Qëndrimi KE dhe BE / Statusi, i mundshëm në dhjetor. Rama: Do sjellim frymë konstruktive në Parlament

0
155

Gëzim Saliu

Van Rompuy: Progresi varet nga reformat. Barroso: E ardhmja e Shqipërisë është në BE

 

Edi-Rama-Stefan-FuleBrukseli zyrtar shpreh mbështetjen për Shqipërinë në kuadër të marrjes së statusit së vendit kandidat në Bashkimin Evropian në dhjetor të këtij viti, duke kërkuar konsolidimin e progresit në reformat kyçe. Presidenti i BE-së Herman Van Rompuy dhe ai i Komisionit Evropian Manuel Barroso deklaruan dje në takimet e zhvilluara me Kryeministrin e vendit Edi Rama se dialogu dhe konsensusi duhet të jenë prioritet e qeverisë së re. Nga ana e tij, kreu i ekzekutiv it e garantoi presidentin e BE-së dhe atë të KE-së për bashkëpunim me opozitën dhe frymën konstruktive në parlament.

Presidenti i BE-së

Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama, Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Duke theksuar se statusi për Shqipërinë është gjithnjë e më afër, ai inkurajoi qeverinë e re që të konsolidojë arritjet e vendit. “Ne kemi parë me vëmendje reformat kyçe për 12 muajt e kaluar, është e rëndësishme për Shqipërinë që të konsolidojë këtë progres. Qeveria duhet të vazhdojë të ndërtojë këto arritje dhe të sigurojë një dialog gjithëpërfshirës me opozitën. Progresi varet tërësisht mbi arritjet e këtyre reformave. Konfirmoj mbështetjen time për përpjekjet e qeverise shqiptare në rrugën e integrimit. Statusi kandidat po vjen gjithnjë e me afër. Nuk ka dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE dhe ju inkurajoj të vazhdoni në këtë drejtim”, – deklaroi Van Rompuy. Ndër të tjera, Presidenti i BE-së vlerësoi vendosmërinë e qeverisë “Rama” për thellimin e bashkëpunimit me vendet fqinje. Nga ana e tij, Kryeministri theksoi se qeveria e re shqiptare do të punojë për një Shqipëri Evropiane së bashku me opozitën e djathtë.

Presidenti i KE-së

Duke shprehur vlerësime për vlerësime për punën e bërë deri tani nga ana shqiptare, Presidenti i Komisionit Evropian Manuel Barroso theksoi se Brukseli pret nga politika shqiptare bashkëpunim, dialog dhe konsensus. Në takimin e zhvilluar me Ramën, Barroso vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri dhe kërkoi zbatimin e detyrave të mëtejshme që e presin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. “Një realitet konstruktiv do të ndikojë në suksesin e Shqipërisë dhe BE do jetë një mbështetje e madhe për shqiptarët në këtë rrugë të gjatë. Natyrisht që ka këndvështrime të ndryshme, por në disa prioritete të vendit duhet të ketë dialog ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë e opozitës. E inkurajoj qeverinë e re dhe opozitën e re. Ka dhe një moment të lidhur me vendosjen e shtetit të së drejtës; nuk ka kohë për të humbur, reformat duhen shpejtuar, jo për t’i bërë nder KE-së, por shqiptarëve, duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Reforma të rëndësishme janë edhe ato që duhen bërë në ekonomi; investimet po ashtu dhe së fundi BE-ja mendon që kjo është mundësi historike e artë për Shqipërinë, që duhet ta kapë. Në përgjithësi Shqipëria mund të marrë statusin në muajin dhjetor. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Unë do t’i drejtohem edhe Komitetit Evropian që të punojë për integrimin e Shqipërisë. Ju mund të mbështeteni tek partnerët për integrimin”, – theksoi Barroso.

 

Pyetjet e gazetarëve

Rama: Do të arrijmë një nivel të ri, shpresojmë të marrim lajme të mira

Kryeministri i vendit Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve shqiptarë në lidhje me mundësinë e përmbushjes së 12 kritereve, të cilat do ti hapnin dritën jeshile Shqipërisë drejt BE-së, vlerësoi se statusi kandidat është i mundur dhe qeveria do të bëjë më të mirën edhe me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës shqiptare. “Procesi i integrimit nuk po fillon tani, por ka një kohë të gjatë që ka filluar, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe objektivat tona janë të arritshme, dhe kemi besim se do arrijmë objektivat tona. Ne besojmë se duhet të punojmë fort për të arritur qëllimin tonë. Do të negociojmë dhe jemi të bindur se vendi jonë do të arrijë një nivel të ri. Ne do të bëjmë më të mirën me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë të dëgjojmë lajmet të mira”, – u shpreh Rama.

 

 

Takimi me komisionerin për Zgjerimin

Fule, Ramës: Bashkëpunimi me opozitën, thelbësor për integrimin

Komisioneri: Shtet i së drejtës dhe luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar

Bashkëpunimi me opozitën dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë kriteret kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë brenda këtyre muajve për të bërë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh dje komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle në takimin e zhvilluar në Bruksel me Kryeministrin e vendit Edi Rama, duke theksuar se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është brenda mundësive të saj. “Bashkëpunimi konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës do të jetë thelbësore për të trajtuar sfidat në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Është gjithashtu e rëndësishme për të biseduar me të gjitha palët e interesuara, brenda vendit, në rajon dhe vendet anëtare”, – tha ai. Komisioneri inkurajoi gjithashtu veprimet e nevojshme për të adresuar prioritetet kyçe të mbetura të vitit 2010. “Shqipëria do të duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, – deklaroi Fyle, duke shtuar se Komisioni Evropian është duke finalizuar raportin e progresit, vlerësimin për progresin e arritur në vend gjatë 12 muajve të fundit, që do të publikohet muajin që vjen.

Zëdhënësi

Zëdhënësi i komisionerit për Zgjerimin në KE, Peter Stano, bëri të ditur dje disa nga detajet e takimit mes Stefan Fyles dhe Kryeministrit Edi Rama, ku nënvizoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak u përcaktua si kusht themelor për integrimin e Shqipërisë. “Fjala kyçe për Shqipërinë është që të avancojë përpara në rrugën e integrimit evropian. Siç e tha dhe Presidenti Barroso, çdo qeveri në Shqipëri duhet të bëjë gjithçka për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit. Për të arritur këtë, nevojitet dialog konstruktiv ndërpartiak. Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të ketë këtë dialog së pari me opozitën por edhe me shoqërinë civile, si dhe me aktorë të tjerë rajonalë, apo shtetet anëtare. Kjo ishte një pikë kyçe në diskutimin midis komisionerit dhe Kryeministrit. Ata janë ndalur gjithashtu te masat që Shqipëria duhet të ndërmarrë. Sfidat më të rëndësishme janë ato kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe plotësimi tërësor i 12 prioriteteve. Këto kanë qenë temat e diskutimit që ka qenë i detajuar për masat që duhen të ndërmerren”, – u shpreh Stano.

Rama takon Rassmusenin: Do të përmbushim të gjitha detyrimet e NATO-së

Kryeministri i vendit Edi Rama shpreh angazhim se qeveria e tij do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet e anëtarësimit të saj në NATO. Në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kreu i ekzekutivit theksoi se Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur të Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Nder i madh që kam ardhur në këtë vend. Shqipëria do të vijë të jetë pjesëtare e kësaj organizate. Na është dashur një kohë e gjatë për tu bërë pjesë në NATO. Kemi marrë të gjitha përgjegjësitë për të kryer këtë detyrë, ne do të bëjmë më të mirën për të mbajtur lart reputacionin e kësaj organizate”, – u shpreh Rama. Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi rëndësinë e ecjes përpara. “Është koha të shihni në të ardhmen dhe jo në të shkuarën”, – pohoi Rasmussen.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency