Sot vendimi, Prokuroria kërkon 23 vjet burg për Prendin, 25 vjet për Llupon

0
155

Sonja Caka

Zgjidhet trupi gjykues, kryesues Agim Bendo, relator Ervin Metalla dhe anëtare Evgjeni Sinoimeri. Të pandehurit nuk u paraqitën në gjykim, mbrojtja rikonfirmon pafajësinë

 

ndrea-prendi-ne-gjyq-per-21-janarin-me-gri-465Sot në Apel pritet të shpallet vendimi për të pandehurit e 21 Janarit, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e tre demonstruesve. Dje startoi procesi pas dështimit në muajin korrik, i cili u pasua nga tri dorëheqje dhe rihedhjes në short të dosjes e caktimit të tri gjyqtarëve të tjerë. Pas zgjedhjes së trupit gjykues, me kryesues gjyqtarin Agim Bendo, realtor Ervin Metallën dhe anëtare Evgjeni Sinoimeri, Prokuroria ka vijuar për gati 2 orë me leximin e dinamikës së ngjarjes dhe paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare nga prokurorët e çështjes, Shkëlqim Hajdari e Altin Dumani, duke kërkuar lënien në fuqi të masave të dënimit të kërkuara në Shkallën e Parë. Njëri nga prokurorët e çështjes, Shkëlqim Hajdari deklaroi se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për 21 janarit nuk ishte i drejtë, pasi sipas tij, demonstruesit nuk ishin të armatosur dhe Garda ka qëlluar drejt tyre, në organet jetësore çka është vërtetuar nga ekspertiza mjeko-ligjore. Prokuroria në konkluzionet e dhëna kërkoi dënimin me 23 vjet burg të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo. Ndërkohë që kërkesën për dënim e kanë dëgjuar vetëm avokatët e të pandehurve, pasi këta të fundit nuk kanë qenë të pranishëm. Të pranishëm nuk kanë qenë as familjarët e katër viktimave të 21 Janarit, ndërsa gjyqi sërish është ndjekur nga përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit dhe Ambasada Amerikane.

Pretenca

Në një seancë me dyer të mbyllura, dy prokurorët e çështjes kanë lexuar dje për gati 2 orë konkluzionet përfundimtare për ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit, me pasojë vrasjen e 4 prej protestuesve dhe plagosjen e 7 të tjerëve. Prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani kërkuan nga gjykata të lihen në fuqi dënimet e kërkuara nga kolegët e tyre në Shkallën e Parë, ku dy të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të shpallen fajtorë dhe të dënohen me 23 dhe 25 vjet burg, si fajtorë për 3 nga katër vrasjet e ndodhura. Në përfundim të fjalës së prokurorëve, në orën 12:00, kryetari i trupës gjykuese Ervin Metalla ka kërkuar 30 minuta pushim pasi së bashku me dy gjykatësit e tjerë ka vendosur t’u drejtojë prokurorëve 12 pyetje sqaruese si psh: A kanë qëlluar në protestë vetëm këta dy gardistë apo dhe të tjerë? Pse nuk është përcaktuar tentativë për vrasje për shtatë protestuesit e tjerë por është konsideruar plagosje e lehtë etj. Po ashtu, në fund të përgjigjeve, nga gjyqtarët do vendoset edhe për leximin e relacionit të paraqitur nga avokatët mbrojtës. Në fund të seancës së djeshme, avokati Genc Gjokutaj rikonfimroi edhe njëherë pafajësinë e të pandehurve të 21 Janarit.

Dështimi

Ky proces i bujshëm nisi me dështim në Gjykatën e Apelit. Ka nisur dhe ka përfunduar me dorëheqje, duke çuar në shtyrjen e seancës për më 25 korrik, ku pritej që dy gjyqtarët të zëvendësoheshin. Por, pas këtyre largimeve të Papajanit dhe Qatos, dha dorëheqjen edhe relatori Astrit Haxhialushi, duke e kthyer për rihedhje në short këtë dosje. Seanca e parë nisi me kërkesën e dorëheqjes së gjyqtarit Agron Papajani, i cili deklaroi se ka caktuar masën e sigurisë për të gardistin Ndrea Prendi. Më pas, ka reaguar avokati Genci Gjokutaj, i cili ka kërkuar që dorëheqjen ta japë jo vetëm Papajani, por edhe anëtari tjetër i trupës gjyqësore, Fatos Qato, me argumentin se gruaja e këtij të fundit, Merita Qato ka qenë një nga organizatoret e demonstratës së 21 Janarit. Interes për ecurinë e procesit shfaqën gjatë seancave të muajit korrik edhe një përfaqësues i ambasadës së SHBA-së dhe dy komisionerë të Avokatit të Popullit.

Ankimimi

Prokuroria apeloi vendimin e 3 pafajësive të dhëna për 21 Janarin nga trupa gjyqësore e Shkallës së Parë. Në vendimin e saj, gjykata argumentoi në 13 shkurt të këtij viti se akuza e “vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron, për shkak se nga ana e të pandehurve nuk ka pasur dashje për të vrarë demonstruesit. Prokuroria apeloi vendimin pak ditë pas zbardhjes së tij, duke i qëndruar akuzave se Prendi dhe Llupo janë autorët e vrasjes së tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet ende e pazbardhur edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit. Prokuroria lëshon akuza të forta ndaj trupës gjyqësore, duke deklaruar se “Gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e “argumente” të paraqitura në vendim”. Më tej, në 10 faqe ankim, Prokuroria argumenton pse kundërshton dy pafajësitë, provat ku mbështet akuzën ndaj të pandehurve, kundërshtitë për analogjinë me vendimin Strasburgut, si dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga ana e ekspertit Ndoc Çardaku.

 

 

Ministri Naço takon LLallën

Diskutohen ndryshime në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Kodin Penal

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço e ka nisur punën në institucionin e tij duke zhvilluar me krerët e drejtësisë, që nga kryetari e nënkryetari i KLD-së, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Gjykatës së Lartë dhe deri te Prokurori i Përgjithshëm. Paraditen e djeshme, ministri Naço pati një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi i luftës kundër korrupsionit, ndryshimet në legjislacion dhe përmirësimi i punës së institucioneve të drejtësisë në vend. Kryeprokurori  Llalla dhe Ministri Naço ndanë mendime për sa i përket nevojës për ndryshime ligjore, konkretisht në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal, për të cilat Kryeprokurori dha mbështetjen e tij të plotë. Ministri u shpreh se  një bashkëpunim i frytshëm ndërinstitucional do të sillte edhe më shpejt rezultate në fushën e drejtësisë. “Ndryshimet ligjore janë të nevojshme për të mundësuar hetimin e rasteve të korrupsionit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, theksoi ministri. Ndërkohë që më herët, ministri pati një takim edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja, Shefin e Kabinetit, z. Aleksandër Toma dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Kujtim Osmani. Në fokus të takimit ishte puna për reformën e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën të dy palët dhanë miratimin e tyre. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese kërkoi një mbështetje më të madhe buxhetore, me qëllim funksionimin sa më të mirë të këtij institucioni. Një nga pikat e diskutimit ishte edhe reformimi i sistemit të drejtësisë, për të cilën Ministri u shpreh se reforma legjislative do të jetë gjithëpërfshirëse. Ai theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve të Drejtësisë për këtë qëllim do të jetë i ngushtë. Ndërkohë që, në ditën e parë të punës, ministri pati dy takime, njërin me kreun e KLD-së, z,Bujar Nishani, takim që u zhvillua në ambjentet e Presidencës dhe pa praninë e mediave dhe tjetrin me nënkryetarin e KLD-së, Elvis Cefa dhe kreun e Inspektoriatit Marsida Xhaferrllari. Gjatë takimit me presidentin Nishani u diskutua mbi bashkëpunimin institucional dhe rëndësinë e reformave në fushën e drejtësisë. Ministri dhe Presidenti, në këtë takim, diskutuan konkretisht rreth problemeve që ka sot sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe marrjen e masave për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ndërsa takimi me Cefën dhe Xhaferrllarin u bazua në diskutimet rreth sistemit gjyqësor dhe çështjeve më të mprehta të tij, që kanë nevojë për ndërhyrje. Konkretisht, u trajtua çështja e koordinimit të projekteve të përbashkëta në sistemin e drejtësisë, me fokus sidomos në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe konsultimi mbi koordinimin e inspektoriateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për kontrollin e gjyqtarëve dhe kryerjen e reformave të mëtejshme. Ditën e djeshme, ministri Naço e ka mbyllur me një takim të zhvilluar në ambjentet e Gjykatës së Lartë, me z.Xhezair Zaganjori ku u diskutua mbi forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Ministri i Drejtësisë Z. Naço, u interesua në lidhje me numrin e çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe ndër të tjera shprehu mendimin se është e nevojshme rritja e numrit të Vendimeve Unifikuese nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të sistemit të përzgjedhjes së çështjeve që kalojnë për gjykim në këtë gjykatën. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur pushtetin gjyqësor dhe forcuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency