Ndryshon dëshminë/ Prrenjasi: Nuk kam lidhje me zhdukjen e Julian Çelës, e pranova nga frika

0
141

Sonja Caka

I akuzuari befason me dëshminë e tij para policisë dhe prokurorëve, i akuzon për ushtrim dhune

Veçohet çështja “Çela”, hetimet po vijojnë në linjën e trafikimit drejt shteteve fqinje

 

ardian-prrenjasiArdian Prrenjasi nis të luajë me policinë dhe akuzën, lojë që u kuptua pak a shumë edhe në kohën kur çdo ditë i çonte ata në landfillin e Sharrës për 2 muaj me radhë, ku u deklaronte se kishte hedhur trupin e pajetë të Julian Çelës. Tashmë, kur mbushet gati një vit nga zhdukja e fëmijës 10-vjeçar dhe dosja e tij po mbërrin për gjykim, vetëm në akuzën e abuzimit seksual ndaj një tjetër fëmije, ai ndërron dëshminë para policisë dhe prokurorëve. “Nuk e kam rrëmbyer apo vrarë unë Julian Çelën, e kam pranuar nga frika dhe dhuna” ka dëshmuar 45-vjeçari, duke çuar hetimet në pikën zero dhe detyruar organin e akuzës të veçojë çështjen dhe ta mbajë ende nën hetimin të pandehurin për zhdukjen e 10-vjeçarit Çela. Në deklaratën e tij, Ardian Prrenjasi ka shkuar më tej, duke akuzuar policinë për ushtrim dhune dhe për pasojë pranimin e një krimi që nuk e kishte kryer. Prrenjasi është shprehur se ka qenë i detyruar të mashtrojë dhe të pranojë rrëmbimin e vogëlushit 10-vjeçar nga dhuna dhe presioni policor. Megjithatë, pavarësisht mohimit të akuzës nga Prrenjasi, Prokuroria ka dyshime të forta se i akuzuari ka lidhje në zhdukjen e Çelës dhe ndërkohë është duke u hetuar një linjë trafikimi. Sipas akuzës, hetimet ndaj tij për rastin e Julian Çelës do të vazhdojnë edhe pse ai do të dërgohet në gjyq vetëm për rastin e fundit të arrestimit në flagrancë, konkretisht atë të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “marrëdhënies seksuale me dhunë ndaj të miturit”. Afro një vit pas zhdukjes së Julian Çelës, fotoja dhe të dhënat e tij vijojnë të qëndrojnë të shpallura në faqen e INTERPOL, në rubrikën e njerëzve të humbur.

Dëshmia

“Unë nuk e njoh fare Julian Celën, nuk e di kush është. I kam thënë të gjitha nga frika dhe për shkak të dhunës, ata më pyesnin për Julianin dhe unë nga frika thashë “po, e kam vrarë” dhe shpika për këtë edhe versionin e Sharrës e të gjithë skenën se si e kisha vrarë”. Kështu ka deklaruar para policisë dhe prokurorëve 45-vjeçari Prrenjasi, duke kthyer në pikë zero hetimet për zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela, i dyshuar për rrëmbim nga Ardian Prrenjasi. Edhe pse i akuzuari ka mohuar rrëmbimin e tij, janë disa elementë hetimorë dhe dëshmi dhe hedhin dyshime se Çela është rrëmbyer dhe më pas trafikuar nga Prrenjasi dhe persona të njohur të tij. Për këtë arsye, pas një sorollatjeje 2 mujore në landfillimin e Sharrës, ku u mobilizua polic e ushtri, hetuesit janë duke hetuar një linjë trafikimi, preh e të cilës dyshohet të ketë rënë 10-vjeçari. Pasi u gjetën përballë kësaj situate, hetuesit vendosën që Ardian Prrenjasin ta çojën për gjykim në Gjykatën Penale për krime seksuale, e konkretisht për akuzën e  kryerjes së marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur për rastin e abuzimit me fëmijën A.C., në një kohë që rasti “Julian Cela” do të veçohet për shkak të mungesës së provave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency