Çfarë parashikon e majta për financat publike, masat dhe reformat që priten të merren

0
167

Gëzim Saliu

Rama: Ndryshim rrënjësor i raportit financiar të sektorit publik, ekspertizë ndërkombëtare për financat e vendit

 

largea_seli-ps_161366624735Zbardhet projekti i përgatitur nga Partia Socialiste për sistemin financiar në vend. Kreu socialist Edi Rama ka bërë të ditur dje detajet e këtij projekti duke vënë theksin tek auditivi ndërkombëtarë i financave shqiptare si edhe ndryshimi rrënjësor i sistemit të raportimit financiar të sektorit publik. Sipas kryesocialistit, rruga e rilindjes ekonomike të Shqipërisë nis nga nxjerrja në dritë e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare. “Na duhet të dimë me saktësi një orë e më parë, sa e madhe është gropa e krijuar në buxhetin e shqiptarëve në këto vite politikash rrënuese, ekonomike e fiskale. E për këtë na duhet një analizë e thellë, objektive dhe e pavarur. Angazhimi ynë është t’i drejtohemi një pale të tretë, me ekspertizë të padiskutueshme në rang ndërkombëtar. Ne po përgatitemi për ta bërë këtë me të nisur nga puna. Sot dua të ndaj me ju në mënyrë të përmbledhur, piketat e projektit që do të transformojë rrënjësisht sistemin e Raportimit Financiar të Sektorit Publik në Shqipëri. Dhe do ta përgatisë Shqipërinë për të jetësuar standardet evropiane të kontabilitetit të sektorit publik”, – bënte të ditur Rama në rrjetin social Facebook.

Projekti

Në një link të posaçëm në faqen zyrtare të Partisë Socialiste, bëhen të ditura piketat kryesore të projektit të së majtës për transparencën e financave të vendit. Projekti “Raportimi dhe Auditimi i Financave Publike, transparencë dhe cilësi në vendimmarrje” nis me Buxhetin Publik të vitit 2013. Sipas tabelës së bërë publike në projektin e PS-së, të ardhurat janë 361 miliardë e ndërsa shpenzimet shkojnë në 409 miliardë lekë, shifra këto që tregojnë sipas socialistëve se kemi të bëjmë me deficit që në plan. Të ardhurat në përqindje janë sipas aktualisht sipas këtij projekti: 3% të ardhurat nga pushteti vendor, 3% të ardhurat nga ndihmat, 6% të ardhurat tatimore, 17% të ardhurat nga fondet special dhe 71% janë të ardhurat nga Doganat dhe Tatimet. Ndërkohë projekti bën të ditur edh se si janë ndarë shpenzimet në përqindje: 31% shpenzime për fondet speciale, 18% për personelin, 17% janë Kapitale, 13% janë Interesat, 8% janë shpenzimet operative dhe Mirëmbajtja dhe 7% që janë shpenzime për Buxhetin Vendor. Në këtë kontekst, PS bën të ditur se në këtë pjesë kemi të bëjmë me deficit në rritje në varësi të mos realizimeve dhe mbipeshimeve. Si hap i dytë i këtij projekti janë vendosur Entitetet Publike, ku sipas skemës piramidale në krye këtij procesi qëndron qeveria qendrore. Kjo e fundit është degëzuar nga Institucionet Shtetërore dhe Ministritë. Sipas PS-së, Entitetet kanë aktivitetin e tyre ekonomik që krijon: të ardhura, shpenzime, asete dhe detyrime. Si hap i radhës në projektin e PS-së është reforma e raportimit financiar të sektorit publik. PS thekson se aktualisht qeveria shqiptare punon me bazë inkasimi, ku janë të ardhurat (kur inkasohen) dhe shpenzimet (kur paguhen). Ndërkohë reforma e të majtëve do të jetë me bazë aktuale, ku sipas së cilës të ardhurat dhe shpenzimet janë (kur ndodhin). Po ashtu me bazë aktuale do të jenë Asetet si edhe Detyrimet. Socialistët theksojnë se vendet e zhvilluara në Evropë e me gjerë kane zbatuar raportimin aktual, sipas standardeve ndërkombëtare. Shembull i një reforme të suksesshme sipas tyre është dhe Sllovakia. “Një reformë e tillë është e nevojshme dhe në Shqipëri”, pohohet në projektin e PS-së. Për këtë reformë në Raportimin Financiar të Sektorit Publik, PS ka menduar 4 hapa të rëndësishëm:Hapi i parë përfshin verifikimin dhe analizën, hapi i dytë përfshin reformën (ligjore+administrator), hapi i tretë kërkon raportimin financiar sipas standardeve ndërkombëtare ( IPSAS) dhe si hapi fundit është përcaktuar auditim i jashtëm i pasqyrave financiare të qeverisë. Në këtë kontekst në projekt bëhen të ditura përparësitë e reformës që parashikon e majta, ku theksohet se me anë të saj rritet ndjeshëm cilësia e raportimit financiar në sektorin publik duke mundësuar një kuptim më të mirë të financave publike në të gjitha nivelet dhe një vendimmarrje më të informuar në lidhje me investimet, menaxhimin e buxhetit dhe gjendjes pasurore. “Bashkëveprim me efikas me investitore / palë të treta që ndërveprojnë me qeverinë. Transparencë e rritur mbi aktivitetin financiar të qeverisë qendrore dhe atyre lokale. Mundësia për të pasur verifikim të raportimit financiar nga auditorë të jashtëm. Përgatitja për implementimin e Standardeve Evropiane të Kontabilitetit të Sektorit Publik”. Në aspektin e verifikimit dhe analizës parashikohet përshkrim i nivelit aktual të raportimit financiar përmes entiteteve qeveritare nga ato të nivelit më të ulet deri te niveli i ministrive. “Analizë dhe verifikim i gjendjes pasurore të qeverisë dhe entiteteve të kontrolluara prej saj (Asete e Detyrime). Analizë dhe verifikim në lidhje me kontratat më të mëdha të shërbimit a të punëve publike që janë në progres për të parë shpenzimet aktuale”, – thuhej në projekt. Ndërkohë ndër reformat ligjore të Raportimit Financiar të Sektorit Publik përfshihet draftimi dhe miratimi në parlament i ligjit i cili rregullon raportimin financiar të entiteteve publike duke përdorur standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik SNKSP (IPSAS). “Ligji duhet të përcaktojë dhe detyrimin e auditimit të këtyre pasqyrave financiare të paktën në nivelin më të lartë të konsolidimit – atë të ministrisë”. Ndërsa tek reformat administrative përfshihet zhvillimi i udhëzuesve të raportimit për secilin entitet. Ndërkohë në hapin e katërt të kësaj reforma, i cili përfshin auditimin e jashtëm të pasqyrave financiare të qeverisë janë parashikuar: “Auditim i Jashtëm i Pavarur nga kompanitë Big 4 dhe auditim i kryer sipas Standardeve Ndërkombëtare te Auditimit (ISA)”. Në fund të projektit të saj, PS bën të ditur edhe një sërë reformash të tjera që ndikojnë në cilesinë e raportimit financiar dhe të aktivitetit financiar të qeverisë. “Diagnostikim, zhvillim dhe përmirësim i sistemeve të kontrollit si edhe udhëzues të kryerjes së proceseve themelore e mbështetëse”.

 

 Piketat në projektin e PS-së për transparencën e financave

 

Buxheti Publik 2013

361 miliardë janë të ardhurat- sipas PS në deficit që në plan

409 miliardë lekë janë shpenzimet – sipas PS-së deficit në rritje në varësi të mbishpenzimeve apo mosrealizimeve

 

Reforma e raportimit financiar në sektorin publik

Aktualisht qeveria shqiptare punon në bazë inkasimi ku janë të përfshira të Ardhurat (kur inkasohen) dhe Shpenzimet( kur paguhen)

PS do të zbatojë skemën me bazë aktuale, ku janë të përfshira të Ardhurat (kur ndodhin) dhe Shpenzimet( kur ndodhin)

Socialistët theksojnë se vendet e zhvilluara në Evropë e me gjerë kane zbatuar raportimin aktual sipas standardeve ndërkombëtare. Shembull i një reforme të suksesshme sipas tyre është dhe Sllovakia.

 

Verifikim dhe analiza (Hapi I)

Në aspektin e verifikimit dhe analizës parashikohet përshkrim i nivelit aktual të raportimit financiar përmes entiteteve qeveritare nga ato të nivelit më të ulet deri te niveli i ministrive. “Analizë dhe verifikim i gjendjes pasurore të qeverisë dhe entiteteve të kontrolluara prej saj (Asete e Detyrime). Analizë dhe verifikim në lidhje me kontratat më të mëdha të shërbimit a të punëve publike që janë në progres për të parë shpenzimet aktuale”

 

Reforma ligjore dhe administrative (Hapi II)

Reformat ligjore të Raportimit Financiar të Sektorit Publik përfshihet draftimi dhe miratimi në parlament i ligjit i cili rregullon raportimin financiar të entiteteve publike duke përdorur standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik SNKSP (IPSAS). “Ligji duhet të përcaktojë dhe detyrimin e auditimit të këtyre pasqyrave financiare të paktën në nivelin më të lartë të konsolidimit- atë të ministrisë”

Raportimi financiar sipas standardeve Ndërkombëtare (Hapi III)

Pasqyra e pozicionit financiar (Asete / Detyrime)

Pasqyra e performancës financiare (Të Ardhura / Shpenzime)

Pasqyra e ndryshimit ne Kapital

Pasqyra e lëvizjes së parasë (Inkasimet / pagesat)

Pasqyra e krahasimit me buxhetin (nëse kërkohet: buxhet vs aktual)

Shënimet përkatëse plotësuese (politika kontabël dhe shënime shpjeguese)

Auditimi i jashtëm i pasqyrave financiare të qeverisë (Hapi IV)

Auditim i Jashtëm i Pavarur nga kompanitë Big 4 dhe auditim i kryer sipas standarteve ndërkombëtare të Auditimit (ISA)

 

Reformat e prezantuara me drejtuesit e bankave në vend

Rama: Auditim ndërkombëtar, INSTAT do bashkëdrejtohet për 5 vjet nga një shtet i BE-së

Auditimi ndërkombëtar për vlerësimin e situatës ekonomik në vend dhe pavarësimi i INSTAT duke u bashkë drejtuar nga një shtet anëtar i BE-së për 5 vitet e ardhshme janë dy ndër reformat kryesore që do të ndërmarrë qeveria e re. Pak ditë më parë në një takim me drejtues të bankave tregtare që operojnë në vend, kryesocialisti Edi Rama bëri të ditur hapat që pritet të ndërmerren nga ekzekutivi i ri për konsolidimin e sistemit fiskal në vend. “Do të marrim edhe një hap për të kërkuar një kompani ndërkombëtare auditimi, që të na ndihmojë një orë e më parë të kemi në tryezë gjithë të vërtetën mbi financat publike. Konsolidimi fiskal, në mënyrë që të kurojmë me recetën e duhur, financat publike dhe të krijojmë hapësirën e duhur për të kredituar ekonominë. Stafi i INSTAT-it mund të binjakëzohet me stafin e një institucioni të statistikave të një vendi të ri të BE-së, me qëllim marrjen e eksperiencës. Stafi i institucionit të statistikave duhet të punojë i çliruar nga presioni politik. Pavarësimin e INSTAT që është një institucion i pabesueshëm dhe i kontrolluar nga kryeministër. Ne duam që INSTAT të shkëputet nga tutela e ekonomike dhe te kthehet ne institucion të pavarur. Të binjakëzohet me një instituti evropian për një periudhë 5 vjeçare Shifra reale për menaxhimin e krizës së sistemit energjisë”, – tha Rama. Po ashtu, kryesocialisti ka bërë të ditur edhe ndërtimin e një strukture të ndërmjetme mes qeverisë dhe botës së sipërmarrjes. “Ne kemi shprehur se duam të ndërtojmë një strukturë të ndërmjetme mes qeverisë dhe botës së sipërmarrjes. Një Këshill Ekonomik Kombëtar ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të shoqatës tuaj është i domosdoshme. Këshilli do të funksionojë ku sfida është e madhe në funksion të përballimit të krizës që e kanë rënduar gjendjen e ekonomike dhe financave shqiptarë”, – pohoi ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency