Legalizime me 1 euro?! Nisma në janar, opozita: Qeveria dështoi me pronat

0
161

Florenc Drizari

Reagojnë për “Standard” deputetët Edi Paloka, Eduard Halimi, Dashamir Shehi si dhe Tritan Shehu

 

tritan shehuKërkesa për mbajtjen e një referendumi popullorë për çështjen e legalizimeve tw banesave informale me 1 euro, pritet të jetë në fokus të axhendës opozitare në ditët e para të janarit 2014. Deputetë të Partisë Demokratike si dhe përfaqësues të tjerë të PD-së, kanë mbështetur qëndrimin e shprehur dy ditë më parë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga ish-kryeministri Sali Berisha, për mbajtjen e një referendumi popullor lidhur me çështjen e legalizimeve.

Në një prononcim për gazetën “Standard”, kreu i grupit parlamenar demokrat, Edi Paloka, deputeti i PD-së, Eduard Halimi si dhe një nga figurat kryesore të së djathtës, Tritan Shehu, kanë mbështetur nismën e ish-kryeministrit Berisha duke thënë se kjo propozimi i tij do të diskutohet në radhët e opozitës. Një qëndrim kundër deklaratave për referendum popullor për çështjen e legalizimeve mbajti deputeti Dashamir Shehi, i cili shprehet për një tjetër skemë.

Dy ditë më parë gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ish-kryeministri Berisha ka thënë se taksa për shtëpitë e palegalizuara do të jetë me 1 euro, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar shqiptarët para zgjedhjeve të 23 qershorit për legalizimet. Në replikë më qëndrimet e ish-kreut të qeverisë, kryeministri aktual Edi Rama, ka thënë se qeverisja e djathtë ka dështuar për legalizimin e banesave duke cilësuar se ka realizuar vetëm 5 për qind të detyrimeve të saj.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i pyetur në një prononcim për gazetën tha se qëndrimi i ish-kryeministrit Beisha do të diskutohet se si mund të realizohet në hapa konkret, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se legalizimet nuk do të realizohen falas, teksa iu referua edhe projektbuxhetit për vitin 2014.

Nga ana tjetër edhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e ka quajtur premtim të pambajtur çështjen e legalizimeve falas të bërë nga krerët e mazhorancës socialiste. Duke mbështetur nismën e ish-kryeministrit Berisha për çështjen e legalizimeve me 1 euro, z. Halimi tha se lëvizje do të diskutohet në javët e para të janarit. Sipas tij, paketa financiare e qeverisë nuk premton asnjë zgjidhje për çështjen e legalizimeve falas.

Qëndrimi i ish-kryeministrit për çëshjen e legalizimeve duket se gjen mbështetje edhe jashtë radhëve të legjislativit. Një nga figurat përfaqësuese kryesore të së djathtës që ka mbajtur edhe poste të rëndësishme qeveritare, Tritan Shehu, thekson se opozita i ka të gjitha mundësitë për të kërkuar referendum. Në reagimin e tij për gazetën, z. Shehu akuzon krerët e PS-së për mosmbajtjen e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Por një qëndrim ndryshe për çështjen e legalizimeve vjen nga deputeti Dashamir Shehi. Sipas tij nisma për legalizime me 1 euro ngjan me premtimet e majta dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Shehi propozon një tjetër skemë. Ai thotë legalizimet duhet të bëhen me çmimin e tokës, ndërsa thekson se gjyma e shumës të bëhet nga pronarët e rinj dhe tjetra të kompensohet nga shteti.

Ndërkohë, çështjen e legalizimeve vazhdon të shkaktojë përplasje qëndrimesh në politikën shqiptare. Debatet mbi këtë çështje vazhduan edhe në seancën e fundit plenare për këtë vit, ku ish-kryeministri Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi popullor dhe kreu i qeverisë, Edi Rama, kritikoi qëverisjen e djathtë duke thënë se ka dështuar në këtë proces.

 

 

 

Detaj

TRITAN SHEHU

Opozita i ka të gjitha mundësitë për të kërkuar referendum. Kjo është një çështje e madhe dhe nëse mazhoranca nuk do t’i mbajë premtimet e saj që bëri edhe në Parlament, atëherë mbajtja e referendumit është një tjetër mjet që opozita t’i kërkojë mazhorancës të mbajë premtimin e saj.

 

 

Legalizimet me 1 euro

Halimi: Zgjidhje që i jepet qytetarëve, premtimi i qeverisë nuk mori jetë

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, shprehet se iniciativa e ish-kryeministrit Berisha për ndërmarrjen e një referendumi popullor për legalizimet e banesave me 1 euro, është në shërbim të qyetarëve. Z. Halimi u shpreh dje në një prononcim për gazetën se kjo çështje do të diskutohet në fillim të vitit që vjen në grupin parlamentar të PD-së. Gjithashtu Ai akuzoi qeverinë se me paketën e re financiare që u kalua në Kuvend, nuk zgjidh çështjen e legalizimeve falas që kishte premtuar.

“Çdo iniciativë që shkon në favor të qytetarëve do të mbështetet në mënyrë të padiskutueshme nga opozita shqiptare. Por besoj se kjo çështje në javët në vijim do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së për t’u mbledhur dhe diskutuar. Padyshim që është një zgjidhje që i jepet qytetarëve. Nga qeveria e re nuk shohim asnjë lëvizje me procesin e legaizimit. Premtimi që ata i bënë qytetarëve nuk mori jetë me paketën e re fiskale dhe as me projektbuxhetin lidhur me legalizimet falas”, – deklaroi Eduard Halimi. Çështja e pronave pritet të rikthejë debatet edhe në fillim të vitit të ardhshëm si brenda opozitës ashtu edhe në Kuvendin e Shqipërisë, për vetë faktin se e djathta duket e vendosur për ta ndjekur këtë çështje edhe në rrugën e referendumit. Dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, opozita dorëzoi edhe amendamente për pronat, por që u rrëzuan nga shumica parlamentare.

 

Dashamir Shehi: Legalizimet me çmimin e tokës, pronarët të paguajnë 50 %

Premtimi për referendum popullor për çështjen e legalizimeve me 1 euro nuk duhet një çështje e drejtë për deputetin e LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili në zgjedhjet e 23 qershorit kandidoi në siglën e PD-së. Deputeti i opozitës tha se kjo iniciativë i ngjan së majtës dhe për zgjidhjen e çështjes së legalizimeve të ndërtesave informale në Shqipërisë, u shpreh se gjysma e pronës së zënë duhet të paguhet nga pronari i ri dhe gjysma tjetër të kompensohet nga shteti. Shehu tha për gazetën se legalizimet duhet të bëhen me çmimin e tokës.

“Ne nuk jemi dakord se ku do të dalin paratë për pronat? Kjo qënka si Ed Rama. Qënkan bërë dy Rama. Ne si LZHK dhe unë si Dash Shehi nuk e shoh si zgjidhje këtë. Nëse legalizimet u zgjidhkan me 1 euro atëhere qënkan kollaj fare. Unë them që duhen legalizuar me çmimin e tokës, pastaj shteti të marri përshipër të shkarkojë gjysmën e shumës. Nëse bën 100 lekë psh, të paguaj gjysmën e çmimit të pronës me 50 për qind dhe 50 për qindshi tjetër të shkojë për pronarin e vjetër. Edi Rama thotë kështu që unë ju legalizoj pa lekë. Kjo ide është e së majtës. Propozimi im është që të paguajnë 50 për qind të vlerës dhe të legalizohen. Tokën po e marrin me gjysëm çmimi, për lejën spo paguajnë asgjë pamvarësisht dëmit që i kanë bërë pronarit apo shtetit dhe ta gëzojnë shtëpinë e tyre. Më shumë se kaq nuk mund të bëhet ndonjëherë demokraci”,- deklaroi Dashamir Shehi.

 

 

Legalizimet, Paloka: Qytetarët u mashtruan nga Rama dhe i dhanë votën

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, e quan të pamundur mbajtjen e premtimeve nga qeverisja aktuale për legalizimin falas të banesave. Në një prononcim për gazetën, z. Paloka shprehet se edhe në paketën ekonomike të qeverisë, shihet se ky premtim nuk është mbajtur. Lidhur me nismën e fundit të deklaruar në Parlament nga ish-kryeministri Berisha, për referendum popullor për legalizimet e banesave me 1 euro, kreu i grupit parlamentare demokrat thotë se kjo çështje do të maërrë diskutimet e duhura në fillim të vitit të ardhshëm. “Kjo është një ide e shprehur nga Berisha në Parlament dhe duhet përpunuar. E rëndësishme është që nga premtimi që Rama i kishte bërë qytetarëve që presin tju legalizohen shtëpia falas, ka rezultuar një bllof i vërtetë jo vetëm nga buxheti që u miratua, buxhet në të cilin parashikohet fonde të marra nga legalizimet, por edhe nga deklaratat direkte që ka bërë miku i Ramës, drejtori aktual i ALUIZNI-t, i cili edhe ditët e fundit deklaroi qartazi se legalizimet nuk do të jenë falas.

Përballë një situatë të tillë kur qindra e mijëra familje shqiptare u mashtrua nga Rama duke i dhënë atij votën, Berisha deklaroi se PD do të shqyrtoi mundësinë që përballë një faktori të tillë të ndërmaërri nismën që legalizimet të bëhen jo falas siç ka deklaruar Rama, por një shifër simbolike prej një euro. Kjo është për t’u stdiuar dhe për tu parë se si do të jetë hapat konkret”,- deklaroi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency