PD zyrtarizon nismën “Hetim parlamentar manipulimeve në Tatime”

0
130

 

Florenc Drizari

 

Jorida Tabaku: Janë cenuar të dhënat konfidenciale si dhe i është shkaktuar një dëm i madh biznesit dhe arkës së shtetit

 

Jorida-tabakuPartia Demokratike zyrtarizon kërkesën për hetim parlamentar ndaj ndërhyrjes në serverat e Tatimeve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi një ditë më parë Kuvendit të Shqipërisë ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur manipulimin që sipas demokratëve, ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në një dalje për mediet në zyrën e shtypit pranë Kuvendit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se me anë të një akti të paprecedentë dhe në shkelje të ligjit, “një grup specialistësh, të udhëhequr nga këshilltari i Ministrit të Financave që është edhe vëllai i Ministrit të Energjetikës, kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve”.

Jorida Tabaku

“Puna e zhvilluar gjatë natës dhe në ditë pushimi në errësirë të plotë ngre dyshime të forta se kjo ndërhyrje është bërë për interesa klienteliste të qeverisë.

Kjo ndërhyrje ka sjellë mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë, janë cenuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, si dhe i është shkaktuar një dëm i madh biznesit dhe arkës së shtetit.

Duke e konsideruar këtë çështje, me interes të lartë publik, i kemi drejtuar sot kërkesën Kuvendit të Shqipërisë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm parlamentar të kësaj ngjarjes, në mënyrë që të zbardhen të vërtetat e të nxirren në dritën e diellit përgjegjësitë dhe përgjegjësit.

Për të gjitha këto arsye, ne kërkojmë që Parlamenti të ngrihet në përgjegjësinë që i takon, dhe të hetojë këtë veprimtari antishtet dhe antiligj, në mënyrë që shkaktarët të mbajnë përgjegjësi dhe që të tilla fenomene të mos përsëriten më”, – deklaroi Tabaku.

Sali Berisha

Më herët nisma për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për ngërçin e krijuar në sistemin elektronik në tatime u bë nga ish-kryeministri Berisha. Gjatë një konference për mediet disa ditë më parë Berisha bashkë me ish-drejtorin e IT në Tatime, akuzoi Kryeministrin për fshirjen e 4.3 milionë deklaratave fiskale me anë të këshilltarëve të tij.

“Me urdhër të Edi Ramës, në një operacion antiligjor tipik për një shtet policor, arrestohet drejtori i IT-së së sistemit tatimor dhe zhduken nga ky sistem nga këshilltarët e Ramës dhe Canit, Beqiri dhe Gjiknuri, 4.3 deklarata fiskale, të cilat sipas Kodit Fiskal nuk mund ti marrë kurrë Kryeministri, Presidenti apo dikush tjetër pa lejen e personit ose pa urdhër të Prokurorit që heton apo gjykatësit që gjykon një çështje për autorin e deklaratës.

Zhdukja në drejtim të panjohur e 4.3 milion deklaratave fiskale, d.m.th. të të gjitha deklaratave fiskale të 20 viteve të fundit, përbën shkatërrimin përfundimtar të financave të vendit me pasoja shumë të rënda e të paparashikueshme”, – ka deklaruar disa ditë më parë ish-Kryeministri Sali Berisha. Ndërkaq, rreth një javë më parë përfaqësues të Drejtorisë së Tatimeve kanë pranuar hyrjen në funksion të sistemit elektronik të të dhënave.

 

 

 

Rrëfimi i shefit të IT: Drejtorja më tha ‘do të shkosh në burg’

Renald Riska, ish-shefi i IT në Drejtorinë e Tatimeve, disa ditë më parë ka zbardhur kërcënimin që sipas tij, i ka bërë drejtoresha e tatimeve si dhe momentin kur ai dhe stafi i tij konstatoi fshirjen e të dhënave.

“Më 15 nëntor ditë e premte janë prezantuar disa njerëz të ministrit dhe kryeministrit për të marrë disa të dhëna që dispononte administrata tatimore. Me urdhër të drejtoreshës së përgjithshme këto persona janë futur për të marrë të dhëna, që ligji e përcakton qartë kush e merr dhe si i merr dhe këto të dhëna. Këto persona u futën në mënyrë të paligjshme dhe i morën të dhënat në mënyrë të paligjshme. Kopjuan të dhënat e administratës tatimore dhe nuk e di ku i kanë çuar. Që nga e premtja në të diel punuan ditë e natë për të marrë këto të dhëna. Nga stafi u verifikua ndërhyrje në sistemin e të dhënave dhe shihet që data e deklarimit nuk ishte data 18 por kishte ecur 20 madje dhe data 31. Mes këtyre dhe ambasada e gjermane dhe italiane, te gjetura si të deklaruara me vonesë. Po këto ndryshim datash janë bërë dhe më datën 19. Këta persona kanë marrë të dhëna për 20 vitet e fundit. Më datën 21 ditë e enjte nga stafi i brendshëm i IT evidentohet ndërhyrje në të dhëna duke mos gjetur deklarata tatimore që i kishte deklaruar biznesi në sistemin elektronik. Si funksionar kam organizuar grupin e punës për të evidentuar rastin dhe për të gjetur çfarë kishte ndodhur”.

 

 

 

Francë, kreu i Senatit francez pret Metën: Shqipëria ka bërë progres

Pak ditë para vendosjes përfundimtare për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Franca shpreh mbështetjen e saj të hapur ndaj vendit tonë. Kryeparlamentari Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Francë, mori mbështetjen nga Senati për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Meta u prit nga presidenti i Senatit të Francës, Jean-Pierre Bel, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, mbi procesin e integrimit europian të vendit dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Në këtë takim të nivelit të lartë ishin të pranishëm zv.presidentja e Senatit, Bariza Khiari, kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane në Senat, Simon Sutour, përfaqësuesi special i Francës për Diplomacinë Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, senatori Alain Richard, si dhe anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senat. Gjatë bashkëbisedimit, presidenti i Senatit të Francës, Jean-Pierre Bel, pasi shprehu një vlerësim të progresit të Shqipërisë gjatë muajve të fundit, evidentoi pjekurinë politike të shoqërisë dhe politikës shqiptare, gjatë dhe pas zgjedhjeve të qershorit, si dëshmi e qartë e vullnetit të Shqipërisë për të avancuar drejt BE. Në këtë drejtim, Bel shprehu mbështetjen e Francës për perspektiven evropiane të Shqipërisë, duke theksuar se të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Evropë. Nga ana tjetër, Kryeparlamentari Meta deklaroi se Franca përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe se rritja e interesit francez ndaj vendit tonë dhe rajonit pritet me kënaqësi. “Shqipëria është e vendosur të avancojë në rrugën e saj të reformave të thella që ka nisur, duke pasur besim në mbështetjen e rëndësishme të Francës. Në këtë drejtim, shprehim vullnetin për krijimin e një dinamike më të fortë të marrëdhënieve dypalëshe, duke u fokusuar në bashkëpunimin konkret politik, ekonomik dhe kulturor”, – tha Meta. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane në Senat, Simon Sutour, shprehu dëshirën që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat në BE sa më shpejt, duke theksuar rëndësinë e integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency