Përplasja, në 4 nëntor mblidhen “dy” Këshilla Bashkiakë

0
148

Driçim Çaka

Zv.kryetari i Këshillit dhe Aldrin Dalipi thërrasin mbledhjen në të njëjtën datë

Ngërçi në Këshill daton që në muajin maj

Keshilli bashkiak Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet në 4 nëntor, por ndryshe nga çdo rast, këtë radhë mbledhja e Këshillit është thirrur nga zv.kryetari Zamir Ndroqi dhe nga kryetari i Këshillit (sipas këshilltarëve të majtë) Adrin Dalipi. Si për koincidencë, si z. Ndroqi dhe z. Dalipi e kanë thirrur mbledhjen ditën e hënë, në 4 nëntor. Zv.kryetari i Këshillit e ka publikuar njoftimin për mbledhje në faqen zyrtare të Bashkisë, ndërsa z. Dalipi ka njoftuar këshilltarët nëpërmjet mesazheve në telefon. “Mbledhja e radhës e Këshillit të Tiranës ditën e hënë 4 nëntor. 32 këshilltarët e mazhorancës ftojnë opozitën t’i kthehemi dialogut për qytetarët”, – shpreh Aldrin Dalipi në faqen e tij në “Twitter”.

Vendimet në mbledhjen e radhës

Mbledhja që është thirrur nga zv.kryetari i Këshillit, Zamir Ndroqi, në rendin e ditës do të ketë pesë projektvendime për miratim. Projektvendimi i parë do të jetë plotësimi i vendeve bosh të këshilltarëve që kanë paraqitur dorëheqjen. Po kështu do të zgjidhet kreu i ri i Këshillit Bashkiak, pas dorëheqjes së Niazi Kosovrastit. Një tjetër projektvendim do të jetë për “Disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për “Miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2013-2015 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013”, i ndryshuar. Do të miratohet edhe lista përfundimtare e pronave të paluajtshme shtetërore për të cilat Bashkia e Tiranës kërkon transferimin në pronësi të saj. Ndërkohë që ka miratuar rendin e ditë zv.kryetari i këshillit ende nuk ka marrë garancinë nëse të pranishëm në mbledhje do të jenë dhe këshilltarët e majtë.

Ngërçi

Ngërçi në Këshillin Bashkiak daton që në muajin maj. Ndryshimi i aleancave politike është ndier dhe në Këshill, ku këshilltarët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim kaluan në radhët e këshilltarëve të opozitës. Kjo bëri që shumica në këshill të ndryshonte. Sekretari i Këshillit thirri mbledhjen e radhës, mbledhja që u zhvillua në paradhomën e Këshilli Bashkiak. Në atë mbledhje u zgjodh kreu i ri i Këshillit, sipas të majtëve, Aldrin Dalipi. Por mënyra se si u thirr mbledhja ishte e jashtëligjshme dhe kjo, sipas këshilltarëve të majtë, ka bërë që ata të mos e njohin Aldrin Dalipin si kreun e Këshillit. Pak ditë më parë, ish-kreu i Këshillit Bashkiak, Niazi Kosovrasti,argumentoi arsyet se pse nuk njihet mbledhja e 4 majit. Sipas tij, ligji për pushtetin vendor nuk parashikon asnjë rast që mbledhja e Këshillit Bashkiak të thirret nga sekretari, por vetëm nga kryetari i Këshillit, zv.kryetari ose nga kreu i Bashkisë. Nga ana e tyre, këshilltarët e majtë justifikohen me arsyen se ata kishin shumicën dhe mbledhja mund të thirrej nga sekretari, për shkak të ndryshimit të aleancave. E gjithë kjo situatë ka bërë që 3 mbledhje të thirrura nga zv.kryetari Zamir Ndroqi të mos zhvilloheshin për shkak të mungesës së kuorumit. Ndërsa këshilltarët e majtë kanë zhvilluar një tjetër mbledhje pak ditë më parë në paradhomën e Këshillit dhe kanë miratuar vendimet e mësipërme.

 

 

Veliaj: Të punësohen në administratë personat me aftësi të kufizuara

Gjatë një vizite në një punishte për prodhimin e karrigeve me rrota në Vorë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka kërkuar institucioneve që të punësojnë personat me aftësi të kufizuara. Pavarësisht se ekziston një kriter që 1 në 25 persona të punësuar të jetë me aftësi të kufizuara, institucionet publike nuk e kanë zbatuar. “Sipas ligjit shqiptar, çdo punonjës në 25 duhet të jetë me aftësi të kufizuara, është e vetmja mënyrë që të mund të integrohemi në një shoqëri solidare. Jam i vetëdijshëm që fondet një ditë do të mbarojnë, kështu që është një moment për t’u bërë një apel bizneseve të suksesshme në Shqipëri që të mendojnë se si të financojnë organizata të tilla, një shërbim të jashtëzakonshëm për vendin”, – u shpreh Veliaj. Ndërkaq, ministri Veliaj ka kërkuar edhe krijimin e kushteve të përshtatshme infrastrukturore për këta persona. “Në ndërtimet që po kryhen, – tha ai, – duhet të merren masa edhe për këtë kategori, në të kundërt duhet të ketë penalizime. Çdo ndërtim që nuk siguron aksesin për njerëz me aftësi të kufizuara, është ndërtim që nuk duhet lejuar. Dua të përdor këtë mundësi për t’u bërë një apel autoriteteve të pushtetit vendor, që japin leje ndërtimi dhe për ato që ekzistojnë të japin mundësi për vende të tilla pune. Nuk është diçka e kushtueshme, por diçka e nevojshme që t’i lejojmë akses një pjese të konsiderueshme të shoqërisë”, – përmendi Veliaj.

 

Kursimi nuk ndodh vetëm për një ditë, të kursesh është kulturë!

Data 31 tetor, që prej vitit 1924, është Dita Ndërkombëtare e Kursimit, e vendosur në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Bankave të Kursimit dhe synon që të promovojë kursimin si një kulturë e shëndetshme për ekonominë familjare dhe ekonominë në tërësi, si dhe promovimin e modeleve të suksesshme të kursimit. Kursimi është një mënyrë për të përballuar ndryshime të papritura në të ardhmen. Shpesh mund të gjendemi në situata të cilat kërkojnë shpenzime të mëdha, ndaj, për të mos të rënduar buxhetin familjar si dhe për të pasur gjithnjë siguri, është e rëndësishme që të krijohet një plan kursimi. Kursimi nuk duhet të jetë sporadik, por duhet të jetë i organizuar dhe i orientuar drejt disa “praktikave të shëndetshme” ekonomike, në mënyrë që të krijohet një kulturë kursimi. Nëpërmjet edukimit dhe këshillimit financiar, ProCredit Bank Shqipëri mbështet të gjithë individët apo bizneset që të kursejnë në mënyrë periodike një shumë parash, në mënyrë që të sigurojnë një siguri për të ardhmen e tyre familjare apo të biznesit. Kursimi nuk do të thotë që të kufizosh (shpenzimet) apo të mos të shpenzosh. Kursimi do të thotë racionalizim i shpenzimeve, duke mirëpërdorur fondet në dispozicion. Kursimi është një kulturë që duhet kultivuar. ProCredit Bank Shqipëri, si pjesë e grupit ProCredit Holding, ofron standardet dhe sigurinë e një banke gjermane, që ofron një shërbim të shkëlqyer për klientët e vetë. Më shumë se 120.000 klientë dhe mbi 8500 biznese na besojnë kursimet e tyre, të cilat ne i investojmë në mënyrën më të përgjegjshme, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme, që sigurojnë rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

 

ISHP: Në Tiranë, numri më i lartë i aborteve

Numri më i lartë i aborteve në Shqipëri është në Tiranë. Shifrat që raportohen nga strukturat e shëndetësisë për abortet tek adoleshentet nga mosha 14-24 vjeç, shkojnë në 5%, në Tiranë janë të përqendruara rreth 4% e tyre. Ndërkohë që lindjet për këtë grupmoshë zënë rreth 40% të lindjeve në total që ndodhin në kryeqytet. Këto janë të dhënat e raportit më të fundit që ka përgatitur ISHP me UNFPA, për vitin 2009-2012. “Abortet në Tiranë bëjnë 4% të aborteve totale, ndërkohë që 5% janë në tërë vendin. Në rastin kur ka probleme nëna apo fëmija, atëherë lejohet ndërprerja e shtatzënisë në javën e 22 me ligj”, – tha Alba Merdani, specialiste në ISHP. Ndërkaq, autoritetet e shëndetësisë janë shprehur se Shqipëria ende vazhdon të ketë mungesë në informimin mbi shëndetin riprodhues, në veçanti për zonat rurale. “Ka akoma shumë gjëra për të bërë në zonat rurale, si ofrimi i disa shërbimeve drejt rinisë dhe grupeve të adoleshentëve, pavarësisht se ku ndodhen, në qytet ose në fshat. Informimi për mënyrat kontraceptive duhet shtrirë dhe më tepër”, – tha Milva Ekonomi. Raporti më i ri i UNFPA për gjendjen e popullsisë në botë raporton se në vit rreth 7 milionë vajza nga vendet e varfra lindin fëmijë përpara moshës 18 vjeç, nga të cilat rreth 2 milionë janë 14 vjeç ose më të vogla.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency