Mediu e Ndoka: Presim opozitë të fortë, te e djathta s’ka “prerje kokash”

0
131

Basha nuk është zgjedhur kryetar i PD-së thjesht dhe vetëm për faktin se e donte apo s’e donte një përfaqësues i PD-së, qoftë ky edhe vetë Sali Berisha

 

Fatmir-Mediu-PR-bukurAleatët e djathtë të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht deputetët e kësaj force politike shprehen se kreu i ri i selisë blu duhet që të ndërmarrë një aksion të fortë politik dhe që të bëjë të mundur paraqitjen e alternativave që opozita do të ketë për të gjithë shqiptarët. Kështu, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe ai i demokristianëve, Nard Ndoka, shprehen se e djathta duhet që të ndërmarrë një aksion të fortë opozitar dhe në këtë drejtim kanë deklaruar se ajo duhet që të përqendrojë forcat tek shtresat që historikisht e kanë mbështetur atë si të përndjekurit, pronarët apo biznesi. Kreu i demokristianëve deklaron në lidhje me këtë çështje: “Partia Demokratike ka një grup parlamentar dhe ka disa parti aleate që do të bëjnë që opozita të jetë në Parlament dhe e përgjithshme dhe jo një opozitë si PS-së që bllokonte dhe bojkotonte Parlamentin”. Nga ana tjetër, Mediu, deputet i qarkut të Korçës, shprehet se është detyra e Bashës që e gjithë e djathta të funksionojë e bashkuar dhe jo e copëtuar ose e ndarë për interesa preferencialë.

Ndërsa lidhur me deklaratat e kreut të grupit parlamentar Astrit Patozi, i cili disa ditë më parë deklaroi pakënaqësitë e tij për procesin elektoral, rezultatin e të cilit e etiketoi si të paracaktuar, aleatët thanë se tek e djathta nuk ka “prerje kokash”, duke hedhur kështu vëmendjen edhe tek selia rozë, e cila nuk funksionon njësoj si PD. Ata i shohin pozitivisht edhe reagimet e brendshme në PD pas zgjedhjes së kryetarit të ri. “Liria është ajo që furnizon të djathtën. Në këtë pikëpamje gjykoj të shprehurit e gjykimit dhe lirisë së mendimit është një element bazë që padyshim është bazë për gjithsecilin që e ka atë mirë apo gabim. Më tepër sesa ta fshehim mendimin tonë, do të ishte më mirë ta shfaqim atë”, – u shpreh Fatmir Mediu. Për Nard Ndokën, demokracia brenda partisë është e rëndësishme. “Ajo që unë shoh në mënyrë pozitive është se nuk ka “prerje kokash”, nuk ka përjashtime. PD ka një demokraci, por drejtuesit e kësaj partie flasin, japin gjykimet e veta”, – pohon Ndoka. Aleatët e Partisë Demokratike, kësaj here më të shumtë në Parlament, besojnë në një ringritje të shpejtë të së djathtës. Mazhorancën e shohin të dobët, pavarësisht numrit të madh të mandateve parlamentare, por Mediu dhe Ndoka shprehen se të bësh opozitë dhe kreu i selisë blu të mos jetë në Parlament nuk është një e keqe e parikuperueshme. “Mendoj që PD ka autoritete të jashtëzakonshme që kanë eksperiencë politike, ekzekutive, që janë një zë i fuqishëm për Parlamentin dhe për të analizuar për të gjitha problematikat që ka vendi dhe për t’u treguar të gjithë qytetarëve shqiptarë të vërtetat, por mbi të gjitha se çfarë është gjykimi ynë për të ndërtuar një realitet tjetër nga qeverisja socialiste”, – nënvizon Mediu. Për kreun e demokristianëve, Nard Ndokën, Basha ngjall shpresë për kthimin e shpejtë të së djathtës në pushtet. “Është një politikan me vizion. Me të vërtetë që pluralizmi tek e djathta është evident edhe në Kuvendin e Shqipërisë kjo falë edhe prej hapësirave që lidershipi i PD-së e pa të nevojshme të përzgjedhë”, – shprehet ai. Duke u ndalur tek figura e Berishës brenda selisë blu, Mediu dhe Ndoka thonë se ai do të jetë aktiv dhe kjo është në të mirë të së djathtës. Ata pohojnë se Basha do të ketë hapësirat e tij. “Është njeriu i cili ka bërë politikë për të krijuar dhe hapësirat për të tjerët për të bërë politikë dhe këtu është momenti që zoti Basha duhet të gjejë autoritetin plotësisht për të qenë kreu i PD-së. Ai nuk është zgjedhur kryetar i PD-së thjesht dhe vetëm për faktin se e donte apo s’e donte një përfaqësues i PD-së, qoftë ky edhe vetë Sali Berisha”, – bën me dije Mediu. Edhe për Ndokën është e njëjta gjë, pasi ai mendon se aksionet e Berishës do të përfundojnë, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndërhyje në kompetencat e Bashës.

Zgjedhjet në PD

Aliabeaj: Rezultati nuk lë vend për kontestime

Procesi zgjedhor i zhvilluar në PD i ka të gjithë treguesit para, gjatë, por edhe pas, të një procesi të drejtë, të barabartë dhe për aq sa ç’mund të lejojë kultura politike dhe një partie politike si partie demokratike. Kështu mendon ish-ministri Enkelejd Alibeaj në lidhje me garën e zhvilluar në Partinë Demokratike, për të cilën shton se nuk ka vend për kontestime, pasi rezultati ishte mjaft i qartë. Duke u ndalur tek rezultati Alibeaj pohon se është pikërisht ky rezultat 80 me 20, i cili bën të mundur që të mos ketë edhe mundësi për fragmentarizim të partisë dhe duke i hequr kështu të gjitha shanset për të përçarje të partisë. Alibeaj u shpreh se në fakt ajo çka është e rëndësishme është se cili kryetar u zëvendësua, dhe kjo e ka bërë më të vështirë procesin, duke shtuar këtu se për selinë blu kanë ardhur dy goditje të njëpasnjëshme dhe mjaft të rënda; ajo e disfatës së 23 qershorit dhe më pas dorëheqja e liderit Berisha. Ai nuk mohoi se me listat ka pasur probleme, por tha se jo vetëm mbështetësit e zotit Olldashi nuk kanë votuar, por edhe ata të Bashës. Referuar nismave të mazhorancës së re duke filluar që tek prezantimi i strukturës së re qeverisëse, ai tha se kjo është vetëm fillimi i asaj që pritet të ndodhë, kur të gjithë aleatët të kërkojnë pjesën e tyre. Ish-ministri shprehet se në fakt ajo që duhet të bëhej ishte një lloj analize se pse për shembull një sektor mund të kalojë nga një ministri tek një tjetër dhe anasjellas. Shtimi i gjithë këtyre portofolave ministrorë, Alibeaj thotë se do të ketë një rritje të numrit të punonjësve të administratës. Në 2009 administrata ka pasur 110 mijë punonjës dhe ky numri tani është 89 mijë që do të thotë se qeveria që ka pasur për qëllim shkurtimin e shpenzimeve të buxhetit.

 

MPJ: Çështja e toponimeve, prioritet për ne

Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratave të zyrës së Avokatit të Popullit në lidhje me toponimet, duke e cilësuar këtë çështje si një prioritet i këtij institucioni. Në një deklaratë për shtyp, MPJ thekson se mbetet plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të tjerave në axhendën dypalëshe me Greqinë. “Sa i përket çështjes së toponimeve, ajo është bërë pjesë e axhendës së bisedimeve zyrtare me palën greke qysh në vitin 2011, kur kjo e fundit e ngriti si problem. Në funksion të zgjidhjes së saj janë zhvilluar një numër i madh takimesh dypalëshe, në Tiranë dhe Athinë. Gjatë këtij viti ambasadori grek është thirrur në mënyrë të përsëritur në MPJ për këtë çështje dhe po ashtu, ambasadori ynë në Athinë ka zhvilluar rregullisht takime në MPJ-në greke. Kjo çështje është ngritur nga pala jonë edhe në takimet e ministrit të PJ, z. Aldo Bumçi me homologun e tij grek, z. Dimitris Avramopulos”, – thuhet në deklaratë. Gjithashtu MPJ thekson se në kuadër të zgjidhjes së çështjes së toponimeve Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me atë të Drejtësisë, i ka përcjellë një propozim konkret palës greke, prej së cilës pritet një përgjigje. “Çështja e toponimeve mbetet prioritet për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ditën e mërkurë, datë 31 korrik 2013, ambasadori ynë në Athinë, z. Dashnor Dervishi do të zhvillojë një takim me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangelos Venizelos, ku, ndër të tjera, do të trajtojë edhe këtë çështje prioritare, duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare, të qëndrueshme, të pranueshme nga të dyja palët, dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, – përfundon deklarata e Ministrisë së jashtme.

 

 

Përfaqësuesit e konsorciumit, falënderime për impenjimin e Shqipërisë për TAP

Drejtori i shitjeve në konsorciumin TAP, Lutz Landwehr, në një raport final kanë falënderuar entet rregullatore të energjisë, të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për punën e kryer në lidhje me përmbushjen e të gjitha kushteve në lidhje me gazsjellësin. “Dua të shpreh falënderimet dhe vlerësimet e mia më të thella për entet rregullatore të tri vendeve për mbështetjen e tyre në procesin për aplikimin e TAP-it. Aplikimi dhe procesi i ndërmarrë, është i pari i këtij lloji dhe cakton pikat e referencës për proceset e ardhshme që do të ndërmerren nga të tria palët. TAP duhet të përshtatet dhe të plotësojë kornizën ligjore të vendeve të Bashkimit Evropian në fushën e energjisë. Ishte vetëm puna e dedikuar dhe qartësisht e saktë e enteve rregullatore ajo që bëri të mundur që puna të përfundonte në kohë rekord dhe tashmë TAP të ketë një kornizë ligjore të mirëpërcaktuar”, – përfundon falënderimi i Lutz Landwehr.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency