Vendimi/ Ngacmoi seksualisht të miturën, dënohet 12 vjet burg Xhavit Biduli

0
176

Sonja Caka

 

I pandehuri, presion vajzës se do t’i vriste familjen, nëse tregonte veprimet e kryera

Familja e të miturës denoncoi ngacmimin e vajzës nga 59-vjeçari edhe një vit më parë

 

PedofilNjë pedofil nga fshatrat e Tiranës është dënuar me 12 vite burg nga gjykata, pasi akuzohet se ka kryer veprime të turpshme me një minorene. Vendimi është dhënë pak ditë më parë, ndërsa i pandehuri Xhavit Biduli është proceduar me gjykim të shkurtuar, duke iu ulur një e treta e dënimit dhe duke e dënuar përfundimisht me 8 vite burg. Sipas vendimit të gjykatës, 59-vjeçari Biduli akuzohet për kryerjen e veprimeve të turpshme me 9-vjeçaren R. B., fqinjë e të pandehurit, ndërsa mbi të rëndon edhe akuza e dytë e heqjes së paligjshme të lirisë më shumë se një herë ndaj të miturës. Në vendimin e saj, gjykata shpall fajtor të pandehurin Biduli, duke e dënuar 7 vjet për veprën penale “Kryerje të veprimeve të turpshme” dhe me 5 vite burg për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë më shumë se një herë” të kryer ndaj shtetases R. B. Dosja hetimore në ngarkim të pedofilit 59-vjeçar ka mbërritur për gjykim në korrik të këtij viti.

Arrestimi   

Arrestimi i të pandehurit ka ndodhur më 4 prill të këtij viti në fshatin Pinet të Komunës Ndroq në Tiranë, pas denoncimit të prindërve të së miturës me inicialet R. B. Në fakt, i pandehuri nuk e kishte herën e parë kryerjen e veprimeve të turpshme me të miturën, pasi një veprim të ngjashëm e kishte bërë edhe një vit më parë, por që vajza nuk e kishte denoncuar nga frika, pas kërcënimit të 59-vjeçarit. Ndërkohë që, edhe në veprimet e fillimprillit të këtij viti, vajza ishte kërkuar se do t’i vritej familja nëse fliste, por kësaj radhe sërish u ka treguar prindërve dhe ata kanë njoftuar policinë. Sipas akuzës, 59-vjeçari nuk ka mundur të abuzojë seksualisht me vajzën, për shkak të ndërhyrjes në kohë të policisë. Mësohet se vajza është vetëm 9 vjeçe, nxënëse e klasës së tretë.

Kallëzimi

I pandehuri nuk ka arritur të abuzojë në asnjë nga dy herët me vajzën e mitur, por vetëm ta prekë atë në vende intime dhe më pas t’i bëjë presion se do t’i vrasë familjen po tregoi. Sipas kallëzimit të prindërve të së miturës, Biduli e ka prekur të bijën në vende intime dhe i ka hequr rrobat, madje edhe të mbathurat. Në këtë kohë vajza ka bërtitur dhe duke qenë se ngjarja ka ndodhur në rrugicën mes dy banesave, të autorit dhe të familjes së vajzës, ka detyruar 59-vjeçarin Xhavit Biduli të lërë të miturën në rrugë dhe më pas të futej në shtëpinë e tij pa harruar kërcënimet ndaj 9-vjeçares nëse hapte gojën. Prindërit kanë dëshmuar se ky veprim i Bidulit është i përsëritur, pasi kohë më parë ai kishte kryer të njëjtin veprim me vajzën dhe për shkak të kërcënimeve të tij dhe turpit ata kanë hezituar ta denoncojnë rastin në polici.

Akuzat

Heqje e paligjshme e lirisë, më shumë se një herë

Veprime të turpshme

 

Krimet e Rënda

Mungesa e avokatëve, shtyhet gjyqi i Dajtit

Mungesa e avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata ka bërë që trupi gjykues të shtyjë dje seancën e parashikuar ndaj të pandehurit Dritan Dajti. Pas konstatimit të mungesës së avokatëve të caktuar një seancë më parë, trupi gjykues vendosi zëvendësimin dhe njoftimin e dy avokatëve të tjerë nga lista kryesisht, ndërkohë që seanca zgjati vetëm 10 minuta. I akuzuari nuk ka pranuar të zhvillohet seanca e planifikuar pa praninë e avokatëve, të caktuar kryesisht nga gjykata në seancën e mëparshme. Kanë qenë pikërisht avokatët Matilda Zotkaj dhe Mirela Biba, ato që kanë munguar në seancë. Zotkaj ka lajmëruar gjykatën se nuk mund të mbrojë Dajtin, pasi sapo ka marrë licencën e avokates dhe nuk ka eksperiencë, ndërsa Biba ka deklaruar se do të largohet jashtë shtetit. Në këto kushte, trupi gjykues ka caktuar dy avokatë të tjerë, Rezart Elmazin dhe Roland Xhindin, që duhet të paraqiten në seancën e radhës sotme në orën 12:00. Një seancë më parë, Dajti kërkoi t’i shpëtojë dënimit përjetë, duke kërkuar nga gjykata pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar. Por, kjo dhe kërkesa për pavlefshmëri dokumentesh u rrëzuan nga trupi gjykues, çka solli në shtyrjen e gjyqit, pasi i pandehuri braktisi sallën dhe nuk kishte një avokat mbrojtës që të mundësonte vijimin e procesit gjyqësor në mungesë të tij.

Itali

Braktis vajzën e sapolindur në rrugë, pranga shqiptarit

Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia pasi ka braktisur vajzën e tij të sapolindur në një mjedis publik. Sipas mediave italiane, më parë mësohet se i riu u ishte afruar disa personave duke u kërkuar ta merrnin dhe të kujdeseshin për vajzën. Ngjarja ka ndodhur në Sirakuzë, ku një punëtor krahu në bujqësi, i moshës 28-vjeçare, është arrestuar ditën e diel, ndërsa po tentonte të braktiste foshnjën e tij, e seksit femër, e cila kishte vetëm 1 muaj e gjysmë që kishte lindur. Episodi është konstatuar nga karabinierët pranë një benzinate në Vilasmundo (Sirakuzë), ku burri me origjinë nga Shqipëria kishte mbërritur me makinë duke marrë me vete edhe vajzën e tij, e lindur më 5 gusht. Nga dëshmitë e dhëna në polici, mësohet se i riu u ishte afruar më parë disa kamionistëve dhe drejtuesve të tjerë të automjeteve, duke u kërkuar të marrin nën kujdes vajzën e tij të vogël pasi ai nuk mundej. Njëri prej tyre njoftoi karabinierët, duke e vënë në dijeni edhe mbi veprimet e 28-vjeçarit. Policia arrestoi të riun ndërsa foshnja është transferuar në spitalin Umberto në Sirakuzë, pasi po shfaqte simptoma të dehidratimit. Bebja e sapolindur është nxjerrë nga spitali mëngjesin e djeshëm dhe i është besuar nënës së saj, një 27-vjeçare nga Rumania, e cila rezultoi të ishte gruaja e shqiptarit të arrestuar. Edhe ndaj shtetases rumune rëndon akuza e “Braktisjes së të miturit”. Tashmë, karabinierët janë duke verifikuar nëse 27-vjeçarja është apo jo me leje të rregullt qëndrimi në Itali.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency