Kosova përgatit miqësoret e para, Holanda dhe Suedia dy kundërshtaret kandidate

0
104

Pas miratimit nga FIFA se shteti i Kosovës mund të luajë ndeshje miqësore, ka nisur edhe hapat e parë për përballjet që do të kryejë

Mendohet se skuadrat e para, të cilat do të përballen me ekipin më të ri, mund të jenë Suedia apo Holanda

 

klosovakomb-415x260 Pas njoftimit të FIFA-s për lejimin e ndeshjeve miqësore, me kufizime, për kombëtaren e Kosovës, tashmë kanë filluar të përmenden kombëtaret e mundshme, me të cilën Kosova do të zhvillojë ndeshjen e parë. E përditshmja franceze “L’equipe”, e cila ishte edhe e para qe e paralajmëroi lejimin e miqësoreve për Kosovën, e që më vonë u zyrtarizua edhe nga FIFA, në një shkrim të saj ka paraqitur tri përfaqësuese të cilat mund të luajnë në ndeshjen e parë historike për Kosovën. Pasi me modalitet e FIFA-s u përjashtua mundësia e ballafaqimit me ndonjë nga shtetet e ish-Jugosllavisë, gazeta franceze ka thënë se Holanda, Suedia ose Bullgaria mund të jenë përfaqësueset të cilat mund të përballen me Kosovën. Nëse Holanda apo Suedia pranojnë të luajnë me Kosovën, kjo do të ishte një gjë shumë e madhe për imazhin e Kosovës, pasi shumë yje të mëdhenj do të zbrisnin atje e kjo gjë do të tërhiqte vëmendjen e shumë medieve të huaja.

 

Albert Bunjaku: Synimi, kualifikimi për Botërorin 2018

Lejimi i ndeshjeve miqësore për Kosovën nga FIFA duket se ka qenë lajmi më i mirë për trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakun, që prej ardhjes në këtë post. Bunjaku nuk ka caktuar ende datën se kur do të bëjë grumbullimin e parë, nuk e di as kundërshtarin e parë, por thotë se tashmë është faza kur Kosova duhet të dëshmojë veten, ndërsa synimi i tyre është kualifikimi në Botërorin 2018. “Është një hap shumë pozitiv, ngase edhe pse fjala është për lojë miqësore, është veprim politik i cili thyen izolimin e futbollit kosovar e në aspektin sportiv ka një peshë shumë të veçantë, ngase na jep mundësinë që të parapërgatitemi për hapin tjetër”, – tha Bunjaku, sipas të cilit grumbullimi i parë do të ndodhë vetëm sipas datave të FIFA-s, të caktuara për miqësore. “Edhe më herët kemi punuar në bazë të kalendarit të FIFA-s dhe këtë nuk do ta ndryshojmë. Data e FIFA-s për kombëtare është më 5 mars, por kjo kohë do të jetë shumë e vështirë të gjejmë kundërshtar, ngaqë koha është e shkurtër dhe pothuajse të gjitha kombëtaret janë të zëna. Planifikimi me kombëtare duhet bëhet shumë më herët dhe tani duhet të shikojmë mundësitë për shtator, tetor ose nëntor, madje edhe për vitin 2015”, – tha Bunjaku, duke shtuar se kjo nuk do të thotë se nuk do të luajnë më 5 mars, por do ta kenë vështirë të gjejnë një kundërshtar të madh. “Nuk është me rëndësi me kë luajmë lojën e parë zyrtare miqësore, por është me rëndësi që të luajmë sa më shumë lojë për këto dy vite dhe të përdorim të gjitha kontaktet dhe mundësitë. Kampionati Botëror 2018 është objektivi ynë i përbashkët”, – tha Bunjaku.

 

 

Krasniqi: Hap para për sportin kosovar

Ministri i Sporteve i Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i gëzuar për vendimin e ri të FIFA-s, duke e shikuar këtë hap si një shans më të madh për futbollin dhe për të ardhmen. Ai u shpreh: “Sot është shënuar hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës. Unë tashmë jam njoftuar edhe zyrtarisht me vendimin e FIFA-s për ndeshjet miqësore ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë edhe modalitetet e caktuara, që shënon një progres për Kosovën nga vendimi i menjëhershëm, i cili është kundërshtuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga qeveria e Republikës së Kosovës. Konsideroj se me këtë vendim të sotëm, futbolli i Kosovës ka fituar, aq më tepër që tashmë do të prezantohet në arenën ndërkombëtare zyrtarisht dhe ka hyrë në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë. Dua të uroj të gjithë futbollistët e të gjitha grup-moshave për këtë dhe u dëshiroj atyre sa më shumë suksese në të ardhmen. Falënderoj çdo punëtor sportiv, trajner, gjyqtar, gazetar dhe të gjithë ata që për vite me radhë, edhe në kohëra shumë të vështira, e kanë mbajtur të gjallë futbollin kosovar. Në veçanti dua të falënderoj kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ikonën e futbollit tonë, Fadil Vokrrin, për punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë për të arritur në këtë fazë dhe për motivin e madh për të punuar deri në realizimin e qëllimit tonë, anëtarësimin me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Kam qenë në çdo hap pranë tyre dhe bashkërisht kemi punuar në shumë drejtime për të thyer izolimin dhe bashkë do të vazhdojmë të punojmë në çdo segment edhe në të ardhmen. Në këto vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për herë të parë pas luftës, ka investuar në rinovimin e stadiumeve, për t’i bërë ato sa më moderne, ku mund të zhvillohen gara ndërkombëtare. Dua edhe një herë të shpreh përkushtimin tim që të punojmë pa reshtur për të thyer izolimin në sport. Hapa të rëndësishëm janë bërë në shumë sporte, por bashkërisht me komunitetin sportiv të Kosovës na presin edhe shumë punë, për të cilat do të angazhohemi në vazhdimësi”, – thuhet në komunikatën e ministrit.

 

 

Kryeministri angazhohet në çështjen “Januzaj”

Çështja e zgjedhjes se me cilën kombëtare do të luajë talenti me origjinë shqiptare i Mançester Junajtidit, Adnan Januazaj, duket se do të përfshijë edhe politikën. Mediet njoftojnë se vetë Kryeministri Edi Rama, së bashku me kreun e FSHF-së, shumë shpejt do të takohen me babain e 18-vjeçarit, sipas raportimeve të medieve kosovare. Në këtë takim, Rama dhe Duka do të mundohen që të bindin atë që Januzaj të zgjedhë të luajë pikërisht për Shqipërinë. Ndihmë nga Kryeministri Rama ka kërkuar edhe menaxheri i kombëtares, Alban Bushi, i cili thotë se kreu i ekzekutivit duhet të takohet me mesfushorin për ta bindur që të zgjedhë kombëtaren kuqezi. Një gjë të tillë e kërkoi disa kohë më parë edhe zëvendëskryeministri kosovar Pacolli.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency