Postet për partitë e koalicionit/ Rama: Jemi brenda marrëveshjes, mandati i ministrave jo tani

0
96

Intervista

Keni frikë nga të pakënaqurit  brenda partisë? Rama : S’kam frikë nga asgjë, veçse nga të papriturat e financave

“Integrimi në BE nuk është çështje datash”

Kreu i mazhorancës qeverisës thekson se marrëdhënia me aleatët e koalicionit të majtë është tërësisht brenda marrëveshjes paraelektorale të arritur më parë mes palëve.  Në një intervistë për emision “7 pa 5”, në Vizion Plus, kreu i qeverisë në përgjigje të kritikave të ardhura nga krerët e partive aleate, të cilat nuk u përfshinë në qeverisje dhe po ashtu u lanë jashtë posteve të zv.ministrit, theksoi se çdo bashkëpunim me ta do të jetë vazhdimësi dakordësisë së arritur para zgjedhjeve të 23 qershorit. “Për të gjitha që jemi marrë vesh do të vazhdojmë të merremi vesh”, tha Rama. Po ashtu, kreu i qeverisë pohoi se ndarja e mandatit të deputetit nga ministri është një projekt që do të realizohet, por vetëm i shtrirë në kohë.

 

intervista...Zoti Rama, qeveria e parë me kaq shumë gra në përbërje, por duket se edhe në nivel drejtorësh keni zgjedhur femra dhe mbi të gjitha, të reja në moshë. Pse kjo zgjedhje? Femrat janë më të përkushtuara, më pak të korruptueshme, më ambicioze, përse kjo zgjedhje? Apo të gjitha nga pak?

Janë të vërteta të gjitha këto. Por, përtej këtyre, besoj se në këto pika kyçe, që janë edhe pikat ku ndodhen gjëndrat më të mëdha tumorale të korrupsionit, është shumë e rëndësishme të ndërthurim profesionalizmin, që unë ju siguroj që të gjitha këto vajza e kanë, me luajalitetin ndaj misionit të marrë dhe me ambicien profesionale që po ashtu, të gjitha e kanë, sikundër edhe domosdoshmërinë që jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë, t’i jepet mundësi gjeneratës së re që të marrë në dorë përgjegjësi më të mëdha.

Zoti Rama, keni deklaruar se do të keni një qeveri me pak shpenzime, më pak se ajo paraardhëse. Vazhdoni t’i qëndroni zotimit se do të bëni publik, online, çdo shpenzim?

Absolutisht po! Po përgatisim mekanizmin që do të bëjë të mundur filtrimin e të gjithë të dhënave drejtpërdrejtë, pa asnjë reduktim apo redaktim online, të të gjitha shpenzimeve të brendshme, të Kryeministrisë dhe me radhë pastaj të të gjitha ministrive.

Lidhur me çështjen e ndarjes së mandatit të deputetit, keni një marrëveshje koalicioni me LSI-në, ku ata që kanë pranuar detyrën e ministrit, janë të detyruar të lënë mandatin e deputetit, përveç Kryeministrit. Kur do të ndodhë kjo?

 Do të fillojë së shpejti. Është çështje procedurash dhe është çështje e një organizimi të brendshëm, për të bërë të mundur që të mos ndihet për asnjë moment në Kuvend, mungesa e votave, sepse po të shikoni edhe Kodin Zgjedhor, ka disa afate dhe ka disa procedura për zëvendësimin e një deputeti me një tjetër. Kështu që, kjo nuk mund të bëhet menjëherë dhe nuk mund të bëhet e gjitha bllok, sepse do të krijojë pastaj vakum.

Zoti Rama, zgjedhjet tuaja për t’i dhënë besimin dhe detyrën emrave të rinj, ndoshta dhe të panjohur, në politikën shqiptare, a kanë ngjallur ndoshta pakënaqësi te ata që, në thonjëza, le t’i cilësojmë senatorë të PS-së, ish themelues të saj apo ish ministra dhe kryeministra të kësaj partie, në grupin parlamentar të PS-së. A ndjeni një lloj presioni nga ata?

E vërteta është që ata të cilët ju iu referoheni si senatorë, janë pjesa më mbështetëse e ndryshimeve të ndodhura.

Zoti Rama, nuk keni frikë se pas këtyre muajve të parë të mjaltit do të keni edhe shumë të pakënaqur në rreshtat e partisë e ndoshta dhe të militantëve?

Nuk kam frikë nga asgjë, përveç se nga çfarë do të gjejmë përpara në kuptimin e shifrave, të të dhënave të ekonomisë dhe të financave, në kuptimin e të papriturave që mund të na ndodhin dhe mund të na vënë në kushte emergjencash kombëtare. Edhe për të gjitha këto, frika ka vetëm një emërues, që të mos gjendemi të pa përgatitur në kushtet kur realisht, këtë gjendje dhe këtë kapacitet shumë të ulët të shtetit ne e kemi të trashëguar dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi tonën. Për të tjerat nuk kam asnjë frikë.

Për të qenë më konkretë, cilat do të jenë sfidat e ekzekutivit “Rama” në këto 100 ditë të para, të paktën?

Zgjimi i një shteti tërësisht të përgjumur, me pjesë të tëra të trupit të tij që janë të paralizuara dhe me një pjesë shumë të madhe të trurit të vet që është jashtë funksionit.

Zoti Rama, përballja e parë do të jetë shumë shpejt me Brukselin. Sa shanse ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor?

Nuk është çështje date dhe për mua, e kam thënë më parë në opozitë, e përsëris sot si Kryeministër, rruga e integrimit evropian nuk është një rrugë që do të thotë ne të shkojmë drejt Brukselit, por është një rrugëtim brenda nesh, për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane këtu, në vendin tonë.

Do të kemi një përgjigje pozitive? Për të hapur qoftë edhe derën e parë të atij labirinti në rrugën drejt Brukselit?

E përsëris, kjo do të varet nga ne dhe vetëm nga ne dhe kjo nuk është çështje datash, sepse gjëja më e rëndësishme është që gjërat të ndryshojnë këtu, që ato çka janë të shkruara në Raportin e Progresit apo në listën e detyrave të shtëpisë, të bëhen dhe të realizohen këtu dhe të jenë të prekshme për qytetarët shqiptarë. Për mua nuk është e rëndësishme data, për mua ka rëndësi që çdo ditë, Shqipëria të bëhet më evropiane.

Një detyrë e rëndësishme e lënë nga Brukseli është dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të kemi diçka konkrete në këto 100 ditë që kemi para?

Ju e dini shumë mirë që kultura e pandëshkueshmërisë është një kulturë që i ka rrënjët sa tek një shtet, në tërësi, i kapur prej korrupsionit, tek një qeveri e paaftë për të luftuar sëmundjen që e ushqen vet korrupsionin. Tek një prokurori e cila, deri më sot, nuk është treguar në lartësinë e duhur përballë korrupsionit dhe tek një gjykatë që, deri më sot, më shumë ka qenë faltore e korrupsionit sesa ndëshkimore për korrupsionin. Nuk besoj se ka mendje të arsyeshme që të gjitha këto, t’i kërkojë të zgjidhen brenda 100 ditësh.

Zoti Rama, duke qëndruar sërish tek Brukseli, duket se filozofia juaj qeverisëse synon më shumë modernizimin sesa ndëshkimin.

Qeveria nuk është as prokurori, nuk është as gjykatë. Qeveria ka objektiv të vetin modernizmin dhe modernizimi në raport me korrupsionin, do të thotë ngushtim i hapësirave për korrupsion. Por, sigurisht që qeveria, teksa modernizon, nuk mund të bashkëjetojë me korrupsionin, përkundrazi, duhet që organizmi i saj ta jashtëqitë korrupsionin. Dhe është shumë e qartë që, përmes modernizimit, mekanizmat e bëjnë të mundur edhe këtë.

Zoti Rama, kjo do të tregojë se ka negociata? Nard Ndoka do të kalojë me ju? Është përfolur ditë e fundit në media një gjë e tillë.

Ju siguroj që nuk kam pasur kohë të merrem me çfarë flitet e çfarë përflitet, sepse jua thashë, zgjohem në mëngjes pas shumë pak orësh gjumë, me ndjesinë e kohës që ikën, ndërkohë që ka kaq shumë gjëra për të bërë. Dhe për këtë arsye, do të më falni, por realisht, nuk kam dëgjuar fare se çfarë thuhet e përthuhet.

Zoti Rama, në rast se do të ishit edhe një herë në fushatë elektorale tani dhe do ta dinit se cila është situata financiare në vend, do të kishit bërë sërish të njëjtat premtime, shëndetësi falas, legalizime falas?

Premtimet e bëra, apo zotimet e marra, janë pjesë e një vizioni dhe bazohen në një program. Është vizioni për Shqipërinë që duam, për atdheun që meritojnë fëmijët tanë dhe sigurisht, ky vizion nuk mund të kondicionohet nga gjendja financiare në një moment të caktuar. Gjendja financiare thjesht lëviz në kohë axhendën, por zotimet janë po ato, mbeten aty dhe ne do të luftojmë përditë për t’i realizuar.

Zoti Rama, ndoshta jeni e vetmja qeveri, për të qenë i sigurt që nga viti 1991, që përbëheni nga 2 parti, një koalicion i fortë. Megjithatë, si ndihen aleatët e tjerë? Keni pasur marrëveshje parazgjedhore me ta për të ndarë poste, ose për të ndarë pushtetin në rast fitoreje. A ka kontakte me ta?

Duhet të pyesni ata. Unë kam qenë shumë i përqendruar në këtë periudhë fare të parë, për të sistemuar disa aspekte të mekanizmit qeverisës, që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen me aleatët.

Pra, do të zbatohet kjo marrëveshje më vonë, në një periudhë të dytë?

Për të gjitha çfarë jemi marrë vesh, do të vazhdojmë të merremi vesh.

Zoti Rama, 18 deputetët e LSI-së, deri tani, janë një mbështetje për ju apo është ajo çka ju keni paralajmëruar dikur, një rritje e LSI-së dhe një zvogëlim i PS-së?

Nuk shikoj asnjë zvogëlim të Partisë Socialiste. Përkundrazi! Kemi marrë rezultatin më të mirë historik në këto zgjedhje. Ashtu sikundër, nuk shikoj një trupë deputetësh të ndarë në PS e në LSI. Shikoj vetëm trupën e deputetëve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, tërësisht të vendosur për të çuar përpara një axhendë shumë ambicioze, në kushtet kur vendi e ka të domosdoshme të dalë nga një krizë dramatike dhe kur gjenerata tjetër e ka të domosdoshme të marrë më shumë besim, për të dhënë më shumë rezultat për vendin.

 

Cila ishte marrëveshja paraelektorale e PS me aleatët

Bashkëqeverisje – Partitë që marrin 500 deri 1000 vota në nivel qarku 5000 deri 10.000 vota në nivel kombëtar

Bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror – Partitë që marrin mbi 10.000 vota

Portofol ministror – Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency