Atletiko e Madridit merr barazim ne Rusinë e ftohtë ndaj Zenitit

0
138

Skuadra e Simeones ka arritur që me shumë fat të marrë një barazim ndaj Zenitit. Si spanjollët edhe rusët janë mjaftuar me një gol, duke ndarë nga një pikë.

 

318742hp2 Një ndër ndeshjet më të forta ka qenë edhe sfida e Atletiko Madridit kundër Zenitit. Kjo, për faktin se Atletiko po ruan një superformë në të gjitha kompeticionet. Skuadra është mjaft e fortë në La Liga, duke konkurruar Realin dhe Barcelonën, ndërsa në Ligën e Kampioneve ajo mbetet e pamposhtur. Edhe Zeniti ruan një superformë të mirë, për shkak të ekipit që rusët kanë ndërtuar gjatë këtyre viteve. Vetëm fati i keq ka shmangur faktin se Ateltiko mund të dilte me tri pikë nga sfida kundër rusëve. Kjo, pasi skuadra madrilene arriti që të shënonte e para dhe pati shumë raste të pastra që të merrte triumfin. Një ndeshje shumë e fortë, që nxori edhe një herë në pah formën e spanjollëve. Edhe vendasit kanë qëndruar të fortë dhe kanë arritur që të sulmojnë shumë përpara portës së Kortuas, por që nuk kanë arritur që të nxjerrin më shumë se një gol. Në fillimin e ndeshjes është Atletiko ajo që zotëron topin, duke mos pasur asnjë problem. Është Gabi i pari ai që tenton të shkojë drejt zonës ruse me ngulm, ndërsa nga ana tjetër, është Zeniti ajo që bën presion në mesfushë, me synimin që të marrë topin. Dhe duket se ky presion i ushtruar do të jepte edhe tronditjet e para për bardhekuqtë. Është Shatov ai që vepron mirë dhe bën një lojë të bukur me ish-in e Portos, Hulk. Braziliani gjuan, por që do të reagonte mirë portieri belg i cili do të ndalte topin. E gjithë loja e pjesës së parë ka shumë temp, pasi të dyja skuadrat luajnë më shumë me topin dhe tentojnë të dyja të shënojnë. Atletiko është skuadra që tenton të mbajë topin më shumë për të vepruar më mirë rreth zonës së vendasve. Ndërsa, nga ana tjetër, skuadra e Zenitit pret kundërsulmin, në mënyrë që të arrijë te goli. Ka qenë Kristian Rodrigez më i dalluari i cili ka tentuar të hapë zonën e Zenitit. Lojtari pati një rast shumë të mirë shënimi pas një topi që u dha nga Raul Garsia, por që goditja nuk ishte e duhur. Ndërsa për Zenitin, Lydogin ka qenë shumë i mirë i përgatitur dhe i vështirë për t’u kaluar. Nga ana tjetër, ishin Hulk dhe Shtavo që e mbyllën mirë Atletikon në gjysmëfushën e tyre me anë të sulmeve të shpejta që kryenin. Vendasit dëshironin që të merrnin një trepikësh, kështu që luajtën të gjitha kartat në fragmentin e parë të lojës. Ndërsa pjesa e dytë kishte edhe më shumë emocione, kjo edhe për faktin se ishte pjesa, ku u shënuan edhe golat. Panorama e ndeshjes ishte e njëjtë me atë të pjesës së parë. Të dyja skuadrat u futën në fushë me ide të arta për lojën që do të kryenin dhe arritën që të realizonin shumë mirë detyrat që u dhanë. Ishte e para skuadra e Diego Simeones që provoi të shënonte golin, duke e mbyllur skuadrën e Zenitit që minutat e para të sfidës. Dhe duket se puna do të shpërblehej shumë shpejt, vetëm pas 8 minutash madrilenët do të shënonin golin që i çon në avantazh. Do të ishte Adrian shënuesi që pas një asisti nga Garsia do të mposhte gardianin e rusëve dhe do t’i jepte avantazhin skuadrës. Vendasit nuk kanë kohë të tronditen dhe kështu hidhen menjëherë në sulm për të kërkuar golin. Nga ana tjetër, skuadra e Atletikos u mbyll mirë dhe po tentonte të kryente lojën e saj nëpërmjet kundërsulmeve. Dhe duket se edhe për rusët do të vinte festa, pasi vetëm njëzet minuta pas shënimit të golit nga Ateltiko, do të ishte Tobi Alderuilld lojtari që do të shënonte për Zenitin dhe do t’i jepte golin e barazimit. Pjesa tjetër e lojës pati emocione tepër të mëdha, për faktin se të dyja skuadrat patën rastin që të shënonin golin e dytë që do t’u jepte fitoren. Skuadra spanjolle e meritonte më shumë që të dilte me triumf, sepse provoi më shumë, por që duket se ishte e pamundur, pasi edhe rusët provuan shanset e tyre. Kështu, skuadra e Simeones qëndron në vendin e parë në kuotën e 13 pikëve, duke qëndruar e pamposhtur në sfidat evropiane. Një periudhë shumë e mirë për skuadrën nga Madridi, që është surpriza e këtij sezoni në Champions League.

 

 

Tifozët shqiptarë përgatisin surprizë për Januzajn

Në datën 7 dhjetor, në “Old Trafford”, do të jenë disa tifozë të veçantë për Adnan Januzajn. Nisma për të bindur Adnanin t’i thotë “po” Shqipërisë tani do të kalojë në një tjetër hap. Disa shqiptarë që jetojnë në Angli kanë menduar t’i bëjnë një surprizë lojtarit që luan për Mançester Junajtidin. Në ndeshjen që kjo skuadër do të luajë me Njukastëllin do të jenë të shumtë në stadium dhe do të shpalosin disa pankarta për të bindur shqiptarin t’u thotë “po” kuqezinjve. Në njoftimin në “Facebook” për këtë lëvizje shkruhej: “Të nderuar shqiptarë me 7 dhjetor 2013 zhvillohet ndeshja Mançester Junajtid-Njukastëll, me këtë rast kemi organizuar të japim një mesazh nga stadiumi “Old Trafford”. Lusim të gjithë shqiptaret që kanë mundësi t’i bashkohen aksionit që të bëhet sa më madhështor. Parulla do të hapet në “Entrance nr. 43 Block N1404”. Për vendin dhe orën e grumbullimit të pjesëmarrësve do të njoftoheni në ditët në vijim”. Një lëvizje kjo që duket se do t’i tërheqë vëmendjen Adnanit dhe babait të tij.

 

Shpëtim Duro prezantohet me skuadrën e Tetovës

Trajneri i ri i skuadrës tetovare Shkëndija ka nisur zyrtarisht punën e tij. Shpëtim Duro është prezantuar me skuadrën dhe me mediat vendore e pasi ka thënë fjalën e tij të parë, ka filluar stërvitjen për të përgatitur takimin e radhës. Duro do të drejtojë provizorisht skuadrën tetovare në tri ndeshjet e mbetura dhe në janar pritet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë. “Jam i lumtur që m’u dha rasti të drejtoj këtë skuadër. Është një eksperiencë e re për mua dhe do ta shfrytëzoj për të bërë më të mirën me këtë skuadër të cilën e kam parë dhe e njoh ashtu si njoh mjaft mirë edhe futbollin maqedonas”, – është shprehur tekniku Duro.

 

Skënderbeu – Flamurtari luhet me dyer të mbyllura

Të dënuar për të luajtur pa tifozë për një takim, kampionët e Shqipërisë kishin shpresuar se do ta shlyenin pezullimin me para. Kanë pyetur në FSHF dhe kanë mësuar se kjo nuk do të jetë e mundur të ndodhë kështu, edhe pse drejtuesit ishin të gatshëm të paguanin 6 milionë lekë për të hapur dyert për tifozët. “Ujqërit e dëborës” janë zhgënjyer shumë nga ky lajm, pasi nuk do të kenë mundësi të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur skuadrën e tyre.

 

 

Turne në Vlorë për festën e Pavarësisë

Me rastin e festave kombëtareve, në Vlorë në datën 28 nëntor, futbolli do të festojë Ditën e Pavarësisë me një turne miqësor, në të cilin do të marrin pjesë katër skuadra. Flamurtari si skuadra pritëse, Laçi si fituesja e Kupës së Shqipërisë, Prishtina si kampionia e Kosovës dhe Otrantoja si skuadra shqiptare e Ulqinit në Malin e Zi. Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Flamurtari” dhe FSHF si organizatore e këtij turneu ka menduar ta hapë dyert falas për tifozët që do të duan ta ndjekin nga afër. Turneu bashkë me një ceremoni festive pritet të nisë në orën 12:00.

 

Daren Fleçer, jo gati për Mançesterin

Menaxheri i Junajtidit, Devid Mojes, ka njoftuar se Daren Fleçer ende nuk është i gatshëm për t’iu kthyer lojës. Mesfushori anglez nuk ka luajtur që nga dhjetori i vitit të kaluar, për shkak të problemeve e që ka pasur me kolitin. Ndërsa trajneri mendon se ai duhet të luajë akoma me ekipin e të rinjve para se të kthehet te skuadra kryesore. “Nuk mendoj se është i gatshëm. Atij i nevojiten edhe disa ndeshje. Është mirë që po stërvitet rregullisht. “Ka filluar t’i ngjajë përsëri një futbollisti dhe ky është një plus i madh për të”, – ka deklaruar Mojes për faqen zyrtare të klubit. Junajtid nuk e ka në dispozicion as mesfushorin tjetër Kerrik, i cili është dëmtuar në tendinë, por trajneri nuk dëshiron të ngutet me kthimin e tij. Ndërkohë që do të mungoj për skuadrën edhe Robi van Persi.

 

Pelegrini: Hart nuk largohet në janar

Menaxheri i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini, ka përgënjeshtruar njoftimet se Xho Hart mund të huazohet në janar. Trajneri kilian, po ashtu, ka hedhur poshtë spekulimet se mund të transferojë një portier tjetër gjatë afatit dimëror. Hart së fundmi e ka humbur vendin si portieri kryesor i Sitit për shkak të disa paraqitjeve jo të mira, ndërsa njoftimet më të reja thonë se portieri i Real Madridit, Iker Kasijas, mund të kalojë në “Etihad Stadium”. “Ka shumë lajme për gjashtë apo shtatë portierë që duam t’i blejmë, por nuk janë të vërteta. Nuk ka mundësi që Xho Hart të largohet nga kjo skuadër në janar”, – ka thënë trajneri kilian, ndërkohë që dje u mësua se Pelegrini është takuar me sheikun Mansur, sepse në planet e të kaltërve mund të jetë San Iker, që tashmë është portier i dytë te Reali.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency