Në janar / Rama përballet me aleatët e PS-së, postet që kërkojnë “të mëdhenjtë” e koalicionit

0
132

Gëzim Saliu

PKDSH, PSD, PDS, PSV’91 dhe Aleanca Popullore janë partitë që pritet të përfitojnë më shumë nga ndarja e pushtetit mes koalicionit të majtë

 

rama-me-aleatetAleatët e Partisë Socialiste duket se do të presin vitin 2014 për të vënë në zbatim marrëveshjen paraelektorale të koalicionit të majtë për ndarjen e pushtetit. Edhe pse një pjesë e tyre kanë shprehur hapur kundërshtinë për mënyrën se si u formulua qeveria e re si edhe më pas për emërimet në poste të ndryshme në nivel drejtues, 34 krerët e partive pjesëmarrëse në koalicionin garues në zgjedhjet e 23 qershorit, me siglën “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, mbeten në pritje të takimit me Kryeministrin Rama. Pas shtyrjes për më shumë se 5 muaj të këtij takimi, kreu i qeverisë ka rënë dakord me aleatët që tryezën me aleatët, ku do të vendoset për ndarjen e pushtetit, ta zhvillojë vitin e ardhshëm. Kreu i PSD-së Skënder Gjinsuhi, ai i PDS-së Paskal Milo, kryetari i PSV’91 Petro Koçi si edhe kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka, të cilët përfaqësojnë edhe partitë që kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhje, pritet që krahas kritikave ndaj sjelljes së partisë më të madhe në koalicionin e majtë, të paraqesin edhe kërkesa të larta për pozicione të ndryshme të pushtetit në nivel të tretë.

 

Aleatët

5 janë partitë e koalicionit të majtë që kanë kërkesa të mëdha ndaj forcës kryesore të së majtës lidhur me ndarjen e pushtetit. PKDSH, PSD, PDS, AP si edhe PSV’91 pasi kanë mbetur jo pak të zhgënjyer nga mospërfshirja e tyre në postet e zv.ministrave si edhe nivele të tjera drejtuese të larta të shtetit, pritet të paraqesin tek Kryeministri Rama një listë të dytë më propozime, pas asaj të pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Nisur nga votat e konsiderueshme të marrë në zgjedhje, PKDSH është partia e parë që do të paraqesë një sërë kërkesash në tryezën me kreun e qeverisë. Marrë edhe shkas nga fakti i mospërfshirjes në qeveri, edhe pse në bazë të marrëveshjes duhej të ishin pjesë e saj, pritet që partia e Mark Frrokut të kërkojë 2 drejtorë rajonalë e një sërë postesh në nivel të tretë të pushtetit. Pas kristiandemokratëve, partia e Paskal Milos pritet të ketë gjithashtu kërkesa me peshë për bashkëqeverisjen. E treta në listën e partive që kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar, PDS mësohet se do të kërkojë 4 drejtorë rajonalë e gjithashtu poste të tjera në nivel drejtuesish. Po ashtu, edhe PSD-ja e Skënder Gjinushit pritet të ketë të njëjtat kërkesa ndaj kreut të mazhorancës, Rama, edhe pse votat e marra nga kjo forcë politike ishin vetëm 10194 e ndërkohë PDS ka marrë 11889 vota. Si Gjinushi ashtu edhe Milo si publikisht ashtu edhe në takimet informale nuk kanë ngurruar të shprehin pakënaqësitë e tyre për formën dhe mënyrën e ndarjes së pushtetit nga Kryeministri Rama. Ndërkohë, kreu i PSV’91, Petro Koçi, ka qenë disi më i tërhequr në këtë pjesë, duke theksuar se një ndër faktorët kryesore sipas tij për vonesën e zbatimit të marrëveshjes paraelektorale mes PS-së dhe aleatëve kanë qenë angazhimet, reformat dhe zhvillimet e shumta me rëndësi parësore për qeverinë. Me 6135 vota të marra në zgjedhjet e 23 qershorit, PSV’91 pretendon të marrë dy drejtorë rajonalë e disa poste në nivel të tretë në qarkun e Fierit. Në ceremoninë e zhvilluar në 29 nëntor për festën e Çlirimit të Shqipërisë, Kryeministri i vendit zhvilloi takimin e fundit informal me aleatët e PS-së. Në diskutimin në terma të përgjithshëm, Rama kërkoi më shumë kohë nga krerët e partive pjesëmarrëse në koalicionin e majtë për të bërë të vënë në zbatim marrëveshjen për ndarjen e pushtetit. Deri më tani, krahas Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka marrë pjesën më të madhe të pushtetit pas PS-së, vetëm PBDNJ dhe G99 kanë marrë poste nga Kryeministri Rama. Kështu, Vangjel Dule është zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit e njëkohësisht partia e tij ka marrë edhe dy zv.ministra në qeverinë “Rama”, ndërsa kreu i G99, Ervin Mete, u zgjodh pak kohë më parë në postin e zv.ministrit të Financave, ku duke iu paraprirë kritikave të partive të tjera aleate me më shumë vota se kjo forcë politike, Kryeministri deklaroi se zgjedhja e tij nuk kishte lidhje me politikën.

 

 

Votat e aleatëve dhe kërkesat

 

PDS ka marrë 11889 vota – kërkon 4 drejtorë rajonalë

PSD ka marrë 10194 – kërkon 4 drejtorë rajonalë

Aleanca Popullore ka marrë 8929 vota – kërkon 3 drejtorë rajonalë

PKDSH ka marrë 7993 vota – kërkon 2 drejtorë rajonalë

PSV’91 ka marrë 6135 vota – kërkon 2 drejtorë rajonalë

 

 

 

Konkursi

Punësimi në administratë, pozicionet vakante dhe ministritë që janë “mbushur”

Kryeministri i vendit, Edi Rama, bëri të ditur dje nisjen e procedurave për rekrutimin në shërbimin civil përmes konkurseve për punësim. Mbi bazën e deklaratës së ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, kreu i qeverisë ftoi qytetarët të jenë pjesë e garës për një vend pune në administratë. Në njoftimin për aplikim, në faqen e DAP, për pozicionet në të cilat përmbushen kriteret e veçanta, kërkohen disa dokumente specifike, si: “kërkesën për aplikim, CV-në, fotokopje të diplomës dhe librezës së notave, fotokopje të librezës së punës (nëse kërkohet), fotokopje të certifikatave të kualifikimit, dëshmive të gjuhëve të huaja dhe kompjuterit, fotokopje të vërtetimit të gjendjes gjyqësore si dhe të paktën një letër rekomandimi, një numër telefoni për tu kontaktuar si dhe adresën e plotë të vendqëndrimit (mosparaqitja e plotë e dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit)”. Vendet vakante në ministritë e qeverisë janë kryesisht në pozicione të tilla si drejtorë, përgjegjës dhe specialistë. Përkatësisht në Kryeministri janë 18 vende vakante, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë 28 vende, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është vetëm vendi i sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Integrimit janë 22 vende, në Ministrinë e Mjedisit 20 vende, në Ministrinë e Mbrojtjes vetëm posti i sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë 12 vende vakante, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale 14 vende, në Ministrinë e Bujqësisë 14 vende, në Ministrinë e Drejtësisë vetëm një vend, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik 23 vende e në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që ka numrin më të madh, janë gjithsej 58 vende bosh. Ndërkohë, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Transportit, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë asnjë vend vakant për punësim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency