Morën peng 18-vjeçarin, lihen në burg dy personat

0
44

Sonja Caka

Akuza: I riu Gjata u mor peng nga pronari i lokalit ku punonte dhe një shoku i tij, u dhunua disa orë

 

pengmarrje-300x187Lihet në burg pronari i një lokali në Devol të Korçës, i cili mori peng dhe dhunoi për disa orë një punëtorin e tij, ndërsa u ndihmua edhe nga një shoku i tij. Për të dy gjykata caktoi masën “arrest me burg”, pavarësihst mohimit të akuzës bërë në sallën e gjyqit. Para gjykatës, prokurori lexoi dinamikën e ngjarjes, duke iu referuar edhe dëshmisë së të riut 18-vjeçar Eri Gjata. Sipas prokurorit, i dëmtuari është marrë me makinë nga pronari i lokalit ku punonte kamarier dhe më pas për disa orë është dhunuar në një magazinë të fshatit, i ndihmuar edhe një shoku i tij, duke i kërkuar një shumë parash dhe me akuzën se e kishte vjedhur në lokal. Pasi u lirua dhe u kërcënua të mos i tregonte policisë, i riu nuk ka ngurruar t’u drejtohet me familjen uniformave blu të Devollit, duke iu shpjeguar pengmarrjen. Dy të akuzuarit Erind Spahi dhe Andi Mullalli akuzohen për “Heqje të paligjshme të lirisë” në bashkëpunim dhe ushtrim dhune.

Ngjarja

Disa ditë më parë, 18-vjecari Eri Gjata nga fshati Cangoll i Devollit u mor peng nga pronari i lokalit ku punonte, Erind Spahi, 29 vjeç dhe shoku I tij Andi Mullalli, 21 vjeç, pasi kishte shkuar të kërkonte shlyerjen e rrogës. Sipas akuzës, ai është marr peng duke u lidhur dhe dhunuar fizikisht për disa orë në një ndërtesë të vjetër. Pak orë pas ngjarjes, vetë 18-vjecari ka kërkuar treguar për policinë e Devollit orët e tmerrit, ndërsa ka pohuar se në ndihmë të dy agresorëve kanë ardhur dhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i veshur me rroba ushtarake. Të lidhur, mes grushteve dhe kërcënimit të thikës ata i kanë kërkuar 18-vjecarit të pohonte në shtëpi se u kishte vjedhur 200 mijë lekë të reja në arkën e lokalit të lojërave të fatit ku punonte.

Dëshmia

I riu 18-vjeçar Eri Gjata i është drejtuar policisë së Devollit ku ka bërë denoncimin për pengmarrjen dhe ushtrimin e dhunës ndaj tij. Sipas dëshmisë së të dëmtuarit mësohet se ai ka shkuar në lokalin ku ka punuar dhe i ka kërkuar pronarit t’i shlyejë pagën e pa dhënë për punën që ai kishte kryer. Por në këto momente ai është marrë me forcë nga pronari i lokalit, i cili me ndihmën e një shokut të tij e kanë çuar 18-vjeçarit në një ndërtesë të braktisur. Aty e kanë lidhur dhe sipas dëshmisë së 18-vjeçarit në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe dy persona të tjerë të veshur me uniformë ushtarake. Për më shumë se dy orë Eri Gjata i është nënshtruar dhunës fizike dhe psikologjike të dy personave, të cilët e kanë kërcënuar me thikë të mos tregojë për këtë ngjarje, përndryshe do ta vrisnin. I dëmtuari ka rrëfyer në polici se agresorët i kanë vënë thikën në fyt dhe i kanë kërkuar të pranonte në shtëpi se kishte vjedhur shumën e 20 mijë lekëve në lokalin ku punonte. I ndodhur në këto kushte, 18-vjeçari i frikësuar ka pranuar gjithçka i kanë kërkuar të dyshuarit dhe menjëherë pasi është liruar denoncoi ngjarjen në polici. Ky fakt është pohuar edhe nga babai i të dëmtuarit, i cili tha se djali i tij është marrë peng dhe dhunuar pasi kërkoi pagën për punën që kishte bërë. Policia pasi mori kallëzimin e 18-vjeçarit, vuri në pranga dy të dyshuarit, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, përfshi edhe identifikimin e dy personave të tjerë që sipas 18-vjeçarit Gjata, ishin të veshur me uniformë ushtarake.

 

Tiranë

Tentoi vrasjen e vëllait dhe nipit, “arrest me burg” policit Tahiraj

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg policin e komisariatit të Lushnjes, i akuzuar për tentativë vrasje të vëllait dhe nipit të tij për konflikte pronësie. Efektivi është akuzuar nga Prokuroria për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, ndërsa ngjarja la ndodhur disa ditë më parë në Kamëz. Sipas prokurorit, polici i arrestuar është Kreshnik Tahiraj, i cili ka plagosur vëllanë Shpëtim Tahiraj dhe djalin e tij, Nurishin. Mësohet se Kreshnik Tahiraj, efektiv në Komisariatin e Lushnjës, është grindur me të afërmit të tij, dhe në acarim e sipër ka humbur durimin dhe ka qëlluar 3 herë me armën e shërbimit. Policia ka arrestuar autorin e plagosjes, i cili ka deklaruar se nuk donte të qëllonte, por ata e kishin kërcënuar disa herë. Ndërkohë të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Para hetuesve, Tahiraj ka deklaruar se qëlloi ndaj vëllait dhe nipit pasi ata donin ta detyronin të firmoste për shitjen e një prone të përbashkët. Pasi ka dëgjuar rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e vetë të akuzuarit dhe avokatit të tij, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për Kreshnik Tahiraj.

 

Vendimi

Vjedhja e transformatorit rrezikoi disa fshatra pa drita, dënohen dy persona

Nuk do ishin kapur nëse nuk do ishte çarë goma e makinës. I la goma në baltë dhe ranë në duart e rojës, banorëve të fshatit dhe policisë. Dy persona janë dënuar nga Gjykata e Tiranës pasi kanë tentuar të vjedhin transformatorin që furnizonte me drita disa fshatra të kryeqytetit. Dy të pandehurit janë kapur në flagrancë nga roja dhe disa banorë të fshatit, ndërsa dy të tjerë, ende të paidentifikuar, mundën të shpëtonin. Pas pranimit të gjykimit të shkurtuar dhe pendesës së shprehur para gjykatës, të pandehurit Sadi Loshi e Luan Braho u dënuan me nga 6 muaj e 20 ditë burg. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit janë banorë të Tiranë dhe kanë njohje shoqërore me njëri tjetrin. Më 06.03.2013, rreth orës 20:00, Braho e Loshi, në bashkëpunim dhe me persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin transformatorin që furnizon me energji elektrike fshatin Celoberzez dhe disa fshatra përreth. Autorët kanë qenë në vendngjarje me mjetin Reanult, me targa TR 2875 F. Kanë hyrë brenda rrethimit që quhet kulla e shesh Vorës dhe kanë hequr transformatorin, pa arritur ta marrin atë, sepse janë diktuar nga roja objektit dhe banorët. Roja objektit Muharrem Cali ka parë makinën në vendngjarje dhe së bashku me të tjerë është vënë në ndjekje të saj si edhe kanë njoftuar forcat e policisë. Sipas dëshmitarëve, brenda në makinë kanë qenë katër persona, por makina ka bërë disa metra dhe ka ndaluar pasi ka carë gomën e parë. Në momentin e kapjes nga ana e policisë ka rezultuar se në drejtim të mjetit ka qenë i pandehuri Luan Braho, i pandehuri Sadi Loshi është gjetur aty pranë i fshehur në ferra, ndërsa personat e tjerë nuk janë identifikuar dhe kapur. Brenda mjeti janë gjetur dhe sekuestruar dy palë dorashka, tre celësa anglez, të përshtatur sipas bulonave të transformatorit, një palë pinca për prerjen e telave, një thikë sharrë një çelës ACESA 804, që shërben për lëvizjen e bullonave të ndryshkur.