Lexime filozofike Virtyti vlen më mirë sesa shkenca

0
120

Volter

 

volterMë pak dogma, më pak grindje; dhe më pak grindje, më pak fatkeqësi: në qoftë se kjo nuk është e vërtetë, unë e kam gabim.

Feja është krijuar për të na bërë të lumtur në këtë jetë dhe në tjetrën. Çfarë duhet për qenë i lumtur në jetën e ardhme? Të jesh i drejtë.

Për të qenë te ne këtë këtu, çfarë duhet? Të jesh zemërbutë. Do të ishte kulmi i marrëzisë për të pretenduar që t’i bësh të gjithë njerëzit të mendojnë në mënyrë uniforme mbi metafizikën. Do të ishte shumë më e lehtë të robërohej tërë universi përmes armëve, se sat ë robëroheshin tërë shpirtrat e një qyteti të vetëm.

Euklidi ia doli mbanë me lehtësi t’i bindte të gjithë njerëzit për të vërtetat e gjeometrisë: Pse? Sepse nuk ka edhe një të vetëm, që të mos jetë i qartë për këtë aksiomë të vogël: dy dhe dy bëjnë katër. Nuk është krejt njëlloj kur flitet për përzierjen e metafizikës me teologjinë.

Kur peshkopi Aleksandër dhe prifti Arios, ose Arius, filluan të ziheshin për mënyrën se si Logosi ishte një shpallje e Atit, perandori Konstandin u shkroi atyre këto fjalë, të cituara nga Eusebi dhe Sokrati: “Ju jeni të marrë të mëdhenj që ziheni mbi gjëra që nuk mund t’i kuptoni”. Në qoftë se të dyja palët do kishin qenë aq të mençura sa të binin dakord se perandori kishte të drejtë, bota e krishterë nuk do të përgjakej për treqind vjet rresht.

Në fakt, a ka gjë më të marrë dhe më të tmerrshme sesa t’u thuash njerëzve: “Miqtë e mi, nuk është e mjaftueshme të jesh subjekt besnik, fëmijë të nënshtruar, etër të dhembshur, fqinjë të drejtë, të praktikoni të gjitha virtytet, të kultivoni miqësinë, t’i largoheni mosmirënjohjes, të adhuroni Jezu Krishtin në paqe. Ju duhet ta dini se si është të përfshihesh në tërë përjetësinë dhe në qoftë se nuk dini të dalloni omusionin nga hipostaza, do t’u denoncojmë që të digjeni përgjithmonë; dhe, duke pritur, ne do t’ju therim”.

Në qoftë se do t’i paraqisnin një vendim të tillë një Arkimedi, një Posedoniusi, një Varroni, një Katoni, një Ciceroni, si do të përgjigjeshin ata?

 

Konstandini nuk nguli këmbë aspak në vendimin e tij për të imponuar heshtjen ndërmjet palëve: ai mund të sillte kryetarët e ergotizmit, në pallatin e vet; ai mund t’u kërkonte atyre se me çfarë autoriteti po turbullonin botën: “A i keni ju titujt e familjes hyjnore? Çfarë rëndësi ka për ju nëse Zoti është bërë ose mishëruar, përderisa jemi besnikë ndaj tij, përderisa predikojmë vlera morale pozitive dhe i praktikojmë ato sa më mirë që mundemi? Unë kam bërë shumë gabime në jetën time, dhe ju gjithashtu; perandoria më ka kushtuar mashtrime dhe egërsi; kam vrarë pothuajse të gjithë të afërmit e mi; pendohem për këtë; unë dua t’i çrrënjos krimet e mia duke e bërë perandorinë romake të qetë.

Mos më pengoni që të bëj të vetmen të mirë që mund të bëj: të harroj barbaritë e mia të hershme; më ndihmoni t’i mbyll ditët e mia në paqe”. Ndoshta ai nuk do të kishte fituar asgjë ndaj palëve grindëse; ndoshta do i bëhej qejfi të drejtonte një koncil i mbështjellë me një veshje të kuqe të gjatë dhe kokën të ngarkuar me gurë të çmuar.

Megjithatë, ja kush e hapi portën për të gjitha këto murtaja, që erdhën nga Azia për të përmbytur Oksidentin. Për çdo diskutim të nxehtë mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë, dilte një ushtri e tërbuar që, me argument sofistësh dhe shpatë, i bënte të gjithë njerëzit të marrë dhe mizorë. Ata që erdhën më pas – hunët, herulët, gotët dhe vandalët – bënë pafundësisht më pak keq; vërtetë, krimi i tyre më i madh në fund të fundit ishte që ata u përfshinë këto grindje fatale.

Nga libri “Traktat mbi tolerancën”, përktheu: Gjergj Sinani

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency