ZGJEDHJET NË KORÇË Skandali me votat e blera, prokuroria nis hetimet

0
127

Anxhela Tato

 

Regjistrohet procedimi penal për akuzën e dhënies së shpërblimit dhe premtimit

Prokuroria: Do të verifikohen të gjitha dokumentet duke përfshirë edhe pamjet filmike të “Fiks Fare”

 

leket ne dore.Pas skandalit të denoncuar në emisionin “Fiks Fare” për blerjen e votave të studenteve nga ana e Partisë Socialiste, nis hetimi kryesisht nga organi i akuzës. Lajmi është bërë me dije nga ana e Prokurorisë së Korçës, e cila konfirmon se ka nisur nga puna për mbledhjen e provave në lidhje me dyshimin që shtabi i Partisë Socialiste në Korçë ka kryer pagesa nën dorë kundrejt votës për kandidatin e PS-së, Sotiraq Filo. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka regjistruar kryesisht procedimin penal për dhënie shpërblimi dhe premtimeve, pas pamjeve filmike të transmetuara ditën e hënë, dt. 4.11.2013 në emisionin “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel”, ku disa shtetas dyshohet se jepnin para në këmbim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Korçë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë do të shfrytëzojë materialin e prezantuar gjatë emisionit, si edhe do të kryejë hetimet lidhur me personat e përfshirë në këtë veprimtari, të dyshuar si kundërvajtje penale. Në bazë të nenit 328 të Kodit Penal, “ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale… për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Denoncimi

Emisioni investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel” bëri me dije se ka zbuluar abuzimet e shtabit elektoral të kandidatit të PS-së në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo. Kamerat e “Fiks Fare” kanë filmuar të gjithë procesin e pagesës prej 2 mijë lekësh që u është bërë studentëve në këmbim të votës. Një shtab pune i ngritur posaçërisht për fushatën ishte kujdesur deri në detaje. Qëllimi kryesor për ta në këto zgjedhje ishte votimi i studentëve korçarë që vazhdonin studimet e larta në Tiranë. Mënyra për t’i tërhequr drejt kutive të votimit ishte mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit gjatë fundjavës, pra 2000 lekë të reja për çdo votë pro PS-së. Gazetarët e “Fiks Fare” kanë zbuluar me detaje mënyrën se si shtabi i PS-së operonte me studentët, të cilët më përpara kontaktoheshin në telefon, ku u tregohej fillimisht që duhet të votonin e më pas të shpërbleheshin. Të gjithë studentët që do të votonin kandidatin e PS-së ishin të regjistruar në një listë, të cilën e mbanin disa të rinj, anëtarë të shtabit të z. Filo. Në këto lista studentët ishin të regjistruar me numra telefoni celular. Pasi verifikonin që studentët kishin votuar nëpërmjet bojës në gishtin e madh të dorës, atëherë bëhej pagesa prej 2 mijë lekësh. Gazetarët e “Fiks Fare” arritën të komunikonin vetë me disa studentë, të cilët pohuan se ishin kontaktuar në telefon nga shtabi i PS-së së Korçës në bazë të një liste të përpiluar nga vetë ata, ku dhe u është komunikuar shpërblimi prej 2000 lekësh të reja në shkëmbim të votës. Të gjithë këta studentë, të cilët ishin telefonuar nga shtabi i PS-së dy ditë përpara ditës së zgjedhjeve, referuar pamjeve filmike drejtoheshin tek zyra e ngritur posaçërisht për të marrë shpërblimin prej 2000 mijë lekësh të reja.

Biseda

STUDENTJA – Mua më thanë, bile i takova atje tek qendra e votimit. Votove? Po, po, i thashë unë pa merak edhe më tha bile ma jep cik emrin që të ashtu, që të them që votove, nuk është se do vemë vetë. Mjafton dhe atje te dera të rrish, i kupton të tëra nuk është e nevojshme, ca është ky 2 mijë leksh që hyn e del. Tek Dolce Vita rrugica këtu ku ikën për te 3-shi, te Folia. Kemi ikur me studime të gjithë në Tiranë dhe nuk kthehemi më. Gabim, në Korçë Partia Socialiste jep shuma lekësh që unë të votoj për ta. FIKS FARE – Sa lek do t’u japin ju ata? STUDENTJA – 20 mijë ( të vjetëra) FIKS FARE – Po pak janë STUDENTJA – Po vetëm rrugën që të vesh e të vish, sepse s’vinë të votojnë njëherë, është p.sh si në Selanik, e marrin ata që janë emigrant dhe paguajnë vetëm rrugën, nuk është se japin lek. Nuk ka shumë.

 

Zbardhen bisedat, qytetarët ën dijeni të pagesës kundrejt votës

Fiksi: Ku është ajo selia, se s’po e gjej tamam, se…. selia e PS, se do marr ca lekë?

Banor i Korçës: Kjo këtu thua…

Fiksi – Jo, që do merrja lekët.

Banor i Korçës: Aaaaaa, është nga rruga tjetër… do ikësh drejt.

Fiksi: Këtej?

Banor i Korçës: Po.

Fiksi: Është e sigurt që është këtej, se mua më thanë këtej?

Banor i Korçës: Po, e sigurt është. Jo, jo, ja ta shpjegoj, drejt e ke, majtas.

Fiksi: Unë jam studente dhe më thanë që hajde voto e të japim lekët.

Banor i Korçës: Ku votove? Në cilën lagje?

Fiksi: Ë?

Banor i Korçës: Në cilën lagje voton, ku e ke emrin, se ti duhet ta dish?

Fiksi: Ore, unë jam për një shoqe.

Banor i Korçës: Aha…

Fiksi: Po më tha ajo shko se s’kam ëë…. Lagjja Nr.4

Banor i Korçës: A, lagjja Nr.4 . Rruga drejt, e ke majtas.

Biseda me anëtarët e shtabit të Rilindjes

Studentja: Mirëdita! Si jeni? …. Quhem.

Stafi i Rilindjes: Si? Ju kanë lajmëruar?

Studentja: Po, më kanë marrë në telefon, ku më thanë që pasi të votoja duhet të vija të paraqitesha këtu.

Stafi i Rilindjes: Po (pohon me kokë). Numrin e telefonit.

Studentja: 06……

Stafi i Rilindjes: Po përderisa je njoftuar duhet te jesh në rregull, se na duhen dhe për herë të tjera ëëëë….

Studentja: Po, patjetër!

Stafi i Rilindjes: Ju faleminderit që na mbështesni!

* * *

Studentja: Si jeni, mirë? Erdha përsëri se solla këto gocat e tjera që s’e dinin.

Stafi i Rilindjes: Si e keni emrin? Hidhni një firmë këtu dhe shikoni është numri yt këtu?

Votuesja: Po, faleminderit e mirupafshim!

Stafi i Rilindjes : …… të kanë njoftuar në telefon?

Studentja: Po.

Studentja 2: Mua ma sollën emrin?

Stafi i Rilindjes: Jo, jo, s’ka ardhur, po ashtu siç folëm në telefon.

Stafi i Rilindjes: Nuk ka……

Stafi i Rilindjes: Si, si e ka? Kush të ka sjellë ty?

Studentja: ……

Studentja: Mund të largohem unë nëse s’e gjeni emrin?

Stafi i Rilindjes: Ja, prit dhe pak, të lutem!

Studentja: Ja……

Stafi i Rilindjes: Ky është numri, ju kanë marrë në telefon edhe ty, edhe vëllain?

Studentja: Po

Stafi i Rilindjes: (Pyesin njëra–tjetrën nëse e kanë emrin në listë të studentes.)

Fiksi: 06……. Kush e ka?

Stafi i Rilindjes: Unë e kam (vajza me shall).

Fiksi: Ky numër na ka marrë ne. (Një student thërret një nga vajzat e stafit të Rilindjes duke i treguar një emër.)

Stafi i Rilindjes: Po pra, po nuk e kam fare as te emigrantët, as te studentët.

Stafi i Rilindjes: Kur je lajmëruar?

Studentja: Pardje.

Stafi i Rilindjes A: Të premten në darkë. Ku është ajo me të verdhë (listë), që e kishim me shtesa?

B – Ajo mos është në kompjuter?

A – Epo shihe aty në kompjuter.

* * *

Stafi i Rilindjes: Në qershor keni erdhur, keni tërhequr??

Studenti: ….

Stafi i Rilindjes: Kush ju ka marrë në telefon?

Studenti: Urdhëro!

Stafi i Rilindjes: Ju kanë marrë në telefon?

Studenti: Po, na kanë lajmëruar…

Stafi i Rilindjes: Kush ju ka lajmëruar?

Studenti: Po nuk e di, më lajmëruan.

Stafi i Rilindjes: Vajzë, mashkull?

Studenti: Vajzë ishte.

Stafi i Rilindjes: I mbani mend emër apo mbiemër?

Studenti: Jo!

Stafi i Rilindjes: (kërkojnë nëpër lista) Nuk ka …. Nuk kam as numrin tuaj të telefonit.

Studenti: Mirupafshim!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency