Dosja “Gjika” Prokuroria: Më shumë se dy akuza për të pandehurin, vijojnë verifikimet

0
138

Anxhela Tato

 

 Më datë 10 nëntor nis seanca e parë gjyqësore për kreun e Bashkisë së Vlorës

 

shpetim-gjika-dhe-pallatet-pa-leje-ne-vlore-300x205Mbërrin në gjykatë dosja e kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Lajmi bëhet me dije nga ana e prokurorisë, ndërsa seanca e parë gjyqësore do të nisë me datë 10 nëntor. Dosja është hedhur në shortin elektronik, nga ku është përzgjedhur Anastasia Shehu si relatore e procesit gjyqësor. I pandehuri do të përfaqësohet nga mbrojtësi Ardian Leka, ndërsa akuza do të jetë nën drejtimin e dy prokurorëve, Aurel Zarka dhe Klodian Braho. Pritet që dosja e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, të pasurohet në gjykatë edhe me akuza të reja ndaj tij, pasi procesi i kallëzimeve penale për ndërtimet pa leje në prokurorinë e qytetit bregdetar vazhdon. Prokurori i çështjes “Gjika” në Vlorë thotë se prurjet e denoncimeve janë në rritje, kryesisht ditët e fundit dhe se pas verifikimit mund të klasifikohen si vepra penale dhe t’i bashkëngjiten dosjes në gjykatë. Në rrethin e hetimit janë përfshirë edhe persona të tjerë që mendohet të jenë përgjegjës për falsifikimin e dy lejeve të ndërtimit.

Prokuroria

Përfaqësuesi i akuzës, i cili ka drejtuar hetimet që prej muaji mars të këtij viti, Kosta Beluri, tregon se dosja e kryebashkiakut të Vlorës ka shumë gjasa të mos mbetet vetëm me dy akuza për falsifikime. Sipas prokurorit, procesi i kallëzimeve penale për ndërtimet pa leje të regjistruara në Prokurorinë e Vlorës vazhdon dhe pas verifikimit të tyre dosja mund të pasurohet me akuza të reja ndaj kryebashkiakut të Vlorës. Burime të prokurorisë thanë se lista e personave që pritet të jenë pjesë hetimit për dhënien e lejeve të ndërtimit në Vlorë, me anë të dokumenteve të falsifikuara mendohet të jetë më e gjerë. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë arritur të vërtetojnë se kryetari i Bashkisë së Vlorës në dy raste ka firmosur dhënien e lejeve të ndërtimit në favor të dy subjekteve pa miratimin e Këshillit Rregullues të Territorit të Vlorës.

Sekuestrimi

Të dyja pallatet e ngritura, sipas prokurorisë, me lejet false të ndërtimit të dhëna nga kryebashkiaku i Vlorës, janë aktualisht të sekuestruara. Në korrik 2013, Prokuroria e Vlorës kërkoi në gjykatë miratimin e sekuestros. Togat e zeza pranuan kërkesën dhe, më 31 korrik 2013, është vendosur sekuestro preventive mbi objektin pallat banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papafingo dhe 1 kat nën tokë, me pronar G. Feta, ndodhur në brendësi të Portit Detar Vlorë. Sekuestrimi i këtij objekti është bërë në kuadër të procedimit penal të vitit 2012, për veprën penale të “Ndërtimit pa leje”. Vlera e objektit të sekuestruar është rreth 800 mijë euro, ka thënë prokuroria. Sipas saj, edhe pallati tjetër 13-katësh është sekuestruar. Më 31 korrik 2013 është ekzekutuar vendimi i Gjykatës Vlorë, i datës 29.7.2013, ku është vendosur sekuestro preventive mbi objektin pallat banimi 13 kate në ndërtim, i kryer nga shoqëria “D…S…”, ndodhur në lulishten e quajtur “Tri Racat” në bulevardin Vlorë – Skelë. Sekuestrimi është bërë në kuadër të procedimit për falsifikim dokumentesh. Vlera e objektit është rreth 700 mijë euro. Ndërsa ishin kryer veprimet për të cilat ka hetuar prokuroria, në fundin e korrikut të këtij viti, gjykata e Vlorës lëshoi një urdhër sekuestroje preventive. Pronat ishin në pronësi të 4 personave dhe të një shoqërie private. Kësisoj është sekuestruar një pallat 12-katësh në ndërtim në lagjen “Pavarësia”. “Pallati me vlerë 500 mijë euro ishte në pronësi të H. Metës dhe A. Metës, teksa sekuestrimi erdhi pas hetimit që vërtetoi se është konsumuar vepra penale e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”, njoftoi Prokuroria e Vlorës. Prokuroria sekuestroi në brendësi të portit pallatin pa leje në pronësi të Gëzim Fetës. Po ashtu, u njoftua se u sekuestruar edhe një pallat 13-katësh në bulevardin Vlorë – Skelë, ndërtim i shoqërisë “DS”, pasi dyshohej se ka falsifikuar dokumentet. Bëhej fjalë për tre objekt-pallate dhe një truall me sipërfaqe 20093 m2, të cilat ndodheshin dhe ndodhen në zonat më të frekuentuara të qytetit. Kërkesa e prokurorisë u miratua nga gjykata, e cila dha urdhër vendosjen e sekuestros preventive.

 

Ndërtimet pa leje, 500 kallëzime në Prokurorinë e Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme zgjeron fushën e verifikimeve për kallëzimet e regjistruara në të gjitha prokuroritë e rretheve kundër ndërtimeve të paligjshme. Burime nga organi qendror i hetimit, bënë me dije se pas Bashkisë së Vlorës, që deri tani kanë të pandehur kryetarin Shpëtim Gjika, hetimet janë përqendruar dhe në tri bashki të tjera të mëdha. Burimet saktësojnë se prej dy muajsh, kur kryeprokurori hartoi një qarkore dhe ia vuri në dispozicion të gjitha prokurorive për të parandaluar ndërtimet pa leje, janë regjistruar 500 kallëzime penale në të gjithë vendin. Numri më i madh i këtyre kallëzimeve mbizotëron kundër bashkive të Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Aktualisht, prokurorët konfirmojnë vetëm faktin se në të gjitha rastet janë duke kryer verifikimet paraprake. Burimet tregohen të rezervuar në dhënien e informacionit për fillimin ose jo të hetimit për kryebashkiakët e qyteteve, të cilat janë tashmë në listën e zezë të prokurorisë për ndërtimet pa leje. Pas angazhimit të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Urbanistik Kombëtar për të evidentuar dhe zbuluar rastet e ndërtimeve të paligjshme, prokuroria ka hequr dorë nga zbulueshmëria në terren e këtij fenomeni, duke kaluar në rolin e saj bazë që është hetimi i plotë i të gjitha rasteve, bazuar në dosjet e denoncuara. Por sipas burimeve zyrtare në Prokurorinë e Përgjithshme, ky nuk është vendim përfundimtar. Qarkorja do të fillojë të zbatohet sërish në rast se institucionet përkatëse nuk do të referojnë të gjitha rastet e ndërtimeve të paligjshme në prokurori.

 

Atentati ndaj Elton Deliut, në gjykatë oficeri Ndriçim Balla

Mbyllen hetimet për oficerin e forcave Komando, Ndriçim Balla, në ngarkim të të cilit rëndon akuza e vrasjes dhe plagosjes. Prokuroria e Tiranës ka depozituar në gjykatë dosjen, e cila pritet të bëhet pjesë e shortit elektronik. Sipas hetimeve, shënjestra e Ballës ishte Elton Fusha, i cili ishte në borxh me vëllain e oficerit. Sipas prokurorit, identifikimi i të dyshuarit është bërë nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes, i plagosuri Fusha, si edhe bashkëshorti i ekonomistes së vrarë. “Nga deklarimet e të plagosurit Elton Fusha dhe bashkëshortit të viktimës Fatos Hoxha, është shpjeguar ngjarja dhe mekanizmi i saj, si dhe është bërë përshkrimi i hollësishëm i autorin të ngjarjes, duke dhënë karakteristikat e tij”, – thuhet në dosjen e prokurorisë. Dëshmitarët e kanë njohur të akuzuarin në paraqitjen për njohje, ndërkohë që i akuzuari ka mohuar autorësinë krimit, duke u shprehur se ka alibi që vërteton pafajësinë e tij. “Nuk jam unë autori i ngjarjes. Nuk kam lidhje. Kam qenë në tjetër vend kur ka ndodhur vrasja. Hetimet janë bërë të njëanshme”, – është shprehur 33-vjeçari Balla. Më herët edhe bashkëshortja e të arrestuarit, Vaje Balla, në një letër publike theksonte se Ndriçim Balla nuk është autori i kësaj ngjarjeje dhe se organet policore janë nxituar me arrestimin e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 9 shtatorit të këtij viti në zonën e ish-Bllokut, ku nga një breshëri zjarri mbeti e vrarë Majlinda Hoxha dhe i plagosur Elton Fusha.

 

Rokadë në uniformat blu, ndryshohen shefat e komisariateve Durrës dhe Shijak

Vijon rokada në Policinë e Shtetit, këtë herë ka qenë radha e Drejtorisë së Durrësit për t’u prekur nga ndryshimet. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, janë ndërruar dy krerët e komisariateve të Durrësit dhe Shijakut. Mësohet se në vend te Sandër Ndojit është emëruar Arbi Deliu. Ndërsa në komisariatin e Shijakut në vend të Flamur Mukës vjen Ermal Lila, i cili ka qenë me detyrë shef rendi në komisariatin numër 3 të Tiranës. Bëhet me dije se ndryshime kanë prekur edhe sektorin e Antidrogës dhe Qarkullimit Rrugor në Durrës. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, shefi i Analizës së Krimit në Durrës, Gjovalin Deda, është zëvendësuar nga Erion Ismaili. Deri më tani, i vetmi komisariat që nuk ka pësuar ndryshime është ai i Krujës. Shkarkimet janë firmosur ditën e djeshme nga ana e ministrit Saimir Tahiri. Vetëm para pak ditësh ministri përjashtoi dhe liroi nga detyra gardistët e grupit të zjarrit, të cilët kanë qenë nën akuzë për vrasjet e katër personave në protestën e “21 Janarit”. Në listë u përfshinë edhe bashkëshortja e Ndrea Prendit si dhe kreu i specialistëve të Gardës, Agron Malaj. Ndërsa janë nën proces verifikimi gradat që janë dhënë pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Trafik makinash të vjedhura, sekuestrohen 4 automjete

Policia, aksion për parandalimin e trafikut të automjete të vjedhura jashtë shtetit. Nga ana e bluve ka nisur hetimi për zbulimin e rasteve të vjedhjes me anë të mashtrimit të mjeteve motorike, të blera jashtë shtetit me kredi, të mara me qira ose përmes mashtrimit me figuracionet. Ndërsa po vijon puna për ngritjen e pikave të kontrollit në disa akse rrugore si dhe me kontrollin e serviseve të dyshuara, të cilat merren me çmontimin dhe shitjen e automjeteve të vjedhura. Vetëm për ditën e djeshme blutë kanë sekuestruar katër automjete të trafikuara, si dhe ka nisur procedimi penal për tre persona. Bëhet fjalë për dy automjete të tipit “Mercedes-Benz”, një “Touareg” si dhe një “Range Rover”. Automjeti “Mercedes-Benz 450” rezulton i vjedhur në Itali dhe i trafikuar në vendin tonë nga një shtetas maqedonas, Resul Ljatifi. Makina e radhës “Mercedes-Benz” me targa TR 3536 S rezulton i vjedhur në Bosnje-Hercegovinë nga Agostin Gjeta. Është sekuestruar mjeti “Touareg” dhe ka nisur procedimi për Dritan Baçkën. Automjeti “Range Rover”, i vjedhur në Itali, është trafikuar në vendin tonë nga Elvis Dorzo.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency