Arratisja nga burgu Mbaron aventura e arratisë, pranga Haxhirajt dhe Lulos

0
153

Anxhela Tato

 

Policia greke: Eduard Lulo tentoi t’i shpëtonte rrethimit, u dorëzua pa bërë rezistencë

Pranga Reiz Haxhirajt 2 km larg fshatit Elaptora, qeni i policisë helene zbuloi gjurmët

 

 

lulo-haxhirajMerr fund aventura e arratisë për Eduard Lulon dhe Reiz Haxhirajn, të cilët shijuan ëndrrën e lirisë nga qelia për vetëm pesë ditë. Dy të dënuarit e fundit ranë në prangat e policisë greke, e cila do t’ia kalojë në dorëzim palës shqiptare. Fillimisht në orën 07:30 të mëngjesit u njoftua arrestimi në pyll i Eduard Lulos, jo shumë larg vendit ku u kap mbrëmjen e së mërkurës i arratisuri tjetër, Gëzim Toma. Lulo nuk ka qenë i armatosur dhe nuk ka bërë rezistencë në momentin kur u prangos nga policia. Disa orë më pas u njoftua dhe arrestimi i të arratisurit të fundit Reiz Haxhiraj. Ai u kap në Kostur të Greqisë. Gëzim Toma u arrestua të mërkurën në darkë pas një përleshjeje me armë me policinë greke, 27 km larg kufirit me Greqinë, në mes të fshatit Elaptora. Media greke ka sqaruar edhe detaje në lidhje me arrestimin e tre të dënuarve. I fundit, Reiz Haxhiraj, është arrestuar në një përrua, dy kilometra larg vendit ku mbrëmjen e së mërkurës policia u përplas me të arratisurit Toma. Haxhiraj mësohet se është zbuluar nga një qen i policisë helene, i trajnuar për të gjetur gjurmët. Menjëherë ai është rrethuar nga policia dhe është vënë në pranga pa bërë asnjë rezistencë. Rreth orës 06:30 minuta, policia greke arrestoi edhe të arratisurin tjetër nga burgu, Eduard Lulo. Siç shkruan gazeta greke “Ta Nea”, Lulo ka tentuar që t’i shpëtojë rrethimit të policisë, por është dorëzuar në duart e policisë, pa bërë rezistencë.

 

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit njofton kapjen në territorin grek të tre të arratisurve të fundit nga burgu i Drenovës. Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit informon se pas një ndjekjeje të vazhdueshme dhe mjaft profesionale të forcave të Policisë së Shtetit, informacioneve të sakta të marra për lëvizjen e tyre dhe në saj të bashkëpunimit të shkëlqyer me policinë greke, u bë e mundur kapja në territorin grek e 3 personave të arratisur nga burgu i Drenovës, përkatësisht: Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lulo. Prej 5 ditësh, thuhet në njoftim, forcat e specializuara të Policisë së Shtetit i ndoqën pa ndërprerje këta shtetas, gjatë gjithë itinerarit të lëvizjes së tyre në malin e Gramozit, me gjithë kushtet e vështira të motit. Në këtë operacion të gjerë u përfshinë forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin Korçë. Njëherazi, thuhet më tej, u kontaktuan autoritetet policore greke, duke u dhënë informacione të sakta mbi lëvizjen e tyre, të cilat përforcuan shërbimet për të mundësuar kapjen e të arratisurve. Në vijimësi, sipas njoftimit, janë ushtruar kontrolle gjatë të dy anëve të kufirit, si nga policia shqiptare ashtu dhe nga policia greke me qëllim kapjen e të arratisurve, po ashtu është shkëmbyer informacion i vazhdueshëm rreth lëvizjes së tyre. Në sajë të këtyre masave, Policia e Shtetit informon se u bë e mundur kapja e të arratisurve nga forcat policore greke në brendësi të territorit grek. “I arratisuri Gëzim Toma u arrestua gjatë aksionit të policisë greke ndërmjet fshatit Eptahor dhe Krisi, ku ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ndërsa dy të tjerët kanë arritur t’i shpëtojnë policisë greke. Gjatë natës vijuan kërkimet për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon, duke mundësuar kapjen e tyre mëngjesin e sotëm”, – thuhet në njoftim. Këta shtetas, sipas policisë, do t’u nënshtrohen procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku do të vuajnë dënimin për krimet për të cilat janë deklaruar fajtor nga organet e drejtësisë. Interpol Tirana në një kohë shumë të shpejtë ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të të arratisurve. Me arrestimin e tyre, tashmë është bërë e mundur kapja e 7 të arratisurve nga burgu i Drenovës. Policia e Shtetit falënderon komunitetin për bashkëpunimin, strukturat homologe greke për angazhimin maksimal e bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe çdo punonjës policie për gatishmërinë e lartë, angazhimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar, duke mundësuar kapjen brenda një harku të shkurtër kohor të 7 të arratisurve nga burgu i Drenovës, të cilët ishin deklaruar fajtor për krime të rënda.

 

Policia greke, thirrje për vetëdorëzim, të arratisurit hapën zjarr

Pas katër ditësh kërkime intensive në kufirin shqiptaro-grek, policia helene ra në gjurmët e tre të arratisurve dhe arriti që rreth orës 19:00 t’i lokalizonte ata rrëzë malit në Kostur dhe t’u bënte thirrje për t’u dorëzuar. Mirëpo, siç konfirmohet edhe nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, tre shqiptarët janë kundërpërgjigjur me kallashnikov. Policia greke njoftoi se Toma është kapur në fshatin Elaptora të Greqisë, rreth 27 km pasi kalohet kufiri grek, në pjesën që lidh Kosturin me Janinën. Në atë zonë ishin fshehur edhe dy të arratisurit e tjerë Eduard Lulo dhe Reiz Haxhiraj. Sipas mediave greke, përpara arrestimit të Gëzim Tomës, policia greke dhe tre të dënuarit janë përleshur me armë në malet e Kosturit, ku mësohet se Toma ka mbetur i plagosur. Të arratisurit Haxhiraj dhe Lula kanë mundur të largohen, ndërsa Gëzim Toma ka rënë në prangat e policisë greke. Sipas gazetës “Ta Nea”, Gëzim Toma, ka marrë plagë gjatë operacionit, teksa u dërgua në infermierinë e komisariatit të Kosturit në Greqi. Sipas krerëve të policisë së Korçës, edhe dy të arratisurit e tjerë po kërkoheshin në mal, pasi dyshohej se ishin fshehur në zonën përreth. Ndërkaq, burime policore thanë se këto ditë, që pas arratisjes të së shtunës e deri dje, policia kufitare greke, e lajmëruar nga pala shqiptare, organizoi disa operacione kërkimi me mjete të sofistikuara teknologjike dhe me disa oficerë, me të cilët ishin zhvilluar aksione për kapjen e shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikallasë, para pak muajsh. Ndonëse bëhet fjalë për zona të largëta me njëra-tjetrën, terreni është thuajse i njëjtë, pra malor dhe me bimësi të dendur. Gjatë këtyre pesë ditë kërkime, ky grup prej tre personash, mundi të largohet mes maleve, i ndihmuar nga banorë të zonës, ku mendohet se janë strehuar për kohë të shkurtër.

 

Familjarët e gardistëve: Janë të pafajshëm, u kërcënuan nga kriminelët

Familjarët e 21 punonjësve në burgun e Drenovës të arrestuar si përgjegjës të arratisjes së 7 të dënuarve kanë protestuar dje në ambientet e jashtme të burgut të sigurisë së lartë, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Korçës, e cila vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg për 19 prej tyre. Sipas tyre, ata janë të pafajshëm, ndërsa shprehen se mosreagimi ka ardhur pasi kanë qenë nën kërcënimin e armëve nga ana e të dënuarve dhe në të tilla kushte janë detyruar të hapin dyert. Familjarët i kanë bërë apel shtetit të lirojë të afërmit e tyre ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave. “Ju bëj thirrje të vinë të ndeshen vetë me kriminelët dhe të shohin sesi është. Ne do bëjmë protesta ditë për ditë në mbrojtje të familjarëve tanë që i kanë arrestuar me pa të drejtë”, – thotë njëri prej protestuesve. “Burri im kishte 4 armë në kokë, 2 në bark, ku të njoftonte ai. Po si more e paska ditur shteti që paska pasur armë në frigorifer dhe nuk paska vepruar”. “I thanë burrit tim, do futesh në burg se pse nuk qëllove në ajër të lajmëroje. Të vritej ai dhe ndonjë tjetër pastaj. Po si nuk thotë shteti, bravo more çuna që evituat gjakderdhjen aty në burg, por i çojnë me pranga në duar”, – tha një tjetër protestues. Gjykata e Korçës la në burg 19 prej punonjësve të arrestuar nën akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, ndërsa dy grave, Luljeta Dvorani dhe Suzana Sejadarasi me detyre operatore kamerash në këtë burg u vendos masa e sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Vetë të arrestuarit kanë deklaruar para togave të zeza se të dënuarit i kanë kërcënuar me vdekje çka i ka detyruar ata të hapin dyert e burgut, ndërsa polici i tunelit Edmon Qarri ka treguar se Admir Tafili dhe të arratisurit e tjerë para se të dilnin, kishin veshur xhaketat e gardianëve të burgut.

 

Kryeministri Edi Rama: U krye, përgëzime Policisë së Shtetit!

Kryeministri Edi Rama ka dhënë i pari lajmin e arrestimit të të arratisurit të fundit. Me një postim në “Facebook”, Rama njoftoi dhe arrestimin e të fundit të të arratisurve. “U krye! Përgëzime Saimir Tahirit e Policisë së Shtetit që në më pak se 7 ditë rikthyen prapa hekurave të 7 kriminelët e arratisur nga burgu. Faleminderit çdo polici të përfshirë në këtë operacion special e posaçërisht forcave të Reneas! Policia jonë po kthehet në krye të detyrës”. “I shkëlqyer dhe bashkërendimi ditë-natë me policinë greke për 3 të arratisurit e fundit. Është veç fillimi i mbarë drejt fitores mbi krimin”, – shkruan më tej Rama në “Facebook”.

 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: Faleminderit çuna, i shtoni krenari kësaj dite

Ndërkohë, pas arrestimit të Reis Haxhirajt i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili përgëzoi Policinë e Shtetit për këtë aksion, e duke e quajtur ditën e sotme si një ditë të shkëlqyer për drejtësinë. “Përfundoi arratisja! Ka filluar një kapitull i ri për Policinë e Shtetit. Ditë e shkëlqyer për drejtësinë, shtetin ligjor, për rendin dhe sigurinë. Faleminderit Policia e Shtetit, faleminderit çuna! I shtoni krenari kësaj dite e nder Policisë së Shtetit!”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency