Situata kriminale në kryeqytet, takohen Çipa dhe Llalla

0
147

Diskutohen operacionet më të fundit në Tiranë, “Fund marrëzisë” dhe prishjet e ndërtimeve të paligjshme

Tiranë

Policia tiranePër herë të parë pas marrjes së detyrës si kryepolic i Tiranës, Ardian Çipa takon për afro 1 orë prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Takimi u zhvillua në drejtorinë e Policisë së Tiranës ndërsa bëhet me dije se temë e bisedave ndërmjet dy titullarëve kanë qenë bashkëpunimi institucional, si dhe operacionet e fundit ndërmarrë nga policia e kryeqytetit. Lidhur me këtë takim, burime pranë policisë thanë se Llalla dhe Çipa kanë diskutuar dhe mbi hartimin e dosjeve hetimore për këtë operacione, si dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Nga kryeprokurori Adriatik Llalla është kërkuar që nga oficerët e policisë gjyqësore të plotësohen në mënyrë korrekte kallëzimet e bërë në komisariate, me qëllim që prokuroria të ketë mundësi të hetojë dhe dërgojë para drejtësisë çdo shkelës të ligjit. Ndërkohë kreu i policisë së Tiranës garantoi bashkëpunim maksimal me organin e akuzës si dhe sigurim të provave për organin e akuzës në mënyrë që hetimi të mbyllet në një kohë të shkurtër, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Operacioni

Sërish dje ka vijuar operacioni “Fund marrëzisë”, i cili është shtrirë në të gjithë qarkun dhe strukturat e policisë së kryeqytetit janë maksimalisht të angazhuara. Në kuadër të këtij operacioni, përgjatë ditës së djeshme janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 20 shtetas, për veprat penale të “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal. Materialet për të gjithë personat që u janë gjetur lojëra fati në bizneset e tyre ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Pronarët e lokaleve janë duke u hetuar në gjendje të lirë.

Përmet

U arrestua për tentativë përdhunimi, lirohet pas tërheqjes së denoncueses

Policia ka arrestuar dhe liruar brenda disa orësh një 45-vjeçar, i akuzuar për tentativë përdhunimi të një shtetaseje nga fshati i tij, Fratar i Përmetit. Sipas burimeve zyrtare policore, lirimi i Hekuran Çipit është bërë dje nga policia pas urdhrit të dhënë nga Prokuroria e Përmetit, e cila urdhëronte lirimin me argumentin se denoncuesja është tërhequr nga akuza. Sipas po të njëjtave burime, dje në mesditë, shtetasja V. Y. është paraqitur në Prokurorinë e rrethit Përmet dhe me vullnetin e saj ka tërhequr ankimimin ndaj shtetasit Hekuran Çipi, me pretendimin se të dyja palët janë familjarë dhe s’duan të bëhet publike kjo ngjarje dhe se familjarët e Hekuran Çipit i kanë kërkuar falje shtetases V. Y., për veprimet e turpshme që tentoi të kryente i afërmi i tyre ndaj saj. Policia njoftoi me herët se ky shtetas, në orët e pasdites së të hënës, në fshatin e vet në Fratar të rrethit Përmet, është futur në banesën e shtetases V. Y., 25 vjeçe e martuar, e cila ishte vetëm për momentin dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë. Por, Çipi nuk ka mundur të kryejë marrëdhënie seksuale me të pasi 26-vjeçarja V. Y., ka mbrojtur veten dhe ka kërkuar ndihmë ku në ndihmë të saj kanë ardhur vjehrra me kunatën, të cilat e kanë shtëpinë shumë afër me banesën e saj. Për këtë arsye, policie e ndaloi shtetasin Hekuran Çipi për veprën penale “Kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura mbetur në tentativë”, vepër kjo e parashikuar nga neni 102 e 22 të Kodit Penal.

 

Takimi

Naço – Rauning: Shqipëri – OSBE, objektiva të përbashkët

Ministri i Drejtësisë dhe ambasadori i ri i OSBE-së në Tiranë zhvilluan dje një takim, në prani edhe të përfaqësuesve të tjerë të Prezencës së OSBE në Shqipëri. Në qendër të takimit ishin reformat në sistemin e drejtësisë, bashkëpunimi në vijimësi i të dy palëve në projekte konkrete, si dhe fokusi i bashkëpunimit të mëtejshëm. “OSBE është një partner i fuqishëm për Shqipërinë dhe një partner i besueshëm. Jemi tërësisht të angazhuar për t’ju asistuar. Qeveria – Parlamenti – Opozita është trekëndëshi me të cilin ne duam të punojmë”, – u shpreh në fjalën e tij hyrëse ambasadori Raunig. Ministri i Drejtësisë e falënderoi ambasadorin për ndihmesën që i është dhënë Shqipërisë nga ana e OSBE-së deri më sot. Ai e njohu z. Raunig me reformat e nisura dhe reflektimin e tyre konkret, siç është përgatitja e drafteve ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Procedurës Civile dhe asaj Administrative, dixhitalizimi i sistemit të noterisë dhe shërbimit të provës, hapja e portalit të denoncimeve online “Stop korrupsionit në drejtësi” etj. Ministri shprehu kërkesën e tij për asistencë nga OSBE dhe e informoi ambasadorin Raunig se për ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë do të merret parasysh edhe mendimi i Komisionit të Venecias. Ambasadori e miratoi plotësisht ministrin Naço në të gjitha nismat e ndërmarra, duke ritheksuar se asistenca e OSBE-së do të jetë e plotë.

Itali

U arratis nga burgu në Itali, kapet në Belgjikë Taulant Toma

Arrestohet në Belgjikë Taulant Toma, 29 vjeç, i arratisur nga burgu i Parmës, Itali, në 2 shkurt të këtij viti, që ishte arratisja e dytë, pasi për herë të parë ai është arratisur nga burgu i Ternit në 2009. Toma është kapur në Belgjikë dhe pritet të ekstradohet në Itali, ku veç dënimeve të mëparshme për grabitje dhe shpërndarje droge, duhet të përgjigjet edhe për arratisje nga burgu. Ndërsa “liria” e Valentin Frrokajt ka përfunduar që më 14 gusht kur është kapur në Kasano d’Ada, provinca e Milanos nga karabinierët e zonës. Toma njihet si mik i afërt i Ilir Pajës, i njohur nga policia italiane si “UFO”, për shkak se është arratisur dy herë nga qelia. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i shërbimit antidrogë në ministrinë e Brendshme të Italisë. “Kemi bërë të mundur arrestimin e Taulant Tomës, i arratisur nga burgu. Toma është i dënuar nga drejtësia për grabitje dhe për arratisje nga burgu. Ai ishte arratisur bashkë me Valentin Frrokajn, i kapur në 15 gusht 2013, në një lokalitet në afërsi të Milano”, – ka bërë të ditur kreu i policisë së burgjeve, Giovanni Tamburino. Toma ishte dënuar për arratisjen e parë nga burgu i Ternit, Itali, në datën 9 tetor 2009, por në 22 dhjetor të po atij viti, ai ishte kapur nga policia.

Dibër

Vrau të dashurën, arrestohet Arbër Dedja

Policia e Dibrës njofton arrestimin brenda disa orëve të autorit të vrasjes së 19-vjeçares Mbaresa Torba, studente Infermierie në qytetin e Peshkopisë. Sipas burimeve zyrtare policore, ngjarja ndodhi mesditën e pardjeshme në lagjen “Cipure” të Peshkopisë, në banesën e gjyshërve të autorit Elsjon (Arbër) Dedja. Sipas policisë, menjëherë pas identifikimit të autorit, nga ana e strukturave të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në bashkëpunim me shërbime të Komisariatit të Policisë Dibër, është ndërmarrë një operacion policor për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, dhe pas një pune intensive të këtyre strukturave, disa orë pas ngjarjes është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit Elsjon (Arbër) Dedja, i cili fshihej në rrethinat e qytetit të Peshkopisë, në disa ndërtesa të braktisura . Nga kryerja e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe marrja e dëshmive, grupi hetimor ka arritur të bëjë dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe zbardhjen e rrethanave dhe mekanizmit të saj, nga ku ka rezultuar se shtetasi Elsjon (Arbër) Dedja ka qenë i dashuri i shtetases Mbaresa Torba, dhe gjatë një debati për motive të dobëta, e ka qëlluar këtë të fundit me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes .

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency