Vepror Hasani
KORÇË – Ne nuk dimë pothuajse asgjë për atë vajzë. Nuk e dimë as si e kishte emrin. Ajo që dimë për të është pak, madje shumë pak. Kemi në dorë vetëm një letër të saj. Është e shkruar bukur. E lexon dhe të rrëqeth. Dhe kjo është shumë. Dimë gjithashtu që ajo jetonte në një nga fshatrat e Tiranës. E dimë këtë sepse kështu thuhet në fund të letrës. Kur e mëson këtë fakt, letra e shkruar prej saj të duket edhe më e pabesueshme. Si është e mundur? Fjalët e shkruara janë të zgjedhura; gjithçka shkëlqen; rrëzëllijnë mendimet e saj; befasia është e madhe. Të gjitha idetë përshkruhen me një ndiesi mbresëlënëse. Ajo është e qartë në të gjitha ato që shkruan dhe dëshiron të thotë. Dhe mendo vetëm për një çast: letra është shkruar 100 vjet më parë nga nji goc’ Tirane që jetonte diku në një fshat. Si është e mundur që e zotëronte kaq bukur gjuhën shqipe, që kishte një fjalor kaq të admirueshëm dhe që dinte kaq mirë se çfarë ndodhte rreth saj e larg nëpër botë. Tek ajo letër gjithçka shkëlqen. Duket sikur është e shkruar e gjitha me një frymë. Ndoshta gjithçka duhet të ketë ndodhur në një çast të tillë, kur ajo do të ketë qenë e pushtuar nga një ndjenjë ngazëllimi e lumturie bashkë. Letra do të kishte për destinacion qytetin e Korçës. Duket se atë çast frymëzimi kishte zbritur në shpirtin e saj dhe e kishte detyruar të merrte penë e kartë e të shkruante një letër të gjatë. Pse duhej ta bënte këtë? Pikërisht këtë gjë do të përpiqemi të rrëfejmë.
TEK DRITARJA
Si gjithë ditët e tjera edhe atë ditë ajo kishte qenë e ulur pranë dritares me vështrimin hedhur larg, atje ku udha humbiste e fshehur pas një gjelbërimi pemësh. Kështu ndodh me të gjithë ata që janë duke pritur diçka. Ose rrinë e vështrojnë nga dritarja, ose dalin në rrugë dhe me vështrimin hedhur tutje, përpiqen të dallojnë a po vjen dikush në fshatin e tyre. Dhe ajo priste çdo javë ardhjen e ditës së enjte. Për të, e enjtja ishte një ditë e veçantë. Teksa rrinte te dritarja vuri re se një siluetë kishte nisur të shfaqej në horizont. Nuk pati asnjë dyshim. Po vinte njeriu që ajo priste prej disa orësh. Ishte pikërisht ai. Nuk ishte princi i saj i kaltër. Ai që ishte shfaqur në horizont dhe vazhdimisht afrohej dhe afrohej ose ishte ndonjë i afërm, ose ndonjë nga banorët e fshatit. Përgjithësisht ishin ata njerëz që për punët e tyre u duhej të zbrisnin mëngjeseve në qytet në Tiranë dhe të ktheheshin prej andej vonë në mbrëmje, kur kishin mbaruar punët e tyre. Si gjithnjë, ajo i porosiste që të mos harronin pa i sjellë porosinë e saj të veçantë, aq të dëshiruar e që kishte nisur ta merrte prej disa kohësh. Kështu bënin edhe disa vajza të tjera, prisnin të njëjtën porosi. Ato delnin në rrugët e fshatit ashtu si xixëllonjat. Më të vjetrit i shihnin gjithë habi. Dhe ja, më në fund njeriu që priste goc’ e Tiranës kishte mbërritur. Ajo i doli përpara, e mori porosinë e saj dhe sakaq vrapoi drejt shtëpisë së vet. Pa hyrë ende brenda dhomës u mbërthye nga kureshtja të shihte “porosinë” që sapo ia kishin sjellë nga qyteti. Dhe a e dini çfarë ishte? Jo? Një porosi tejet e veçantë: Gocat prisnin një kopje të gazetës “Korça” që botohej në këtë qytet nga patrioti Sami bej Pojani
GAZETA
Goc’ e Tiranës e hapi dhe nisi të lexonte, por atë ditë çuditërisht mbeti tejet e habitur. Në gazetën e parapëlqyer të saj vuri re edhe një artikull që ishte shkruar nga një vajzë e Stambollit. E quanin Belkize. Ishte bija e Mahmud Pashë Elbasanit. Gocës së Tiranës iu drodhën gishtat e gazeta fëshfëriti si prej një flladi që shkonte nëpër fletë. Çfarë shkruante vallë kjo zonjë? Nuk e kishte menduar kurrë që në gazetën “Korça” do të gjente edhe artikuj të shkruara nga zonjat apo gocat. Pra, edhe ato mund të shkruanin. Një gjë e tillë iu duk si një ëndërr. U lumturua e gjitha dhe ndjeu sërish drithërimën që po i përshkonte gjithë qenien. Pas pak kishte nisur të lexonte gjithë vëmendje:
“Zot’ i nderçmi Direqtor”. Me këto fjalë e niste artikullin e saj, Belkizja, dhe pas kësaj vijonte: “Një yll, një shkëlezë e zjartë që del prej artikullave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla qi ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë jav për jav, po na nderon, po na freskon edhe po na tregon detyrat e udhët t’ona kombëtare: si çështjen e shqiptarizmit, randësin’ e kombit – për shkurt – gjithë gjendësinë t’onë e nevojat qi ka kombi i jon i mësojmë me anë të kësaj gazetës”. Ddhe pas kësaj vendoste në radhë urimet që i delnin prej shpirtit: “T’u-njatë jeta moj fletë Korçe, o ëngjëll i bukur i gjuhës s’onë! Jetoftë edhe punoftë gjithmon!”
