Takimi në QSUT/ Rama: Autonomi për spitalet, skema e ndryshimit të sistemit

0
197

Gëzim Saliu

Kreu i qeverisë: Borxhi 600 milionë dollarë, nga ku 22 milionë i përkasin vetëm QSUT-së. Do të lajmë të gjitha borxhet e sistemit shëndetësor

“Kod etik edhe për mjekët e infermierët”

 

Edi Rama ne QSUTuke e cilësuar gjendjen e sistemit shëndetësor në vend të mjerueshme, Kryeministri Edi Rama pohoi dje se spitali më i madh në vend, ai i QSUT-së është kthyer në këto vite në një gjëndër të korrupsionit. Edhe pse në katër vitet e kaluara shëndetësia ka qenë një ministri e drejtuar nga aleati kryesor në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, kreu i qeverisë nuk ka kursyer akuzat dhe kritikat për këtë sistem, duke bërë të ditur domosdoshmërinë e një reforme të thellë. “Kjo është hapësira ku referohen të gjithë, si ata të sektorit por dhe për qytetarët në momentin kur flitet për shëndetin. Me plot gojën mund të quhet një nga gjëndrat më të rënda të tumorit të korrupsionit. Zor të gjendet një shëmbëlltyre më kuptimplotë e degradimit se ky spital. Një shëndetësi e sëmurë prej korrupsionit është mallkimi më i madh. Ky spital mbahet në këmbë falë një grushti mjekësh, mjekët që janë një grusht i pasuesve të Hipokratit. Këtë spital e mbajnë në këmbë, themelet e hapur nga etërit e mjekësisë shqiptare, që të gjithë mund të mos vinin në Shqipëri, por erdhën për të provuar se mjekësia nuk është aparatura, po mision human. E duke bërë mrekullira që sot duken iluzione”, – theksoi Rama në takimin e zhvilluar në qendrën spitalore më të madhe në vend.

 

Masat

Në fjalën e tij përpara mjekëve dhe infermierëve të QSUT-së, kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të rimëkëmbur sistemin shëndetësor dhe për të shlyer borxhet e mëdha të spitaleve. “Do ti lajmë borxhet menjëherë pasi është e kotë të kërkojmë nga të tjerët nëse qeveria nuk merr përgjegjësitë e veta. Pasi të lajmë borxhet duhet të mbështetet brenda një sistemi të ri organizimi dhe padyshim që nuk është i vetmi prioritet shlyerja e borxheve. Spitalet të jenë hapësira të një solidariteti shoqëror dhe një fryme evropiane të marrëdhënieve mes mjekeve, personelit shëndetësor, administratës me qytetarin dhe pacientët. Unë besoj se ky spital në radhë të parë nuk ka nevojë për më shumë lekë, por për një tjetër sistem”, – u shpreh Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se detyrimet e prapambetura në të gjithë sistemin shëndetësor sot, janë 30 milionë dollarë dhe nga këto 22 milionë i ka QSUT-ja. “Borxhi ynë është 600 milionë në total dhe kriza aktuale e ka vendosur gjithë ekonominë në vështirësi shumë të madhe. Ky spital ka nevojë për një tjetër sistem. Këtu nuk mungojnë kapacitetet, por sistemi. Kjo është barra jonë, e ne nuk do të justitikohemi se kush na e vuri këtë barrë, e as nuk do të justifikohemi para jush që keni 22 milionë dollarë borxhe dhe nuk japim më. Jo, ne do i lamë të gjitha borxhet e sistemit shëndetësor dhe të QSUT-së që do të hyjë në sezonin e ri pa borxhe”, – u shpreh ai. Më tej, duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithë personelit mjekësor, Rama nënvizoi se objektivi i qeverisë është garantimi i autonomisë së spitaleve. “Nuk besoj se mund të ketë shoqëri të shëndetshme pa bashkëpunimin e protagonistëve në çdo sektor. Prandaj unë dua bashkëpunimin tuaj, për të ndalur një orë e më parë inercinë e rrënimit dhe duke nisur bashkë punën drejt autonomisë spitalore. Objekti ynë është që në harkun e këtyre viteve që kemi mandatin për të qeverisur ne ti përmbushim të gjitha këto hapa, që autonomia e spitaleve të jetë e garantuar”, – u shpreh Kryeministri. Po ashtu, kreu i mazhorancës qeverisëse tha se shërbimi aktual i pritjes dhe komunikimit me pacientët është i papranueshëm e në këto kushte sipas Ramës është i domosdoshëm krijimi i një kodi etik për mjekët e infermierët. “E hap derën kush të mundet. Komunikimi me qytetarët dhe pacientët duhet të bazohet në një kod etik, që mungon dhe që duhet të bëhet”. Në takimin e djeshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Kryeministri shoqërohej nga ministri Ilir Beqaj dhe drejtoresha Ogerta Manastirliu.

 

 

Takimi, Rama për premtimet e programit në shëndetësi

Sigurimet shëndetësore

“Ju e njihni programin tonë. Jam i bindur që skepticizmi dashamirës nuk është i paargumentuar, por nuk kemi rrugë tjetër. Nuk mund të vazhdojmë me sistemin e sigurimeve shëndetësore, ai sistem ka falimentuar. Eksperienca e vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara tregon se kthimi drejt sistemit shëndetësor me mbulim universal është tendencë. Nuk kemi rrugë tjetër”

Heqja e TVSH-së

“Nuk do lejojmë që në Shqipëri të shiten barna tre herë më shumë se sa vendi i origjinës. Do ta heqim TVSH mbi ilaçet menjëherë qysh në paketën e parë fiskale, sepse është pjesë e kësaj nevoje për të ulur çmimin e barnave”

 

Autonomia e spitaleve

“Nuk besoj se mund të ketë shoqëri të shëndetshme pa bashkëpunimin e protagonistëve në çdo sektor. Prandaj unë dua bashkëpunimin tuaj, për të ndalur një orë e më parë inercinë e rrënimit dhe duke nisur bashkë punën drejt autonomisë spitalore. Objekti ynë është që në harkun e këtyre viteve që kemi mandatin për të qeverisur ne t’i përmbushim të gjitha këta hapa, që autonomia e spitaleve të jetë e garantuar”

Rama për sistemin e shëndetësisë

“Menaxhimi i barnave është komplet i pakontrolluar dhe kur mendon se kjo është 70 për qind e buxhetit që jep qeveria për këtë segment. 10 farmaci online nuk mjaftojmë. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por e kundërta. Pa ndryshuar sistemin çdo përpjekje për të luftuar korrupsionin është i kotë. Nuk jemi në vitin zero as në ‘91, por jemi në një kohë, para dhe pas ‘90 kur spitali i dikurshëm funksiononte më mirë se ky i sotëm. Çfarë duhet bërë, le të fillojmë ta bëjmë. Furnizimi me barna dhe material mjekësor duhet të jetë normë, jo diçka për tu lëvduar”.

Universiteti i Mjekësisë vihet në mëdyshje

Në takimin e djeshëm me mjekët dhe infermierët, kreu i qeverisë foli edhe lidhur me Universitetin e Mjekësisë për të cilin theksoi se fati i tij do të vendoset pas diskutimeve të ministrit Beqja me grupet përkatëse. “Ajo që unë besoj është që në këtë pikë biseda është shumë e nxehtë që të biem dakord të ndërtojmë një dialog me disa hapa. Ministri do të ftojë një përfaqësi për të dëgjuar opinionin, pastaj të dëgjojmë të ndajmë ata që janë pro dhe kundër si e konsiderojnë. Që ai universitet që lindi për arsye që nuk kanë lidhje me botën akademike kjo duket. Ka argumente në dy anët. Nuk është e thënë ti mbajmë të dyja, po as ta mbyllim me argumentimin se ata që e hapën nuk e kishin mendjen aty”, – theksoi Rama.

Nisma e re, Këshill Kombëtar të Shëndetësisë

Në takimin e djeshëm me mjekët dhe infermierët, kreu i qeverisë bëri të ditur nismën e re që pritet të merret nga mazhoranca lidhur me krijimin e Këshillit Kombëtar të Shëndetësisë. Sipas Kryeministrit, “Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë, do të jetë një forum këshillimor i Kryeministrit dhe ministrit për të ecur para. Ne jemi këtu për të krijuar kushtet”.

Ministri Beqaj: Sistemi shëndetësor do kthehet në histori suksesi, nuk do ketë më spital pa ilaçe

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka theksuar dje se qeveria do ta kthejë sistem shëndetësor, në një histori suksesi. “Shërbimi shëndetësor është më i keqi të gjitha shërbimeve publike. Mungesat e pamjaftueshmëritë e shërbimit shëndetësor kanë nevojë për një reformë të shumanshme. Ta nisim këtë reformë në QSUT. Jam i bindur se të gjithë bashkë do ja dalim. Premtova që brenda 100 ditëve do e pastronim hapësirën e QSUT, por brenda më pak ditësh e pastruam dhe e kthyer ambientin tek QSUT. Bashkëpunimi mes disa institucioneve është shembull i qartë se si mund të punohet”, – tha ai. Më tej ai bëri të ditur disa nga reformat që pritet të ndërmerren nga qeveria në këtë sistem, duke theksuar: “Përvojat e reja do ta mbyllin njëherë e përgjithmonë plagën e mungesës së ilaçeve. Nuk mund të bëhet si në vitin 2012, kur 430 mijë dollarë ilaçe nuk janë përdorur për shkak të skandencës. Janë 6 milionë dollarë pajisjesh të kushtueshme në QSUT, që ose janë prishur ose nuk janë vënë kurrë në punë. Këtë dorë të padukshme do ta ndalim”.

Reagimi

PD: Rama “harroi” shëndetësinë falas

Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi reagoi dje ndaj takimit të Kryeministrit Rama me mjekët dhe infermierët e QSUT-së, ku tha se premtimet e mazhorancës për shëndetësi falas janë veçse. “Edi Rama shkoi sot në spital, dhe halli i tij i madh është se ka premtuar shëndetësi falas për të gjithë, dhe sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë del në dritë ky mashtrim elektoral. Nuk u tha asgjë mjekëve dhe infermierëve se kur do të zbatojë taksën e tij progresive që do t’i ndihmojë ata të kenë të paktën 40 mijë lekë më shumë të ardhura në muaj, siç ka premtuar publikisht”. Në të njëjtën linjë, zëdhënësja e PD-së theksoi: “Nëse tek Rama ka dy personalitete, njëri që premton shëndetësi falas, dhe tjetri që nuk thotë asgjë për këtë tezë kur gjendet në spital, atëherë kemi të bëjmë me një devijim shqetësues, një diagnozë e rrezikshme, e cila kërkon të trajtohet me seriozitet nga mjekët dhe ky shërbim duhet të jetë vërtet falas, në mënyrë që të mos u kushtojë shtrenjtë gjithë shqiptarëve”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency