Rama takon presidentët e Kroacisë dhe Bullgarisë: Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit

0
130

Gëzim Saliu

Kryeministri me President turk Gyl: Nxitje të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve

Gjukanoviç dhe Rama: Ndërtojmë autostradën që do të kalojë nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë

 

rama-gylNë ditën e 6-të të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje takime dypalëshe me Presidentin e Turqisë Abdullah Gyl, Presidentin e Bullgarisë Rosen Plevneliev, Presidentin e Kroacisë Ivo Josipoviç, Kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç, si edhe drejtoren e Përgjithshme të PNUD-it Helen Clark. Në takimet e veçanta të zhvilluara me Presidentin e Kroacisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të BE-së, bisedimet u përqendruan më shumë në integrimin evropian të Shqipërisë, ku si Josipoviç ashtu edhe Plevneliev, e siguruan kreun e qeverisë për mbështetjen e plotë që këto dy vende do t’i japin Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor.

Takimet

Në takimin e zhvilluar me Presidentin turk Gyl, Kryeministri Rama nënvizoi partneritetin strategjik mes dy vendeve, duke kërkuar nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë. Një vëmendje të posaçme në këtë takim pati gjithashtu edhe ndihma që qeveria turke mund të japë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë. Një tjetër takim i rëndësishëm që zhvilloi kreu i ekzekutivit shqiptar ishte ai me homologun e tij malazez Gjukanoviç, ku biseda mes tyre u përqendrua në bashkëpunimin rajonal, në mënyrë të veçantë në dy fusha. Mundësia për degëzimin e rrjetit të TAP drejt Kosovës dhe Malit të Zi, si edhe krijimi i një projekti të përbashkët për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë, për të lidhur bregdetin Adriatik me atë Jon ishin dy çështjet kryesore të diskutuara nga Kryeministrat. Po ashtu kreu i mazhorancës qeverisëse zhvilloi një takim me Drejtoren e Përgjithshme të PNUD-it, Helen Clark, ku temë kryesore ishin mundësitë e reja që marrja e statusit të vendit kandidat do të hapte për Shqipërinë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, Kryeministri Rama kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të PNUD për vendin, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të administratës dhe burimeve njerëzore, për të qenë plotësisht të përgatitur në raport me sfidat dhe detyrimet e reja që Shqipëria pritet të ketë shumë shpejt ndaj Bashkimit Evropian. Dy ditë më parë, kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë dje në pritjen e organizuar nga Presidenti Obama dhe zonja e tij për krerët e delegacioneve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë takimit me kryetarin e shtetit amerikan, kreu i ekzekutivit i shprehu atij falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë dhënë ndaj Shqipërisë. Po ashtu Rama e siguroi Presidentin Obama se vendi ynë do të vazhdojë të qëndrojë në krah të SHBA-së edhe në të ardhmen. Prej thuajse 6 ditësh, Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku deri më tani ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale më përfaqësues të shteteve të ndryshme. Kreu i ekzekutivit ka marrë pjesë në aktivitetin “Nisma Globale Clinton” me ftesë të Presidentit Bill Clinton, si edhe ka zhvilluar një takim me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Në dy ditët në vazhdim, deri para kthimit në Shqipëri, Rama do të zhvillojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera, ku më kulmori lidhet me pjesëmarrjen në sesionin e 68-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë Asamble, kreu i mazhorancës qeverisëse do të mbajë edhe një fjalim si edhe më pas do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

 

Deputeti socialist

Kreu i PS-së, Fino: Nuk besoj se do të ketë kandidaturë tjetër përveç Edi Ramës

Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht sekretari për pushtetin vendor në këtë forcë politike Bashkim Fino ka deklaruar dje se me shumë mundësi në garën për kreun e ri të PS-së, nuk do të ketë kandidaturë tjetër përveç asaj të Edi Ramës. “Besoj do të jetë vetëm kandidatura e zotit Rama, pasi ai doli nga zgjedhjet e përgjithshme si fitues me një votë plebishitare”, – deklaroi Fino për “A1 Report”. Duke bërë të ditur se zgjedhjet për kreun e ri të PS-së do të bëhen pasi Ramës i mbaron mandati katër vjeçar, deputeti socialist tha se shtyrja e zgjedhjeve në parti vijnë për shkak të disa faktorëve. “Zgjedhjet për kreun e PS-së, janë shtyrë pasi ai është në krye të punëve, si Kryeministër dhe kryetar. Aktualisht është ngritur një grup për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Është normale vonesa e këtij procesi, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe pa u konstituuar qeveria e re, ne nuk mund të hynim në një proces tjetër zgjedhor, atë të kryetarit”, – tha ai. Më tej Fino sqaroi: “Kryesia e PS-së, asambleja, krerët e partive në njësitë vendore, kanë mandat dy vjeçar dhe zgjidhen çdo dy vjet. Ndërsa kryetari ka një mandat 4 vjeçar. Mandati i kryetari ka mbaruar dhe tani do të punojmë për marrjen e emrave të kandidatëve për kryetar dhe për të mbledhur Kongresin”. Sekretari për pushtetin Vendor nuk dha asnjë datë se kur do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të PS-së, por sipas tij, kjo procedurë do të mbyllet muajin e ardhshëm. “Gjatë tetorit do të marrë fund çdo gjë për rastin konkret, por një datë konkrete nuk mund të them pasi punët janë në zhvillim”, – deklaroi Fino. Nga dita e djeshme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ka më mandat zyrtar. Në bazë të statutit, ai e mbylli dje katërvjeçarin e drejtimit të partisë, pas zgjedhjes në 26 shtator të vitit 2009, sipas parimit “një anëtar – një votë”. Në respekt të statutit dhe rregullave të partisë është ngritur një grup pune, i përbërë nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, e deputetët Taulant Balla e Bashkim Fino, të cilët janë duke përgatitur një raport, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të partisë, por edhe për zgjedhjet e kryetarëve të organizatave, të cilët kanë një mandat 2-vjeçar. Këta të fundit u zgjodhën në 2011-ën dhe janë të lidhur automatikisht me ecurinë e zgjedhjeve, si ato vendore, ashtu edhe ato të përgjithshme.

 

Eurodeputeti

Kacin, Ramës: Duam vepra dhe jo fjalë të bukura për luftën kundër korrupsionit

Eurodeputeti Jelko Kacin kërkon më shumë punë nga qeveria e majtë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke shprehur konkluzionet e tij lidhur me përgjigjet e marra nga Kryeministri Rama në Bruksel, Kacin theksoi për “ABC News” se, “Parlamenti Evropian foli njëzëri. Ne s’duam të na trajtojnë me mirësjellje. Ne duam të shohim ndryshim në Shqipëri. Ne duam konkretizimin e fjalëve të bukura në realitet. Dhe këtë jo për ne, por për popullin shqiptar. Të gjithëve u kanë ardhur në majë të hundës me rastet e korrupsionit. Ne mendojmë që Edi Rama ka qëndruar aq gjatë në opozitë, sa të ketë përftuar eksperiencën dhe të ketë zhvilluar kapacitetin e duhur për të arritur atë për të cilën flet tani”. Ndërkohë lidhur me pyetjen e tij drejtuar Kryeministrit Rama se si ai do të luftonte korrupsionin brenda partisë që drejton, eurodeputeti tha se nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë. “Ai në fakt s’ju përgjigj pyetjes. Nuk më vjen keq. Por desha ta dëgjoja anonçimin që ai do të bëjë diçka. Pyetja ime ishte shumë konkrete, sepse sa herë që kam qenë në Shqipëri, ai tentonte të më bindte se nuk i ndryshonte dot përfaqësuesit e tij në njësitë zgjedhore me frikë se ata mos korruptoheshin shpejt. Pyetja ime s’kërkon një përgjigje të sofistikuar. Kjo kërkon besueshmëri. Nevojitet t’u thuash bashkëpunëtorëve të tu të afërt se ky është një kapitull i mbyllur. Se kjo është Shqipëria e re dhe se partia e tij është një partie e re. Dhe nuk mund të ketë vend për persona të tillë në struktura shtetërore apo institucione shtetërore”, – u shpreh Kacin. Sa i përket mundësisë së marrjes së statusit të vendit kandidat dhe rëndësisë së bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, eurodeputeti pohoi se është e domosdoshme që në Parlamentin Evropian të korret një shumicë e fortë e cila do ti thotë po Shqipërisë. “Nuk bëhet fjalë për anëtarësimin e një partie në Bashkimin Evropian, por për Shqipërisë. Forcat politike duhet të bashkëpunojnë midis tyre dhe të gjejnë një emërues të përbashkët për reformat dhe integrimin evropian. Është një sfidë për klasën politik. Pa dialog, nuk ka të ardhme as për vendin dhe as anëtarësim në BE”, – u shpreh eurodeputeti Jelko Kacin.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency