Vendimi i Krimeve të Rënda/ Vrau kryekomisarin e Shijakut, “Burg përjetë” për Ilir Xhaken

0
123

Sonja Caka

Avokati pretendoi vrasje nga gjaknxehtësia, në kushtet e tronditjes së thellë psikike. Gjykata e shpall fajtor për tri akuza dhe të pafajshëm për njërën prej tyre

 

Ilir XhakjaBurg përjetë për Ilir Xhaken. Ky ka qenë edhe verdikti përfundimtar i trupës gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e shpalli fajtor për tri vepra penale të pandehurin Xhakja, konkretisht për “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë që, gjykata i dha pafajësi për njërën prej tyre, përkatësisht “Vrasjes së mbetur në tentativë” ndaj një kalimtareje. E njëjtë ka qenë kërkesa edhe nga ana e akuzës për të pandehurin, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj. Vendimi i gjykatës erdhi pas paraqitjes së pretendimeve të avokatit mbrojtës, Andi Duraj, i cili pretendoi se vrasja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikike, pasi në ato momenti klienti i tij ka qenë gjaknxehtë për shkak të konfliktit. Avokati mbrojtës, Andi Duraj është shprehur kundër pretencës së prokurorisë duke kërkuar që Xhakja të shpallet i pafajshëm nga akuza e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta. Kjo, sipas tij, pasi policët ishin civilë ditën e ngjarjes dhe Xhakja nuk e dinte që ata ishin punonjës policie. Sipas avokatit, ish-komisari i Shijakut Adem Tahiraj ka përdorur fjalë fyese në drejtim të klientit të tij dhe të vërtetën e dinë edhe policët që e shoqëronin ish-kryekomisarin por ata nuk pranuan të dëshmojnë. Gjithashtu, avokati ka kërkuar që Xhakja të shpallet i pafajshëm edhe për plagosjen e Lena Ndojes.

Vendimi

Për gjykatën, Ilir Xhakja është autori i vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të shefit të komisariatit të Shijakut, kryekomisarit Adem Tahiraj, ndërsa është shpallur i pafajshëm për plagosjen e kalimtares së rastit Lena Ndoit, ngjarje kjo e ndodhur më 13 shtator 2012 në fshatin Katund i ri, komuna Sukth. Sipas togave të zeza, i gjithë sherri që përfundoi në vrasjen e kryekomisarit ka nisur për bllokimin e makinës pa letra dhe xhama të zeza të nipit të të pandehurit, Ledio Krasnaj. Bllokimi i kësaj makine ka irrituar Ilir Xhaken, i njohur në zonë si njeri me precedentë të mëparshëm penalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka nxjerrë pistoletën duke e shkrehur 6 herë në drejtim të trupit të kryekomisarit. Pas vrasjes, Xhakja së bashku me nipin është larguar për t’u vetëdorëzuar në orët e vona të po asaj ditë në drejtorin e Policisë Durrës. I pandehuri Ilir Xhakja, ka pretenduar se ka qëlluar në drejtim të kryekomisarit për vetëmbrojtje, por asnjë nga dëshmitarët e akuzës dhe mbrojtjes nuk provuan këtë pretendim. Sipas gjykatës, rezultoi gjatë këtij gjykimi se i pandehuri veprat penale i ka kryer i shtyrë nga motive krejtësisht të dobëta, i ka kryer ato me egërsi dhe mizori dhe ka realizuar qëllimet e tij kriminale duke përdorur armët e zjarrit gjë që e rëndon së tepërmi pasojën e veprimeve të tij kriminale.

Akuza

Refuzimi për kontrollin e makinës së nipit passolli edhe krimin e rëndë që rrezikon t’i kushtojë gjithë jetën e tij brenda qelive të burg të pandehurit Xhakja. Prokurori Beçi ka sqaruar për gjykatën edhe momentin kur nisi gjithçka, momenti i urdhrit për ndalimin dhe kontrollin e dokumenteve të makinës “Opel”, pa targa dhe me xhama të zinj. “Shefi i Komisariatit urdhëroi shoferin F. H., të zhvendosej majtas për t’i bllokuar rrugën një automjeti tip “Opel”, me ngjyrë të zezë, me targë të huaj, i cili po vinte në drejtim të kundërt me automjetet e policisë. Në kabinën e tij ndodhej vetëm një person, i cili u identifikua më pas si L. Krasni, 17 vjeç, banues në Katund Sukth. Drejtuesi i mjetit iu bind urdhrit duke ndaluar mjetin me të cilin udhëtonte. Shefi i Komisariatit dhe dy punonjësit që e shoqëronin zbritën nga automjetet për të verifikuar rastin. U urdhërua shoqërimi i automjetit për në Komisariatin e Shijakut, pasi rezultoi pa dokumente regjistrimi sipas ligjit. L. Krasnaj nuk kundërshtoi, F. H. u urdhërua të hipte në kabinë për të siguruar shoqërimin dhe drejtuesi filloi manovrën për kthimin e automjetit mbrapsht, me drejtimin për Shijak. Provohet se në këto momente u largua nga vendngjarja edhe automjeti i shoqëruar “VW Golf”, me lejen e drejtuesit të operacionit, për shkak të vështirësive që u krijuan për qarkullimit e mjeteve në këtë segment rruge. Pra, S. G. dhe J. G. nuk kanë qenë dëshmitarë okularë të krimit të vrasjes së kryekomisarit në momentin e konfliktimit me të pandehurin. Teksa automjeti “VW Golf” sapo kishte përfunduar apo ishte duke përfunduar manovrën, në vendngjarje afrohet një automjet “Mercedes”, tip “Regina 320”, i pajisur vetëm me një targë të huaj në pjesën e pasme, i cili ndaloi përbri automjeteve të policisë. Siç edhe rezultoi gjatë dëshmive të marra në këtë gjykim me këtë automjet u provua se udhëtonte i pandehuri Ilir Xhakja”, – bëhet me dije në vendimin e gjykatës.

Përplasja

Në pretencën e tij një seancë më parë, prokurori shpjegoi edhe reagimet e të pandehurit në momentin e parë dhe më pas. “Prej tij zbriti një person, i identifikuar më pas si Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë kriminalë. Gjatë këtij gjykimi i provua se ky person u drejtua tek automjeti tip “Opel”, hapi derën e pasagjerit dhe nxori përjashta me dhunë policin F. H., duke iu drejtuar me fjalët: “Ç’punë ke ti me nipin tim?” (provohet se L. Krasnaj është nipi i Ilir Xhakes). Polici F. H. u prezantua menjëherë dhe personi që sulmoi ndërpreu për një çast veprimet ndaj tij”. Sipas prokurorit, pikërisht në këtë çast ndodhi edhe ndërhyrja që solli ngjarjen e rëndë, vrasjen e një funksionari të lartë policie. “Pikërisht ky është dhe çasti fatal kur në këtë konflikt u përfshi Shefi i Komisariatit i cili, në ushtrim të detyrës, e pyeti personin kush ishte dhe çfarë kërkonte. Sipas dëshmisë së bashkë të pandehurit F. H., Xhakja reagoi menjëherë në mënyrë të dhunshme, duke u shprehur: “Unë jam ai që të q… motrën” dhe nxori pistoletën nga brezi. U provua gjatë gjykimit se në këtë moment shefi i komisariatit bëri prapa duke i bërë thirrje Ilir Xhakes që të mos afrohej, kurse polici F. H. ndërhyri duke i dalë para autorit dhe duke bërtitur disa herë me zë të lartë: “Është shefi i komisariatit…!” I pandehuri Ilir, duke shtyrë me trup policin F. H., mundi të vendoste dorën mbi supin e tij dhe qëlloi gjashtë herë rresht mbi trupin e kryekomisarit”.

Dëshmia e Ledion Krasnaj

“….Makinat po vinin nga Katundi i Ri ishin në drejtim të kundërt që po lëvizja unë, ata më bllokuan, me zunë rrugën te dyja makinat e policisë, me pyeten për letrat. Unë ndalova dhe m’u afrua F. H. e njihja, më erdhi tek dera ime e makinës më pyeti për letrat me tha hajde ne Komisariat, unë i thashë se si kisha letrat, më tha hajde ne komisariat me gjithë makinën, në atë moment erdhi daja im aty Iliri rastësisht, ai erdhi nga Katund i Ri ishte me “Benz Rexhina”. Daja i kaloi para makinës së policisë dhe zbriti nga makina dhe u afrua aty dhe i tha Fatmirit se është nipi im, më pas ata u konfliktuan F. H. me Ilirin. F. H. kishte hipur në makinën time tek vendi i pasagjerit sa po e nisja makinën, daja doli në krahun e pasagjerit dhe filluan u konfliktuan me F.H, unë nuk i dëgjova por ata zbritën poshtë. F. H. zbriti nga makina për t’u konfliktuar, me debat me fjale me Ilirin. F. H. doli vetë nga makina dhe po bënte debat me fjalë me Ilirin, nuk më kujtohet se çfarë po thoshin, dëgjoja vetëm që po bërtisnin, Iliri i tha se është nipi im, pastaj këta dy të tjerët dolën nga makina tjetër e policisë”, – ka dëshmuar Ledio Krasnaj.

Akuzat

“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”

“Vrasje e mbetur në tentativë”

“Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”

“Mbajtje pa leje të armëve luftarake”

 

Burgje

Nisin ndryshimet e para në rang drejtorësh, ikin katër, emërohen të rinj

Nisin lëvizjet e para në rang drejtorësh në burgjet shqiptare. Me ardhjen në detyrë disa ditë më parë, kreu i ri i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Artur Zoto, ka firmosur shkarkimet dhe emërimet e reja. Katër nga drejtuesit e burgjeve janë zëvendësuar me emra të rinj, disa të njohur dhe disa të panjohur. Kështu, në krye të Spitalit të Burgut është emëruar Luçiano Qafoku, në burgun e Vaqarrit është emëruar drejtor ish-deputeti i PS-së Bardhyl Fasku. Kryegardian i burgut të grave është emëruar koloneli Kadri Sula, ndërsa drejtimi i burgut të Rrogozhinës i është besuar Fredi Toskanit. Nga burime pranë burgjeve bëhet me dije se këto janë edhe lëvizjet e para që drejtori i ri ka bërë vetëm pak ditë pasi ka marr detyrën e re. Në ditët në vazhdim, priten edhe ndryshime të tjera, për 2 nga paraburgimet e kryeqytetit dhe burgjet e tjera në vend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency