Abuzimi me fondet në Ministrinë e Punës, gjykata lë në burg 4 zyrtarët

0
148

Sonja Caka

Të arrestuarit mohojnë akuzat, Dema: Procedurat e tenderit, në zbatim të ligjit dhe rregullores

Në tetor 2011, një shtetase kallëzoi në Prokurori abuzimet me festimet e 1 Majit nga Ministria e Punës

 

bitro dhe muratiKatër zyrtarët e Ministrisë së Punës janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Mëngjesin e djeshëm, togat e zeza kanë rikonfirmuar masat e arrestit të dhëna në mungesë, ndërsa të pranishëm në sallën e gjyqit kanë qenë vetëm dy nga të akuzuarit, Ilir Ibrahimi dhe Besnik Dema. Para gjykatës, ish- drejtori i Përgjithshëm i Politikave Ibrahimi ka preferuar të mos flasë, duke ia lënë të drejtën vetëm avokatit të tij të shprehet, ndërsa ish-drejtori i Financave, Besnik Dema kërkoi të lihet i lirë dhe është mbrojtur duke u shprehur se “procedurat e tenderit kanë qenë në zbatim të ligjit dhe rregullores”. Pasi ka dëgjuar prokurorin, avokatët dhe njërin nga dy të arrestuarit, gjyqtarja Enkelejda Metaliaj la në në fuqi masat “arrest me burg” dhënë për katër zyrtarët e Ministrisë së Punës, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit në spotet televizive. Ndërkohë, dy të akuzuarit e tjerë, Kleves Bitro, ish-Drejtori i Kabinetit dhe ish-sekretari I Përgjithshëm Murat Mehmeti, janë shpallur në kërkim.

Akuza

Sipas prokurorisë, zyrtarët e Ministrisë akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” pasi kanë paracaktuar një tender prej 20 milionë lekësh për një spot televiziv, i cili nuk është realizuar asnjëherë. Pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokuroria e Tiranës, njësia “task-force” kishte nisur një hetim të gjerë për të gjithë zyratrët ku konstatoi shkelje të rënda nga katër zyrtarë. Sipas burimeve brenda prokurorisë, priten arrestime te tjera në ditët në vazhdim. Për festën e 1 Majit 2010, e organizuar në Tiranë, prokuroria ka dyshime se tetë ish-zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale kanë shpërdoruar fondet, duke paracaktuar si fituese një kompani të prodhimit të spoteve televizive me anë të falsifikimit të dokumenteve, çka ka sjellë edhe një dëm prej gati 20 milionë lekësh. Referuar dokumentacionit, prokurori i njësisë task-forcë, Ndini Tavani, dyshon se abuzimet janë kryer në harkun e 10 ditëve, ndërkohë që fatura e firmosur për organizimin e këtij aktiviteti deklarohet 19 milionë e 800 mijë lekë. Konkretisht, sipas prokurorisë me urdhrin e 26 prillit 2010 të ministrit Spiro Ksera është ngritur komisioni për ndjekjen e procedurave për organizimin e festimeve të 1 Majit. Në përbërje të komisionit kanë qenë: kryetar, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Murat Mehmeti, drejtori i Kabinetit Klevis Bitro, shefi i Financës, Ilir Ibrahimi dhe sekretari i Përgjithshëm, Besnik Dema. Këta të fundit si anëtarë të komisionit. Brenda kësaj dite u janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit tre subjekteve private dhe tre ditë më pas rezultojnë të protokolluara tre ofertat e subjekteve. Në datën 30 prill, kryetari i komisionit Mehmeti njofton ministrin duke i dorëzuar raportin për organizimin e aktivitetit të 1 Majit, në një kohë që në të njëjtën ditë lidhet edhe kontrata me njërin nga subjektet për organizimin e këtij aktiviteti. Pesë ditë pas festës së 1 Majit, – thotë prokuroria, – subjekti në fjalë lëshon faturën tatimore të shitjes për blerësin, që në këtë rast është Ministria, në shumën e mbi 19 milionë lekëve. Prokuroria thotë se u është kërkuar informacion televizioneve, ku sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues, do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Majit. Duke qene se subjekti ka kontraktuar me tri televizione, rezulton, sipas prokurorisë, se konkurrimi të jetë bërë fiktiv, pasi nga dokumentacioni del se oferta e subjektit fitues të jetë protokolluar në Ministri në datën 29 prill dhe kontrata që e ka shpallur fitues është lidhur në një ditë më vonë. Për këtë, sipas prokurorisë, subjekti fitues ishte i paracaktuar dhe nuk ka pasur konkurrim. E njëjta skenë, dyshon prokuroria, është ndjekur edhe në tri raste të tjera abuzive për organizimin e evenimenteve festive, duke shpërdoruar me fondet shumën e 10 milionë lekëve. Për katër zyrtarë, gjykata ka vendosur “arrest me burg”, dy prej të cilëve janë ndaluar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa katër të tjerë që ishin anëtarë në Komisionit të Vlerësimit të Ofertave rezultojnë me masën e detyrimit me paraqitje.

Kallëzimi

Para se një Prokurori të mbërrinte dosja e plotë me shkelje nga KLSH, një tjetër shtetase kishte depozituar një kallëzim penal ku denonconte të gjithë shkeljet e bëra në Ministrinë e Punës. Pas depozitimit të kallëzimit penal, Prokuroria nisi hetimet në tetor të vitit 2011dhe më pas u intensifikuan kur u depozitua dhe kallëzimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane më datë 6 Tetor të vitit 2011 ka regjistruar procedimin penal nr.4166 për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, të parashikuar nga neni 186 i K.Penal. Ky procedim penal është regjistruar pas kallzimit të një shtetase. Kjo shtetase ka kallëzuar funksionare të lartë të MPCSSHB Tiranë për veprime në kundërshtim me ligjin gjate organizimit të aktivitetit ‘1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve’”, bëhet me dije nga hetimi i Prokurorisë. Një vit më pas, më datë 21 Maj të vitit 2012, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është depozituar kallëzimi penal i Kontrollit të Lartë e Shtetit (KLSH), në ngarkim të punonjësve të MPCSSHB Tirane për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. “Sipas kallëzimit, gjatë organizimit të aktivitetit për festën e 1 Maji-t 2010 është vepruar në kundërshtim me ligjin dhe në praktikën për organizimin e këtij aktiviteti ka mungesa të shumta për dokumentimin e aktivitetit, duke vlerësuar për një dëm ekonomik për shtetin në vlerën 9.237,863 lekë”, citon në akuzën e saj Prokuroria e Tiranës.

Faktet

“Me datë 26.04.2010 rezultojnë se janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit tre subjekteve , S….. shpk, Xxxx shpk, dhe xxxxxx, së bashku me specifikimet teknike për organizimin e aktivitetit. Me date 29.04.2010, rezultojnë se janë protokolluar tre ofertat e subjekteve për organizimin e atij aktiviteti. Me shkresën, datë 30.04.2010 , Kryetari i Komisionit, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së PCSSHB, shtetasi M. Mehmeti, njofton Ministrin duke i dorëzuar raportin e hollësishem për realizimin e procedurave te organizimint te aktivitetit per diten e 1 Maji-t. Më datë 30.04.2010 është lidhur kontrata e shërbimit midis MPCSSHB përfaqësuar nga Ministri dhe subjektit Xxxx shpk, për organizimin e aktivitetit ‘1 Maji Dita Ndërkombëtare e Punëtoreve’. Subjekti Xxxx shpk , me date 05.05.2010 ka lëshuar faturën tatimore të shitjes për blerësin MPCSSHB në shumën 19.800.000 lekë. Më datë 26.05.2010 nga ana e MPCSSHB është lëshuar urdheri i shpenzimit për kalimin e kësaj shumë në favor të Xxxx shpk. Në vijim të hetimeve është kërkuar informacion televizioneve ku sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Maji-t. Duke qenë se subjekti Xxxx shpk ka kontraktuar me tre televizionet dhe subjektin P…. që në datat 27.04.2010 dhe 28.04.2010 , konkurimi rezulton të jetë bërë fiktiv, pasi nga dokumentacioni rezulton se oferta e subjektit fitues të jetë protokolluar në ministri më datë 29.04.2010 dhe kontrata që e ka shpallur fitues është lidhur më datë 30.04.2010, pra subjekti fitues është paracaktuar dhe nuk ka pasur konkurim”, bëhet me dije në akuzën e Prokurorisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency