Vrau Pishën, sapo doli nga burgu kërkime ndërkombëtare për Korrën

0
173

Elton Qyno

Intepol, publikon foton e Festim Korrës personi që vrau në muajin Qershor shtetasin Hyqmet Pisha

Dyshime se Korra, fshihet në Greqi ose Itali. Vrasja e Pishës, 19 ditë pas daljes nga burgu

 

KorraKërkime ndërkombëtarë për Festim Korrën njeriun që në 13 qershor të këtij viti, ekzekutoi me armë zjarri në qëndër të Elbasanit shtetasin, Hyqmet Pisha. Ky i fundit kishte vetëm 19 ditë që kishte dalë nga burgu i Peqinit, dhe se ditën e vrasjes ishte paraqitur në zyrat e kompanisë ”Sagem” për të aplikuar për një pasaportë biometrike, ku dhe do të largohej jashtë shtetit menjëherë sapo ta shtinte në dorë pasaportën. Mirëpo, Festim Korra, djali i Qemal Korrës, ky i fundit i ekzekutuar nga Pisha në 1997, e ka qëlluar për vdekje me armë zjari, teksa viktima sapo ishte ulur për të konsumur një birrë në lokal. Lidhur me këtë ngjarje, policia dhe prokuroria e Elbasanit arritën të zbulojnë në atë kohë vetëm mjetin me targa angleze KJ 53 LUD, dhe të identifikojnë autorin e krimit, shtetasin Festom Korra, por jo ta arrestojnë atë.Kërkimet Korrën në Shqipëri janë kryer gati dy muaj me rradhë, por në fakt nuk është gjetur asnjë gjurmë e vendodhjes së tij. Nisur nga kjo situatë, policia Shqiptare i ka kërkuar ndihmë zyrës së Interpolit, për publikimin e të dhënave dhe zhvillimin e kërkimeve ndërkombëtare nëpërmjet agjentëve në Evropë për arrestimin e Festim Korrës, si autor të vrasjes së shtetasit Hyqmet Pisha dhe plagosjes së kalimtares Lindita Callandej. Kërkesa e policisë është miratuar dhe se prej disa ditësh, Interpol, ka publikuar foton e Festim Korrës, në listën e personave të pallur në kërkim ndërkombëtar.

Vrasja për hakmarrje

Vrasja që në muajin Qeshor tronditi qendrën e Elbasanit e ka zanafillën në një krim të ndodhur në vitin 1997. Pikërisht në këtë vit të trazirave, 45-vjeçari Hyqmet Pisha ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Qemal Korra. Të dy protagonistët e kësaj ngjarjeje kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe se shumë shpejt gjakrat mes tyre janë nxehur, duke bërë që Pisha të organizojë vrasjen e tij. Pas ekzekutimit të Qemal Korrës, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë bërë arrestimin e Pishës, duke arritur të sigurojnë prova dhe ta nxjerrin para drejtësisë si të pandehur. Mbi bazën e provave të administruara në dosje, gjykata e Elbasanit dhe dy nivelet e tjerë të sistemit gjyqësor e kanë dënuar Pishën me 17 vite heqje lirie. Mirëpo pasi ka qëndruar disa vite në burg, Pisha ka kërkuar lirinë duke dorëzuar një kërkesë në gjykatën e Elbasanit. Seanca është zhvilluar 19 ditë para se Pisha të vritej dhe se gjykata ka vendosur lirimin e tij me kusht, duke u sjellë në shoqëri. Nga ana tjetër për lirimin e Pishës janë vënë në dijeni dhe familjarët e viktimës Qemal Korra, të cilët e kanë konsideruar vendimin e gjykatës si të padrejtë. Nisur në këto kushte dhe duke mos pasur asnjë mundësi për ridënimin e Pishës për akuzën e vrasjes së të afërmit të tyre, djali i Qemal Korrës gjatë kësaj kohe ka organizuar planin për eliminimin fizik të hasmit të tij. Festim Korra ka siguruar në rrugë informale një pistoletë dhe pasi ka studiuar për disa ditë lëvizjet e objektivit të tij, ka vendosur të hidhet në sulm pikërisht mesditën e 13 qershorit, duke qëlluar plot 7 herë në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Hyqmet Pisha. Krismat e armës, kanë alarmuar të gjithë klientët e tjerë të lokalit, ndërkohë që viktima nuk ka pasur mundësi të reagojë për asnjë çast për shkak se plumba e parë i ka marrë nga prapa shpine. Me shumë shpejtësi lokali është zbrazur, ndërkohë që klientët dhe kamerieri që ishte brenda, janë shtrirë në tokë. Si pasojë e të shtënave të vazhdueshme një plumb ka prekur në dorë dhe një kalimtare të rastit, e cila është transportuar nga policia në spitalin e Elbasanit dhe se gjëndja e saj është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që trupi i viktimës ka mbetur i palëvizur për rreth 30 minuta duke u parë nga shumë kalimtarë të rastit, derisa policia ka kryer veprimet e nevojshme në vendin e ekzekutimit.

Itali-Greqi

Kur kanë kaluar dy muaj nga vrasja e Pishës, tashmë policia Shqiptare ka ngritur dyshime të forta se njeriu që ata kërkojnë fshihet në shtetin Grek ose atë Italian. Nga informacionet operative, është arritur të sigurohen të dhëna se Festim Korra, ka lidhje shoqërore dhe familjare në këto dy shtete, dhe se pikërisht këta persona ka shumë mundësi që ti kenë siguruar dhe një vendstrehim për tju fshehur drejtësisë. Vetë familjarët e Korrës, janë shprehur herë pas here në polici, se nuk kanë asnjë të dhënë rreth vendodhjes së djalit të tyre. Pavarëisht këtyre deklaratave, agjentë policie gjatë kësaj kohe i kanë mbajtur nën vëzhgim të afërmit e autorit të krimit, por ky aksion ka qënë pa rezultat, për kapjen e Festim Korrës.

Akuza: Pisha, incidente dhunë në ambientet e burgut

 Hyqmet Pisha në gjykatë: Më lironi, kushti im është sjellja e mirë

Hyqmet Pisha duhet të shlyente edhe 2.8 vite burg dhe më pas rifitonte lirinë. Por me një kërkesë për lirimin e tij me kusht të bazuar në nenin 447 të Kodit të Procedurës Penale, Pisha ka arritur të dalë nga qelia dhe të ecë i lirë në rrugët e Elbasanit. Në seancën gjyqësore të zhvilluar në datën 26 maj, Pisha ka pohuar para gjykatës se jepte si kusht të vetëm dhe parësor se do sillet shumë mirë në shoqëri kur të dalë nga burgu. Këto argumente i ka kundërshtuar në sallën e gjykimit përfaqësuesi i prokurorisë së Elbsanit, i cili ka sjellë në gjykim disa procesverbale të incidenteve të ndodhura mes Hyqmet Pishës dhe të dënuarve të tjerë në burg por edhe gardianëve. Në këto incidente Pisha është dënuar me masa disiplinore, pasi ka keqtrajtuar të dënuarit e tjerë dhe disa gardianë. Por pavarësisht kësaj situate, gjykata e Elbasanit nuk i ka marrë të mirëqena provat e servirura nga prokuroria,dhe se ka vendosur të miratojë kërkesën e Hyqmet Pishës, për lirimin e tij me kusht. Lirimi është bërë në 26 maj, ndërkohë pa kaluar 19 ditë nga dalja nga burgu, Pisha është vrarë me 7 plumba. Ndërkohë që për sa i për sa i përket vendimit të gjykatës, mësohet se Prokuroria e Elbasanit e ka apeluar atë, duke mos qenë dakord me vendimin për lirimin e Pishës.

 

 

Ngjarja në Tiranë

Të shtëna me armë, ska të lënduar

Të shtëna me armë tek rruga “Ferit Xhajko” në Tiranë, raportohet se nuk ka viktima. Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 në kryeqytet pranë një servisi makinash në rrugën “Ferit Xhajko” janë dëgjuar 2 të shtëna me armë. Të shtënat me armë kanë alarmuar banorët e zonës, ndërsa ende nuk dihet se kush kanë qenë autorët dhe objektivi. Policia në vendgjarje ka nisur hetimet ndërsa mësohet se nuk ka të plagosur. Efektivët e policisë po marrin në pyetje pronarë të bizneseve aty pranë për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë. Sipas personave që kanë qënë prezent në vendin e krimit, ata nuk kanë parë asnjë person që të ketë qëlluar me armë, pasi të shtënat janë dëgjuar nga pas servisit.

 

Tek stadiumi “Dinamo”

Vidhen 10 biçikleta të shoqatës “Ecovolis”

Stacioni i biçikletave “Ecovolis” pranë stadiumit Dinamo ka rënë pre e grabitjes nga persona ende të paidentifikuar të cilët pasi e kanë shkatërruar strukturën mbrojtëse kanë vjedhur mbi 10 biçikleta. Sipas njoftimit, pas denoncimit që është bërë nga ekipi “Ecovolis” kanë nisur kërkimet për autorët e ngjarjes. Që prej fillimit të nismës, në shtatë stacionet e instaluara në kryeqytet, krah përdorimit të përditshëm nga qytetarët që kanë përqafuar këtë nismë, mbi 250 biçikleta kanë rënë preh të vjedhjeve nga qytetarë të cilët nuk ngurojnë të lenë mjetet e tyre të identifikimit për t’i marrë biçikletat në përdorim e për mos u kthyer më. Rasti i stacionit “Ecovolis” pranë Stadiumit Dinamo është i treti në rradhë, që prej fillimit të nismës. Disa muaj më parë, stacioni pranë Universitetit Politeknik bashkë me të gjtiha biçikletat që ndodheshin atje, është shkatërruar nga një shofer, ndërkohë që të njejtin fat kanë patur dhe stacionet në qytetin e Durrësit, ku nisma ndaloi aktivitetin për shkak të dëmit të madh.

 

Trafiku i drogës

Kapet katër pako me drogë në Kakavijë

Një 22-vjeçar është arrestuar dje nga policia kufitare e Kakavijës pas zbulimit gjatë një kontrolli të katër pakove me drogë të cilat ishin fshehur në dyert e makinës që drejtohej nga i riu. Sipas burimeve të policisë, mësohet se në mjetin tip “Volksaëgen Golf”, me targë greke, YKY 1936 që drejtohej nga 22-vjeçari Jorgo Franko, ishte fshehur lënda narkotike e tipit marijuanë në dy dyert e mjetit. “Menjëherë u bë bllokimi i shtetasit dhe mjetit me lëndën narkotike dhe u lajmëruan shërbimet e tjera për vazhdimin e procedurave të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e policisë. Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve të fundit që kapet drogë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Një ditë më parë në të njëjtën pikë doganore u bllokuan 6 pako me drogë të cilat ishin blerë në fshatin Lazarat dhe më pas do të trafikoheshin në Greqi.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency