Florenc Drizari
Reagojnë Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu
Krerët e partive të vogla, aleate me Partinë Demokratike, mbështesin idenë e krijimit të një unioni të djathtë, ku disa prej këtyre subjekteve të shkrihen me PD-në në një parti të vetme.
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, thotë se opozita duhet të shkojë me një ide të re dhe një platformë të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme elektorale, ndërsa kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, argumenton se disa parti të vogla duhet t’i bashkohen PD-së, proces ky që do ta krijonte një hapje të së djathtës dhe një bashkëpunim më të ngushtë me aleatët tradicionalë. Një ditë më parë, për këtë çështje foli edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ai theksoi idenë e krijimit të një unioni, ku mund të jepet një kontribut për interesa politike, elektorale dhe kombëtare.
Nard Ndoka
Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, në një prononcim për gazetën “Standard”, u shpreh se krijimi i një unioni është një proces që ka nisur tek e djathta shqiptare në formën e debatit. E rëndësishme për vetë Partinë Demokratike sipas tij, është që të ketë një hapje si formacion politik ku në një fazë e dytë, mund të jetë edhe përcaktimi i marrëdhënies me aleatët tradicional.
Sipas kryetarit të Partisë Demokristiane, “janë disa parti politike që kanë qenë fraksione të Partisë Demokratike që të bashkohen me PD-në; ka parti nacionalistë që mund të gjejnë formën e bashkëpunimit ose të shkrirjes drejtë një formacioni të vetëm politik”, – deklaroi z. Ndoka.
Dashamir Shehi
Lidhur me idenë e hedhur nga krerët e partive të vogla brenda spektrit të djathë, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, në një reagim për gazetën tha se të gjitha idetë për krijimin e një unioni të së djathtës shqiptare duhen debatuar në ditët në vijim. “Mund të jetë një formulë që mund të jetë më e mira për të gjitha palët. Opozita duhet të shkojë në zgjedhjet lokale e bashkuar, me një ofertë dhe platformë të re politike; si dhe me disa personazhe të reja që të tentojmë një përmbysje të rezultatit. Në funksion të kësaj bëhen të gjitha, të një politike elektorale më të suksesshme sesa zgjedhjet e fundit.
Pastaj, është union, bëhet bashkim partish, gjenden formula të reja bashkëpunimi më të qenësishme se këto, t’ja lemë kohës sepse askush nuk ka magjinë e rezultatit, por të gjitha këto janë të vlefshme, ide të vlefshme që ia vlen të diskutohen”, – deklaroi z. Shehi.
Fatmir Mediu
Një ditë më parë republikanët kërkuan një riorganizim të së djathtës shqiptare, por jo bashkim ose shkrirje me Partinë Demokratike. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, është për krijimin e një unioni si një mënyrë e re funksionimi.
“Një union i së djathtës, i cili njeh dhe vlerëson çdo individ dhe çdo forcë politike të së djathtës që mund të japë një kontribut me ato që janë interesat tona politike, elektorale dhe kombëtare dhe në këtë pikëpamje, brenda këtij kolori, mozaiku të ideve, e djathta do të ishte shumë funksionale në organizim edhe të qëllimeve të përbashkëta nga pikëpamja strukturore”, – deklaroi ai për “abc news”.
Sipas tij, çdo lloj ideje nga pikëpamja e bashkëkryetarëve do të ishte abuzive, për faktin sepse pesha politike e së djathtës është e përcaktuar dhe këtë e mban Partia Demokratike.
“Duke pasur këtë peshë, jo vetëm duhet të ketë rolin e lodrimit të marrëdhënieve, por duhet të ketë edhe lidershipin e së djathtës. Por duke mos cenuar apo duke mos krijuar probleme në funksionimin qoftë brenda PD-së, në gjykimin të ndryshme, të ideve të ndryshme apo individëve që kanë një pozicion ndryshe nga sesi shfaqet politikisht, dhe njëkohësisht duke mos neglizhuar dhe bashkëpunuar me partitë e tjera politike të së djathtës”, – deklaroi kreu i republikanëve.
Ndoka: Po punoj për bashkimin e demokristianëve
Kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, deklaroi një ditë më parë se po punon për bashkimin e demokristianëve në një formacion të vetëm politik. Sipas tij, PDK nuk do të jetë pjesë e shkrirjes me Partinë Demokratike, por ky subjekt si një faktor politik që ka treguar se ka elektoratin e tij në zgjedhje, do të bashkëpunojë me PD-së dhe forca të tjera brenda spektrit të së djathtës. “Për sa i takon Partisë Demokristiane që unë drejtoj, nuk besoj se do të jetë pjesë e një shkrirjeje me PD-në. Kjo, për faktin se ne përfaqësojmë një alternativë politike në politikën shqiptare. Është një alternativë kristiane e cila ka një shtrirje dhe mbështetje në elektorat. Kjo është provuar në historinë 20 vjeçare. Unë po punoj për bashkimin e faktorit demokristian në një parti të vetme politike. Mund të këtë mundësi bashkëpunimi brenda të djathtës apo me vetë Partinë Demokratike por jo në një shkrirje së bashku me të”, – deklaroi z. Ndoka në një prononcim për gazetën “Standard”.
Aleatët e PD-së
Bojkoti i Kuvendit nga opozita, aleatët: Armë e detyruar nga mazhoranca, duhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve
Pas bojkotit që opozita i ka bërë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, ku që në seancën e fundit plenare nuk ka marrë pjesë as në komisionet parlamentar, ka ardhur edhe reagimi i aleatëve të së djathtës, të cilët theksojnë se bojkoti erdhi si detyrim nga mazhoranca, lidhur me prishjen e konsensusit politik për ligjin e nëpunësit civil.
Deputeti Dashamir Shehi tha se bojkoti bëhet në funksion të një rezultati politik edhe për t’i treguar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve qëndrimet që ka mbajtur mazhoranca ndaj minorancës. Sipas tij, konsensusi nuk duhej prishur dhe forca e kartonit nuk tregon për vlerat politike ku mund të mbështetet ecuria mes pozitës dhe opozitës në rrugë institucionale.
“Ne duhet t’ia bëjmë të qartë popullit shqiptar, se shumica i ka numrat, që ne do ta çojmë deri në fund betejën tonë për të mbrojtur me mijëra vende pune që janë të gjithë shqiptarëve jo të partive (për ligjin e nëpunësit civil), e dyta për të mbrojtur një princip politik që duhet të vazhdojë.
Nëse kemi rënë dakord për një konsensus, konsensusi duhet të qëndrojë dhe nuk është shumatore numrash, por marrëveshje principi. Kjo është një armë demokratike me më shumë impakt në sytë e opinionit, të qytetarëve, medias dhe faktorit ndërkombëtare”, – tha Shehi.
Nga ana e tij, deputeti Nard Ndoka e ka cilësuar bojkotin e opozitës një sinjal që gjërat nuk janë në kuptimin e duhur. Për këtë sipas tij, duhet të ketë një reflektim të thellë nga ana e mazhorancës, por edhe një reflektim nga institucionet ndërkombëtare për të ndërhynë mbi situatën. “Ky është thelbi i këtij bojkoti. Unë nuk jam politikan që e mbështes bojkotin si armë politike, është arma e fundit, por gjithsesi kjo mazhorancë e detyrojë opozitën që të marrë edhe vendime të tilla”, – deklaroi Ndoka. Më herët opozita shqiptare ka bojkotuar seancën plenarë në Kuvendin e Shqipërisë dhe komisionet parlamentare në vijim. Krerët e opozitës e kanë cilësuar si burracakëri prishjen e konsensusit për ligjin e statusit të nëpunësit civil dhe për këtë, kanë apeluar për reflektim nga ana e mazhorancës lidhur me vendimin e marrë. Ndërkohë, qeveria disa ditë më parë me anë të një akti normativ miratoi shtyrjen e hyrjes në fuqi të efekteve të ligjit për nëpunësin civil deri më datën 1 prill të vitit të ardhshëm.