Në Gjirokastër Kapen me armë dhe drogë, prangosen 2 persona

0
118

Sonja Caka

 

Policia: Operacioni i koduar “Pilotët”, droga e blerë në Lazarat. Drogë dhe armë edhe në banesën e njërit prej të rinjve

 

pakot me droge drogaaaaaaaaOperacionet antidrogë në jug të vendit vazhdojnë, pasi edhe tentativat për të transportuar brenda vendit dhe jashtë tij janë të mëdha. Kështu, gjatë një operacioni të finalizuar dje nga strukturat e antidrogës së Gjirokastrës, u bë e mundur të sekuestrohen 275 kg drogë dhe 2 armë zjarri, ndërsa u vunë në pranga dy të rinj nga një fshat i Tepelenës. Sipas burimeve policore, droga sapo ishte blerë në Lazarat, ndërsa po transportohej drejt Tepelenës nga dy të rinjtë, Robert e Behar Islami. Ndërkohë që, pas arrestimit të tyre, policia ushtroi kontroll edhe në banesat përkatëse dhe në njërën prej tyre në fshatin Dukaj u gjetën të fshehura dy armët e zjarrit dhe 25 kg kanabis, e futur nëpër qese. Dy të arrestuarit Islami u shoqëruan për në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës dhe ndaj tyre u ngrit akuza e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”, si dhe “prodhim dhe mbajtje e armëve luftarake”.

Operacioni

Operacioni antidrogë i koduar “Pilotet” është finalizuar dje në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Gjirokastër-Uji i Ftohtë. Mbi bazën e informacioneve të marra më parë në rrugë operative se një automjet xhip me targa të huaja po transportonte një sasi të madhe lënde narkotike nga Lazarati në drejtim te Tepelenës, strukturat e antidrogës kanë bërë të mundur që në aksin rrugor Gjirokastër- Uji i Ftohtë të evidentojnë automjetin e dyshuar, i cili po lëvizte me shpejtësi të madhe në drejtim të Tepelenës. Menjëherë janë vënë në ndjekje ë tij dhe kanë njoftuar dhe postbllokun e policisë në Ujin e Ftohtë, me qëllim bllokimin e automjetit. Sipas burimeve zyrtare policore, drejtuesi i automjetit kur ka parë që po e ndiqte policia, ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe nuk i është përgjigjur thirrjes për të ndaluar në postbllokun e policisë, por me shpejtësi të madhe ka çarë postbllokun duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Në afërsi të Urës së Leklit, drejtuesi i automjetit së bashku me një shtetas tjetër kanë braktisur automjetin dhe janë futur në shtratin e lumit Drino. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë vijuar ndjekjen e tyre dhe pas gjysëm ore është bërë edhe kapja dhe arrestimi i tyre. Në pranga kanë rënë 30-vjeçarët Behar dhe Robert Islami nga fshati Dukaj i rrethit Tepelenë.

Sekuestrimi

Pas arrestimit të dy poseduesve të drogës, grupi hetimor në vendngjarje ka konstatuar se në bagazhin e automjetit dhe në sediljet e pasme kishte 199 pako në formë cilindrike me peshë të ndryshme , gjithësej rreth 250 kilogramë Marijuanë. Nga vazhdimi i operacionit antidrogë, në bashkëpunim edhe me komisariatin e policisë Tepelenë, rezultoi se në fshatin Dukaj, në banesën e shtetasit Behar Islami, u gjetën në një depo dy armë zjarri dhe 5 thasë plasmasi të mbushur me lënë narkotike në formë e boçes, të fshehura në bidona plastikë, gjithësej rreth 25 kilogramë marijuanë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi i dy shtetasve Islami, të cilët janë kushërinj me njëri – tjetrin, si dhe është bërë sekuestrimi i lëndës narkotike, armëve të zjarrit dhe automjetit në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtje të armëve e municioneve luftarake”.

 

Shkodër

Kapen 10 kg drogë, poseduesi i shpëton policisë

Një sasi prej 10 kilogramësh kanabis sattiva është sekuestruar në malin e Hotit në kufirin jeshil me Malin e Zi. Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se mëngjesin e djeshëm, rreth orës 05:30, në një zonë të pyllëzuar është parë një person me një thes në shpinë i cili po tentonte të kalonte kufirin në mënyrë ilegale. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të personit, por ky i fundit i ka pikasur uniformat blu. Menjëherë ka lëshuar thesin në tokë dhe është zhdukur në pyll duke përfituar edhe nga errësira. Në kontrollin e bërë, në thes janë gjetur 10 pako me kanabis sativa me peshë prej 10 kilogramësh. Sipas policisë, janë duke u bërë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të këtij trafiku.

 

Bulqizë

Konflikti për pronën, godet me sopatë në kokë kushëririn

Një konflikt për pronësinë e një toke ka çuar në një përplasje mes dy kushërinjve, e cila ka degjeneruar në goditje me sopatë të njërit prej tyre. Madje, ky konflikt dhe pasojat që solli dje në njërën nga familjet Jashari, rrezikon të fusë në gjak dy familje brenda fisit në Ostren të Bulqizës. Pas ngjarjes, plagosjes me sopatë në kokë të të shoqit, bashkëshortja e Artan Jasharit kërcënon se kjo çështje nuk do të ngelet me kaq ndërkohë që i bën apel policisë të marrë  masa ose në të kundërt do të venë vetë drejtësi. Ajo tregon se burri i saj është njeri i qetë dhe gjithçka ka nisur nga kushëriri  i tij 45-vjeçar Servet Jashari, i cili është arrestuar mesditën e djeshme nga policia. Edhe të afërm të plagosurit shprehen se autori Servet Jashari njihet si një person problematik ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë në lidhje me këtë. Ngjarja e rëndë është shënuar në fshatin Ostren të Bulqizës ku 45-vjeçari Servet Jashari ka qëlluar me sopatë kushëririn e tij Artan Jashari 26 vjeç pas një grindje me këtë të fundit për tokën. Menjëherë 26-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital por sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore është e rëndë pasi ka marrë goditje në kokë. Mësohet se autori është larguar menjëherë nga vendngjarja por policia bërë të mundur arrestimin e tij disa orë më pas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency