Abuzimet me fondet / KLSH padit në Prokurori zyrtarin e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë

0
117

Sonja Caka

Auditimi i projektit: Dënimi ekonomik i shkaktuar shtetit 90 mijë USD. Favorizime të padrejta ndaj disa operatorëve ekonomikë

 

OLYMPUS DIGITAL CAMERANjë zyrtar i lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtues i një drejtorie shumë të rëndësishme siç është ajo e planifikimit financiar, është paditur në Prokurorinë e Tiranës për abuzime në vlerën e 90 mijë USD dhe favorizime të padrejta ndaj disa operatorëve ekonomikë. Burime zyrtare bëjnë me dije se KLSH kallëzoi në prokurori Drejtorin e drejtorisë së planifikimit financiar në Ministrinë e Shëndetësisë, në cilësinë e përgjegjësit për zbatimin e projektit “modernizimi i sistemit shëndetësor shqiptar” për shpërdorim detyre.

Auditi

Nga auditi i kryer nga KLSH është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën e rreth 90,000 USD dhe favorizime të padrejta ndaj operatorëve të ndryshëm ekonomikë. Më konkretisht, sipas burimeve zyrtare, nga auditimi rezultoi që Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Financiar në Ministrinë e Shëndetësisë me inicialet S.K., në tejkalim të kompetencave të tij si përgjegjës për zbatimin e projektit “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor Shqiptar”, ka krijuar një përqëndrim të kompetencave në çështjet e prokurimit, zbatimit dhe likuidimit të kontratave, duke sjellë si pasojë përfitim të padrejtë për operatorë të ndryshëm ekonomikë. Lidhja e kontratave me stafin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, kryerja e shtesave të kontratave me operatorë të ndryshëm ekonomikë, fillimi i procedurave të tenderimit, rialokimi i fondeve dhe përdorimi i tyre jashtë destinacionit të përcaktuar, janë kryer nga S.K. pa patur asnjë delegim kompetencash nga Ministri apo deleguesi i tagrave të tij. Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që në disa prej procedurave të prokurimeve, S.K. ka ndërhyrë përtej kompetencave të tij ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë, duke favorizuar haptazi subjekte të veçanta, nëpërmjet krijimit ndaj tyre të mundësisë së plotësimit të dokumentave të ndryshme kualifikuese, pa të cilat këta operatorë ekonomikë do të skualifikoheshin automatikisht nga komisioni përkatës. Nga auditimi rezultoi se vlera totale e dëmit të shkaktuar si pasojë e këtyre veprimeve të. S.K. është rreth 90,000 USD dhe përveç kësaj, një pjesë e mirë e fondeve të projektit janë përdorur jo me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet, duke favorizuar padrejtësisht operatorë të ndryshëm ekonomikë. Gjithashtu, S.K. ka penguar gjatë periudhës së auditimit, audituesit e KLSH-së në kryerjen e detyrës së tyre funksionale audituese, nëpërmjet mosvënies në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar nga ana e tyre, mosdhënies së aksesit në e-mailin zyrtar të projektit, si dhe krijimit të pengesave artificiale ndaj grupit të auditimit.

Masa

Kontrolli i Lartë i Shtetit, përveç kërkesës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, ka depozituar njëkohësisht për S.K. pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal për konsumim të elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” si dhe “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga nenet 248, 258 dhe 235 të Ligjit nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse.

 

KLSH

Kallëzim penali n/drejtorit ekonomik të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Krujë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar gjithashtu, nëndrejtorin ekonomik të Drejtorisë së Shërbimit spitalor në Krujë, pasi ka konstatuar 7.8 milionë lekë të reja abuzime në blerjet me vlera të vogla. “Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 732/1, datë 03.09.2013 ka ushtruar auditimin përkatës në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Krujë, për veprimtarinë e ushtruar periudhën Janar 2009 – Qershor 2013. Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh, për të cilat KLSH ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë kallëzimin përkatës penal ndaj nëndrejtorit të këtij institucioni, L.V me akuzën e shpërdorimit të detyrës për “Shkelje të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin Publik”, i ndryshuar, për kryerjen e blerjeve me procedurën e prokurimit me vlera të vogla për periudhën e viteve 2009-2010, për 360 medikamente mjekësore në vlerën 7,776,606 lekë, ndërkohë nuk ishin parashikuar në Regjistrin i Parashikimeve dhe Realizimit të Prokurimeve, si dhe nuk ishin dërguar për botim në APP listat me llojet e medikamenteve apo grup mallrash të kësaj natyre në kundërshtim me VKM nr. 1 datë 10.01.2007“Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar dhe Udhëzimin e Agjencisë së Prokurimit Publik. nr. 2, datë 18.02.2008 “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla”, ndërkohë që referuar kufirit monetar duhej të zhvilloheshin procedura prokurimi me tender. Nga këto blerje, vlera prej 6,404,475 lekë ose 82 % e tyre, janë blerë në një subjekt të vetëm, me procedurë prokurimi blerje me vlera të vogla, duke tejkaluar kufirin ligjor të përcaktuar prej 400,000 lekë, pa tvsh, të kësaj procedure, e cila nuk lejon pjesëtimin apo ndarjen e vlerës së kontratës publike për shmangien nga dispozitat e parashikuara në këtë ligj. Gjithashtu, ai akuzohet për “mosargumentim të fondit limit të blerjeve në vlera të vogla, në kundërshtim me Kreun II-të, Rregulla të Përgjithshme”, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik; mosshoqërim të medikamentet mjekësore me dokumentacionin e kërkuar si; serinë e barit, përmasat, paketimin, përshkrimi i plotë i barit, data e skadencës, fabrika prodhuese për 360 barna mjekësore të blera në vlerën 7,776,606 lekë nga operatorët ekonomikë të “përzgjedhur” fitues, për 2 vitet 2009-2010, duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj shëndetit të pacientëve. Mësohet se nuk është shënuar formëdoza e plotë për 200 barna, gjë që ka shkaktuar abuzime, pasi barnat me formëdoza të ndryshme, origjinë dhe prodhues të ndryshëm dhe çmime të ndryshme. Po kështu dhe nga prodhuesi importues apo vendas, etj, në kundërshtim me ligjin. Akuzohet për mosngritjen e komisionit për marrjen në dorëzim dhe kolaudimin e 360 medikamenteve në vlerën 7,776,606 lekë, në kundërshtim me ligjin nr. 6942, datë 25.12.1984 ”Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, i ndryshuar. Gjithashtu, është përfituar pagesë e padrejtë nga L.V., në detyrën e nëndrejtorit me nivel arsimimi të lartë, ndërkohë që nuk e ka disponuar arsimin përkatës për një periudhë 23 mujore, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 484, 080 lekë. Këto veprime bien në kundërshtim me Ligjin nr. 9131,datë 08.09.2003” Për rregullat e etikës në administratën publike” dhe me ligjin nr. 8495,datë 12.05.1999” Kodi i Procedurave administrative të R.SH”. Për të gjitha veprimet e mësipërme, KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë kallëzimin përkatës penal ndaj nëndrejtorit ekonomik L.V. për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, me të gjitha provat dhe dokumentet e nevojshme. Për sa më sipër, KLSH i ka kërkuar Ministrit të Shëndetësisë dhe Drejtorit të Shërbimit Spitalor Krujë, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore, “Zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës”, për nëndrejtorin ekonomik L.V., si dhe marrja e masave të tjera disiplinore për 8 nëpunës të tjerë të këtij institucioni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency