Atentati në ish-Bllok ndaj Fushës për borxhin 250 mijë lekë të vjetra

0
133

Paraqitja për njohje mes dy dëshmitarëve dhe autorit të krimit. Pranga nënoficerit të ushtrisë

 

majlinda-hoxhaTetë ditë pas sulmit me armë zjarri ku mbeti e vdekur Majlinda Hoxha dhe u plagos Elton Fusha, policia ka arrestuar të dyshuarin kryesor për këtë krim. Ngjarja ka ndodhur në 9 shtator në një lokal bastesh sportive në zonën e ish-Bllokut dhe objekt i sulmit ku mbeti e vrarë ekonomistja e lokalit, ishte pronari Elton Fusha. Autori i këtij krimi të rëndë është nënoficeri i shkollës së bashkuar, Ndriçim Balla. Ky i fundit u arrestua nga skuadra e operacioneve speciale e policisë së Tiranës me akuzën e vrasjes së Hoxhës dhe plagosjes së Fushës. Burimet thanë se shkak për ngjarjen ishte një shumë prej 25 mijë lekëve të reja, të cilat Fusha nuk ia kishte dhënë vëllait të Ballës, i cili kishte kryer një punë ndërtimi në lokalin ku mbeti e vrarë Majlinda Hoxha dhe u plagos lehtë Elton Fusha.

Dosja e prokurorisë

Në datën 9.9.2013 rreth orës 21:30 në vendin e quajtur rruga “Vaso Pasha” dhe pikërisht në ambientet e lokal “Xhoi Lloto” është vrarë me armë zjarri shtetasja Majlinda Hoxha si dhe është plagosur shtetasi Elton Fusha. Në lidhje me këtë ngjarje janë kryer një sërë veprimesh procedurale si këqyrje e vendit të ngjarjes, këqyrje e kufomës së shtetases Majlinda Hoxha, sekuestrim i pesë gëzhojave provë materiale i dhe janë marrë deklarime nga dëshmitarë okularë në vendngjarje. Nga hetimet e zhvilluara rezulton se viktima Majlinda Hoxha së bashku me bashkëshortin e saj shtetasin Fatos Hoxha kanë shkuar tek lokali “Xhoi Lloto” që i përket shtetasit të dëmtuar Elton Fusha. Aty rreth orës 21:30 teksa qëndronin në një tavolinë një person i pamaskuar është afruar tek pragu i derës së lokalit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tavolinës ku qëndronin këto shtetas, ku si rezultat ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasja Majlinda Hoxha, si dhe është plagosur shtetasi Elton Fusha. Ndërsa shtetasi Fatos Hoxha nuk ka marrë dëmtime. Nga deklarimet e marra shtetasve Elton Fusha (i dëmtuar) dhe Fatos Hoxha (bashkëshorti i viktimës) shpjegohet ngjarja dhe mekanizmi i saj si dhe përshkruajnë në mënyrë të hollësishme autorin e ngjarjes duke dhënë karakteristikat e tij.

Konflikti

Nga provat e grumbulluara provohet se i dëmtuari Elton Fusha ka pasur një konflikt me shtetasin A. Balla,pasi ky i fundit i kërkonte ti paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Por kjo shumë nuk pranohej nga i dëmtuari e si rezultat disa ditë para ngjarjes tek lokali i tij ka shkuar shtetasi A, Balla i shoqëruar me një shtetas tjetër, që siç ka rezultuar është autori i ngjarjes, vëllai i tij shtetasi Ndriçim Balla dhe i janë drejtuar shtetasit Elton që nuk të vijmë më për këtë punë ,prandaj na jep lekët, por përsëri shtetasi Elton nuk u është përgjigjur. Në datë 16.9.2013 është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë shtetasi Ndriçim Balla i cili ka dhënë deklarime rreth ngjarjes duke pranuar faktin që shtetasi Elton Fusha i kishte para borxh vëllait të tij por duke mohuar autorësinë e ngjarjes. Në datë 17.9.2013 është proceduar me paraqitjen për njohje, veprim i cili është kryer nga prokurori i çështjes, të të dyshuarit Ndriçim Balla, ku gjatë zhvillimit të njohjes të dy dëshmitarët okularë, shtetasi Fatos Hoxha dhe i dëmtuari Elton Fusha kanë njohur shtetasit Ndriçim Balla si autorin e ngjarjes së datës 9.9.2013. Për këto arsye është lëshuar urdhri i ndalimit për shtetasin Ndricim Balla si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 79/ë dhe 278/2 K. Penal.

 

Situata tepër e vështirë në port

Moti i keq, probleme në Durrës Tiranë, rrugët kthehen në lumenj

Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe breshër ka përfshirë pasditen e djeshme territorin e vendit. Sipas informacioneve të fundit, nga reshjet janë verifikuar përmbytje në qytetin bregdetar të Durrësit, Tiranës dhe qytete të tjera ku situata më problematike është regjistruar në hyrje të qytetit bregdetar, në zonën e Plazhit dhe në Shkozet. Ndërkaq si pasojë e reshjeve të mëdha në “Kodër Vilë” ka pasur dhe rrëshqitje dherash. Ndërkohë, nga moti i keq janë krijuar radhë të gjata automjetesh në rrugët e qytetit bregdetar, ndërsa mësohet se janë pezulluar edhe lundrimet në det për shkak të erërave dhe dallgëve të forta. Jo më pak problematike ka qenë situata edhe në kryeqytet,ku kanë mjaftuar vetëm disa minuta reshje të dendura për të shkaktuar anomali dhe kaos në qarkullimin e mjeteve në rrugët e Tiranës. Ndërkaq “CEZ Shpërndarje” ka njoftuar se disa zona në Tiranë kanë kufizim të energjisë elektrike, për shkak të një defekti si pasojë e motit të keq, përkatësisht në zonat Valias, Kodra e Priftit dhe zona e Institutit të Shëndetit Publik. “CEZ Shpërndarje” njofton se po punohet për rregullimin e këtij defekti.

 

Ngjarja në Tiranë

Sherr mes adoleshentëve, plagosen dy prej tyre

Një grindje mes adoleshentësh për pak sa nuk i ka marrë jetën një të riu në kryeqytet. Ngjarja u regjistrua në orët e mbrëmjes, në hyrje të një pallati, pranë shkollës “Ismail Qemali”, ku një debat i çastit mes disa adoleshentëve ka degjeneruar në sherr me grushte e mjete të mprehta dhe për pasojë ka mbetur i plagosur një adoleshent, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes , ndërkohë që forca të policisë së komisariatit nr. 1 kanë shoqëruar në komisariat dy autorët e sherrit.

 

Arrestimi

Vodhi atasheun ushtarak kapet në Lushnjë autori

Policia e Tiranës ka arrestuar dje dy persona në dy aksione të ndryshme të akuzuar për vjedhje. Mësohet se në një prej aksioneve u ndalua 41-vjeçari Arben Tirana, i cili para tre muajsh në Lushnjë grabiti atasheun ushtarak amerikan. Po ashtu dje u ndalua edhe një tjetër person i shpallur në kërkim. Ai është K. Shamkut, i cili u ndalua nga njësia “Shqiponja”, sepse akuzohet për grabitje me dhunë të ndodhur dy muaj më parë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency