Refuzoi t’i jepte lekët grabitësit plagoset në kazino drejtori i CEZ-it

0
152

Viktor Skeja, ndryshe Armand Gjeta, është qëlluar në këmbë. Autori u largua me një motor

 

timthumbDrejtori i “CEZ Shpërndarjes” në Laç, Viktor Skeja, plagoset në këmbë me armë zjarri në momentin kur ishte duke luajtur në një kazino që ndodhet buzë rrugës “Bardhyl”. Ka qenë pasditja e djeshme, kur Viktor Skeja, ndryshe Armand Gjeta, ishte duke luajtur në kompjuterat e fatit në një kazino, kur papritur një person që mbante një kasketë në kokë ka hyrë brenda kazinosë dhe menjëherë ka nxjerrë armën, duke kërcënuar me jetë klientët që ndodheshin brenda. Personi ende i paidentifikuar nga policia e Tiranës, nën kërcënimin e armëve, ka mundur t’i marrë dy personave, klientë të kazinosë, paratë që kishin me vete dhe sendet me vlerë. Më pas ai është drejtuar tek një klient tjetër që ishte duke luajtur në kazino, i cili quhet Viktor Skeja, allias Armand Gjeta. Megjithëse ditë pune, Skeja kishte lënë detyrën e drejtorit të CEZ në Laç dhe kishte mbërritur në Tiranë, ku dhe ka hyrë në një nga pikat e lojërave të fatit, duke luajtur në kazino. Mirëpo pikërisht gjatë kësaj personi i armatosur dhe që në kokë mbante kasketë, i është afruar duke i drejtuar armën dhe kërkuar paratë që kishte me vete. Në këtë moment, Skeja ka reaguar dhe brenda në kazino ka pasur një përplasje fizike, dhe as janë dëgjuar të shtëna armësh. Skeja është qëlluar me dy plumba në këmbë dhe momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Largimi me motor

Autori, pasi ka qëlluar me pistoletë në drejtim të drejtorit të CEZ-it në Laç, ka dalë menjëherë nga ambientet e kazinosë, pa u ndaluar nga asnjë prej rojeve të sigurisë. Me shumë qetësi, sikur të mos kishte ndodhur asnjë gjë, autori është parë nga dëshmitarët në rrugë të hipë në një motor që e priste jo përballë kazinosë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Dëshmitarët i thanë policisë së Tiranës se në grabitje kanë marrë pjesë dy persona, ndërkohë që vetëm një njeri ka hyrë brenda në kazino, ndërsa tjetri ka pritur jashtë saj. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi vetëm gëzhojat dhe administroi në dosje pamjet filmike të kazinosë, ku dallohet qartë se autori ka hyrë me kasketë në kokë dhe me trup mesatar. Ndërkohë që dyshimet e para lidhen me faktin se autori i kësaj grabitje, mund të ketë pasur dijeni për prezencën e personave dhe gjendjen e lekëve që ata kishin me vete.

Hetimet

Shumë shpejt, policia ka marrë masa duke bllokuar dhe verifikuar dhjetëra motorë në segmentin e rrugës “Bardhyl” që lidhet me zonën e Bërrylit dhe zonën e Medresesë. Mirëpo edhe pas kësaj, nuk është arritur të bëhet asnjë gjë për kapjen e autorëve të krimit. Momentalisht është duke u punuar më tepër me pamjet filmike për të mësuar rreth karakteristikave të autorit. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera për të plagosurin është mësuar se disa vite më parë, drejtori i CEZ në Laç ka ndryshuar emrin e tij nga Armand Gjeta në Viktor Skeja. Nëpërmjet ndryshimit të këtij emri, Skeja mendohet se ka përfituar dhe një pronë, për të cilën ka hyrë në konflikt gjyqësor për disa vite me radhë me shtetasin Dodë Gjoka nga Laçi.

 

Tritol makinës së shefit të krimeve në komisariatin nr. 1

Artur Hyka ishte në gjumë. Lënda plasëse, rreth 100 gramë. Shpërthimi, për shkak të detyrës

Rreth 100 gramë tritol është vendosur në automjetin e shefit të krimeve, pranë komisariatit nr. 1 në Tiranë, Artur Hyka. Lënda shpërthyese është vendosur poshtë makinës, në momentin kur automjeti ka qenë i parkuar. Ka qenë ora 04:00 e mëngjesit të djeshëm kur në afërsi të zonës së njohur si Ura e Gjerosës është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, që ka tronditur banorët e zonës. Nga shpërthimi nuk ka pasur asnjë të lënduar, pasi në makinë nuk ndodhej askush. Ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie si dhe vetë, shefi i krimeve të komisariatit nr. 1 në Tiranë, Artur Hyka. Vendosja e eksplozivit sipas burimeve të policisë lidhet vetëm me detyrën e Hykës, dhe nisur nga kjo situatë, efektivi i policisë është marrë në pyetje, lidhet me kërcënimet kohët e fundit që i janë bërë nga eksponentë të ndryshëm të krimit.

Mekanizmi

Persona ende të paidentifikuar kanë shfrytëzuar orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe mungesën e njerëzve në rrugë, për të vendosur një sasi rreth 100 gramë tritol poshtë makinës së shefit të krimeve të komisariatit nr. 1. Autorët, sipas policisë kanë përdorur një mekanizëm të thjeshtë, ku lënda shpërthyese është lidhur me një fitil rreth 1 metër të gjatë dhe më pas, asaj i është vënë zjarri. Nga ana tjetër, autorët janë larguar me shpejtësi, pa u vënë re nga askush. Ndërsa personat që inskenuan ngjarjen largoheshin, në vendin e krimit është dëgjuar shpërthimi i fuqishëm duke i sjellë pasoja të rënda automjetit. Rreth zonës janë dëmtuar lehtësisht dhe disa automjete të tjera.

Hetimet

Lidhur me këtë ngjarje, është marrë në pyetje Artur Hyka. Përpara specialistëve të antiterrorit, Hyka ka deklaruar se dyshimet e vetme që lidhte ngjarjen, janë konfliktet me detyrën e tij dhe me askënd tjetër. Hyka është shprehur se në familje dhe në jetën private nuk ka konflikte, ndërsa në punën e tij si shef krimesh është përballur në disa raste me persona të ndryshëm. Hyka ka dhënë dhe emra konkrete, por e vështirë është të gjenden prova për të ngritur akuzën ndaj tyre.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency