Simpoziumi “Etika në gjyqësor” Arvizu: Disa gjyqtarë duhet të kishin përfunduar në burg për korrupsion

0
138

Sonja Caka

Nishani pranon: Po, ka gjyqtarë të korruptuar, por ka edhe profesionistë

Naço: Shqipëria, vendi më i korruptuar në Evropë, duhen ndryshime

 

simpoziumi etika ne gjyqesotNë prag të largimit nga Shqipëria, ambasadori amerikan Alexander Arvizu është treguar shumë i drejtpërdrejtë në mendimin që ai dhe shteti që përfaqëson kanë lidhur me situatën në gjyqësor. Në fjalën e tij të mbajtur në simpoziumin e etikës në gjyqësor, diplomati amerikan u shpreh se disa gjyqtarë duhet të kishin përfunduar në burg për korrupsion, ndërsa shtoi se “është e rëndësishme që i gjithë sistemi gjyqësor të mos shihet i tërë si korruptiv, por vetëm ata individë që janë të tillë”. Më tej në fjalën e tij, ambasadori amerikan ka kërkuar nga gjyqtarët vendime kurajoze, në mënyrë që perceptimi i qytetarëve për gjyqësorin të ndryshojë. Ambasadori i SHBA-së nxit gjyqtarët që të japin vendime të drejta, kurajoze dhe të mbështetura tek ligjet dhe provat. Ambasadori Arvizu nënvizoi se qeveria e SHBA-së dhe ambasada Amerikane këmbëngul dhe jep gjithë mbështetjen e saj për një sistem gjyqësor të pavarur dhe se të gjithë gjyqtarët të cilët japin vendimeve të drejta dhe kurajoze të mbështetura tek ligjet dhe provat nuk do të jenë vetëm. “Në një shtet funksional, nuk ka gjë më të rëndësishme se një gjyqësor i lirë e i pavarur. Duhet të keni kurajo t’i qëndroni trysnive dhe të ndërmerrni vendime bazuar në ligj dhe prova, dhe më e vështira të keni kurajon të çrrënjosni korrupsionin. Është e rëndësishme që gjithë sistemi gjyqësor të mos shihet i tëri si korruptiv, por vetëm ata individë që janë të tillë”. Më pas, në simpozium e ka marrë fjalën presidenti Nishani, i cili pranoi se në sistemin gjyqësor ka gjyqtarë të korruptuar dhe nënvizoi rëndësinë e marrjes së hapave konkretë në konsolidimin e këtij sistemi por dhe në promovimin e rasteve pozitive. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka qenë më i drejtpërdrejtë në fjalën e tij, ku sqaroi se ka ardhur koha për veprime në mënyrë që situata të ndryshojë. Ndërsa për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dy probleme të mprehta të drejtësisë janë korrupsioni si dhe emërimi i gjyqtarëve.

Ambasadori Arvizu

Ambasadori amerikan ka qenë dje nga një të ftuarit e simpoziumit të organizuar në ambientet e hotelit “Sheraton”, në fokus të të cilit ishte etika në gjyqësor dhe besimi i publikut te gjykatat. Diplomati amerikan përmendi një sondazh që kishte bërë vetë në lidhje me korrupsionin në Shqipëri dhe përgjigjja më e madhe ishte për korrupsionin tek gjyqësori dhe gjyqtarët. “Me qeverinë e re kam qenë shumë aktiv dhe kam pasur shumë mundësi të flas me shumë njerëz. Rëndësia e vazhdimit të progresit, promovimi i demokracisë dhe shtetit ligjor ka qenë temat kryesore në çdo takim dhe pyesja se cila është sfida më e madhe e gjyqësorit dhe mendova se përgjigjja e sondazhit ishte korrupsioni në polici. Disa thanë kështu, por jo pjesa më e madhe. Përsëri besova se disa do të theksonin joefikasitetin në ndjekjen penale. Por, përgjigja më e madhe ishte gjyqësori dhe gjykatësit. Ky sondazh nuk mund të jetë fare shkencor por pasqyron atë që pjesa më e madhe mendon në Shqipëri. Pastaj, mendova me veten se kjo nuk është e drejtë kundër gjykatësve dhe ne të gjithë e dimë që ka disa gjyqtarë të korruptuar që sinqerisht duhet të ishin në burg tani të gjithë e dimë këtë, por pjesa më e madhe e gjykatësve nuk bien në këtë kategori sepse nuk është thjesht një problem i gjykatësve, por problem i shoqërisë dhe shtetit ligjor”, – tha Arvizu. Më pas, ai apeloi për gjyqtarët duke u kërkuar të japin vendime të drejta pasi pas do kenë gjithmonë SHBA-në. Arvizu kërkoi të nënvizonte se korrupsioni është nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqtarëve, “por kjo nuk do të thotë se nuk kanë përgjegjësi, por është e gjithë strukturës gjyqësore. E kam thënë më parë dhe nëse do ishte një president apo një shofer kamioni, nëse do ishe shef ekzekutiv i një kompanie apo një mafioz, nëse në fakt do lëvizje fakte dhe do të ndërhyje në rezultatin e gjyqësorit, ndonëse në të vërtetë thelbi pavarësi është jetike për gjyqësorin duhet gjithsecili ta kuptojë. Nuk është thjesht një problem me gjykatësit, por është problem e gjithë struktura gjyqësore”, – u shpreh z. Arvizu. Ambasadori i SHBA-së tha se konsolidimi i sistemit gjyqësor është një rrugë e gjatë në të cilën, gjyqtarët nuk janë vetëm por kanë mbështetjen e SHBA-së dhe të ambasadës dhe për ta ilustruar solli një thënie të Jon Roberts, kryetarit të gjykatës supreme amerikane: “Shteti ligjor është si katedralja që duhet ndërtohet me mundim e durim tullë pas tulle. Mesazhi është shumë i thjeshtë: Ju nuk jeni vetëm, nuk duhet të jeni vetëm në këtë udhëtim e ndërsa ndërmerrni vendime kurajoze. Ju do të jeni të sigurtë për mbështetjen e SHBA, e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vazhdoni të vini këto tulla në sistemin e së drejtës në Shqipëri”.

Presidenti Nishani, si kreu i KLD-së

Presidenti i vendit, z. Bujar Nishani, në pozicionin që mban si kryetar i KLD-së, ka mbështetur mendimin e diplomatit amerikan, duke pranuar që ka gjyqtarë të korruptuar, por ka vijuar më tej se në të njëjtën kohë ka edhe gjyqtarë shumë profesionistë. “Jam dakord që mes qytetarëve ka një perceptim kryesisht mbi integritetin dhe pjesërisht profesionalizimin e gjyqtarëve tanë, por unë besoj, se nuk është aspak e drejtë që të përcaktohet e tërë trupa e gjyqësorit me performancën e një numri të caktuar individësh brenda gjyqësorit që nuk meritojnë jo vetëm të jenë gjyqtarë e prokurorë, por meritojnë të ndeshen me padinë penale, hetimin penal. Por, unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj se kurimin dhe kuruesi më i mirë i sistemit gjyqësor, dhe ndoshta i vetmi, është dhe duhet të jetë vetë komuniteti i gjyqtarëve, sistemi i gjyqësorit. Nëse do të kemi një set praktikash të unifikuar do të ishte kurajo e madhe e gjyqtarëve të shkallës së parë e të dytë të mos respektonin këto praktika të unifikuara të Gjykatës së Lartë dhe do të ishte rast flagrant. A kemi të korruptuar në sistem? Do ta themi me zë të lartë “po”. Por, kemi dhe gjyqtarë kurajozë të dashuruar dhe të lidhur me profesionin. Hapi i parë do të ishte mbështetja dhe promovimi i individëve pozitive, kjo nuk besoj se do të luftonte korrupsionin por do të inkurajonte pozitivitetin. Duhet të mendojmë seriozisht për të përcaktuar hapa konkretë jo thjeshtë teorik e akademikë por të gjithanshëm shumëdimensional ku të përfshihen përmes rekrutimit njerëz më të mirë. Para drejtësisë kush i mohon të drejtën qytetarit dhe ngatërron fuqinë që i jep ligji me interesat personale. Këto janë sfidat jo të një institucioni të caktuar por të tërë institucioneve”, – përfundoi fjalën e tij përshëndetëse në simpozium, kreu i shtetit, z. Nishani.

Ministri Naço

Më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë ka qenë në fjalën e tij kreu i Ministrisë së Drejtësisë, z. Nasip Naço. Ai deklaroi se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evropë. “Publiku ka të drejtë të dijë se si funksionon drejtësia. Transparenca e gjykatave përbën një parim të rëndësishëm që mbështet vlerat themelore. Mungesa e pavarësisë, karrierës dhe transparencës në gjyqësor. Sondazi i USAID-it thoshte se 60 për qind e qytetarëve nuk kishte besim tek gjyqësori. Gjithashtu, ky sistem ishte i dyti në listë për mungesë transparence. Gjithashtu, nga raportet e BE-së, gjyqësori shihet si sektori më i korruptuar. Ndërsa në raportin e Transparency International, Shqipëria humbi 18 vende në indeksin e korrupsionit duke u cilësuar si vendi më i korruptuar në Evropë. Në iniciuam portalin Stop Korrupsionit dhe vetëm për pak ditë janë paraqitur mbi 200 ankesa, duke treguar për besimin që kanë qytetarët. Trajtimi i veprave kriminale nëpërmjet masave parandaluese për bllokimin e pasurisë. Të gjithë bashkë të rrisim transparencën e gjyqësorit, të dixhitalizohet sistemi gjyqësor, të bëhen gjyqet të hapura”, – u shpreh ministri Naço.

Arvizu

“E kam thënë më parë dhe nëse do të ishte një president apo një shofer kamioni, nëse do të ishe shef ekzekutiv i një kompanie apo një mafioz, nëse në fakt do të lëvizje fakte dhe do të ndërhyje në rezultatin e gjyqësorit, ndonëse në të vërtetë thelbi pavarësi është jetike për gjyqësorin duhet gjithsecili ta kuptojë. Nuk është thjesht një problem me gjykatësit, por është problem e gjithë struktura gjyqësore”

Nishani

“A kemi të korruptuar në sistem? Do ta themi me zë të lartë “po”. Por, kemi dhe gjyqtarë kurajozë të dashuruar dhe të lidhur me profesionin. Hapi i parë do të ishte mbështetja dhe promovimi i individëve pozitive, kjo nuk besoj se do të luftonte korrupsionin por do të inkurajonte pozitivitetin. Duhet të mendojmë seriozisht për të përcaktuar hapa konkretë jo thjeshtë teorik e akademikë, por të gjithanshëm shumëdimensional”

Naço

“Mungesa e pavarësisë, karrierës dhe transparencës në gjyqësor. Sondazhi i USAID-it thoshte se 60 për qind e qytetarëve nuk kishte besim tek gjyqësori. Gjithashtu, ky sistem ishte i dyti në listë për mungesë transparence. Gjithashtu, nga raportet e BE-së, gjyqësori shihet si sektori më i korruptuar. Ndërsa në raportin e Transparency International, Shqipëria humbi 18 vende në indeksin e korrupsionit duke u cilësuar si vendi më i korruptuar në Evropë”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency