Integrimi i Shqipërisë në BE / Basha: Opozita, bashkëpunuese dhe promotore

0
166

Ina Jano

Uroj që nga Brukseli të kthehet me mend në kokë dhe këmbë në tokë e të heqë dorë nga konfliktualiteti dhe fryma përçarëse e urrejtjes ndaj opozitës

 

basha pdKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka garantuar ditën e djeshme të gjithë partnerët dhe institucionet evropiane se selia blu do të jetë promotore e çështjes së integrimit dhe do të bashkëpunojë me mazhorancën në këtë drejtim. Në një konferencë për shtyp, kreu i demokratëve ka bërë edhe një herë tjetër publik vendimin e PD-së se do të votojnë në Parlament çdo ligj që lidhet me çështje të tilla që i shërbejnë vetëm pozitivisht vendit. “Dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt që shkon në përmbushje të kritereve të integrimit”, – pohoi zoti Basha.

Për mazhorancën

Zoti Basha u shpreh se Kryeministri Rama shkoi në Bruksel për të marrë porosi të qarta për sjelljen e tij në vijimësi. Ai tha se ndërkombëtarët i deklaruan kryesocialistit qartazi që të bashkëpunojë me opozitën. “Edi Rama mori në Bruksel mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij. Në emër të Partisë Demokratike falënderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Evropian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave evropiane të popullit shqiptar”, – u shpreh shefi i selisë blu. Kreu i demokratëve nuk kurseu as këshillat për sjelljen e Ramës në çështje që lidhen me diplomacinë. “Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai të reflektojë pa humbur kohë për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në marrëdhëniet me fqinjët politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe në trevat e tjera. Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e saj nga salla. Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova. Në harkun e njëzet e katër orëve, provokoi braktisje nga dy sallat e parlamenteve kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër. Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, ai e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij pa precedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende”, – u shpreh zoti lideri i demokratëve.

Fotoja e Presidentit

Kryetari i demokratëve nuk la pa përmendur edhe vendimin e qeverisë “Rama” për të hequr nga zyrat dhe nga ceremoniali zyrtar foton e Presidentit të Republikës dhe për ta zëvendësuar atë me Ismail Qemalin. “Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe në shenjë urrejtjeje politike ndaj Partisë Demokratike si forcë politike që kandidoi Presidentin e Republikës. Kjo nuk është rruga për të shkuar në Evropë. Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar. Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës së vendit”, – përfundoi shefi i demokratëve.

 

Facebook

Berisha: Brukseli, kushte dhe mosbesim ndaj Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Bruksel. Sipas Berishës, kjo vizitë e Ramës nuk ka sjellë asgjë pozitive, “përkundrazi kushte dhe mosbesim ndaj qeverisë”. Në një postim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan: “Nga Brukseli kushte dhe mosbesim për Edvinin, mjerisht dhe për integrimin… Kështu pas kërcënimeve dhe revanshit të Ramës ndaj Presidentit, opozitës, institucioneve kushtetuese, administratës, Parlamentit, vendimit të tij antikushtetues për të hequr foton e Presidentit të Republikës nga zyrat e shtetit, Presidenti Van Rompuy dhe Presidenti Barroso u shprehen se përcaktuese për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë do jenë qëndrimet e qeverise ndaj: 1- opozitës, 2- të drejtave të njeriut, 3- administratës publike, 4- parlamentit, 5- luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se “javët e ardhshme do të jenë kritike, vendet anëtare po vëzhgojnë me kujdes”. Më tej Berisha shkruan: “Kryetari i Parlamentit Schultz tha se statusi mund të merret para zgjedhjeve evropiane, d.m.th. nga pranvera. Kurse ne Komisionin e Jashtëm Jelko Kacin pyeti z. Rama se si do ta luftojë ai korrupsionin në Partinë Socialiste. Me fjale te tjera PS parti e korruptuar. Sipas ish-kryeministrit Berisha, “udhëheqja e Brukselit ka ndjenja miqësore për Shqipërinë por e dinë se Rama është politikani i vetëm në Evropë që 8 vite me radhë bëri gjithçka për të penguar integrimin e vendit të tij në BE. Rama dhe integrimi nuk pajtohen”.

 

 

Deklarata

Shehi: Rama të realizojë ato që premtoi

Deputeti i LZHK-së, Dashamir Shehi, i ka bërë dje thirrje Edi Ramës që të plotësojë dhe të përmbushë të gjitha ato që ka premtuar. Zoti Shehi u shpreh se është mosbesues në këtë pikë, por nga ana tjetër shtoi se nëse ato do të plotësoheshin dhe do të mbaheshin, atëherë kjo do të ishte pozitive nga ana e tij dhe do të merrte edhe në Parlament edhe votat e opozitës së djathtë. Kreu i LZHK-së, duke u ndalur në çështjen e integrimit pohoi se nëse ai kryesocialisti do të punojë për të, edhe kjo do të ishte një çështje pozitive, megjithatë në këtë drejtim ai sqaroi se do të mbetet në formacionin e djathtë dhe do të mbështesë gjithnjë politikat e djathta. Duke u ndalur në çështje të tjera si ajo e territorit dhe ajo e pronave, Shehi nënvizoi se kjo përbënte edhe thelbin e fjalës së tij në Kuvend në ditën që u diskutua programi i socialistëve. Ai shfaqi rezervat e tij, sidomos në këto dy çështje duke ngritur shqetësimin se është e nevojshme hartimi i një ligji të ri për çështjen e pronave dhe duhet bërë një analizë e situatës se deri ku ka ngecur puna. Ndërsa në lidhje me çështjen e administrimit të territorit ai sqaroi se është kundër Ramës, pasi koha që do të bëhet kjo ndarje është viti 2015 dhe sipas tij kjo nuk mund të ndodhë për shkak se në atë vit ka zgjedhje vendore. “Ka nevojë për zgjerim kompetencash dhe për një ligj të ri çështja e pronave. Për të parë se ku ngeci kjo punë, tek toka, tek strukturat apo tek fondet. E njëjta gjë edhe për çështjen e ndarjes administrative. Kjo qeveri e ka bërë në 2015 dhe ato duhet të ndahen që më parë dhe të riorganizohet pushteti, sepse kryekomunarët duhet t’ia nisin nga puna”, – u shpreh kreu i LZHK-së. Në lidhje me kërcënimin e bërë nga Edi Rama në Parlament për opozitën, Shehi u shpreh që të jetë vërtet ashtu siç e tha Meta, të jetë një shaka e bërë nga socialistët sepse në të kundërt do të ishte diçka tepër e rëndë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency