Përfundon rikonstruksioni dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në kopshtin 39

0
147

Basha: Me punë, dhe jo me fjalë, po kthejmë në realitet premtimet

“Natyrisht, nuk ndalemi këtu! Jemi në përfundim të ngrohjes në 5 kopshte. Brenda këtij viti, zbatimi i sistemit të ngrohjes në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Tiranës do të jetë në avancim të plotë”

 

basha cerdhja_1120 fëmijët që frekuentojnë kopshtin nr. 39 në kryeqytet, nga dita e djeshme do të kenë mjedise komode, të rehatshme dhe të ngrohta në kopshtin e tyre. Falë një investimi të Bashkisë së Tiranës, prej 7.9 milionë lekësh, është kryer rikonstruksioni i tij si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me peleta. Kryetari i Bashkisë ka parë nga afër përfundimin e punimeve ku infrastruktura ka ndryshuar tërësisht. “Në njësinë bashkiake nr. 4, së bashku me kryetarin e kësaj njësie bashkiake dhe banorët, ne kemi nisur një sërë projektesh të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, por edhe cilësisë së jetës së vogëlushëve. Përurojmë përfundimin e njërit prej këtyre investimeve, që është kopshti nr. 39, i cili është rindërtuar në të gjithë parametrat e tij; mundëson një kapacitet trajtimi të 120 fëmijëve, ka sistem ngrohjeje me peleta, është rehabilituar në të gjithë komponentët e sallave të qëndrimit, sallave të fjetjes, kuzhinës dhe çdo parametër tjetër”, – u shpreh kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Po kështu, në këtë kopsht është bërë edhe një risistemim i ambienteve të brendshme, duke u shtuar dhe ambiente të reja. Janë rikonceptuar banjot, për t’u bërë funksionale për fëmijët. Është vendosur sistemi i mbrojtjes nga zjarri, si një standard për godinat arsimore.

 

Me punë, jo me fjalë

 

Kryebashkiaku Basha theksoi se në vitin 2014, të gjitha kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë sistem të ngrohjes dhe 95% e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

“Natyrisht, nuk ndalemi këtu! Jemi në përfundim të ngrohjes në 5 kopshte. Brenda këtij viti, zbatimi i sistemit të ngrohjes në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Tiranës do të jetë në avancim të plotë dhe brenda vitit të ardhshëm, të gjithë kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë 100% ngrohje, sikundër 95% e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ky është një objektiv madhor i Bashkisë së Tiranës, angazhim financiar, projektues dhe ndërtues. Sigurisht, është një objektiv i kësaj administrate por që në fakt duhej të ishte përmbushur prej kohësh. Nga kjo pikëpamje, Tirana e shekullit XXI kishte pra një sfidë të madhe për të mbyllur, që është pikërisht sistemi i ngrohjes në kopshtet, çerdhet, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Me punë dhe jo me fjalë, po provojmë se kur ne vendosim një objektiv, kur e kthejmë atë në prioritet, asgjë nuk na pengon që këtë prioritet ta plotësojmë, madje as mangësitë dhe as defektet e së shkuarës”, – deklaroi Basha. Instalimi i sistemit të ngrohjes në kopshtin nr. 39 përfshihet në projektin “Instalim i sistemeve të ngrohjes në 5 kopshte”, atë me nr. 2, 6, 20, 38, një investim i Bashkisë së Tiranës, me vlerë 29.5 milionë lekë. Po dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri të ditur se institucioni i Bashkisë po merret më çështjen e zonjës së pastrehë, 78-vjeçares Petrite Xhaferri, e cila po jeton në qiell të hapur që prej 20 ditësh. Basha u shpreh se po merren masa për strehimin e të moshuarës Petrite Xhaferri.

 

 

Bursat, aplikimet nisin në nëntor

 

Të rinjtë që studiojnë në Universitetin e Tiranës, kanë mundësi për t’i transferuar studimet e tyre edhe jashtë vendit. Gjatë këtij viti akademik, në muajin nëntor, do të nisin aplikimet për 50 bursa studimi në disa dhjetëra universitete të Evropës Perëndimore, ndërkohë që kreditet e tyre studentët mund t’i transferojnë nga një universitetet në tjetrin. “Kryesisht bursat konsistojnë në bursat e mobilitetit të një semestri dhe dy semestra. Për sa u përket studentëve që kanë filluar një degë të caktuar dhe janë regjistruar ata mund të vazhdojnë një pjesë të studimeve në një universitet që është pjesë e BE-së dhe pastaj të rikthehen. Priten rreth 50 bursa ku do fillojë aplikimi në muajin nëntor dhe do të vazhdojë deri në muajin shkurt. ata që përzgjidhen vazhdojnë studimet aty ku kanë vendosur në shtator të vitit 2014”, – tha zv.rektori i UT-së, Ervin Demo. Kriteret për fituesit e bursave do të vendosen nga vetë universitetet e huaja në bazë të degëve që do të kërkojnë të rinjtë. Aplikimi është transparent, pasi e gjithë procedura do të jetë online.
“Procedurat janë online. Ata dallohen nga universiteti ku ata aplikojnë. Ata marrin një vlerësim, ku aplikimet më të forta janë ato që përzgjidhen në fund, por vlerësimi bëhet nga universitetet ku ata aplikojnë”, – u shpreh Demo. Ky është viti i pestë që Universiteti i Tiranës aplikon dhënien e bursave për studentët të cilët duan t’i vazhdojnë studimet edhe jashtë vendit, ndërkohë që për ta mbulohet edhe një pjesë e shpenzimeve për akomodim. Përveç studentëve, bursa përfitojnë edhe pedagogët që kërkojnë zgjerimin e njohurive të tyre.

 

Sahit Dollapi jep dorëheqjen si kreu i CEZ-it

Sahit Dollapi jep dorëheqjen nga posti i drejtorit të CEZ Shpërndarje. Dorëheqja u deklarua dje paradite para Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ku Dollapi paraqiti analizën 10-mujore të punës së kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Disa orë më pas, ERE u mblodh dhe pranoi dorëheqjen e Dollapit dhe hapi procedurat për zgjedhjen e administratorit të ri. “Në vetëm 9 muaj u provua se ka menaxhim të ndershëm, profesional dhe të përkushtuar. Kompania CEZ Shpërndarje jo vetëm u ringrit, por situata financiare e kompanisë po konsolidohet çdo ditë. Këta 9 muaj të administrimit të përkohshëm provuan gjithashtu se ky do të kishte qenë privatizimi më i suksesshëm, nëse ndershmëria dhe profesionalizmi, përkushtimi do të ishin kritere të drejtuesve të mëparshëm të kësaj kompanie. Pas 9 muaj të administrimit të përkohshëm qeveria ka vendosur t’i japë fund kësaj periudhe tranzitore me kërkesë të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike për nisjen e proceduarve të shtetëzimit të kompanisë. Si një njohës me eksperiencë i sistemit energjetik dhe duke i qëndruar besnik bindjes time se zgjidhja përfundimtare në këtë sistem është privatizimi dhe liberalizmi i tregut unë kam vendosur t’i paraqes ERE dorëheqjen time nga detyra e administratorit të kompanisë CEZ Shpërndarje”, – tha Dollapi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency