Zënka pas lojës në poker, vritet 23-vjeçari Adriatik Bregu

0
169

Sonja Caka

Vrasja në fshatin Libonik, në një lokal lojërash fati, arrestohet autori Donald Kreka

 

policia-e-korces_14Zënka në një lokal lojërash fati, gjatë kohës që ishin duke luajtur poker, ka çuar në vrasjen e një të riu në fshatin Libonik të Korçës. Policia, e cila ka marrë njoftim për ngjarjen, ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të krimit, përkatësisht të 25-vjeçarit Donald Kreka. Nga hetimet e para mësohet se ngjarja ka pasur për motiv një zënkë të çastit mes dy të rinjve, çka solli edhe pasojën e rëndë, vrasjen e 23-vjeçarit Adriatik Bregu. Pasi janë zënë për lojën me poker dhe janë sharë mes tyre, autori ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar me të ndaj shokut, i cili ka humbur jetën pas mbërritjes në spital. Autori i krimit është vënë në pranga ndërsa ka shpjeguar motivin e krimit, ka shprehur pendesë për kryerjen e tij.

Ngjarja

Vrasja me armë zjarri ka ndodhur mesditën e djeshme, rreth orës 14:32 në fshatin Libonik të qytetit të Korçës. Nga policia e Korçës, mësohet se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali lojërash fati, ku autori dhe viktima janë konfliktuar duke luajtur poker. Pas zënkës në lokal, Kreka ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një armë, me të cilën ka qëlluar shokun e tij. Policia bën me dije se viktimë ka mbetur 23 vjeçari Adriatik Bregu, banues në Libonik, i cili nuk ka mundur t’u shpëtojë dot plagëve të rënda dhe ka humbur jetën në spitalin e Korçës. Po sipas policisë, autori i ngjarjes dyshohet të jetë 25-vjeçari Donald Kreka, gjithashtu banues në fshatin Libonik. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, 25-vjeçarin Kreka, gjithashtu po punohet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Dëshmia

Një nga punonjëset e lokalit ka rrëfyer pas ngjarjes se djemtë kanë qenë brenda në lokal duke luajtur. Janë trembur kur dëgjuan të shtënat nga brenda dhe janë tronditur kur kanë mësuar se është vrarë njëri prej të rinjve të fshatit. “U tremba kur dëgjova të shtënat dhe u shokuam kur morëm vesh çfarë kishte ndodhur. Të dy janë djem të mirë dhe vijnë nga familje të mira, jo problematike. Nuk di si ndodhi dhe pse ndodhi”, – rrëfen gruaja e tronditur. Ndërkohë që, edhe persona të tjerë që kanë qenë në lokal kanë dëshmuar se askush nuk e priste që pas zënkës Donaldi të kthehej me armë nga shtëpia. Edhe pse disa të rinj u përpoqën të shmangnin vrasjen, ka qenë e pamundur, pasi 25-vjeçari e qëlloi disa herë viktimën Bregu. Me qëllim për të zbardhur shkaqet e sherrit të ndodhur mes dy të rinjve, policia ka shoqëruar disa nga personat që ishin brenda në lokal në momentin kur ndodhi krimi.

 

 

Krujë

Vrau nënën 12 vite më parë, vetëvaret në spitalin e burgut Tonin Biba

Gardianët e spitalit të burgut të Krujës kanë gjetur në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme të vetëvarur në qeli një të dënuar. Bëhet fjalë për Tonin Bibën, i cili ishte dënuar për vrasjen e nënës së tij, ngjarje e ndodhur 12 vjet më parë. Sipas burimeve zyrtare, Tonin Biba ndodhej në burg qysh prej vitit 2001, pasi ishte dënuar për vrasjen e nënës së tij, Marte Biba. Policia e Krujës ka bërë të ditur se në orën 00:40 minuta të ditës së djeshme, kanë marrë njoftimin se është gjetur i vetëvaruar në dhomën e tij në burgun e Zaharisë, i cili është spital për të sëmurët mendorë, 44-vjeçari Biba, nga Skuraj i Kurbinit. Menjëherë kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje dhe mendohet se vetëvarja ka ndodhur në një gjendje të rëndë psikologjike e të dënuarit, i cili nuk vizitohej nga familjarët e tij që pas krimit. Ai vuante nga skizofrenia e çorganizuar dhe merrte mjekim të detyruar dy herë në ditë, medikamentin Risperibon. Në institucion nuk ka rezultuar problematik në sjellje, por takimet me familjen i kishte shumë të rralla (vetëm tri takime për vitin 2013). Ky person, më 5 shkurt të vitit 2001, kishte vrarë me thikë të ëmën e tij. Pas vrasjes, Tonin Biba ishte arrestuar dhe Gjykata e Kurbinit në datën 1 qershor 2001 e kishte dënuar me masën e “Shtrimit të detyrueshëm në spitalin psikiatrik”. Kjo, pasi nga aktet mjekoligjore ai ka rezultuar i papërgjegjshëm. Viktima akuzohej se në fshatin Skuraj, më 5 shkurt të 12 viteve më parë, vrau nënën e tij, Marte Biba. Sipas policisë, vrasja është kryer me thikë, pasi Tonin Biba e ka qëlluar nënën e tij, Marte Biba, në qafë. Dhoma ku kishte ndodhur vrasja ishte gjetur e mbytur në gjak ne momentin që kane arritur ekspertët e policisë. Viktima ishte rrëzuar në një divan në dhomën e ndenjes. Pas krimit autori i vrasjes ishte larguar. Familjaret kishin dëgjuar vetëm britmën e gruas dhe më pas kishin parë djalin të ikte me vrap nga një prej dritareve të shtëpisë.

 

Laç

Vodhi mjetet e sekuestruara, gjykata lë në burg efektin e policisë Gjini

Gjykata e Kurbinit ka caktuar dje masën e sigurisë “Burg pa afat” për efektivin e policisë Kastriot Gjini, i akuzuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Ai u arrestua në flagrancë tri ditë më parë, ndërsa po shiste pjesë të një autoveture që ishte bllokuar nga ana e Policisë Rrugore të Kurbinit pak ditë më parë. Sipas akuzës, Kastriot Gjini, 39 vjeç, ka qenë me shërbim në turnin e parë, në pikën e bllokimit të makinave, e cila ndodhet tek ish-reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kurbinit. Mësohet se policia kishte mundur të siguronte në rrugë operative se Kastriot Gjini kishte kohë që kishte nisur çmontimin e pjesëve të ndryshme të mjeteve të bllokuara dhe kishte nisur t’i shiste, pasi ishte lidhur me drejtues mjetesh. Burime zyrtare të Policisë së Kurbinit thanë dje se Kastriot Gjini e kishte marrë shërbimin në orën 06:00 të mëngjesit të së dielës dhe do ta linte atë në orën 14:00. Ndërkohë ai po mbahej nën mbikëqyrje pas sinjalizimit të veprimeve të tij. Sipas burimeve të informacionit, Kastriot Gjini kishte njoftuar një nga drejtuesit e mjetit, i cili mendohet të ishte edhe i infiltruar, që të shkonte të merrte pjesën e hequr nga një makinë, kundrejt një vlere prej 12 mijë lekësh. Në momentin kur polici Gjini ka qenë duke i dhënë pjesën motorike drejtuesit të veturës dhe po merrte paratë, ai është prangosur menjëherë në flagrancë nga ana e forcave të Komisariatit të Kurbinit.

 

Rrëfimi i Fehmi Brahjes: Gruaja, përgjegjëse për sjelljen e djalit, jam penduar për krimin

Zbardhet dëshmia e Fehmi Brahjes, i cili mbyti gruan me këllëfin e jastëkut. Para oficerëve të policisë gjyqësore 49-vjeçari ka treguar se shkaku i debatit ka qenë sjellja problematik e djalit 15 vjeç, i cili prej tre ditësh ishte zhdukur nga shtëpia. Fehmi Brahja ka akuzuar bashkëshorten si fajtore të situatës. “Ne kemi tre fëmijë dhe njëri prej tyre është shumë problematik. Djali është vetëm 15 vjeç dhe gruaja ime është mësuese. Djali ka dashur të lërë shkollën dhe është fëmijë shumë i lëvizshëm. Mendoja se bashkëshortja duke pasur këtë profesion do arrinte ta përmblidhte dhe ta qetësonte, por ndodhi e kundërta. Djali kishte ikur nga shtëpi prej tre ditësh dhe u kthye natën e ngjarjes. Sapo u fut në shtëpi i bërtita dhe nga shqetësimi i madh se ku kishte qëndruar, e godita edhe me pëllëmbë. E kisha humbur logjikën dhe doja ta çoja nga liqeni që ta rrihja. U solla shumë agresiv ndaj tij, pasi doja ta trembja. Por më ndërhyri gruaja duke thënë që të mos i bërtisja se nuk do të zgjidhja gjë. Kjo fjali e saj më acaroi, pasi për shkak të butësisë së saj arriti situata deri në këtë pikë me djalin”, – rrëfen autori. 49-vjeçari ka treguar për policinë momentet e krimit, kur ka marrë këllëfin e jastëkut dhe ia ka lidhur në qafë bashkëshortes, 43-vjeçares Radivije Brahja. “Djali më iku sërish dhe vazhdoi debati me gruan. E kisha humbur logjikën dhe nuk po dija se çfarë po bëja. Në sherr e sipër iu sula gruas dhe i lidha këllëfin e jastëkut në fyt. Vazhdova t’ia shtrëngoja, derisa ia morra frymën. U pendova për këtë që bëra dhe nuk ishte qëllimi im që ta vrisja. Ende nuk e besoj që ajo nuk është më gjallë”, – ka dëshmuar autori i krimit. Ndërsa kolege të 43-vjeçares Radivije Brahja e përshkruajnë si një person mjaft të dashur dhe të sjellshëm. “Ne Radivijen e kishim kolegen tonë dhe ishte njeri i shkëlqyer. Grua shumë e mirë, por me halle në familje. Burri nuk i punonte dhe ajo ankohej për gjendjen e vështirë ekonomike si dhe konfliktet në familje”, – rrëfejnë koleget e 43-vjeçares. A. Tato

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency