Operacionet, kapen 600 kg drogë, arrestohen pesë persona

0
213

Sonja Caka

Policia: Origjina e drogës nga Lazarati, të arrestuarit nga Gjirokastra. Shpallen në kërkim 4 të tjerë

 

drogeNjë sasi e konsiderueshme prej 600 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sattiva është sekuestruar nga policia e Korçës. Lënda narkotike është kapur në dy operacioneve të ndryshme, ndërsa janë arrestuar pesë persona dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Burime policore bëjnë me dije se origjina e drogës ishte Lazarati, ndërsa pesë të arrestuarit ishin nga Gjirokastra. Destinacioni përfundimtar i drogës dyshohet të ishte shteti fqinj i Greqisë. Të dy operacionet janë finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Në operacionin e parë transportuesit e drogës janë kapur së bashku me 100 kg kanabis sativa ndërsa ishin duke udhëtuar me dy automjete në rrugën nacionale Ersekë-Korçë. Ndërsa në operacionin e dytë katër personat që po udhëtonin në drejtim të Korçës kanë mundur t’i largohen forcave të policisë.

Operacionet

Policia e qarkut të Korçës ka sekuestruar një sasi prej rreth 600 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa në dy operacione të ndryshme të koduar “Qarri” dhe Moglica”, sipas vendeve ku është bërë ndërhyrja e strukturave antidrogë. Në operacionin e parë policia kapi rreth 100 kg kanabis sativa në qafën e Qarrit në Korçë. Droga u gjet e ndarë në 3 automjete, si dhe u arrestuan poseduesit e drogës; përkatësisht shtetasit Nino Tushe, Vangjel Bashari, Herolind Haskaj, Mariglen Dalipi dhe Qirjako Liti, të pesë personat banues në Gjirokastër. Po ashtu, disa orë më vonë në një tjetër operacion, policia kapi rreth 500 kg kanabis sativa në fshatin e quajtur Moglicë-Korçë. Sipas policisë së Korçës, droga u gjet e fshehur në një automjet me targa angleze. Katër personat që udhëtonin në drejtim të Korçës, të identifikuar nga policia, kanë mundur t’i largohen forcave të policisë, duke përfituar nga terreni i vështirë malor.

 

Tiranë

Depresioni, vetëvritet me armë zjarri 36-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e djeshme në kryeqytet në rrugën “Perlat Rexhepi’, ku një 36-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë. I riu është vetëvrarë me çifte në apartamentin e tij në katin e pestë të një pallati, ndërsa bashkëshortja e tij ishte në punë. Nga të dhënat paraprake të grupit hetimor dyshohet se i riu ka qenë në moment të rënda depresioni, kur ka marrë vendimin, edhe se nga fqinjët njiheshin si familje pa probleme. Fillimisht policia u lajmërua nga banorët për të shtëna me armë në zonë, ndërsa rezultoi se ngjarja ishte një vetëvrasje.

 

Tiranë

Kërkohej nga drejtësia italiane, prangoset 40-vjeçari Hysa

Është arrestuar dje në Tiranë, i shumëkërkuari nga drejtësia italiane, Rigers Hysa. Sapo ka parë policinë, ai ka tentuar të arratiset duke u hedhur nga dritarja e banesës së tij në zonën e Tiranës së re. Sipas policisë së Tiranës, Rigers Hysa , 40 vjeç, lindur në Burrel dhe me banim në Tiranë, përdorte edhe emrin Daniel. Ai kërkohej nga policia italiane për trafik prostitucioni. Sipas burimeve policore, ai u ndalua nga policia pasi është shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Gjykata e Romës ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar datë 12.06.2013 për shtetasin Rigers Hysa, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit për prostitucion”, parashikuar nga neni 416 i Kodit Penal Italian. Ndërkaq materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme organit te Prokurorisë.

 

Masa

Operacionet antidrogë në Durrës, lihen në burg 6 të arrestuarit

Lihen në burg 6 trafikantë të arrestuar në qytetin e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Start”. Gjykata e Krimeve të Rënda ne Tirane ka caktuar dje masën “arrest me burg” për Sajmir Zotkaj, 27 vjeç; Ismir Plaku, 22 vjeç; Gazmir Baruni, 27 vjeç; Viktor Shkurti, 27 vjeç; Geris Agasi, 22 vjeç; Orges Shqopa, 28 vjeç. Të gjithë të arrestuarit akuzohen për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.  Arrestimi pas hetimeve me metoda speciale nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Pak ditë më parë, 6 të arrestuarve iu sekuestruan 116 kg hashash, 2 mjete, disa celularë. Policia njoftoi arrestimin e 7 trafikantëve në qytetin e Durrësit, ku me operacionin e koduar “Start”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda shkatërruan një bandë të trafikut ndërkombëtar të drogës.

 

Vlorë

Sherri brenda familjes, nipi qëllon me armë makinën e xhaxhait

Një sherr brenda familjes, mes dy vëllezërve, për pak sa nuk i ka rrezikuar jetën njërit prej tyre. Pas zënkës, ndërsa njëri prej tyre ka dalë për t’u larguar, nipi e ka ndjekur me makinë dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së xhaxhait të tij. Makina e dëmtuar “Ford Focus” me targë AA537EE është braktisur në mes të rrugës dhe për fat të mirë, nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka patur persona të lënduar. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, makina ka xhama të thyer dhe shenja të qarta të plumbave. Automjeti është braktisur pasi drejtuesi i tij është shoqëruar në polici për të zbardhur motivet e ngjarjes. Ndërkohë që automjeti tjetër tip “BMW” është larguar nga vendi i ngjarjes. Vetëm gjatë marrjes në pyetje të drejtuesit të mjetit Ford Focus është mësuar mbi autorin e këtij atentati. Sipas tij, më herët ka pasur një sherr me vëllanë e tij dhe ka qenë nipi me inicialet A.D, 25 vjeç, ai që e ka ndjekur me makinë dhe ka qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri. Sipas policisë, shkëmbimi me armë zjarri mësohet të ketë ndodhur te vendi i quajtur ‘Kali i Trojës’ rreth orës 17:40 të pasdites së djeshme, në zonën Skelë-Çole në Vlorë. Arma e përdorur dyshohet të jetë pistoletë, ndërkohë që blutë e Vlorës janë vënë në ndjekje të autorit. Gjithashtu, në pyetje është marrë edhe babai i këtij të fundit për të hedhur dritë mbi konfliktin mes dy vëllezërve.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency