Argumentat e avokatit/ Berisha nuk duhej të arrestohej, ja me kë më ngjan rasti i tij

0
180

Avokati Dorian Matlija njihet në rrethin e juristëve dhe gazetarëve për shumë çështje sensitive, që kanë në thelb të drejtat e njeriut, por çështja më e bujshme është mbrojtja e familjeve të dëmtuara nga shpërthimi në Gërdec, të cilën e ka ndjekur deri ne Strasburg dhe ka fituar. Me reputacionin e një juristi të sprovuar dhe të pandikuar politikisht, Dorian Matlija nuk heziton të flasë në mbrojtje të Sali Berishës jo për të mbrojtur ish-kryeministrin nga akuzat, por për të kundërshtuar masën e arrestit dhe procedurat e ndjekura nga SPAK dhe GJKKO edhe për imunitetin e tij parlamentar.

Avokati, i cili drejton qendrën Res Publica, ku trajton çështje të shkeljes së të drejtave të njeriut, në një intervistë për Gazeta Si, e krahasoi rastin Berisha me rastin Navalny, liderit të opozitës ruse, të arrestuar nga Putini në Rusi. Duke iu referuar Gjykatës së Strasburgut, avokati rendit disa argumenta se pse dy rastet ngjajnë, duke ngritur shqetësimin e shkeljes së vazhdueshme të ligjit nga SPAK dhe GJKKO.

Gazeta Si: Avokat, kemi parë këto ditë kreun e opozitës Sali Berisha në disa deklarata nga mjediset e shtëpisë, ku kryen arrestin. Këto deklarata respektojnë vendimin e gjykatës, ku mes të tjerash thuhet që ai “të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.”?

Av.Dorian Matlija: Për mendimin tim, komunikimet e tij nuk janë të asaj natyre që dëmtojnë hetimet. Ndalimi i komunikimeve, pavarësisht se është i diskutueshëm sipas ligjit tonë vendas, si rregull, duhet t’i shërbejë ruajtjes se hetimeve nga cënimi i provave, për shembull, duke komunikuar me dëshmitarët e mundshëm apo ekspertët e çështjes për t’i manipuluar ata. Çdo komunikim tjetër nuk ka sesi të ndalohet, sepse, në të kundërt, do të ishte një kufizim që nuk ndjek qëllimet e ligjshme dhe do të ishte në shkelje të Nenit 18 të Konventës Evropiane. Zoti Berisha, si aktivist politik, ka të drejtë të komunikojë me ndjekësit, bashkëpunëtorët politikë, votuesit për çështje të politikës dhe lirisë së organizimit, në menyrë të lirë dhe pa kufizime, megjithëse është në arrest shtepie.

Gazeta Si: Si njohës i mirë i vendimeve të institucioneve të së drejtës europiane, a ka vendime të gjykatës për të drejtat e njeriut që i ngjajnë rastit “Berisha”?

Av.Dorian Matlija: 2. Çështja më tipike që kujtoj është Navalnny kundër Rusisë. Kjo çështje ka ngjashmëri të madhe me rastin Berisha, sepse Navalnny ishte një aktivist politik opozitar ndaj qeverisë së Putinit në Rusi. Ai u urdhërua, fillimisht, që të mos dilte jashtë vendit dhe, më pas, u urdhërua arresti në shtëpi dhe ndalimi i komunikimit. Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të shumëfishta në këtë mënyrë të vepruari. U shkel Neni 5 i Konventës, sepse arresti në shtëpi nuk u justifikua, pasi zoti Navalnny nuk kishte dhënë asnjë shenjë që donte të arratisej. U shkel neni 10 (për lirinë e shprehjes), sepse ndalimi i komunikimit, perveçse nuk parashikohej në ligjin vendas, nuk ishte as i justifikuar sipas Konventës. U shkel edhe Neni 18, sepse kufizimi i lirisë së shprehjes nuk ndiqte qëllimet legjitime (pra prishjen e provave), por kufizonte lirinë politike të këtij aktivisti të njohur politik opozitar. Shpesh, Gjykata e Strasburgut thekson që një masë ndëshkuese ose kufizuese nuk duhet të bëhet, sepse dikush i bën “karshillek” shtetit, por vetëm kur ndjek një qëllim legjitim. Sfidimi i “karshillëkut” nuk është qellim legjitim.

Gazeta Si: Në përvojën tuaj si avokat dhe si mbrojtës i çështjeve për të drejtën e lirisë së shprehjes nga qendra Res Publica, keni patur raste si ky i zotit Berisha dhe nëse po, si janë zgjidhur për çështjen e komunikimit?

Av. Dorian Matlija: 3. Në përvojën tonë nuk ka pasur raste të ngjashme, me të gjitha ngjyresat e rastit Berisha. Përgjithësisht, në Shqipëri, personat që janë në arrest shtëpie kanë të drejtë të komunikojnë lirisht. Përjashtim bëjnë vetëm personat me arrest në burg, të cilët mund të komunikojnë vetëm nga telefoni i burgut, por kjo menyrë është e pakufizuar, megjithëse e monitoruar. Rasti Berisha është pa precedent në Shqipëri. Megjithatë, mund të përmend rastin e aktivistëve të ndëshkuar për protestat pa leje, ku gjykatat i kanë denuar këta persona, por që, më pas, është zgjidhur nga Gjykata e Lartë dhe, së fundi, edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila shfuqizoi dispoziten e ndëshkimit për protesta pa leje. Logjika është e njëjtë, nuk ka ndëshkim për shkak të “karshillëkut” që i behet shtetit. Gjykata e Strasburgut është shprehur se, nëse tubimi është paqësor dhe nuk shoqërohet me akte dhune, mund të zhvillohet edhe pa leje. Edhe sikur organet e rendit të urdhërojnë moszhvillimin e tubimit, aktivistët, përsëri, kanë të drejtë ta injorojnë policinë dhe të zhvillojnë tubimin pa u ndëshkuar. Po ashtu, mund të përmend edhe përvojën që kemi pasur me shkeljen e rëndë të standardeve në rastet Lapsi dhe Qyno. Sidomos në këtë të fundit, prokurori i çështjes u shpreh hapur që nuk do t’ia dijë as për vendimin njësues të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë dhe as për vendimet e Strasburgut. Gjykata, fatkeqësisht, ia miratoi këtë qendrim. Rasti Lapsi u adresua nga ana jonë deri në Gjykatën e Strasburgut dhe u zgjidh edhe me vendim të Gjykatës së Lartë, ndërsa rastin Qyno e kemi ende në proces.

Gazeta Si: Në opinionin tuaj, duhej SPAK të kishte kërkuar që në fillim autorizimin e parlamentit për kufizimin e lirisë së lëvizjes së Sali Berishës, si anëtar i Kuvendit?

Av. Dorian Matlija: Së pari, duhet theksuar se Kushtetuta përcakton që autorizimi i Kuvendit duhet të merret në rastet e heqjes së lirisë. Sipas Gjykatës së Strasburgut, arresti në burg ose arresti në shtëpi janë heqje lirie. Ndërsa ndalimi i daljes jashtë shtetit nuk është heqje lirie (deprivation), por kufizim i saj (limitation). Megjithatë, sipas Gjykatës së Strasburgut, të dyja masat janë njëlloj në natyre, por ndryshojnë vetëm te përmasa. Në rastin e një qytetari të zakonshëm, ndalimi i daljes jashtë shtetit nuk do të konsiderohej heqje lirie. Por, nëse ky ndalim zgjat shumë dhe pa afat, si dhe nëse territori është i vogël, atëherë mund të shkojë deri në konsiderimin si heqje lirie. Në rastin e një deputeti, situata është më ndryshe, sepse ndalimi i daljes jashtë shtetit pa afat është cënuese e marrëdhënieve të deputetit dhe indirekt të elektoratit të tij. Në këtë mënyrë dëmtohet, më së pari, vetë Kuvendi dhe parlamentarizmi, i cili duhet të mbrohet nga çdo ekzagjerim që mund të vijë si rezultat i keqpërdorimit të pushtetit gjyqësor. Kjo është edhe arsyeja pse deputetët kanë imunitet, jo për vete të tyre, por për parlamentarizmin në përgjithësi dhe marrëdhëniet me elektoratin. Në rastin Berisha, situata është edhe më rëndë, pasi ai nuk rezulton të jetë një deputet i thjeshtë, por deputeti më aktiv i opozitës dhe pretendent për kreun e partisë më të madhe opozitare, duke qenë palë në gjyqin për marrjen e kontrollit të PD. Kufizimi i daljes jashtë shtetit të këtij personi do të duhet të kalonte përmes filtrit të Kuvendit, aq më tepër kur ka edhe nje precedent të mëparshëm si rasti Tahiri, ku Kuvendi autorizoi, mes te tjerave, edhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Gazeta Si: Rrezikon Sali Berisha arrestin me burg?

Av. Dorian Matlija: Në një shoqëri demokratike, rasti Berisha nuk do të rrezikonte arrestin në burg. Mirëpo, prej kohësh, është konstatuar nga unë dhe shumë kolegë të tjerë që SPAK dhe GJKKO operojnë në shkelje të shumë standardeve, duke demonstruar, fillimisht, injorancë juridike të theksuar dhe, më tej, mospërfillje të standardeve, edhe kur avokatët i servirin këto standarde në sallën e gjyqit. Në këtë kuptim, rasti në fjalë nuk do të ishte surprizues që të shoqërohej edhe me tejkalimin e radhës, që do të ishte arresti në burg. Përgjigja është e vlefshme në kontekstin e kësaj çështjeje dhe jo nëse dalin fakte të një natyre më të rëndë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here