DY VAJZA BRENDA NJË SHPIRTI
Goc’ e Tiranës ndenji vetëm një çast e heshtur. Pati ndjesinë se atë çast, ajo edhe vajza e Stambollit përjetonin të njëjtën drithërimë që u përshkonte trupin që të dyjave në të njëjtën kohë. Madje pati përshtypjen se atë çast ishin dy vajza brenda një shpirti të vetëm. Ndoshta të njëjtat fjalë do të kishte shkruar edhe ajo, sikur të kishte marrë guximin e t’i drejtohej gazetës “Korça”. Mori frymë dhe nisi të lexonte sërish: “Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë çast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe vorfnin’ e kombit t’on! Gjer kur vallë o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në kët erësinë të tmerushme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet?” Ishin të njëjtat pyetje që edhe goc’e Tiranës u bënte shpesh shoqeve të saj dhe që të gjitha bashkë përpiqeshin të gjenin pse ndodhte kështu. Që të gjitha shoqet e saj kishin mendime të kthjellta e shkelqenin kaq bukur me mendimet e tyre. “Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vent t’onë edhe fikja e padijes, kqyr o Zot sa keq po na dëmtojnë!”- vijonte më tej artikulli. “Një komb kaq i vjetër e kaq i urt të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkret…” Goc e Tiranës ndjeu një çast trishtimi, syri i saj u njom nga loti. Ashtu si gjithë gocat e këtij vendi, pyeti veten për të disatën here: “Përse kështu?” Përgjigjja pak a shumë ishte edhe në shkrimin e Belkizes: “Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët si kan vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit kanë për të vumun”.
PYETJE
Belkizja, bija e Mahmut Pashë Elbasanit, shkruante dhe pyeste. Nuk kishte zonja dhe as zonjëza që të mos mundoheshin nga pyetje të tilla. Letra vazhdonte: “Si kanë ptumun Italinë, Greqinë dhe… (gazeta e dëmtuar, nuk lexohet)
“… Ah, të mjerët na, qi edhe jemi në gjum, qi edhe ma si kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë qi s’mund ta lan kurr një komb të punoj e të jetë i lir, qysh munt nji komb të përparojë? E dimë mir të gjithë na, se sot të tan kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat e kësaj lufte s’janë rama, plumbi edhe hekuri, po pena, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja
Po prap them se për fat të keq shumë Shqiptarë s’e kanë kuptumun kët nevojë kaq të madhe!” Dëshpërimi i Belkizes bëhej edhe më i madh teksa përshkruante këtë konstatim: “Mësonjtore pas shekullit të njëzetës nuk kemi kërkunt. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’on, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit na mungojnë kur do të shofim përparim e mirësi në vent t’on. Kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do të shofim katundarët me buzë të qeshun dhe me ballë të kujdesun? Kombi Shqiptar këtë mirësi për tashti e prêt prej zotnive qi janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe pa dyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë kemi përvajtur përpara së bashku me ata do të jenë ndihmëtare edhe gjithë femnat me një fjalë të gjithë Shqiptarët i kini mbas jush”. Kështu përfundonte artikulli “Së bashku me ata do të jenë ndihmëtare edhe gjithë femnat”, kishte shkruar Belkizja, duke e mbyllur shkrimin e saj me fjalët: “Belkis. E bij’ e Mahmud Pash Elbasanit. Letra ishte shkruar në Stamboll, 21 vjesht’ e II-të 1909, ndërsa ishte botuar te gazeta “Korça”, e enjte 29 vjesht’ e II-të 1909.
LETËR NGA GOC’ E TIRANËS
Pasi e kishte përfunduar së lexuari gjithë artikullin e Belkizes, pasi ndenji një çast e heshtur nisi të mendonte për diçka tjetër. Edhe ajo mund të shkruante një letër ashtu si Belkizja që jetonte në Stamboll. Nuk u mendua më gjatë. Mori letër dhe nisi të shkruante. E nisi me fjalët: “Urime dhe disa fjalë për gazetën Korça”. Pas kësaj vazhdoi: “Kur këndova në fletët të ndershme “Korça” letrën me firmën “Belkis” nëgjova një gëzim të paprashëm në zemrët teme. Këtë gëzim nuk mu rrite pa e rrëfy, po mora penën e fillova me shkru; çar me shkru, nuk po dishe prej ati gëzimit të madh, kur sheh një goce Shqyptare kështu, një letër të bukur, me fjalë të flakta, si mos të gëzohet. Po ! Po ! Fort lipset të gëzohet se kombi i vorfën Shqyptar pat ardh më nji shkall të poshtër në kohën e sundimit të kuq të Hamidit se i pat lidh gjuhën e ambël e i pat lan në erësin. Prej këti shkaku Shqyptarët e vorfën patën met nër kam të armiqve: Grekët më nji an dojshin t’i bojshin Shqyptarët grek, më tjetrët Nemsja me Italjen luftojshin për dëshirat e veta e përnej Shqyptari dita qi vinte shkojte në psherëtim. Funi i shkallës poshtër asht humbja e kombësisë fare; po desh Zoti doli një za nga Resnija dhe pështoj, jo vetëm kombin Shqyptar po gjithë kombet që rrojnë në Turqi. Ky za i rrebët, qi doli nga Resnija e pështoj kombin tonë nga reziku e i tha Shqyptarvet: Çohi! prej këti gjumi, se Kombi i Juej asht i nderum, po juve ju ka pru despotizma më këtë shkallë të poshtër”. Shkruante shpejt, mendimet e saj rridhinin ashtu si rrjedh uji i burimit. Dëshironte të zbraste gjithë dhimbjen e saj që i kishte zënë vend prej kohësh në brendësi të shpirtit
GJUHA SHQIPE
Kishte dëshirë të thoshte edhe mendimet e veta për gjuhën shqipe: “Ne Shqyptarët e vorfën u zgjumë dhe i muarëm vesht armiqtë….(gazeta e dëmtuar nuk lexohet). Ndërsa më tej vijonte: “… disa rob të fëlliq fillun me than: “Harfet bervala të latinit të prishin besën. (Është fjala për alfabetin latin), Kjo fjalë dilte prei gojës të disave, qi luftojshin – jo për atdhen – por për dëshirat e poshtra të vetat. Sado qi këta të marrë luftun ta mshihnin të drejtën prap sun fitun gja. Sun fitun gja se e drejta pra, po e drejt asht. Mos të menohen ata rob kot!. Se ata qi luftojn kështu për dëshirat do të përmenden gjithë herët me nji emën të lig. E pra, kur asht kështu, i lutemi të gjith Shqyptarvet t’a hekin prei vetiu dëshirën e poshtër të vetën dhe t’i hidhen punës mamëdheut, qi mos të meret nër kam prej armiqve, po të përparoj si kombet e tjera. Ne shqyptarët na duhet të përpiqna ma fort se gjithë kombet se neve si kur dihet, ja ka pas pru dhespotizma më nji shkall të poshtër fort, po nashti ash detyra e Shqiptarvet të punojm; si kur na thot fleta e bukur e Korçës: “Pun, pun, nat e dit, qi të shohim pak drit” dhe të hekim dor nga dëshirat e poshtra se ata qi po luftojn; po i shohin që po fëlliqen. Për mirësinë e mamdheut le t’i mprojm të drejtat e kombit tonë, se me rrena nuk shtohet bota, në ata qi thon që të prishin fenë harfet e latinit të hekin dor, se mesin të fëlliqun. E zgjata fjalën, po më falni se dëshira e madhe që kam për gjuhën amtare më shtyni të shkruaj këtë fjal”. Ndërsa në fund të letrës shkroi: “Nji goc nga fshati i çerdhes petritit” ( Gazeta Korça, e enjte 3 dhjetor 1909)
FEMNAT E SHQYPNISË
Pak kohë më vonë goc’ e Tiranës gjeti te gazeta “Korça” një artikull tjetër të shkruar nga një grua e fshatrave të Devollit, ku shkruante: “Z. Direqtor i fletës “Korça”, Sami Pojani, kënduam në të nderçmen fletën e zotërisë suej që lipset ndihmuar ata shërbëtorët, atdhetarë, të cilët me tepëricën e kafshitës së gojës nisnë të nxjerrin kalendarin “Korça” që do të jetë një vepër fort e bukur për ndriçimin e atdheut të dashur. Dëshir’ e zemrës t’ime sado që është prej gruaje, po është fort e qruar në sipathinë e atdheut. Dyke ditur se sa mirësi do të ketë vendi ynë prej këti të shënuari Kalendar, ja ku të dërgoj një mexhite t’ja jepni zotërinve botonjësve. Vërtet kjo ndihma ime është e vogël po them se të kem dorën e mbarë që, që të gjitha ato zonja shqiptarka të ndihmojnë ca. Në fund të letrës shënoi:
Me nder
Zonja H. B., Bilisht, 22 vjesht’ e III-të 1909.
Dhe të gjitha këto ndodhnin 100 vjet më parë. Gocat dhe zonjat shprehnin me kurajo idete e tyre dhe guxonin të ishin protagoniste.