Magneti në bombolën e gazit polici e raporton si detonator

0
169

Alarm në një pallat tek “Irfan Tomini”. Bombola u gjet tek shtëpia e policit të objekteve

Konflikti në stadium, futbollisti qëllon me sende të forta efektivin e policisë së Tiranës

 

bombel-gaziNjë telefonatë në polici ka bërë të alarmohet policia për praninë e një bombole gazi, e lidhur me detonator dinamiti, në banesën e një polici në orët e pasdites së djeshme në rrugën “Irfan Tomini” tek lagjja Tirana e Re në kryeqytet. Llesh Vukaj, efektiv policie pranë komisariatit nr. 2, pretendon se persona të paidentifikuar i kanë vendosur një bombë detonator me unazë poshtë bombolës së gazit. Pa humbur kohë ai ka njoftuar policinë, duke thënë se jeta e tij dhe e familjes ndodhej në rrezik, pasi bombola e gazit rrezikonte të shpërthente prej detonatorit të vendosur poshtë saj, sipas Vukajt, nga persona të paidentifikuar. Menjëherë pas njoftimit, në banesën e efektivit të policisë, që ndodhet në rrugën “Irfan Tomini”, Tiranë, kanë zbarkuar me dhjetëra policë, ekspertë xhenierë, prokurorë e të tjerë. Fillimisht është bërë evakuimi i banorëve nga pallati, e më pas inspektimi i banesës së policit dhe pallatit përreth.

Magneti në bombol

Burimet bëjnë me dije se ekspertët kanë sekuestruar bombolën e gazit, 5-kilëshe, për ta dërguar në laborator. Nga këqyrja e saj, u vu re që “detonatori” i vendosur poshtë bombolës ishte një copëz magnet i ngjitur pas metalit. Inspektimi ka zgjatur përreth një orë dhe kur policia është bindur se bëhej fjalë për një alarm të rremë, ka lejuar futjen e qytetarëve nëpër banesa. Gjithsesi po hetohet në lidhje me pretendimet e Vukajt. Disa ditë më parë efektivit të policisë me detyrë roje në Ambasadën Palestineze, i kanë humbur çelësat e shtëpisë, ku ai jeton së bashku me familjen. Menjëherë sapo bashkëshortja e tij pikasi “detonatorin” Llesh Vukaj, dyshoi se humbja e çelësave ishte bërë me qëllim. Ai dyshoi se persona të paidentifikuar i ishin futur në banesën, për t’i vendosur bombën. “Është detonator i montuar në pjesën e poshtme të bombolës. Bombola është 5 litroshe. Dikush ka hyrë brenda. Nuk kam dyshime as konflikte. Bombolën e konstatoi gruaja, ishte një detonator me unazë. Fat ishte që bombola ka qenë pa gaz. Nuk kam asgjë për të thënë”-,  u shpreh Vukaj për mediat. Ende nuk dihet motivi i alarmit të rremë për bombë, që ngriti në këmbë policinë e Tiranës. Grupi hetimor po heton me intensitet ngjarjen që shkaktoi panik tek banorët e pallatit dhe zonës përreth. Nga të dhënat paraprake dyshohet se alarmi ka qenë i rremë, por pavarësisht kësaj, policia ende nuk ka dalë në një konkluzion përfundimtar.

Në kërkim futbollisti

Ndërkaq një tjetër polici i komisariatit nr. 2 është dhunuar barbarisht nga një 22-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet, jashtë ambienteve të stadiumit “Qemal Stafa”, në përfundim të ndeshjes Dinamo-Tërbuni. Burime nga policia bëjnë me dije se pre e dhunës ka rënë Roland Isaraj, i cili prej goditjeve ka marrë plagë serioze në trup. Efektivi i policisë ka përfunduar në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar kujdesit të mjekëve. Ndërkaq policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes futbollistin e ekipit të Dinamos, Arbër Jaçe. Dyshohet se i riu e ka goditur me sende të forta Isarajn, ku ky i fundit ka ndërhyrë për të ndarë një sherr mes Jaçes dhe disa të tjerëve. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili ka nisur zbardhjen e ngjarjes dhe motivin e saktë të përleshjes mes efektivit dhe futbollistit. Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat babain e të riut, i cili ishte i pranishëm në momentin e ngjarjes. Ndërkaq në përleshjen mes palëve, ka qenë prezent edhe ministri i ardhshëm i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, i cili nuk ka nguruar që të kërkojë arrestimin e autorit që ngriti dorë mbi efektivin e Policisë së Tiranës.

 

Nga përplasja kanë mbetur të plagosur 7 të tjerë

Tragjedia në segmentin Levan-Tepelenë aksidenti, vdesin nëna dhe djali 1 vjeç

Dy të vdekur dhe 7 persona të tjerë të plagosur, midis tyre dhe dy fëmijë, është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura mbrëmjen e sotme në Fier dhe në kryeqytet. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur Kafaraj, ku një makinë është përplasur me një zetor, dhe si pasojë ka humbur jetën një grua me djalin e saj 1-vjeçar, dhe kanë mbetur të plagosur 5 persona të tjerë. Një zetor i ka prerë rrugën një mjeti tip fuoristradë, në të cilën udhëtonin një familje nga Tirana, dhe nga përplasja kanë mbetur të vdekur gruaja e drejtuesit të makinës, Adelina Muçaj 35 vjeç, së bashku me djalin e saj 1-vjeçar, Donald Muçaj. Të plagosur kanë mbetur edhe vajza, Megi Muçaj 12 vjeç dhe Jetnor Muçaj, bashkëshorti i viktimës i cili drejtonte dhe automjetin tip Fuoristradë me targa AA 089 CG. Babë e bijë, ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Nga përplasja janë plagosur dhe tre persona të tjerë, të cilët ndodheshin në zetor në momentin e aksidentit, Krenar Troka 21 vjeç, Ervin Troka 23 vjeç dhe Aleksandër Banaj 27 vjeç. Personat e plagosur janë shoqëruar me urgjencë për në spitalin rajonal të qytetit të Fierit, dhe mësohet se janë në gjendje të rëndë. Forcat e policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë që në Kryeqytet, në kryqëzimin tek Liqeni i Thatë, një mjet tip “Ford” me targa amerikane ka goditur një çift këmbësorësh. Të plagosur në gjendje të rëndë kanë mbetur Qamil dhe Meliha Xhaferri, përkatësisht 64 dhe 58 vjeç. Drejtuesi i mjetit që ka përplasur dy personat është larguar nga vendi i ngjarjes.

 

 

Ngjarja në Kukës

Elektricisti humb jetën nga korenti

Një elektricist ka humbur jetën gjatë pastrimit të transformatorit në një kabinë elektrike në qytetin e Kukësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30 të ditës së djeshme në lagjen numër 2 të qytetit të Kukësit, ku ka gjetur vdekjen gjatë punës elektricisti Ymer Sokoli, rreth 50 vjeç. Sipas të dhënave, gjatë punës 50-vjeçari ka rënë në kontakt me energjinë elektrike duke gjetur vdekjen. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes mësohet se viktima ishte duke pastruar në kabinë. Edhe pse i është dhënë ndihma e menjëhershme nga kolegët e tij, elektricisti Sokoli që prej vitesh ushtronte profesionin si elektricist nuk ka mundur të mbijetojë. Viktima është dërguar në morgun e qytetit, ndërsa policia dhe ekspertë të CEZ-it kanë mbikëqyrur vendin e ngjarjes

 

Ngjarja në Tiranë

Vidhnin shinat e trenit, 4 të arrestuar

Katër shtetas kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës paraditen e djeshme pasi akuzohen se kanë grabitur shinat e trenit për skrap. Erjol Medolli, Gentjan Bacelli, Orjon dhe Xhens Qosja u kapën në flagrancë nga forcat e komisariatit numër 3 në Tiranë duke shitur shinat e trenit për skrap. Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarve që janë të moshës 16-17 vjeç, policia u ka sekuestruar çelësa papagall, leva dhe një sasi hekurash. Efektivët e komisariatit nr. 3 kanë bërë me dije se kanë bërë verifikimin e shinave të vjedhura.

 

Grabitja në Lezhë

Arrestohet njeriu që vidhte bagëtitë

Vjedhja e bagëtive në zonat e Lezhës është kthyer në një shqetësim serioz, çka ka detyruar banorët të kërkojnë ndihmën e organeve të ruajtjes së rendit. Policia e Lezhës ka mundur të vërë në pranga një 50-vjeçar me banim në Durrës, i cili dyshohet të jetë autor i disa vjedhjeve të kryera në Lezhë. Emri i të ndaluarit nuk është bërë publik, pasi dyshohet se ai mund të ketë qenë pjesë e vjedhjes të ndodhur në fshatin Mërqi të Lezhës, ku mbeti i vrarë në mënyre aksidentale një 52-vjeçar. Policia ka mbledhur prova të mjaftueshme që e fajësojnë 50-vjeçarin e ndaluar si autor të disa vjedhjeve, ndërsa nuk ka pranuar që të jetë implikuar në ngjarjen e ndodhur në fshatin Mërqi ku mbeti i vrarë edhe një person. Burime nga policia e Lezhës kanë bërë të ditur se gjatë marrjes në pyetje të të ndaluarit, nuk ka nxjerrë asnjë emër bashkëpunëtori, ndërsa ka dëmtuar edhe telefonin personal, që ka rezultuar të jetë në emër të një tjetër personi. Sipas burimeve policore, ka shenja të shumta që i ndaluari është marrë me transoportin e bagëtive të vjedhura, por mbeten ende të lirë bashkëpunëtorët e tij, pasi dyshohet se ai nuk ka vepruar i vetëm. Uniformat blu janë përqendruar kryesisht gjatë kësaj periudhe ndaj fenomenit të vjedhjeve, të cilat u kthyen në një shqetësim serioz, ku janë përfshirë jo vetëm adoleshentë dhe të rinj, por edhe mosha më të rritura.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency