushash parësore për Shqipërinë, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës. Kryeministri Edi Rama e njohu ministrin Lidington me reformat e ndërmarra, duke theksuar se “pavarësisht se Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, qeveria shqiptare mbetet e vendosur në angazhimin e saj për përmbushjen e të gjitha prioriteteve të kërkuara në këtë proces”. Nga ana e tij, ministri Lidington vlerësoi këtë qëndrim të shprehur nga Kryeministrit Edi Rama, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të qeverisë shqiptare, reformat e ndërmarra prej saj. Në këtë kontekst, ai shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuara në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Lidington zhvilloi gjithashtu në një tjetër takim me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, ku kërkoi forcimin e sundimit të ligjit dhe reforma në drejtësi të cilat sipas tij do të jenë kyçe në këtë drejtim. Ministri anglez vuri në dukje gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe rajonit dhe në këtë kontekst është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e saj në avancimin e reformave parësore të Shqipërisë. Nga ana e tij, Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe theksoi se Britania e Madhe përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit.

 

 

Përfaqësuesi i DASH

Moore: Vendet e Ballkanit të luftojnë korrupsionin e të sigurojnë sundimin e ligjit

Drejtori i Marrëdhënieve për Evropën Qendrore dhe Jugore në DASH, Jonathan Moore, thekson se vendet e Ballkanit duhet të përpiqen të luftojnë korrupsionin, të zbusin tensionet etnike e kombëtare dhe të përpiqen për reforma ekonomike, të shtojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit. Në një diskutim në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington, pjesëmarrësit në aktivitet shprehën mbështetje për integrimin euroatlantik të rajonit, ndërkohë që u bënë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat. “Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara për rajonin është integrimi i tij euroatlantik. Siç kanë thënë shumë administrata amerikane qofshin – demokrate apo republikane – ne duam një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe – ky është fokusi ynë”, – tha Jonathan Moore. Në këtë kontekst, ai pohoi se vendet e rajonit duhet të përpiqen të zbusin tensionet etnike dhe kombëtare, të luftojnë korrupsionin dhe të përpiqen për reforma ekonomike, të shtojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit. Korrupsioni dhe konsolidimi i shtetit ligjor ishin çështje që u përmendën edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në konferencën për sigurinë në Mynih të Gjermanisë javën e kaluar, ndërsa ai foli për një prirje shqetësuese në shumë pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore, si edhe në Ballkan. “Aspiratat e qytetarëve po merren nëpër këmbë nga korrupsioni, interesat oligarkike, interesat që përdorin para për të shtypur opozitën politike dhe zërat ndryshe, për të blerë politikanët dhe organet e medias dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, – pati thënë Kerry.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency