Ndahet nga e fejuara, 24-vjeçari i vendos tritol në derë të shtëpisë

0
126

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur në orët e para të mëngjesit banorët e lagjes numër 4 të qytetit të Krujës. Një sasi tritoli i është vendosur banesës së 55-vjeçarit Latif Nikolla, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar. Sipas policisë, tritoli ishte vendosur pranë derës së banesë së Nikollës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin e autorit i cili është 24-vjeçari Albert Roshi. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të ngjarjes. Nga verifikimet e kryera është arritur të mësohet se shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë divorci mes autorit të krimit dhe vajzës së shtetasit Latif Nikolla. Ky i fundit ka deklaruar se herë pas here ish-dhëndëri i tij, pas ndarjes nga e bija, e ka kërcënuar jo vetëm atë, por edhe vajzën e tij. Kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme, deri në përdorimin e armëve, ku edhe një gjë e tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve të policisë, Albert Roshi ka zgjedhur orët e para të mëngjesit, kur në rrugë dhe në shkallët e pallatit nuk ka pasur kalimtarë. Të gjithë banorët e pallatit kanë qenë në gjumë kur ka shpërthyer lëndë plasëse dhe për pasojë në disa apartamente të tjera janë thyer xhamat e dritareve, ndërkohë që banesa e shtetasit Latif Nikolla ka pësuar dëme të konsiderueshme. Aktualisht, policia e Krujës ka shpallur në kërkim 24-vjeçarin dhe ndaj tij është ngritur akuza e “Shkatërrimit të banesës me eksploziv”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency