Fullani: Raiffeisen na preu në besë, transferoi paratë jashtë

0
166

Ervin Kaduku

 Përse u kujtua pikërisht tani guvernatori i Bankës së Shqipërisë të tërheqë vëmendjen? Vetëm një naiv nuk mund ta kuptonte lojën politike që luan zyrtari “apolitik”, i paguar në mënyrë “pantagruelike” nga taksat e shqiptarëve

 

FullaniVitin e kaluar, banka më e madhe me origjinë nga BE-ja (austriake) që operon tek ne, Raiffeisen Bank, vendosi të pranonte kërkesën e bankës-mëmë për kapjen e një niveli të caktuar të kapitalit. Kjo solli largimin e saj nga tregu i letrave me vlerë të qeverisë shqiptare, me një shifër shumë të lartë. Raiffeisen brenda një periudhe shumë të shkurtër “hoqi qafe” bono dhe obligacione të thesarit shqiptar me vlerë sa tre për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Deri më 2012, Raiffeisen ishte konsideruar si “bankë e shtetit”, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e saj në portofolin e përgjithshëm të letrave me vlerë të qeverisë. Tërheqja e saj krijoi një vakum të konsiderueshëm, i cili u mbush nga banka me kapital turk, Banka Kombëtare Tregtare dhe disa institucione të tjera të nivelit të dytë, por megjithatë krijoi një situatë të vështirë për financat e qeverisë “Berisha”.

 

Guvernatori

Në një dalje të rrallë, më shumë për t’u dukur para qeveritarëve të rinj, guvernatori Ardian Fullani ditët e fundit ka bërë një prononcim të pazakontë. Në takimin teknik për nxitjen e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Iniciativës së Vjenës II, më 3 tetor ai tha: “Në vende si Shqipëria, ku filialet e bankave evropiane mbështeten në masë të madhe në financimin e brendshëm me pakicë (depozita vendase), rënia e kreditimit ndodhi pa një tkurrje korresponduese të pasiveve. Kjo solli një fluks dalës të burimeve të brendshme të financimit drejt ekonomive të BE-së”. Pra, më në fund u pohua se bankat kanë nxjerrë sasi kapitalesh në drejtim të vendeve të tyre të origjinës dhe se ky, në fund të fundit, është një fenomen negativ, madje dëmtues.

Vijon Fullani: “Vitin e kaluar, banka më e madhe me origjinë nga BE-ja që operon tek ne, vendosi të kontribuonte në arritjen e niveleve të kërkuara të kapitalit nga grupi, duke reduktuar ekspozimin ndaj letrave me vlerë të qeverisë shqiptare në një masë prej thuajse 3% të PBB-së brenda një periudhe shumë të shkurtër. Është e qartë se një qasje më e koordinuar ndaj plotësimit të këtyre kërkesave, duke nënkuptuar praninë e vendeve pritëse joanëtare në një fazë të hershme të vendimmarrjes makroprudenciale të BE-së, do të ndikonte në një absorbim më të lehtë të efekteve në sistemet financiare të vendeve tona”.

Pas këtyre “alambikimeve” metafizike me “gjuhë të drunjtë” fshihet një kritikë direkte ndaj Raiffeisenit, që deri më sot ka munguar nga ana e kujtdo në Shqipëri që ka pushtet dhe të drejtë kontrolli mbi sistemin bankar e atë financiar, në përputhje me ligjet në fuqi.

 

Fitimet

Guvernatori duhet ta dijë se, në kohë krize globale, fitimet e deklaruara nga 20 kompanitë më të mëdha të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, rezultuan 260 milionë euro në vitin 2012, sipas të dhënave nga Tatimet. Pavarësisht se ekonomia shqiptare shënoi ritmet më të ulëta të rritjes në dekadën e fundit, prej vetëm 1.6%, pjesa më e madhe e kompanive të huaja kanë arritur që të shtojnë ndjeshëm fitimet.

Fitimet e deklaruara të 20 kompanive më të mëdha të huaja janë rritur me 32% në 2012-ën, në krahasim me një vit më parë (nga 27 miliardë lekë në 2011-ën në 35 miliardë lekë në 2012-ën). Fitimet e këtyre kompanive janë gati sa 40% e të gjitha fitimeve të deklaruara nga 800 bizneset më të mëdha në vend.

 

Transfertat

Por, ajo që shumë mirë e ka ditur gjithnjë Fullani, por e thotë vetëm tani, për t’u bërë qejfin qeveritarëve të rinj, është se një pjesë e konsiderueshme e këtyre fitimeve transferohen jashtë vendit. Në fakt, tremujori i dytë i vitit shënoi një nënçmim të ndjeshëm të lekut, që iu afrua niveleve më të larta të gati dy viteve, pranë 142 lekëve, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për valutë, nga bankat, që blinin për llogari të klientëve të tyre.

Raiffeisen Bank është kompania e huaj me fitim më të lartë në Shqipëri dhe është pikërisht në sektorin që Kuvendi i ka dhënë Fullanit të mbikëqyrë, gjë që ai e bën sipas mënyrës së tij.

Por, nuk janë vetëm kompanitë e mëdha që dërgojnë para të fituara në Shqipëri jashtë saj. Në vitin 2011, p.sh., ishin rreth 50 milionë euro dërgesa nga Shqipëria drejt vendeve nga kishin prejardhjen të huajt që punojnë te ne. Nga kjo e dhënë, rreth 87 për qind ose 43.8 milionë euro janë dërgesa të shtetasve grekë që punojnë në Shqipëri, të cilët i kanë nxjerrë jashtë vendit tonë, sikurse veprojnë emigrantët shqiptarë.

Nga vlera e dërgesave, pas të huajve nga Greqia, të dytët janë maqedonasit me 3.1 milionë euro dhe pastaj kemi “surprizën” e Çekisë, e cila renditet e dyta, për nga 3 milionë euro dërgesa. Të dhënat i referohen vitit 2011 dhe natyrisht që ndikohen nga prezenca e CEZ së bashku me ekipin e saj menaxherial nga Çekia, që punuan në Shqipëri për 4 vjet.

Sipas “Open data”, këto remitanca dalëse tani kanë arritur sa 7 për qind të remitancave hyrëse dhe shtetet drejt të cilave janë transferuar janë Greqia, Maqedonia, Republika Çeke, Izraeli, Italia dhe Rusia.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimet e transferuara për vitin e kaluar nga kompanitë e huaja ishin rreth 260 milionë euro. Nisur nga këto të dhëna vlerësohet se mesatarisht është transferuar 1 milion euro përgjatë 5 ditëve të javës (duke përjashtuar të shtunën e të dielën, kur bankat nuk punojnë). Një shumë e tillë konsiderohet si tepër e lartë, për një treg ku transaksionet ditore valutore janë mesatarisht 10 milionë euro në ditë, sipas vlerësimeve që janë bërë nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave për vitin 2012, zëri “të ardhura dalëse nga investimet”, që kryesisht është transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme me 40% me bazë vjetore, duke arritur në 264 milionë euro, duke iu afruar nivelit të vitit 2008. Një vit më parë, ky zë kishte shënuar një rënie të ndjeshme prej gati 50%.

Në këto kushte, rritja e transferimit të fitimeve nënkupton se sipërmarrjet e huaja po i ri-investojnë më pak fitimet në Shqipëri, ndërkohë që po çojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të fitimeve tek mëmat, të cilat janë të etura për cash, si rrjedhojë e vështirësive të krijuara nga kriza evropiane e borxheve.

 

Momenti i “kritikës”

Në këto kushte, mund të shtrohet pyetja: Pse Fullani nuk ka bërë asgjë për të tërhequr vëmendjen lidhur me largimin e parave të fituara nga të huajt në Shqipëri gjithë këtë periudhë, nga fillimi i krizës globale, por madje ka lejuar që të krijohet një “bllokazh” i rrezikshëm ndaj qeverisë së mëparshme, që pati vështirësi të konsiderueshme financiare si pasojë e kësaj krize? Pikërisht tani, duhej të miratoheshin politika të zgjuara dhe joshëse, kurrsesi bllokuese të lëvizjes së lirë të kapitaleve, që të shërbenin si magnet për të investuar këto para të fituara sërish në tregun shqiptar.

Përse pikërisht tani që ndryshoi qeveria Fullani i kërkon bankës më të madhe të huaj që të rikthehet në tregun e bonove dhe obligacioneve, ndërkohë që nuk ja dëgjuam zërin më parë lidhur me këtë çështje? Vetëm një naiv nuk do ta kuptonte lojën politike, në favor të Ekzekutivit, të një zyrtari të lartë që duhej të ishte i papolitizuar dhe t’u shërbente interesat të të gjithë shqiptarëve. Një lojë politike, që paguhet “si frëngu pulën” nga taksat tona me pagat e dietat pantagruelike të zotit guvernator dhe Bordit të tij!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency