Komisioni i Sigurisë / Debate dhe batuta mes anëtarëve të PS-së dhe LSI-së për praninë e ministrave dhe mandatin e deputetit

0
136

Florenc Drizari

Luan Rama: Tani që s’janë edhe deputetë, janë më të ngeshëm ministrat përkatës… Paulin Sterkaj: Jo, deri tani janë deputetë, kam frikë se po bëhen pishman

 

siguria27_01_2011_8935_0Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dy projektligje të qeverisë “Berisha”, të cilat kishin mbetur pa kaluar në filtrat e komisioneve parlamentare për shkak të rrotacionit politik. Ashtu si ligji për financimin e terrorizmit dhe ligji për sigurinë rrugore në tunele, kaluan me konsensus nga anëtarët e PS-së dhe LSI-së, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk morën pjesë në mbledhje.

Kërkesa e deputetit të LSI-së, Luan Rama, që ministrat të jenë të pranishëm kur diskutohen projektligjet në komisionet parlamentare, solli edhe reagimin e deputetit të Partisë Socialiste Paulin Sterkaj, i cili theksoi se në Kuvend ministrat të jenë të pranishëm vetëm në komisionet përgjegjëse.

Luan Rama

“Sugjeroj, dhe është e rëndësishme, të paktën kështu mbaj mend unë, nga përvoja parlamentare që në mbledhjet e komisioneve parlamentare kur shqyrtohen projektligje, ministri i linjës duhet të jetë prezent. Respektoj specialistët që vijnë por në komisionin parlamentar komunikon me ministrin apo me zv.ministrin, më pas ata mund të shoqërohen me specialistë”, – deklaroi deputeti Rama. Sipas tij, çdo ligj që shkon në Kuvend ka një frymë politike që nuk mund ta mbrojë eksperti përkatës i ministrisë. Ia tha gjithashtu se edhe zv.ministrat duhet të vijnë me autorizim të ministrit. Ky qëndrim i tij u mbështet edhe nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, i cili gjithashtu tha se në praktikat e legjislaturave të mëparshme, ministrat ishin prezent në komisionet parlamentare.

“Kërkesa dhe propozimi i Luanit, jo se është i panjohur, por të paktën para kësaj legjislature këtu vinin ministrat dhe zëvendësministrat, pa neglizhuar ekspertët, specialistët edhe për hir të rëndësisë së ligjit, por veçanërisht për ligje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me komisionin e Sigurisë, por edhe kur nuk kanë të bëjnë, do të njoftohen brenda afatit dhe mundësisë që kanë strukturat e shtetit, ministri, zv.ministri të jenë vetë prezent. Dhe ky është një vendim i marrë unanimisht në emër tuaj sipas sugjerimit që bëri z. Rama”, – deklaroi kryetari i komisionit Spartak Braho.

Por ky qëndrim i dy përfaqësuesve të LSI-së u kundërshtua nga deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj. Ky i fundit tha se nëse ministrat do të shkonin në çdo komision në të cilin kalon ligji, atëherë puna e tyre nuk do të ishte efektive si ministër i një dikasteri. Duke evidentuar eksperiencën 9-vjeçare si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, z. Sterkaj theksoi se prania e ministrave në komisionet përgjegjëse ka qenë e mjaftueshme edhe në legjislaturat e mëparshme.

Paulin Sterkaj

“Unë do kisha një propozim tjetër. Kur jemi komision përgjegjës duhet të jetë ministri, ndërsa kur nuk jemi komision përgjegjës dhe duhet të japim një mendim nëse ministrat do i mbajnë më Komision të Sigurisë do t’i lëmë pa punë atje. Kur ne jemi përgjegjës për ligjin duhet të jetë ministri, atëherë ministri duhet të shkojë atje ku është komisioni përgjegjës dhe jo të vijë në çdo komision se ç’punë ka”, – deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj.

Pas këtyre diskutimeve nuk munguan as batutat për çështjen e lënies së mandateve të deputetit nga ana e ministrave të qeverisë “Rama”. Në kuadër të diskutimeve të mësipërme për çështjen e prezencës së ministrave në komisionet parlamentare lidhur me diskutimet për projektligje që prekin dikasteret e tyre, deputeti i LSI-së, Luan Rama, tha se qëndrimet për lënien e mandatit të deputetit nga ana e ministrave do të bëj që ata të kenë më shumë kohë në dispozicion për t’ju përkushtuar axhendës dhe punës së tyre në këto institucioni, ndërkohë që nga ana e tij, deputeti Sterkaj deklaroi se aktualisht ministrat janë deputetë dhe “kam frikë se po bëhen pishman”, për lënien e mandatit.

 

 

Zbardhje diskutimesh dje në Komisionin Kuvendor për Sigurinë Kombëtare

Luan Rama: Sugjeroj dhe është e rëndësishme, të paktën kështu mbaj mend unë, nga përvoja parlamentare që në mbledhjet e komisioneve parlamentare kur shqyrtohen projektligje, ministri i linjës duhet të jetë prezent. Respektoj specialistët që vijnë por në komisionin parlamentar komunikon me ministrin apo me zv.ministrin, më pas ata mund të shoqërohen me specialistë.
Spartak Braho
: Kërkesa dhe propozimi i Luanit, jo se është i panjohur, por të paktën para kësaj legjislature këtu vinin ministrat dhe zëvendësministrat, pa neglizhuar ekspertët, specialistët edhe për hir të rëndësisë së ligjit, por veçanërisht për ligje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me komisionin e Sigurisë, por edhe kur nuk kanë të bëjnë, do të njoftohen brenda afatit dhe mundësisë që kanë strukturat e shtetit, ministri, zv.ministri të jenë vetë prezent. Dhe ky është një vendim i marrë unanimisht në emër tuaj sipas sugjerimit që bëri z. Rama. Biem dakord?
Paulin Sterkaj:
Me leje?
Spartak Braho:
Urdhëro!
Paulin Sterkaj:
Unë do kisha një propozim tjetër. Kur jemi komision përgjegjës duhet të jetë ministri, ndërsa kur nuk jemi komision përgjegjës dhe duhet të japim një mendim nëse ministrat do i mbajnë më Komision të Sigurisë do i lëmë pa punë atje.
Spartak Braho:
Po unë këtë thash.
Paulin Sterkaj:
Kur ne jemi përgjegjës për ligjin duhet të jetë ministri, atëherë ministri duhet të shkojë atje ku është komisioni përgjegjës dhe jo të vij në çdo komision se ç’punë ka.
Spartak Braho:
Ne do t’i njoftojmë. Për ligjet që ne i kemi në juridiksion, ministrat duhet të jenë. Për ligjet që ne do të jemi komision ndihmës, ne do t’i njoftojmë, por do të pranojmë edhe funksionarë të lartë të ministrisë.
Luan Rama:
Për të qenë i qartë Paulin, ka një normë komunikimi edhe për efektet e protokollit shtetëror. Me komisionin parlamentar komunikon ministri ose zëvendës ministri i autorizuar nga ministri. Pastaj, nëse vjen me stafin kjo është tjetër gjë, por në praktikën parlamentar, të paktën në 8 vjet që unë kam qenë deputet ministri vjen dhe e mbron vetë ligjin në komisionin parlamentar. Edhe për respekt të punës që bën ministria që ai drejton, por edhe për respekt të autoritetit të Kuvendit. Specialisti vjen e komunikon me specialistin, por për frymën e ligjit unë do komunikoj me ministrin. Ky është partneri imë ne procesin dhe hartimin e ligjeve. Kjo është normë parlamentare dhe jo tekë apo qejf individual.
Paulin Sterkaj:
Nuk më kuptuat z. Luan. Unë e thash qartë që ne duhet të na vijë ministri për ligjet që ne jemi drejtpërdrejtë përgjegjës si komision i sigurisë.
Luan Rama:
Po unë çfarë po them?
Paulin Sterkaj:
Atëherë ministri i Transporteve kur ne të japim një mendim, që ka edhe për elementët e sigurisë, s’ka pse vjen këtu, këtu vjen përgjegjësi, ajo që thatë ju.
Spartak Braho:
Në qoftë se vjen, le të vijë.
Paulin Sterkaj:
Atëherë nëse ne i kërkojmë ministrave…
Spartak Braho:
E lëm Barjabën…
Paulin Sterkaj:
Këtë unë e kam nga eksperienca prej 8 vitesh si deputet, ka hyrë në vitin e 9. Ministrat e kemi pasur këtu kur i kemi thirrur dhe kur ka qenë ndonjë projektligj serioz drejtpërdrejtë. Unë jam për me ardhur ministri kur është ligji dhe komisioni përgjegjës për atë dikaster.
Spartak Braho
: Do ta zgjidhim
Paulin Sterkaj:
Jo ta shëtisim ministrin e Transporteve prej këtu dhe ta shëtisim në komisione. Ata vijnë, por natyrshëm si procedurë parlamentar siç e njohim ne, ministrat kanë ardhur kur ka kaluar projekt-buxheti, por edhe shpesh herë s’kanë ardhur kur ka kaluar projektbuxheti. Por që ta vëmë normë, do ishte mirë që ministri përkatës…
Luan Rama:
Tani që s’janë edhe deputetë janë edhe më të ngeshëm ministrat përkatës
Paulin Sterkaj:
Jo deri tani janë deputetë, kam frikë se po bëhen pishman.
Spartak Braho
uron punë të mbarë dhe mbyll seancë e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë.

 

 

 

Ligji për masat kundër terrorizmit, Braho: Të shoqërohet me plotësimin e akteve nënligjore

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi projektligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit”. Ligji kaloi me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në diskutimet e këtij drafti. Për këtë draft ligjor, deputeti Taulant Balla tha se ekspertët duhet të kishin përditësuar ligjin me referencat e NATO-së dhe të Kongresit Amerikan, për faktin se sipas tij, këto referenca janë më të mirat që mund të ekzistojnë në këtë fushë. “Për shpejtësi legjislative unë jam dakord që ne ta votojmë sot, por të jeni të sigurt që ju dhe kolegët tuaj, apo edhe vetë njësia për pastrimin e parave, do të vini këtu pas 6 muajsh dhe do na sillni rekomandime të tjera që vijnë nga NATO, po të keni parasysh sfidat që ka NATO për organizatat terroriste. Mua m’u deshën 5 minuta për t’i gjetur këto rekomandime”, – deklaroi Balla.

Nga ana e tij, deputeti i LSI-së, Luan Rama tha se projektligji vjen si meritë e punës së disa institucioneve dhe për këtë ai duhet të kalohet në seancë plenare. “Projektligji që kemi përpara nuk është thjeshtë produkt i punës së një institucioni por më gjerë. Ç’ka plotëson një vakum ligjor për masat që duhen marrë kundër financimit të terrorizmit dhe veprimtarive kriminale, por sjell një kontribut që puna e institucioneve të jetë me e argumentuar në ligj”, – deklaroi Rama.

Po në të njëjtën linjë, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, theksoi domosdoshmërinë që brenda tre muajve ligji të plotësohet me akte nënligjore. “Rreth 40-50 për qind e ligjeve nuk plotësohen me akte nënligjore”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency