O zonjë, jam i ri!

0
133

Mircea Dinescu ka debutuar në fushën letrare me poemën “Destin de Familie” (Fati i një familjeje), botuar në revistën “Luceafarul”. Si botues, debuton me volumin “Invocatie nimanui” (Lutje tek askushi), botuar në revistën “Luceafarul”, Bukuresht, 1971. Çmimet, titujt dhe dekorimet: Çmimet e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, 1971, 1976, 1981. Anëtar Nderi i Universitetit të Augsburgut, Gjermani (1991). Çmimi “Herder”, 1999.

 

idylle-1851MIRCEA DINESCU

 

(1950)

 

Lenta

Oh vdekja më shkërben nga pasqyra:

ar fëmijë e hi me radhë e parreshtur,

nuk jam veçse lenta me pluhur pa ngjyra

nga ku koha ka vështruar duke qeshur.

 

 

Trubadur

Unë jam pronar, siç dhe kam qënë në këta pyje

ku, po ju them, gjithnjë kam bërë gjumë prej çuni

jam edhe ëngjëll, eksodesh ligur, jo ndër yje

por nëpër flluskat ngjyrë rozë prej sapuni,

 

jam dhe përbindësh që gëlltit si në zgafellë

parfum zëmbakësh, me oreks, pa bërë zë

mund të më thoni, te kjo luginë kaq e thellë

rrojmë apo s’rrojmë, frymë a marrim, më thoni, më?

 

O miq, mahnituni, mahnituni me ngut

sa ende kuajt nxehen poshtë, pra nën shalë

sa kohë bora është e bardhë, s’u përmut

sa kohë gjuhës s’i ka hyrë ndonjë halë

 

 

Mërgim në një kokërr piperi

Ti lëri llogaritësit të merren me valët

lëri dhe të tjerët që çelësa të tundin,

ji sorra sqepngritur, hamall i përçartur

që mbart në dhjetor gëzhuta ndër ara.

 

Moçalesh hareshëm atlet i namuzit

të kesh turp të vdesësh në çast, si haram

mbi shtratin lëvizës në autoambulancë

të grishësh parreshtur dhe vajza dhe lule…

 

Si vend për t’u çlodhur piperin të zgjedhësh

nderim, në s’paç zor, si gjithë njerëzia,

t’i japësh kujt xham ve beton

atje nga ka ikur dikur Perëndia.

Shqipëroi Kopi Kyçyku

Antologji e poezisë rumune, Bukuresht 2003, f. 349-350

 

 

O zonjë, jam i ri

 

O Zonjë, jam i ri dhe vera më njeh mirë

kur syri shkllav shëtit, çdo vashë nëpër deje, –

Si mund të kthehem, vallë, te foshnja e dikurshme

Kur mishi lulëzon dhe qan vetëm harresa?

O Zonjë, jam i ri, por kam punuar shumë,

kuptoj se qysh rrëzohem prej ëndrrës n’ekuilibër,-

sikur t’i haja grimcat e dritës, unë kurrë

nuk do ta ndjeja veten të ngopur me rininë,

i zhytur në lëkurën e tigrit sypatrembur!

 

O Zonjë jam i ri, me shpatulla burrërore,

dhe dua të ushqehem me qumësh prej kometash, –

në shpirt të rritet qielli dhe yjet në çdo kockë,

me afshin tim të ngrohët dëbora e përjetshme….

 

O Zonjë jam i ri dhe krahët i ndjej ende

të forta kur me gjunjë dhe tokën mund ta prek,

ky vrull më deh sikur kam pirë verë

dhe ndjej si rrjedhim sot mes tërë qenies sime

gjyshet dhe xhaxhallarët tej viteve që ikin…

 

O Zonjë, jam i ri, prandaj nuk të besoj,

sado që të më flasësh koha s’i fsheh dot thonjtë,

mes mjergullës shigjetat lajmëtare

drejt meje po nxitojnë…I ri jam. Mirëmbrëma!

 

 

Historia e vetëvrasësit të dështuar

 

Më 47 kishte uri dhe halle, –

unë isha gati të lindja,

por nëna ime, duke buzëqeshur,

lindi vëllanë tim, të verbrin…

Do të haja mana,

por fryu era dhe i shkundi

në oborrin përtej…

Lufta ishte më e ftohtë se birra…

Do të lidhesha me njjë vajzë,

por ajo u lidh me një tjetër

me prioritetin e së djathtës…

Kur konkurova vetëm, unë dola i dyti…

Kur u hodha në lum që të mbytesha,

u kujtova se, mjerisht, di të notoj!

Përktheu: Dionis Bubani

 

 

Bio

Dinescu poet, politikan dhe disident. Lindur më 11 nëntor 1950 në Slobozia. Biri i Stefan Dineskut, punëtor metalurg, dhe i Aurelia Badea, punonjëse arsimi. 1965-1969, ka kryer shkollën e mesme në Slobozia. 1979-1984, ka kryer Fakultetin e Gazetarisë të Akademisë së karrierës “Stefan Gheorgiu”. 1972-1976, punonjës në Shoqatën e Shkrimtarëve të Bukureshtit. 1976-1982, botues në revistën “Luceafarul”. 1982-1989, botues në revistën “Romana Literara”. 1989, u pushua nga puna në “Romana Literara” si rezultat i një interviste antidiktatoriale dhënë për gazetën francezë “Liberation” dhe u arrestua në vendbanimin e tij. U lirua gjatë revolucionit të dhjetorit në 1989 në Rumani, dhe është ndër të parët që hyri në ndërtesën e Televizionit Rumun duke deklaruar: “Tirani u shporr”. 1991, President i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë. Pas revolucionit themeloi të përjavshmen “Acaemia Catavencu”, të cilën e drejtoi deri në vitin 2000, kur ai e la atë për të themeluar revistën “Plai cu boi” (në dhjetor 2000). 2000, u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar për Studimin e Punimeve të Publikuara të ish-Arkivave të Sigurimit.

 

 

 

 

Gri

 

Zogëza e Dukagjinit

 

Din Mehmeti

I

Bukuria jote i djeg kufinjtë

E urrejtjeve të moteve,

Bukuria jote i kurorëzon agimet

E kuqrremta gjatë lindjeve,

Bukuria jote i bleron rrudhat e tokës

Së gjyshërve me shpresa të pavdekura

Sepse ke lindur në dasmën e madhe të punës

 

 

II

Ëndërrat e fshatit i ruan në çerdhet

E lejlekëve që shkruajnë emrin e kullave,

Lumenjtë e humbasin oshëtirën

Nëpër shtigjet e zemrës sate të pafund,

Këngët për ty janë fjalë që digjen në rrezet e tua

Sepse ke lindur për t’i zgjuar horizontet

E lindjeve tona të vona

 

III

Bukuria jote gjendet në thjeshtësinë

E lëvizjeve të shfrenuara rreth diellit,

Bukuria jote gjendet në harenë

E syve të rreshkurndër rreze,

Bukuria jote gjendet në turret

E përjetimeve të përditshme,

Sepse ke lindur të qëndisësh

Zemrat e plasura prej flakës.

 

IV

Prej syve të tu përvidhet rrezja

Që hap buzët e luleve të pranverës,

Prej duarve të tua përvidhet

Lindja e vdekja ime e nesërme,

Prej gjuhës sate përvidhet kënga

Që ruan porositë e tokës sime,

Sepse ke lindur të na rreshkësh

Në flakën e rrufeve.

 

V

Për ty djali i fshatit tim

Plagët e veta i ka quajtur lule,

Për ty janë kallë shtatë fshatra

E janë hapur shumë varre,

Për ty gjithmonë na ka rrudhur terri

E na ka shkrumuar dielli me lot për faqe

Sepse ke lindur për të zgjatur jetën

Mbi mordjet e paemra!…

1969

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency