Kur murtaja bie mbi logjikën e thjeshtë

0
230

Elis Buba

Protestë dhe ngritje zëri, për të denoncuar zbërthimin dhe humbjen e kuptimësisë së letërsisë në sy të lexuesit. Sa dëme individuale sjell kjo, sa pasoja sociale zbulon?

 

 

… ku e kishte fjalën Pashko Vasa?

Tani më shumë se në çdo vit tjetër jemi të vetëdijshëm se diktatura nuk erdhi kot. Atë nuk na e solli njeri, atë e gjetën këtu mes nesh. Në zemrat e në mendjet tona të tmerrshme përkundej ngahera si në një staniacion verbal dëshira për një sundimtar të madh, të gjatë e të gjerë, stoik të patundur deri në neveri të absurdshme, tek i cili të mund të ngulnim të gjithë kunjat e Nastradinit që na kanë mbetur nëpër xhepa. Tek ai të zvargen si gjymtyrë kandrash të ngordhura të gjitha hallet tona edhe ato më të moçmet. E në fund të trazirës, për pazgjithshmërinë e këtij batalioni hallesh, të bënim fajtor pikërisht sundimtarin, patriarkun, monarkun, diktatorin. Por grotesku publik donkishotesk jemi ne. Të dobët në bindje politike që valëviten si vela velieri, për të marrë drejtimin e erës. Me një kulturë që pandehim se e rilindëm, por po e shuajmë sepse në të nuk gjejmë më asnjë epikë të jetës. Aty ku ka zbrazëti letrare, amatorët e të kaluarës vetëm ëndërrojnë për vepra të pa shkruara, të pa pikturuara, të pa gdhendura e skulpturuara, të pakundruara, kënduara e recituara. Ëndërrojnë për sisteme 5 ose 10 vjeçare që do sjellin begatinë, siç thoshte një parullë. Pjellin mendërisht pasigurinë, demagogjinë dhe barku i mendjes së tyre është gjithnjë i fryrë e lëkurëtendosur si bunker betoni. Gati për të pjellë ideale të tjera, gati për të pjellë domosdoshmëri të tjera. Pse jo edhe domosdoshmërinë e një revolucioni të ri komunist në vend. Me qëllimin e vetëm për të risjellë efendikoin e ri, me një fytyrë krejt të re. Modern kokë e këmbë, i pajisur me bizhu të teknologjisë së fundit ndoshta, interaktiv më shumë se kurrë. Farsat komike kapërdijnë njëra-tjetrën dita ditës, teksa fjalët boshe kapërcejnë njëra-tjetrën. Veprat tona, zhgënjimi dhe padija të përbëra nga i njëjti helm. Po vërtetojmë laboratorikisht dhe jo vetëm, se ç’do popull e meriton qeverinë që ka. Ne vlejmë aq sa vlen injoranca që na përgjon mendimet. Nuk vlejmë aq sa kushtojnë shtëpitë, makinat, leckat e trupit. Vlejmë saktësisht aq lirë sa e shesim veten, fytyrën, dinjitetin dhe integritetin tonë. Entuziastë deri në sëmundje të mosdijes, ose të paktën të mospërçapjes për dije. Po vërtetojmë se me pak institucionalizëm teatral, këtu mund të vijë në pushtet saktësisht kujt t’i teket. Pa pasur kurrfarë pëlqimi popullor, kurrfarë energjie pozitive sistematike. Me anë të eliminimit të qëllimshëm politik, të ç’do mjeti dhe personi që do mund të realizojë tranpolinimin e tyre nga maja e degëve më të bleruara, drejt batakëve nga ku i kanë rrënjët. …shqiptari u zu si zog ndër leqe. Ngjarje të hidhura, misticizëm, vetëmohim, paradokse, vetmi, hipokrizi, keqdashje e urrejtje, po bëhen elemente të përjetshëm të ekzistencës. Po bëhen pjesë e traditës. Traditës së pashmangshme, të paracaktimit të gjendjes së vështirë.

Po ç’ta duan këtë Shqipëri të vogël, me kaq ngut?! Dihet. Që ta punojnë kurvë sa lart e sa poshtë brigjeve, bulevardeve, hoteleve, zyrave, institucioneve ndërkombëtare. Duke pasur tashmë të qartë mendësinë e shqiptarëve, që për një dorë para e shprishin edhe vetë gjakun. Nderin mund t’ua blesh me letra, si në pazar mëkatesh e mishrash, pa kurrfarë kundërvënie të mëtejshme. Fatkeq dhe vulgarë njëherazi. Peshkohen historikisht nga abuzues arrogantë, thjesht me pak fjalë goje dhe u shuhet në fytyrë ajo dritë e brendshme, paksa e çuditshme e fisnikëruese, që ua lakmojmë të tjerëve. Këtë të fundit plot popuj perëndimorë e lindorë e kanë. E ne i përcjellim shikimet e tyre, si të ishin të një lloji tjetër njerëzish. Faqet e tyre të bardha shkëlqyese, i bëjnë zili mjekrave tona në errëta e të lëtyrëta, flokët e tyre të gjatë e të shkriftuar u bëjnë zili leshrave tanë të pluhurosur e të llangosur zije. Shtatet e tyre të hedhur, duart e tyre të bardha, kallin zili në eshtrat tona të kërrusura, në duart tona që nuk i lajnë dot deri më një kusuret. Shkurt e mbyturazi gjithnjë themi “të zbukuron leku”. Sa e shurdhët është kjo mendje! Kur mendon madje se kushdo që ka siguruar një jetë stabël në perëndim, është bërë njeri. Po ju, ne çfarë jemi?!

Popujt që kanë një frymëmarrje të çlirët mijëravjeçare, janë të parët që kanë shpikur konceptet integritet e dinjitet. Asnjë tufë parash nuk mund ta blejë këtë bruajtje komplekse të vetes. Ndonëse varfëria jonë është meraku dhe mëkati më i madh që na rëndon e përvëlon, jo ç’do gjë përvallet e pozicionohet në hijet e qeta e të patrazuara të mirëqenies. Pyetjet janë; Sa do sakrifikonit ju si individ për të arritur mirëqenien? Sa do sakrifikonit ju si individ për tu bërë njerëz (si ata)? Të dyja këto qëllime edhe pse të ngjashme, kërkojnë rrugë krejt të kundërta për tu arritur. Ndërsa ne na shesin mugëtirë, për kaltërsi qiellore, vetë zgërdhihen gazit, me pafundësitë e mundësive të abuzimit që kanë në dorë, e që kurdisin dita ditës, në kurriz të të sunduarve. Që kullosin grumbulluar në një burg, bashkë me gratë, pleqtë e fëmijët e tyre.

Ndërkaq Shqipëria ekspozohet ndyrazi e përqeshurazi rrugëve të Evropës. Duke lypur epshet e investitorëve të mëdhenj, në këmbim të trupit të saj. Mundin e dertet i heq ajo që prostituon, paratë e benefitet e gjithfarshme i gllabërojnë protektor-diktator-ët e radhës. E në fund kësaj ZONJE TË RANDË, i mbetet ta quajnë kurvë, dhe politikën po ashtu e etiketojnë kurvë, por politika nuk ndodh vetë, si era, shiu, bora etj. Atëherë kujt i përket ky epitet disi morboz?

…ku e kishte fjalën Ali Asllani

Desha vetëm të shkruaj një mendim të momentit për këtë spektator të heshtur e të tulatur, që frika nga morrat dhe parazitët e tjerë të sistemit, e ka lënë në pozitën e popullit e mejhanexhiut. Kur shkova në një kioske fare të vogël, një mbrëmje, për të gjetur një artikull studimor shumë interesant, në numrin e ri të një reviste, për një të afërmin tim, që nuk jeton në Shqipëri. Zonja që shiste aty, duke qenë se nuk e njihte fortë mirë këtë revistë, menjëherë ju referua si ajo revista e hollë 1-mijëlekëshe. Për aq kohë sa potenciali i ç’do gjëje do bazohet nga kapaciteti komercial që ajo gjë ka, atëherë zonja në fjalë do ta ketë kioskën e saj plotë me gazeta e revista bajate. Të boshatisur nga librat siç edhe e kishte. Shëndeti i dinjitetit të kapaciteteve tona intelektive është një artikull i çmuar që duhet marrë në dorë me seriozitetin dhe sinqeritetin e duhur. Është përpjekje e vazhdueshme për perfeksionimin e lirisë së mendimit dhe veprimit. Larg politikave shit-blerëse, larg medias gojëmadhe që pështyn dhe përtyp po të njëjtat gjëra. Pse çuditërisht njerëzimi zhvillimin e tij më të madh mendor e ka pasur, kur ndër duar i janë gjendur materiale cilësore për të lexuar dhe nuk ka pasur asnjë material filmik, radiofonik apo dixhital për të shqyrtuar. Po ju them se gjenialiteti i kësaj bote ka lindur kur u njohën botërisht veprat e Hygosë, Balzakut, Molierit, Pushkinit, Gëtes, Shilerit, Shekspirit, Bethovenit, Moxartit, Lajbnicit, Frojdit, Ajnshtajnit, Edisonit, Teslës etj. Vetë arti klasik, si zë më vete, është ndoshta shfaqia më virtuoze dhe dinjitoze që njerëzimi mund t’i ketë servirur vetes përgjatë të gjitha kohërave. Sa i rafinuar dhe i stërholluar, aq edhe zhdërvjelltësues shqisash e ndjenjash të holla thellësisht fisnike. Pritej më shumë prej shekujve të rinj, pritej me ankth e ardhmja që përfaqësonin vitet 2000. Natyra e prirjes së mendimit që sjell mungesa e keqtrajtimeve dhe e persekutimeve tek vet mendimi, tashmë i lirë, është e një lloji vetëshpërblyes. Besomëni! As vete nuk mund ta përcaktojë në detaj, sepse nuk është diçka amorfe, por konceptuale. Puna është e madhe për individin, i cili nuk duhet të zbatojë më norma të ngurta kolektive, rruga është e gjate dhe e shtrenjtë tashmë. Duhet mbrujtur mendimi shkencor, mendimi letrar, mendimi filozofik, psikologjik, artistik. Duhet kuptuar se imagjinata është më e rëndësishme se dija, siç thoshte Ajnshtajni. Imagjinata është mëmë e padiskutueshme e vetë konceptit dije e më pas e dijes në vetvete. E kam thënë dhe e them boterisht, për mua organet e varura mediatike, janë sharlatanizëm. Një cirk i shëmtuar i mendimit. Më keq se plehrat tabloide me ngjyrë rozë, me mungesa thellësie dhe elegance në fluiditet mendimi, koherence dhe elokuence. Paçavure të pa shembullta. Pleh tabloidesh, plotë me figura, fotografi zyrash dhe zyrtarësh të lartë, ministrash e deputetësh, pseudoartistësh e shoumenësh, haremxhinjsh, ahengxhinjsh e bushtricash gjinjpërpjeta. Plot deri në gati-derdhje me hamenjsh idesh e neopikturistash shpërfytyrues krejt të shkundur nga gryka e sipër. Thellojnë pafund kallpësine e jetës të cilën e himnizojnë në kulme këto “literatura tabloide”. Të shtyjnë të kesh një shtëpi plot me objekte të stërbukura, të kesh për grua një zonjë super seksi, elegante. Me njohuri sipërfaqësore të asaj që është femër, e pa asnjë konotacion të femrës së vërtet. Këto revista e gazeta të yshtin të masturbosh mendërisht, fizikisht, konceptualisht dhe asgjë më shumë. Në fund ti gjendesh në një hale luksoze, brenda një shtëpie luksoze me një gazetë a reviste të shtrenjtë në dorë, me gjenitale të ndezura dhe me mendjen totalisht dërrase. Mendon vetëm për seks dhe për asnjë dëfrim tjetër kohëmbushës. Nuk di të ndërtosh familje, por di të ndërtosh vetëm një marrëdhënie të limituar nga ekzigjenca injorante, plotë padije, me përtesa, me shpenzime dhe me pretendime krejtësisht idioteske.

O milet!… koha është e maskarenjve, por Atdheu i shqiptarëve. Mendoje pak! Koha është në shërbim të atyre që vetëm thellojnë një gropë të madhe në dheun e etërve tanë, me qëllim që aty një ditë të vendosen themelet e shtetit. Por këto themele ku janë?! Shpejt mandatit katër vjeçar i soset koha dhe ne na e lënë si derrin maç, dheun e atit, me një gropë aq të humnershme në të, sa gati na përpin të gjithëve. Ky shkrimi im modest zanafillën e ka tek vargjet e “O moj shqypni” me autor Pashko Vasën dhe “Hakërrim” me autor Ali Asllani. Vargjet janë vërtet shumë të hershëm, por edhe një sy i pakujdesshëm menjëherë ia harrin të bëjë përafrime shumë të sakta mes fjalëve në rreshta dhe aktualitetit të ditëve le të themi moderne.

O milet! Drejtojuni mendimit, leximit, shfletimit. Sa turp që njerëzit janë të detyruar të lexojnë vetëm nga Facebook-u dhe nëse materiali është i gjatë për tu lexuar, as që e vrasin mendjen. Drejtojuni asaj që ju zbukuron vërtet, asaj që ju jep forcë mendore e potencial intelektiv. Për të shijuar jetën maksimalisht e me predispozita për pozitivitet kurdoherë. Mua nuk më intereson e kurrë nuk më leverdis të di biografinë e veprimtarinë njerëzore të një personi. Mua më mjafton të di se çfarë mendon në vazhdimësi ky njeri. A e vret mendjen ai ose ajo dhe mundem, pa asnjë dyshim të vendos pikat mbi i-të e njohjes time karshi atij/asaj. Shqiptarët më të shquar sot, bluajnë në mendje dhe zemër vetëm paranë. Por kjo duhet të ndryshojë. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për para, por mbi të gjitha për njerëz të vetëdijshëm e me kapacitet kurdoherë në absorbim të së resë dhe të pakufishmes. Ç’do njeri i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në gjeni, thoshte Betoveni, mjafton të ushtrohet. Ndaj pse të mos ushtrohemi të jemi më të mirë kudo e kurdo, për të mirën tonë dhe për të mirën e vendit.

Mr. president, mos e bëni këtë!

 

Edhe kjo tani! Jo vetëm mijëra gjermanë janë përgjuar sistematikisht prej NSA, por tani mësohet se Uashingtoni ka dëgjuar edhe telefonatat nga celulari i kancelares. Kjo nuk shkon, vëren Volker Wagener në komentin e tij.

 

Angela Merkelit, një shembull i vetëkontrollit dhe një mjeshtre e fjalës së ekuilibruar, tani me sa duket i ka hipur gjaku në kokë. Psikologët do të thoshin, se ajo po humbet tolerancën e dëshpërimit të saj. Fjalët e përzgjedhura në reagimin e saj dëshmojnë për këtë: Përgjimi i telefonatave të saj është “absolutisht i papranueshëm” dhe një “thyerje e fortë e besimit” mes miqsh të ngushtë. Pikërisht kjo Angela Merkel para pak muajsh kur sapo u bënë publike detaje e komentoi me tone të buta praktikën e përgjimeve amerikane. Prej saj nuk u dëgjua gjë tjetër veç apeleve në adresë të Uashingtonit, se pritet një sqarim i hollësishëm. Tek e fundit e gjithë afera, që u zbulua në mënyrë kaq të bujshme prej Edward Snowden, ish-punonjës i shërbimit të fshehtë të SHBA-së, u zbeh në vorbullën e politikës së ditës.

Por tani kancelarja është e indinjuar. Ndaj saj mund të hamendësosh, se përdor dy kute – nga njëra anë masa e mijëra viktimave anonime gjermane të përgjimit, e nga ana tjetër celulari i saj, mjeti i komunikimit të kancelares. Por nuk është kështu, sepse këtu kemi të bëjmë me kalimin e kufijve të një zone tjetër tabu. Si kancelare Angela Merkel është ajo që koncepton politikën gjermane. Ta përgjosh atë, është si një akt armiqësor. E në këtë rast nuk është armiku, ai që përdor armën e përgjimit, por është miku. Kjo është e veçanta delikate në këtë rast.

Spiunazhi, siç mendohet një nga zanatet më të vjetra në botë, ka qenë komponent i pandashëm i Luftës së Ftohtë. Me sa duket ky aktivitet, që zhvillohet në fshehtësi, vazhdon të ketë koniunkturë. Ajo që ka ndryshuar në të është identifikimi i burimit. Ç’më duhen armiqtë, kur mua as miqtë nuk më besojnë? Askush nuk do të indinjohej seriozisht, nëse Moska apo Pekini do të rrekeshin të fusnin hundët në planet tona politike dhe ekonomike. Madje ne në heshtje e marrim parasysh, që kështu ndodh. Por mënyra e sjelljes së Uashingtonit na prek ne gjermanët në shumë aspekte të ndjeshme.

Së pari spiunimi i qytetarëve është një shkelje e hapur e shtetit të së drejtës. Ne na indinjon arbitrariteti i përgjimit, pikërisht sepse për të drejtat qytetare dhe mbrojtjen e të dhënave kemi përkufizuar dhe ankoruar ligjërisht standarde shumë të larta. Së dyti Gjermania bën pjesë ndër aleatët më të ngushtë të SHBA-së, dhe ne duam që të trajtohemi si të tillë. E së treti simpatia jonë për Obama-n prej muajsh në aferën e NSA-së po zbehet dukshëm. E tani edhe kjo na u desh: zotëria babaxhan Obama bën që të kontrollohet komunikimi i Merkelit përmes celularit!

Mes miqsh një shkelje e tillë e besimit presupozon ose fundin e miqësisë – gjë që në aspektin politik do të ishte absurde – ose pasoja do të ishte një stuhi e fuqishme. Kushdo tjetër e aq më tepër miku gëzon të drejtën që t’i artikulojë temat e vështira e në rast nevoje të japë edhe rekomandime delikate. Në këtë rast do të thotë, që SHBA-së t’i jepet këshilla, që më në fund ta kurojë paranojën e shkaktuar prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Më së miri kjo mund të arrihej përmes veprimesh më transparente dhe tërheqjes së oktapodit, NSA.

Ky autoritet ka kohë që po ua kalon edhe absurditeteve dhe praktikave të shpikura deri në vitin 1989 nga sigurimi komunist i shtetit në RDGJ. E kjo ka mjaft domethënie.

 

 

Ndotja e ajrit në Evropë

Ndotja e ajrit në Evropë mbetet një problem shumë serioz. Sipas vlerësimeve të ekspertëve në Evropë ka edhe më tej sasi të mëdha të grimcave të dëmshme në ajër. A mund të përmirësohet kualiteti i ajrit në BE?

 

Ndotja e ajrit është problemi më i madh i ruajtjes së mjedisit në Evropë. Të paktën kur llogaritet edhe lirimi i gazit të rrezikshëm (CO2), thotë Jens Hilgenberg nga Shoqata për Mjedisin dhe Mbrojtjen e Natyrës në Gjermani (BUND). “Ky gaz është problemi më i madh i mjedisit në gjithë botën. Fakti që kualiteti i ajrit shkakton edhe më tej shqetësime të mëdha në Evropë, shihet edhe në raportin e botuar nga Agjencia Evropiane për Mjedisin”, pohon ai. Sipas të dhënave të kësaj Agjencie 90% e banorëve të qyteteve në BE përballen me lëndë, të cilat cilësohen si të dëmshme prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO). Jens Hilgenberg shpjegon për DW se në këto lëndë ka diosid karboni dhe gazra e pluhura të dëmshme.

Në vitet e kaluara janë ndërmarrë disa masa për pastrimin e ajrit, thuhet në vlerësimin e Agjencisë. Disa lloje të pluhurave në ajër janë zvogëluar deri në 15%. “Problemi është”, shpjegon Hilgenberg, “që ndotja është ende prezente, por ne nuk i shohim këto grimca”. Me filterë të montuar prej disa vitesh në veturat dizel janë pastruar gazrat nga grimcat më të mëdha, por grimcat e vogla, që mund të shihen vetëm me mikroskop, edhe më tutje lirohen në ajër. “Këto grimca mund të futen përmes enëve të gjakut deri në tru dhe mund të shkaktojnë edhe sëmundje”, shpjegon Heiko Balsmeyer nga Klubi Ekologjik për Trafik.

Gjermania ka probleme me trafikun, Danimarka me djegien e drurit

Klubi për Trafik së bashku me BUND dhe organizata të tjera për ruajtjen e mjedisit angazhohet për përmirësimin e kualitetit të ajrit. Ato kanë themeluar një projekt me emrin Clean Air. “Ne duam që njerëzit në qytete të përdorin më shumë trafikun urban dhe biçikletat”, thotë Balsmeyer, i cili mendon se BE-ja duhet të kujdeset më shumë për këto masa. “Masat e ndërmarra nga BE-ja nuk mjaftojnë. Neve nga duhen rregulla më të mira”.

Jens Hilgenberg nga BUND mendon se fajin e ka Parlamenti Evropian. “Rregullat e BE-së janë të mira. Por vendet anëtare nuk po i zbatojnë si duhet”. Vendet anëtare të BE-së nuk kanë kritere të ngjashme për rëndësinë e problemeve. “Në Poloni ajri ndotet nga industria e thëngjillit, në Danimarkë nga ngrohja me dru, ndërsa në Gjermani nga trafiku”. Në krahasim me shumë vende të tjera Gjermania megjithatë ka shumë përparësi. “Një shembull pozitiv janë edhe zonat për ruajtjen e mjedisit”, thotë Hilgenberg. Në këto zona, të cilat ekzistojnë në shumë qytete të Gjermanisë, mund të qarkullojnë vetëm automjetet, që lirojnë pak gazra. “Berlini është në vendin e parë në Evropë, për në projektin për “Mjedisi pa grimca të zeza”. Parashikohet që në të ardhmen të dënohen ata që nuk i respektojnë rregullat e këtyre zonave dhe kjo mund të sjellë zbatimin më të denjë të këtyre normave.

Afrika dhe Azia nuk mund të krahasohen

Ambientalistët në Evropë mendojnë se duhet vënë një regjim edhe më të ashpër kontrolli të automjeteve të cilat nuk marrin pjesë të drejtpërdrejtë në trafik. Si për shembull, makinat e ndërtimtarisë, anijet, bagerë apo makina të tjera, të cilat e ndotin dukshëm ajrin. “Shpresojmë se BE-ja do t’i ashpërsojë rregullat”. Aktualisht po punohet në ridefinimin e rregullave të cilat do të bëhen publike në nëntor. Me këto rregulla do të caktohet edhe kufiri më i lartë i lëndëve që mund të lirohen në ajër. Ekspertët thonë se ka nevojë për “ashpërsimin e rregullave më qëllim mbrojtjen e popullit”.

Smog në Singapor

Me gjithë problemet me ndotjen, Evropa qëndron në krahasim me kontinentet e tjera mirë. Lirimi i gazrave të dëmshme në qytetet e mëdha në Afrikë dhe Azi është shumë më i lartë. “Kjo është e vërtetë vetëm pjesërisht”, pohon eksperti nga BUNT Hilgenberg. “Kur e shikon masën e grimcave që lirohet në ajër, në Evropë ajo është metë vërtetë më e ulët. Por masa e përgjithshme e grimcave në ajër është vetëm pak më e ulët se në kontinentet e tjera. Nga ajri në Evropë pastrohet vetëm grimcat e mëdha, ndërsa ato të voglat mbeten edhe më tej. BE-ja ka pra edhe shumë punë për të bërë, deri në përmirësimin e dukshëm të kualitetit të ajrit. Tepër kohë nuk ka, sepse pasojat janë shumë të rënda. Në vitin 2000 si pasojë e dëmtimeve në ozon ka rënë prodhimi i drithërave për 27 milionë tonelata.

 

Zgjedhjet lokale në Kosovë – Sfida luftimi i varfërisë dhe i papunësisë

Kosova po përballet me përqindje të lartë të papunësisë dhe të varfërisë. Qeveritë shkojnë e vijnë, por gjendja mbetet e njëjtë. Premtimet vazhdojnë edhe në prag të zgjedhjeve lokale të nëntorit.

 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës varfëria e përgjithshme në Kosovë është 29.2 për qind me 8.2 për qind varfëri të skajshme, ndërsa papunësia arrin në rreth 30.9 për qind. Analisti politik Belul Beqaj, kryetar i Lëvizjes Evropiane në Kosovë, thotë për DW-në se: “Investimet kapitale më shumë janë në funksion të simbolikës se sa të krijimit të kushteve. Ende mendohet për asfalt e nuk mendohet për bukë e ujë, të cilat Kosova i importon në vend që t´i eksportojë. Mendohet si të harxhohen paratë e taksapaguesve e jo si të futen ato dhe investimet e huaja në zhvillimin, i cili do të hapte vende të reja pune”, thotë Beqaj. Sipas tij papunësia është e ndërlidhur me mungesën e strategjisë zhvillimore dhe shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

Premtime elektorale apo objektiva?

Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, problemet e grumbulluara me dekada nuk mund të zgjidhen brenda ditës”.Zvogëlimi i papunësisë dhe i varfërisë është proces historik dhe mision i brezit tonë. Këtë duhet ta arrijmë bashkërisht me përgjegjësi e përkushtim. Partneriteti ndërkombëtar sidomos nga Gjermania, është një shtytje e madhe. Ndërsa, meqë Kosova po kalon nëpër procesin e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik, koncepti i PDK-së për luftimin e varfërisë dhe zvogëlimit të papunësisë bazohet në forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik afatgjatë”, thotë Kadri Veseli, zëvendëskryetar i PDK-së.

Partia aleate e PDK-së në koalicionin qeverisës “Aleanca Kosova e Re” (AKR)për tejkalimin e kësaj situate parashikon krijimin e atmosferës së volitshme për investime dhe ngritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ekonomike, thotë kryetari i saj, Behxhet Pacolli”.Në komunat që do t´i qeverisë AKR, komuna do të miratojë programin e saj menaxherial dhe ekonomik që pos të tjerash parasheh edhe ngritjen e ndërmarrjeve të përbashkëta ndërmjet Agjensionit Komunal të Participimeve dhe investitorëve potencialë”. Sipas Pacollit, në qytet synohet krijimi i zonës ekonomike, ndërsa në fshatra pronat e patundshme komunale do të përdoren për krijimin e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale me investitorët vendas.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, parti në opozitë thonë se, ka pasur një vëmendje të tepruar të qeverisë aktuale në çështjet politike, duke e lënë mënjanë axhendën zhvillimore. Ndërsa, është sektori privat ai që mund të kontribuojë në zvogëlimin e papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë, meqenëse vetëm rreth 25% e popullsisë në moshë pune janë të punësuar, ndërsa vetëm 10% e femrave dhe të rinjve janë të zënë me punë, vë në dukej Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë dhe Kryesues i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së. “Promovimi i zhvillimit rural do të prodhonte efekte multiplikuese në tërë ekonominë. Zhvillimi i bujqësisë është i domosdoshëm për të zvogëluar importin prej rreth 500 milion euro të produkteve ushqimore. Biznesi i vogël dhe i mesëm duhet të stimulohet në veçanti. Mbi të gjitha, duhet të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor në mënyrë që kuadrot, që dalin nga arsimi të jenë në përputhje me nevojat e ekonomisë”, thotë Hoti. Ai i konsideron si plotësisht të realizueshme këto politika në gjendjen ekzistuese dhe me kapacitetet financiare që ka Kosova.

Motoja e fushatës së liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj është: “Asnjë familje në Kosovë pa një të punësuar!” Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së thotë për DW-në se: “AAK do ta bëjë këtë me menaxhimin e mirë dhe orientimin e duhur të fondeve publike për hapjen e vendeve të punës për të gjithë, ndryshe nga qeveria aktuale, e cila ka bërë mbingarkim të administratës dhe të kompanive publike me punësime të klaneve, familjarëve dhe militantëve”.

Sociologët: Pritet ndëgjegjësim i elektoratit

Sociologu Fadil Maloku, kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës (SHSK) dhe anëtar i Shoqatës së Sociologëve Botërorë vë në dukje mungesën e vizionit të partive politike, të cilat sipas tij: “Edhe në këtë prag të zgjedhjeve lokale flasin për zbutjen e papunësisë dhe të varfërisë. Por, në programet e tyre nuk kanë projekte të detajuara për zgjidhjen e tyre dhe temat sociale e ekonomike edhe më tej mbeten të margjinalizuara. Si rrjedhojë, pakënaqësitë sociale dhe ato ekonomike mund të rezultojnë me rebelimin e të rinjve nga frustrimi në rritje”. Duke iu referuar një studimi të Shoqatës së Sociologëve të Kosovës ai thekson se, premtimet e partive politike në zgjedhjet e realizuara deri tani kanë qenë vetëm sa për të marrë votën dhe se në katër palë zgjedhje qytetarët kanë kuptuar se janë manipuluar. Ndaj, thekson Maloku, në zgjedhjet e sivjetme mund të priten kthesa pozitive në ndërgjegjësimin e qytetarëve, se kujt do t´ia japin votën.

 

 

Kush financon partitë – fiton tender

Zhvillimi i aktiviteteve të disa ndërmarrjeve private kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike nëpër komuna, por edhe me zyrtarë të institucioneve të larta kosovare, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë thotë se politika dhe biznesi janë dy subjekte të lidhura në mënyrë direkte dhe indirekte, që mbështesin njëra-tjetrën për interesa të veta, qoftë politike apo biznesore.

“Kjo është një traditë, jo e filluar sot, por një traditë që vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës. Prandaj, është interesi ai që lidh, por ajo që dëmton është se në këto raste bëhen favorizime në njërën anë, apo në anën tjetër”, thotë Shahini.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend, kritikojnë klasën politike për ngufatjen e ekonomisë nga politika.

Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se është bërë traditë në Kosovë që kompanitë që financojnë fushatat e partive të caktuara, të shpërblehen me tenderë pas marrjes së pushtetit.

“Për një vit, rreth 500 milionë euro para publike kontraktohen përmes procedurave të prokurimit publik për kompanitë private dhe kjo e ka rritur ndikimin politik te kompanitë për shkak se përzgjidhen ato kompani që janë të afërta me politikën, sidomos me partinë në pushtet”.

“Edhe në kaluarën është raportuar se ato biznese që kanë financuar drejtpërdrejtë fushatën elektorale të një partie të caktuar, janë shpërblyer me shuma milionëshe me rastin e fitimit të pushtetit”, shprehet Demi.

Si problem tjetër në këtë fushë, Agron Demi, përmend përdorimin e standardeve të dyfishta gjatë inspektimit dhe tatimit të bizneseve, veçanërisht në komunat më të vogla të Kosovës.

“Për shembull, në komunat më të vogla, ku bizneset njihen me komunën, politikanët vendosin se cili biznes do të inspektohet dhe dënohet. Dhe, kjo lë hapësirë për keqpërdorime, për shkak se ato biznese, të cilat nuk mbështesin financiarisht partinë, ato inspektohen më shpesh apo edhe dënohen për shkak të mospërmbushjes së procedurave”, thekson Demi.

Ai shton se kjo ka ndikuar që shumica e bizneseve të gjejnë lidhje me partitë politike, konkretisht me partitë që udhëheqin komunat.

Por, Agim Shahini, thotë se pasojat e ndërhyrjes se politikës në biznes janë të dyanshme, pasi dëmtohen kompanitë tjera private, por edhe partitë që nuk arrijnë të kontrollojnë biznese të caktuara.

“Gjithë këto lehtësi që mund t’i jepen njëra-tjetrës, qoftë biznesi që politikës i siguron financa dhe vota, ajo mund të dëmtojë partinë tjetër, e cila nuk e ka këtë mbështetje nga biznesi. Por, edhe politika kur i jep biznesit privilegje, e dëmton konkurrencën, e cila në një farë forme krijon monopol për shkak të privilegjeve që iu ofrohen”, vlerëson Shahini.

Ndryshe, edhe gjatë fushatës zgjedhore që po mbahet për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit, kandidatë për kryetar të komunave, jo rrallë herë po akuzojnë njëri-tjetrin që kanë lidhje dhe favorizojnë kompani të caktuara në komunat e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency