Vendimi i qeverisë Shpronësim për ndërtimet në vijën bregdetare Uji i Ftohtë – Tuneli, sa përfitojnë banorët

0
130

Gëzim Saliu

 

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 462.919.230 lekë, sipërfaqja e përgjithshme 8396 m2 ndërtim

 

qeveria...Qeveria vendos të shpronësojë familjet që preken nga prishja e ndërtimeve të hoteleve e banesave buzë detit në zonën Uji i Ftohtë – Tuneli në qytetin e Vlorës. Me një vendim të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor, pronarët e kësaj zone do të kompensohen me vlerën e plotë që kanë shpenzuar për banesat, ndërsa bëhet e ditur se afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013. Sipas qeverisë, ky vendim vjen në kuadër të rehabilitimit mjedisor të vijës së mbrojtur bregdetare Uji i Ftohtë – Tuneli. “Ky vendim shpreh vullnetin e qeverisë shqiptare për të garantuar pasuritë e qytetarëve, të cilët në mirëbesim kanë blerë prona private që ndodhen në këtë vijë bregdetare”, – thuhej në vendim.

 

Vendimi

Shpronësimin e ndërtimeve në vijën bregdetare në zonën Uji i Ftohtë – Tuneli qeveria e ka argumentuar të mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 8, shkronjat “ç” e “ë”, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të vendimit nr. 1, datë 8.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të planit të integruar sektorial për brezin bregdetar” si dhe të vendimit nr. 1, datë 23.6.2004, të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë (KRRTRSH), “Për miratimin e planit të qendrës së Vlorës”. Nga shpronësimi i një sipërfaqe prej 8396 m2 ndërtim, do të përfitohet nga banorët e këtyre ndërtimeve, shuma e përgjithshme 462.919.230 lekëve. “Pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen e përgjithshme 8396 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 ndërtim, të vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 462.919.230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 462.919.230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 362.919.230 (treqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100.000.000 (njëqind milionë) lekë nga fondi i kontingjencë”, – bëhej e ditur në vendimin e qeverisë. Po ashtu ky vendim përcaktonte se pronarët e ligjshëm të pasurive të shpronësuara të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor të pronësisë. “Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe Bashkia e Vlorës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi”.

 

 

462.919.230 lekë – është shuma e përgjithshme që do të përfitojnë banorët nga kompensimi i shpronësimeve

8396 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 ndërtim – është sipërfaqja e përgjithshme e cila shpronësohet në zonën Uji i Ftohtë – Tuneli

 

Masa e kompensimit të banorëve që preken nga prishja e ndërtimeve në zonën Uji i Ftohtë – Tuneli

 

 

Debati për korrupsionin tek Integrimi

Çuçi: S’kemi statistika. Bregu: Transparencë për financimin e partive. Miratohet ligji pa kuorum

Korrupsioni ka qenë temë kryesore e debatit të djeshëm në Komisionin e Integrimit, ku mazhoranca dhe opozita u përplasën lidhur me arsyet dhe statistikat. Ministri për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor, njëherësh koordinatori ndërkombëtar antikorrupsion, Bledar Çuçi, deklaroi se në Shqipëri mungojnë të dhënat e sakta për numrin e të korruptuarve, pasi, sipas tij, institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit kanë të dhëna të çakorduara për shifrën e të korruptuarve. “Ky është një shqetësim i kahershëm i Brukselit. Sot kemi një mosrakordim të statistikave. Ndryshe i jep statistika policia, ndryshe i jep prokuroria, ndryshe i jep gjykata nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë”, – tha ministri. Ndërkohë, kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu, nënvizoi: “Është e vërtetë që implementimi i të dhënave përfundimtare dhe raportimi i tyre kërkon përmirësim, por ju nuk mund të thoni sot që do të ngrini një sistem për statistika të harmonizuara kur e keni të përmendur në progres-raport dy vite më parë”. Po ashtu, mazhoranca dhe opozita në Komision u përplasën në debate edhe për rënien që pësoi Shqipëria në renditjen botërore të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, duke u listuar e 116-ta. “Shqipëria gjithmonë e më tepër po zbret në indeksin e perceptimit të korrupsionit, kjo na bënë që të rrisim angazhimin në luftën kundër korrupsionit”, – tha Çuçi. Ndërkohë, sipas Bregut, një pjesë e mirë e masave që janë prezantuar si plan veprimi nuk janë masa që luftojnë realisht korrupsionin. “Një nga ato rekomandime, z. Çuçi, uroj që të jetë në vëmendje të kësaj mazhoranca është transparenca e financimit të partive politike që të shmangim pastaj dhe për të prerë fijet e atij korrupsioni politik siç ndodhin në rastet e fundit në zgjedhjet lokale ne Korçë”, – u shpreh deputetja e PD-së. Ndërsa në përfundim të mbledhjes u miratua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Moldavinë për “Ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”, edhe pse në sallë nuk ishte kuorumi i nevojshëm i deputetëve.

 

Raporti i TI-së për korrupsionin

Rama: Lajm i keq për ne, Shqipëria mori një shuplakë

Raporti i “Transparency International” referuar Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013 ishte një shuplakë për Shqipërinë. Kështu deklaroi dje Kryeministri i vendit, Edi Rama, duke theksuar se mazhoranca e kaluar e ktheu vendin aty ku e gjeti në vitin 2005. “Humbësit e 23 qershorit e kthyen Shqipërinë atu ku e gjetën, në 2005, por duke i humbur asaj 8 vite, duke kaluar nga korrupsioni tek kapja e shtetit,. Një lajm i keq për ne. Në 2012 ishte shumë keq, ndërsa këtë vit është si s’ka më keq. Kur hedh një sy në tabelën e përgjithshme të renditjes dhe bën një krahasim, shikon se shtete që në vitet e mëparshme kanë qenë nën renditjen tonë kanë bërë hapa cilësore, përfshi këtu edhe Nigerinë apo, fatmirësisht edhe Kosova”, – theksoi Rama. Më tej, kreu i qeverisë pohoi se do të ndërmerren masa urgjente dhe gjendja sipas tij do të ndryshojë rrënjësisht. “Kjo nuk na tremb, ajo duhet dhe do të ndryshojë rrënjësisht, dhe do të vazhdojë përditë, dhe gjendja e jashtëzakonshme do të normalizohet ditë pas dite, me durim dhe me përkushtim. Përkushtim që është vënë re nga qytetarët por edhe nga miqtë dhe partnerët tanë”, – deklaroi Kryeministri. Në raportin e publikuar dje nga “Transparency International” referuar Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013 nga 117 vende, Shqipëria renditej në vendin e 116-të.

 

 

Dorëzimi i mandateve

Reformat me 84 vota “tërheqin” mazhorancën. Celibashi: Jemi në varësi të axhendës së parlamentit

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, deklaroi dje se procesi i ndarjes së mandatit të deputetit nga posti ministror do të vijojë në varësi të axhendës parlamentare dhe se për këtë proces do të ketë një kalendar pune. “E rëndësishme është që ky proces të mos kompromentojë zhvillimin normal të procesit legjislativ në Kuvend dhe të gjejë mbështetjen nga shumica aktuale parlamentare”, – tha ministri, i cili siguroi më tej: “Ky është një proces i dakordësuar edhe me aleatët e PS-së në këtë qeverisje dhe se nuk ekzistojnë qëndrime të ndryshme”. Përmbushja e premtimit të Kryeministrit për ndarjen e mandatit të ligjvënësit nga posti ministror, sjell për rrjedhojë rifreskim të listave të deputetëve të mazhorancës në Parlament. Nga 19 ministrat e kabinetit “Rama”, 17 janë deputetë, të cilët, sipas projektit, duhet t’u hapin rrugën për në Parlament 17 emrave të rinj nga listat e kandidatëve për deputetë, por vonesa e deritanishme e ndarjes së mandatit të deputetit nga ai i ministrit ka ardhur kryesisht në saj të reformave që janë dhe pritet të ndërmarrë mazhoranca, ku një pjesë e tyre kërkojnë 84 vota. Për të zgjidhur këtë çështje është menduar që dorëheqja e ministrave nga mandati i deputetit të jepet në grupe, për të mos humbur shumicën në Kuvend.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency