Pesë gra ministre në qeverinë e Edi Ramës dhe të tjera në poste kyçe për ekonominë e vendit në debatet e fundit kanë pushtuar vëmendjen e publikut; si do të jenë raportet e tyre me Kryeministrin dhe programin qeverisës; a do të kenë forcë artikuluese për vendime të rëndësishme në postet e besuara apo do të jenë thjesht leva politike të trajtuara thjesht si pushtet takash
Rama nën pushtetin e takave
Kartolina e qeverisë “Rama” ka tërhequr vëmendjen si rrallë ndonjëherë për pesë portretet femra. Mbi tapetin e kuq të Kryeministrisë hapat e këtyre ministreve duhet t’i përgjigjen të njëjtit numër këpuce sa ajo e të parit të qeverisë. Debatet për këto marrëdhënie të kreut të qeverisë dhe vartëseve të tij kanë kaluar pritshmërinë politike. Gjatë fushatës elektorale, Rama nuk prodhoi aq shumë gra sa të ngrinte në opinionin publik një sugjerim të pashmangshëm për raportin e gjinisë, se do të ishin dominuese në qeverinë e partisë fituese.
Reflektimi ndoshta ka qenë pak i vonë, pasi asnjë forcë politike në fushatën elektorale nuk i mori aq seriozisht zërat e grave, si potencial për të fituar njëlloj me politikanët.
Qartë ishte reagimi i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve që gjobiti forcat kryesore politike në vend për mosrespektimin e kuotave gjinore në listat shumemërore të kandidatëve për deputetë. Një ndër to ishte dhe Partia Socialiste, ndaj së cilës u morën masa administrative, me 6 milionë lekë gjobë. Por kështu jashtë këtyre masave nuk mbeti as PD dhe LSI, që u gjobitën me nga 4 milionë lekë.
Koha për qeverinë “Rama” ishte e mjaftueshme për të ndërtuar kabinetin deri më 15 shtator, ditën e betimit tek Presidenti në pasditen e orës 18:00. Pak minuta nga andej, deri në Kryeministri bashkë me ministrat marshuan në këmbë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U bë fotoja e rastit para Kryeministrisë mbi tapetin e kuq dhe ngjyrat e purpurta… Pak minuta më vonë Këshilli i Ministrave filloi punën duke marrë vendimet e para… Në këtë kronologji të orëve të para të qeverisë “Rama” gjithë vëmendja publike është drejtuar në mënyrë të rrufeshme drejt grave ministre, jo pak në numër, në poste kyçe. Është parë si një kthesë e papritur, e menjëhershme, si shpërblim ky reagim i Ramës në raportin e vështirë me gratë, e në përgjithësi që patën partitë gjatë fushatës.
Se si do të jenë këto marrëdhënie të Ramës me gratë ministre përgjatë qeverisjes së tij, pavarësisht se do ta përcaktojë e ardhmja, ne kemi një sjellje paraprake: miratimi i Kodit Etik! Pse u bë aq i bujshme në media ky debat, i konsideruar jo vetëm si kod i heshtjes, por dhe si një risi në marrëdhëniet e qeverisë me deklarimet publike, e sidomos në marrëdhënie me mediat?!
Shumë opinione çuan rrjedhën e arsyeve tek mbyllja, hermetizimi i qeverisë e të tjera që janë hipotetike lidhen me gratë ministre: a do të jenë të afta ato të përballen me presionin e mediave, dhe përballjes publike?! Në fakt një dilemë më e thjeshtë, e drejtuar jo pa qëllim është dhe vetë ndërtimi i marrëdhënieve brenda qeverisë. Natyra se si Rama vendos komunikimin me stafin e tij njeh disa eksperienca. Dhe kryesisht gratë kanë zënë vendin kryesor në delegimin e besimit të kreut të qeverisë, edhe më parë.
Shkaku duket se ka pasojë psikologjike, pasi Rama ndërton punën e tij mbi lidhje të ngushta në pak njerëz dhe këto duhet të jenë të besuarit e tij. Përvojat e mëparshme e kanë pasur si libër të lexuar këtë lloj natyre të Kryeministrit Rama.
Këtu s’mund të marrim përsipër të shkojmë në çështje ende të paartikuluar nga qeveria e re, që lidhen me premtimet e bëra gjatë fushatës, dhe kohës së realizimit të tyre. Siç mund ta marrim me mend, besimi i Ramës tek gratë në qeveri nuk është se tek ai është tronditur besimi tek burrat e politikës! Në fakt shumë përgjigje janë dhënë përmes komenteve të ndryshme se femrat për nga natyra, e kanë më të pakët mundësinë për të qenë të korruptuara, dhe për t’i hyrë kompromiseve në lloj-lloj pazaresh. Nëse i referohemi këtij fakti të përgjithësuar, Rama e kërkon “forcën” e grave të reflektuara në qeverinë e tij si një bazë mbështetëse, që binden më lehtë, dhe më të rafinuara në punët e deleguara.
Por a këto ministre a janë idealet e Ramës që do t’i japin atij garanci për suksesin e qeverisë, që do të thotë për menaxhimin e këtij vendi?!
Në fakt shtimi dita ditës, jo vetëm tashmë fakti historik si një qeveri që ka pasur më shumë gra në radhët e saj, i numrit të grave në dikastere të tjera rezulton të japin një përgjigje në shërbim të dilemës së mësipërme.
Sakaq debati publik tashmë është zhvendosur jo më në surprizën e grave të përfshira në krye të disa institucioneve publike. Është bërë një kthesë rrënjësore në momentin kur në drejtorinë e tatimeve dhe asaj të doganave të Shqipërisë u emëruan dhe dy emra të tjerë, që bënë zhurmë të madhe. Thelbi i gjithë çështjes nuk u konsiderua më prezenca aq e madhe femërore në krye të disa institucioneve të administratës publike. Por, kalimi në një etapë tjetër të debatit, më në fund, në përvojat dhe arsimin e femrave si individë. Gjithashtu dhe mënyra e katapultimit të tyre, duke përdorur kartën politike, në krye të këtyre institucioneve.
Zhurma për gratë ministre u shuajt shumë shpejt para emrave të vendosur kohët e fundit në krye të Tatimeve dhe Doganave.
Megjithatë çfarë bëhet e konsiderueshme në gjithë këtë debat, në fund të fundit është përmbushje e premtimeve elektorale e qeverisë së majtë! Deri tani artikulimi nga gratë ministre duket se ka qenë në përmbajtje me “Kodin Etik”, në raport me përballjen publike. Shpesh kjo e fundit mund të konsiderohet dhe shoqëri spektakli për politikën nëse punët nuk do godasin aty ku janë plagët.
Ajo që pritet është mënyra se si Rama do të konfrontohet me mendimin femëror brenda qeverisë, pavarësisht se disa nga këto ministre nuk kanë kompetencën profesionale për dikasterin që drejtojnë.
Referuar biografisë edukuese e arsimit, në raport me kërkesat e programit të qeverisë për ministritë respektive, gratë Ministre gjenden në një derë të panjohur për t’iu përgjigjur menjëherë.
Mimi Kodheli për shembull me përgatitje në fushën e ekonomisë dhe financës është në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndoshta referuar CV vetëm pse ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit, të titulluar “Gratë në politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e sigurisë kombëtare” nga Qendra Evropiane e Sigurisë, Marshall.
Por dihet tashmë kontributi i Kodhelit në politikën, dhe fare pranë stafit të Ramës, si një nga politikanët konsistente e së majtës, tashi në kompetencën e ministres së mbrojtjes.
Ndonëse vjen nga radhët e LSI-së, Klajda Gjosha ka një kartë të fortë politike me ministrinë që drejton, duke sjellë një përvojë nga zyrat e Doris Pack, si një suport i mirë politik. Raporti me Ramën është thjesht çështje koalicioni, por mbetet në prag të diskutimit të madh të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, një zë pak i vakët në krahasim me artikulimet personale që shfaq Rama në publik.
Në këtë proces, qeveria e Ramës duhet t’i referohet kësaj ministrie në një raport prioritar ndonëse udhëhiqet sipas programit të përcaktuar tashmë qeverisës. Gjoshajt i duhet një marrëdhënie neutrale me Ramën, ashtu siç në dukje mbetet koalicioni i PS-së me LSI-në, në interes të objektit politik.
Ky vëzhgim vjen nga një pikë thelbësore referuese në program për procesin e integrimit siç është fjalia: “…Do t’i japim fund pingpongut institucional dhe do të ndërtojmë një mekanizëm në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave dhe kapaciteteve për programimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga BE. Mbështetja dhe konsensusi popullor për këtë proces do të përkthehet nga ne në veprime konkrete e reforma të qëndrueshme…”
Ministrja e zhvillimit urban dhe turizmit, Eglantina Gjermenji me përgatitje shkencore në punët sociale, si dhe një nga ekspertet më të njohura në vend për fushën e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, u zgjedh për herë të parë deputete e PS-së, në 2009, duke e ngjitur këtë karrierë politike.
Për ministrinë që ajo drejton, programi qeverisës ndër të tjera parashikon: “…të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Do të garantohet transparencë në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe në proceset ligjore që rregullojnë planifikimin e zhvillimin” etj.
A do të ketë forcë të artikulimit për vendimet që duhet t’i bindet jashtë kontekstit politik, Kryeministrit Rama? Është një sektor strategjik, ku bëhet beteja më e madhe nga të gjitha qeverisë, ndonëse qysh në fushata Rama e pat shprehur se do hartojë një plan kombëtar, në përkthim të strategjisë për zhvillimin e territorit, investimet, dhe kontrollin e tij. Gjermenji ka përballë një proces të vështirë sa i takon administrimit të territorit, që shpesh s’do qëllojnë të ketë efekt as kompetenca profesionale, dhe as ekspertiza përballë sfidës që i takon më shumë tarafeve politike, pavarësisht se programi qeverisës duket radikal, qoftë kjo dhe për turizmin.
Ashtu si në krye të ministrive të tjera, ngrihet mendimi se këto gra mbeten një model i mirë për një qeveri atraktive në kartolinën e saj. Pasi nëntoka qeverisë mbetet pozicioni i tërhequr se nga cilët do të marrin “këshilla” apo do të jenë të detyruara “të binden” gratë.
Në krye të ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla me formim shkencor, brenda dhe jashtë vendit, e mbështetur pa ndonjë kontribut të dukshëm politik. Megjithatë përballë programit qeverisës, politika e majtë e vendos Nikollën në një pozicion të disfavorshëm në fushën e arsimit. Asaj i duhet të përballet dhe të ndërmarrë reforma në sistemin arsimor, referuar programit të PS-së që prekin edhe pjesën më delikate, buxhetin.
A do ta ketë të njëjtën vëmendje edhe sporti?!
Kultura për herë të parë gëzon një status kaq të thjeshtë në përbërjen e qeverisë. Mirela Kumbaro, eksperte e përkthimit, pra që i takon fushës së letrave, në dukje mund të tingëllojë një post adapt për të. Por, e detyruar “të fshihet” pas artikulimit politik kjo do ta humbasë origjinën pse duhet të funksionojë një administratë publike, posaçërisht për çështjet kulturore. Që në fakt nuk është çështje fondacioni, siç është konsideruar deri tani, dhe ka shenja të tilla, që vetëm hedh para. Përgjigjja për decentralizimin e pushtetit ende nuk e ka kapërcyer pikëpyetjen e madhe të varfërisë kulturore në vend. Mungon totalisht një treg kulturor, që referuar programit të qeverisë është gafë ta argumentosh si ngritje të “alternativave kulturore”, kur qartas duhet specifikuar një ndërmjetës, ekuilibrues midis industrisë krijuese, produktit dhe krijuesit.
Raporti i Ramës me këtë “sektor” ka një precedent, e ka nisur karrierën politike si ministër kulture në kohën e qeverisë Nano. Do të mbetet në nivele flegmatike marrëdhënia e Kumbaros me Ramën për çështje ndoshta të diktuara, që nuk lidhen aq me reforma institucionale se sa me fusha sensibël siç është trashëgimia. Kumbaro këto ditë ka pasur entuziazëm për aksionin e madh qeveritar mbi sekuestrimin e ikonave nga një koleksionist, për të cilën në çdo mjedis kulturor e ka artikuluar si kredit politik. Ndërkohë pushteti politik ka të keqen më të madhe, se ngjitja e shkallëve fillon nga lart poshtë, jo e kundërta!
E së njëjtës moshë me gjitha ministret, datëlindja ‘66, Milena Harito është nga të fundit që plotëson konfigurimin politik të reflektimit të Ramës në qeverisje. Në krye të ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike
Harito vjen nga bota e teknologjisë si formim. Nga ajo dhe ministret e tjera të kabinetit “Rama” priten edhe heqja dorë nga mandati i deputetes. Kjo për faktin se lënia e mandatit për çdo ministër, ka qenë një premtim i kahershëm i Edi Ramës. Se sa do të ndikojë kjo strategji në forcimin apo dobësimin e rolit dhe ndikimit të tyre në vendimmarrje, kjo është për t’u para në ditët në vijim. Në programin politik të PS-së flitet parimisht mbi keqpërdorimin e administratës nga politika paraardhëse, duke e parë këtë në reflektimin e shërbimit publik ndaj qytetarëve. Në këto ditë kur debati politik ka prevaluar në akuzën e opozitës për shkeljen e marrëveshjes nga ana e mazhorancës në shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil, Harito është në pozicionin më të disfavorshëm. A do të ketë presioni politik, jashtë Parlamentit, ndikim mbi administratën publike ashtu siç e kemi në traditë; punësime partiake, pa meritokraci?! Pavarësisht programit politik që shoqëron këtë ministri ku thuhet se do ta çlirojnë administratën në mandatin e tyre nga politizimi, kjo duket sheshit se do të mbetet një utopi.
Tatimet dhe Doganat lanë në hije gratë ministre
Elisa Spiropali në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Briseida Shehaj në Drejtorinë e Tatimeve, dy pikat kyçe për ekonominë shqiptare, janë vënë në plan të parë të debatit publik. Shkaku në thelb nuk qëndron në rastin e faktit se po shtohet numri i femrave në postet e larta të administratës. Në këtë rast, janë përjashtuar paragjykimet dhe mentaliteti duke u vënë në pikëpyetje të madhe aftësia dhe kapacitetet e tyre për të drejtuar këto institucione. Mendimet ndahen si emërime partiake, pa meritokraci, ndërsa vetë Rama e ka shprehur si frymë e moshës së re në qeverisje. Për këto dy emërime debatet ende nuk kanë pushuar, ndërsa nuk mund të flitet nëse vënia e tyre në këto poste ka të bëjë me “forcën” e paprovuar drejtuese që mund të kenë këto dy vajza. Çfarë opinioni nuk mbështet është mungesa totale e përvojës, që Spiropali në daljet e saj publike u ka rezistuar me artikulimin më të pastër politik, për shkak të një përvojë pranë radhëve të PS-së. Mbetet ende mister debati mbi emërimin e Shehajt në Tatime, ndërsa për Spiropalin mbetet vetëm dilema se si do t’ia dalë përballë korrupsionit, si një nga pikat më të gangrenizuara. Opinionet që mbështesin të majtët janë shprehur se prapa tyre janë disa burra këshilltarë, që do t’i ndihmojnë vajzat për të drejtuar, por kjo është shprehur hapur edhe nga vetë ato, që mbajnë afër njerëz profesionistë të cilët ia dinë punët dikasterit të tyre.