Tahiri “shkund” policinë, lëvizje në 80 pozicione, dorëhiqet Hysni Burgaj

0
182

Elton Qyno

 

Ndryshimet vijnë një ditë pasi Tahiri i “shoshiti” me Kryeministrin Edi Rama

 Artan Didi në krye të Policisë së Shtetit. Sokol Bizhga zëvendëson Agron Kuliçin

 

burgaj_didiTahiri shkund strukturat e Policisë së Shtetit. Pas një takimi kokë më kokë në orët e vona me Kryeministrin Edi Rama ku janë “shoshitur” dhjetëra emra që duhet të lëviznin në polici, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mesditën e djeshme i ka dhënë një “goditje” të gjithë aparatit drejtuar të Policisë së Shtetit, duke i zëvendësuar 12 drejtoritë e qarqeve dhe vetë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Ky i fundit, i pranishëm në takimin trepalësh, është larguar i pari, duke dalë nga Ministria e Brendshme në orët e vona të natës, ndërkohë që në mesditën e djeshme i ka paraqitur Tahirit dorëheqjen e parevokueshme. Nuk dihet nëse mes Tahirit, Ramës dhe Hysni Burgajt ka pasur debate gjatë diskutimit, por sipas burimeve, Burgaj ka pranuar ofertën e Tahirit për t’u dorëhequr dhe për t’u emëruar në krye të Akademisë së Rendit. Vendin e tij e zuri menjëherë Artan Didi, ish-komandanti i forcave RENEA. Ndërkohë që, veç ndryshimeve në drejtoritë e qarqeve, mjaft ndryshime janë bërë dhe në sektorë kyçë të Policisë së Shtetit, ku vendin e Agron Kuliçit e ka zënë një “stekë” e vjetër e policisë, Sokol Bizhga. Ky i fundit njihet si nga kriminalistët më të mirë të policisë dhe se është autor i ndërtimit të një sërë dosjesh penale dhe si një nga oficerët që ranë në kurthin e zjarrit të “masakrës së Qafë-Gjashtës” në Sarandë. Mësohet se në të gjithë vendin, janë kryer rreth 80 lëvizje.

Në krye të policisë

Artan Didi, një oficer karriere dhe i larguar me dorëheqje nga Policia e Shtetit, në atë kohë si ish-komandant i repartit special RENEA, është rikthyer fuqishëm në radhët e policisë, ku nga ana e ministrit Tahiri i është besuar posti i drejtuesit të Policisë së Shtetit. Didi vjen në këtë post me gradën e drejtuesit dhe se njihet si një polic i hekurt. Pas largimit nga policia Didi ka jetuar për disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që dy njerëzit më të ngushtë me të cilët do të bashkëpunojë drejtuesi i policisë janë dy zv.drejtorët e rinj Altin Qato dhe Sokol Bizhga. Ky i fundit kohët e fundit ka qenë me detyrë specialist në departamentin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, ku gjatë kësaj kohë çështja ku u aktivizua më tepër ka qenë ajo e zhdukjes misterioze e Bleona Matës. Sot e kësaj dite vajza 9-vjeçare nuk është gjendur. Gjithashtu, emri i Sokol Bizhgës u bë i njohur në “masakrën e Qafë-Gjashtës”, ku mbeti i vrarë në pritë shoku i tij Gjergj Mehmeti. Për këtë ngjarje Bizhga ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe se autorët e këtij krimi tashmë janë dënuar. Gjithashtu Bizhga ka kryer dhe operacione të tjera policie, që shpesh herë janë përfolur dhe njerëz me pushtet. Ndërkohë që, Altin Qato vjen në këtë post duke lënë atë të shefit të seksionit të OPGJ pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më parë Qato ka mbajtur dhe postin e drejtorit të Policisë së Beratit. Në postin e zv.drejtorit të përgjithshëm Qato vjen pas largimit të Muhamet Rrumbullakut. Po kështu një post kyç siç është ai i hetimit të aseteve të krimit, i është besuar Gentian Shehajt.

Drejtuesi i Tiranës

Lëvizjet e djeshme kanë prekur dhe kryeqytetin, ku siguria dhe rendi në Tiranë i janë besuar Ardian Çipës, që më parë mbante postin e shefit të departamentit të Trafiqeve në Policinë e Shtetit. Çipa është vëllai i gazetarit Aleksandër Çipa dhe se gjatë ushtrimit të funksioneve të tij në polici ka shërbyer në disa qytete dhe se siç mësohet ai mban gradën “Drejtues”. Çipa vjen në këtë detyrë pas transferimit të Bernard Çaushajt si specialist në sektorin e studimeve. Tashmë, e gjithë siguria në Tiranë bie tek Ardian Çipa, i cili veç rendit dhe sigurisë publike, do të ketë në patronazh institucionet më të rëndësishme të vendit, përfshirë këtu dhe godinat e përfaqësive të huaja në Tiranë.

Pesë të rikthyer

Të gjitha drejtoritë e qarqeve kanë pësuar ndryshime, ku drejtorët aktualë janë transferuar në Akademinë e Policisë, duke u zëvendësuar me emra të rinj. Bien në sy pesë emra që janë rikthyer në policinë e shtetit, si Edmond Tarkaj që ripranohet dhe emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Korçë, Perlat Çullhaj ripranohet dhe emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Durrës, Shaban Nexhi ripranohet dhe emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Shkodër, Niko Brahimaj ripranohet dhe emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Lezhë, Neritan Nallbati ripranohet dhe emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Elbasan. Të gjithë këta emra janë dorëhequr gjatë vitit 2005, për t’u rikthyer në polici, tetë vite më pas. Ndërkohë që gjatë fushatës mësohet se këta emra janë aktivizuar pranë shtabeve elektorale të Partisë Socialiste. Ndërkohë që, në qarqet e tjera: Ervin Hodaj emërohet në Fier, Kastriot Skenderaj emërohet në Vlorë, Haki Çako emërohet në Gjirokastër, Lorenc Panganika emërohet në Berat, Ilirjan Balla emërohet në Kukës dhe Perlat Vatoci emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Dibër.

 

 

 

“Goditëm bandat më të pasura në Evropë”

 Berisha: Shkarkimet, një akt urrejtjeje dhe hakmarrjeje ndaj krerëve të policisë

 

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj shkarkimeve të djeshme në polici. Në rrjetin social “Facebook” ai ka shkruar: “Një akt i verbër urrejtjeje dhe hakmarrjeje: Edvin Kristaq Rama dënoi kolektivisht, si kurrë më parë, me shkarkim nga detyra të gjithë drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët dhe drejtorët e të gjitha qarqeve të vendit”, – nis komentin Berisha. Ai u ka shprehur “mirënjohjen më të madhe ndaj këtyre shërbëtorëve të shoqërisë dhe kombit që me sakrificën, trimërinë, profesionalizmin e tyre shpartalluan dhe vendosën para ligjit mbi 1000 anëtarë dhe bosë të 206 organizatave dhe grupeve kriminale ndër më të rrezikshmet dhe më të pasurat ne Evropë dhe bën të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e vizave, përmbushën me dinjitet detyrimet ligjore në periudhat zgjedhore dhe vendosën një bashkëpunim të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere”. Berisha e i ka quajtur shkarkimet një akt të dënimit kolektiv të drejtuesve të Policisë së Shtetit si hakmarrja primitive të Edivin Kristaq Ramës për bandat e shpartalluara nga Policia e Shtetit si: banda e rrugës së Kavajës, bandat e Lushnjës, Durrësit, Hakmarrja për Drejtësi, ajo e Dritan Dajtit etj, me të cilat Rama kishte shndërruar Tiranën në lavatriçen gjigante të parave të krimit në rajon”.

 

Task-forcë për  territorin

Ministri Tahiri ka bërë të ditur se qeveria vendosi krijimin e një task-force për masa emergjente për mbrojtjen e mjedisore dhe territorit. “Kjo është bërë me kërkesë të ministres së Zhvillimit të Territorit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, me kërkesë të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Do të drejtohet nga dy ministritë që ata përfaqësojnë, por dhe nga ajo e Kulturës dhe një sërë institucionesh”, – shpjegoi ministri. Tahiri bëri me dije se task-forca do ketë këto funksione: analizimin e problematikave sidomos në zonat e përcaktuara me ligj si zona kombëtare, evidentimin e zonave me interes kombëtar. Task-forca do ketë parasysh planet e veprimit, përcaktimin e emergjencës. Task-forca do fillojë menjëherë punën. “Shkrihet Policia Rrugore si komisariat me vete dhe bëhet bashkimi i saj me komisariate të tjera, ku bëhet dhe ndarja e përgjegjësive”, – bëri të ditur Tahiri.

 

 

Ironia e Tahirit, të gjithë ish-drejtuesit futen me punë studimore

 Ish-kreu i policisë, Hysni Burgaj, në krye të Akademisë së Policisë

Të gjithë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, duke filluar nga Hysni Burgaj, kanë kaluar në nivelet e studimit. Vetë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë është caktuar në krye të Akademisë së Rendit, ndërkohë që drejtues të tjerë si Tonin Vocaj dhe Nikolin Bala janë caktuar specialistë në sektorin e Studimeve Strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Më këto lëvizje, kreu i Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri, duket sikur ka ironizuar me ish-drejtuesit e policisë, pasi i ka ngarkuar thuajse të gjithë në sektorin e studimeve strategjike. Kështu ka bërë me Vocajn, që njihet si kriminalist tepër i mirë. Të njëjtën gjë ka bërë me Nikolin Balën, Mërgim Hoxhën, Gjergji Jorgon, Pëllumb Seferin, Arjan Bozhajn, Artan Cukun, Muharrem Furrikun, Muhamet Rrumbullakun etj.

Mësimdhënia

Studimi dhe mësimdhënia kanë qenë dy sektorët që janë zënë nga të gjithë ish-krerët e policisë. Thuajse e gjithë kupola drejtuese e Policisë së Shtetit ka hyrë në studime, pas vendimit të fundit të ministrit Tahiri. Oficerët më të vjetër, që gjatë këtyre 8 viteve janë përballur me eksponentë kriminalë dhe që kanë hetuar dhjetëra çështje, tashmë duket se do të studiojnë në teori, mënyrën e funksionimit të Policisë së Shtetit. Të kontaktuar në telefon nga gazeta “Standard” disa nga ish-drejtuesit e policisë në qarqe janë shprehur se do të shkojnë aty ku u caktohet detyra. Vetë fakti i ngarkimit të detyrës së mësimdhënies apo dhe studimit strategjik, sipas tyre, do të jetë një kohë që do t’u shërbejë për çlodhje dhe për të qëndruar sa më pranë me familjen.

Aleks Hajdari

I vetmi që u ka shpëtuar këtyre dy sektorëve është ish-drejtori i Policisë së Shkodrës Aleks Hajdari. Ky i fundit është emëruar në krye të sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këtë pozicion e mbante Ardian Çipa, që tashmë ka ardhur në krye të policisë së Tiranës. Hajdarit, gjatë punës së tij, do t’i duhet të bashkëpunojë vetëm me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke referuar çështje të ndryshme penale për grupe të caktuara kriminale që veprojnë në Shqipëri.

Ardian Çipa emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Tiranë

Ervin Hodaj emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Fier
 Kastriot Skenderaj emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Vlorë
 Haki Çako emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Gjirokastër
 Lorenc Panganika emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Berat

Ilirjan Balla emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Kukës
Perlat Vatoci emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Dibër

Edmond Tarkaj ripranohet dhe emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Korçë
Perlat Çullhaj ripranohet dhe emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Durrës
Shaban Nexhi ripranohet dhe emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Shkodër
Niko Brahimaj ripranohet dhe emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Lezhë
Neritan Nallbati ripranohet dhe emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorisë Policisë Qarkut Elbasan.

Altin Qato, Sokol Bizhga emërohen në detyrën zv.drejtor i Përgjithshëm në Departamentin për Sigurinë Publike

 

Ish-drejtuesit

Tonin Vocaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Nikolin Bala emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Mërgim Hoxha emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Gjergj Jorgo emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Pellumb Seferi emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Arjan Bozhaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Artan Cuku emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
 Muhamet Rrumbullaku emërohet në detyrën Shef i Sektorit të Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor
Bernard Çaushaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Halit Murataj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Emri Vata emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor
Arben Hajdarmataj emërohet në detyrën Specialist në Seksionin e Trajnim, Shkollim të Nivelit të Mesëm e të Lartë Drejtues, në Qendrën e Formimit Policor
Aleks Hajdari emërohet në detyrën Shef i Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme, në DPP
 Muharrem Furriku emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor
Izet Hysa emërohet në detyrën Specialist në Seksionin e Trajnim, Shkollim të Nivelit të Mesëm e të Lartë Drejtues në Qendrën e Formimit Policor
Saimir Muça emërohet në detyrën Specialist në Seksionin e Trajnim, Shkollim të Nivelit të Mesëm e të Lartë Drejtues në Qendrën e Formimit Policor
Shkëlzen Aliaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Astrit Halilaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP
Jashar Vrekaj emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor
Ilo Keçka emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor
Besnik Muçmata emërohet në detyrën Shef i Sektorit të Policise Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme në DPP
Gentjan Shehaj emërohet në detyrën Shef i Sektorit të Aseteve Kriminale në DPP

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency