Abrija: Skema dhe intenerari i përdorur nga trafikantët për futjen e klandestinëve në vend

0
189

Sonja Caka

Trafiku i drogës dhe qënieve njerëzore

Kreu i drejtorisë së kufirit, Gjirokastër: Të huajt paguajnë 1 500 euro nga Athina për në Mal të Zi, mjetet logjistike që përdorim për t’i zbuluar dhe kapur. Pikën Kufitare të Kakavijës, e kemi shndërruar në portë ferri për trafikantët

 

ADMIR ABRIJA

Pas betejave kundër trafikantëve të drogës, duke e shndërruar pikën Kufitare në një portë ferri për ta, prej tri muajsh drejtori i Kufirit për Gjirokastrën, Admir Abrija do të përballej me dy probleme të mëdha, fluksin e madh të klandestinëve të huaj që vinin nga Siria, Maroku apo Afrika me destinacion Europën Perëndimore dhe problemi i toponimeve për emigrantët shqiptarë. Ashtu si me rastin e drogës, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë dhe me homologët grekë ai arriti t’i menaxhojë më së miri edhe këto dy problematika, duke intensifikuar me mjete logjistike kontrollin në kufi, për të mos lejuar daljen e thasëve me drogë apo hyrjen e klandestinëve të huaj. Statistikat flasin qartë, në tetë muajt e parë u kapën vetëm 700-800 kg drogë, ndryshe nga viti i kaluar që tentativat ishin edhe më të shpeshta. Forca goditëse e policisë bëri që trafikantët mos ta shohin më Kakavijën si portën dalëse të sasive të konsiderueshme të drogës, ndërsa klandestinët mos ta shohin si portën hyrëse për të kaluar drejt vendeve si Italia, Gjermania apo dhe më tej. Si të mos mjaftonte trafiku i drogës dhe njerëzve, drejtorit Abrija i doli edhe një problematikë tjetër për t’u zgjidhur, t’u jepte fund lotëve të mijëra emigrantëve që nuk hynin dot në Shqipëri apo nuk dilnin dot prej saj me fëmijët, për shkak të çështjes së toponimeve. Për zgjidhjen e kësaj problematike hyri vetë në bisedime me homologun e tij grek në Janinë dhe pas tri ditësh bisedime, për emigrantët u dha zgjidhja e përkohshme, pasi ajo përfundimtarja u takon dy Ministrive të Jashtme, atyre shqiptare dhe greke. Emigrantët mund të hynin apo dilnin nga pika kufitare e Kakavijës pas asnjë problem deri në 5 shtator dhe nuk do hasnin asnjë problem. Për të gjitha këto problematika, drejtori i Kufirit për qarkun e Gjirokastrës, Admir Abrija ka folur në një intervistë për gazetën “standard”.

Sa është numri i klandestinëve të kapur nga Policia Kufitare në këtë 3-mujor dhe sa në total?

Gjatë tre muajve të fundit nga ana e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës, numri i të kapurve kap shifrën rreth 200 shtetas, ndërsa në bashkëpunim me Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, numri i tyre arrin në 350 shtetas të huaj.

Cilat janë masat e marra nga drejtoria e Kufirit për të parandaluar hyrjen në Shqipëri të shtetasve të huaj nga Siria, Afrika apo Maroku?

Detyra parësore jona është menaxhimi i integruar i kufirit, që do të thotë kufij të hapur por të sigurtë. Të sigurtë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të çdo fushe, qoftë ajo që mund të zhvillohet në të dyja anët e kufirit me shtetin Grek. Në këtë kontekst, Policia Kufitare e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, që përfshin tre Stacionet e Policisë Kufitare atë të Kakavijës , të Tre Urave Çarshovë Përmet,  të Stacionit të Policisë Sopik si dhe Sektori Operacional të Drejtorisë së Kufirit, ka marrë një sërë masash duke rritur patrullimin e njësiteve të Policisë Kufitare në kufirin e gjelbërt. Masë tjetër është pajisja e këtyre shërbimeve me mjete logjistike bashkëkohore si kamera dylbi që u shërbejnë njësiteve për të kontrolluar vijën kufitare qoftë ditën, qoftë natën nëpërmjet këtyre mjeteve logjistike. Gjithashtu, në pika të caktuara janë vendosur kamera të cilat janë të lidhura me Sallën Operative të Drejtorisë së Kufirit Gjirokastër dhe që japin sinjal në rast se në rrezen që ato mbulojnë kalon një shtetas apo grup shtetasish. Këto vendkalime që janë vendosur kamerat, janë përcaktuar nga analiza e rriskut, e bërë gjatë intervistimeve të realizuara me shtetasit e huaj nga ana e Specialistëve të Sektorit  të Migracionit në Drejtorinë e Kufirit Gjirokastër.

A ka një bashkëpunim mes jush dhe palës greke për parandalimin e hyrjes së klandestinëve në vendin tonë?

Bashkëpunimi i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër me homologët e saj të Janinës dhe asaj të Epirit është shumëdimensional. Kemi bashkëpunim për goditjen e trafikut të drogës dhe qënieve njerëzore, të parandalimit të trafikut të klandestinëve apo të shtetasve shqiptare që kanë apellas dhe përpiqen që të futen në Greqi Ilegalisht, kemi bashkëpunim në shkëmbim informacioni inteligjent për veprimtarinë  e grupeve kriminale që mund te verojnë në të dyja anët e kufirit, si dhe kemi bashkëpunim për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me qëllim ardhjen në ndihmë të gjithë shtetasve që qarkullojnë në të dyja anët e kufirit, pasi në raste fluksesh lind nevoja që për të evituar radhët e gjata pala greke duhet të shtojë sportelet, gjë  e cila ka ndodhur falë këtyre marrëdhënieve. Por të mos harrojmë edhe disa marrëveshje të njëpasnjëshme shumë thelbësore të arritura nga Policia Kufitare e Kakavijës me palën greke për çështjen e toponimeve, ku pothuaj në Kakavije asnjëherë s’ka qenë problem shqetësues problemi i toponimeve në pasaporta.

Nga dëshmitë e marra, si funksionon skema e trafikut të këtyre personave, cila është shuma që paguajnë nga Greqia drejt Shqipërisë dhe më pas kalimi drejt Malit të Zi për në BE?

Nga intervistimet e kryera nga ana jonë ka rezultuar se këta shtetas nisen nga Athina me autobusë të linjës Athinë-Janinë e më pas me autobusë të linjës Janinë-Kakavijë, ku pa ardhur në Doganën greke zbresin dhe kalojnë në këmbë nëpërmjet kufirit jeshil për të hyrë në territorin tonë. Më pas lëvizin me këmbë nëpërmjet shtratit të lumit Drino apo kodrinave nga Kakavija deri në dalje të Tepelenës, me qëllim shmangjen e postoblloqeve të Policisë Kufitare dhe asaj të Qarkut. Më pas këta shtetas hipin si pasagjerë në linjat e autobusëve që shkojnë në Tiranë e më pas për në kufi me Malin e Zi. Sigurisht që këta shtetas ndihmohen nga shtetas shqiptarë dhe grekë, ku Policia Kufitare e Kakavijës në bashkëpunim me Sektorin Kundër Tarafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër po punojnë për të dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë kriminale të këtij grupi, si dhe më pas arrestimin e tyre dhe për këtë po bashkëpunojmë edhe me palën greke pasi aktiviteti i tyre kriminal nis ne Athinë dhe kanë bashkëpunim edhe me shtetas grekë. Intenerari i shtetasve të huaj është Athinë-Shqipëri-Mali i Zi drejt vendeve të BE-së, ndërsa shuma që ata paguajnë nga Athina deri në Kufi me Malin e Zi është 1500 Euro për person.

A ka pasur nga këta klandestinë që kanë kërkuar të mos rikthehen pas, duke kërkuar azil në vendin tonë?

Jo  deri tani nuk kemi asnjë nga këta shtetas që ne kemi kapur  që të ketë kërkuar azil politik në vendin tonë . Asnjë klandestinë s’ka ardhur  posaçërisht me destinacion Shqipërinë.

Si mendoni se mund te marrë zgjidhje ky fluks klandestinësh dhe sa është numri i shqiptareve të arrestuar si të përfshirë në dhënie ndihme të këtyre klandestinëve të huaj?

Forcimi i Kufijve, plotësimi i urdhërave të dëbimit nga ana jonë duke ja argumentuar me prova ligjore palës greke që këta shtetas po hyjnë nga territori grek për në Shqipëri, procedimi penal i tyre në rast se kapen për herë të dytë edhe pas marrjes së urdhërit të dëbimit të plotësuar nga ana jonë që këta shtetas s’kanë më të drejtë të hyjnë në Shqipëri, mendoj se do ta parandalojë këtë fluks duke e minimizuar, por edhe rritja e forcës goditëse nga ana jonë ndaj atyre shtetasve që merren me trafikimin ose dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit sigurisht që do ishte një tjetër faktor që do çonte në  frenimin e këtij fenomeni. Policia Kufitare e Kakavijës, si dhe Sektori për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër gjatë këtij viti kanë proceduar 39 shtetas për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, gjithashtu edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka proceduar një numër të konsiderueshëm personash që kryejnë këtë veprimtari të paligjshme.

Tani të kalojmë në një tjetër fushë të rëndësishme, atë të luftës kundër trafikut të drogës. Sa është sasia e drogës së kapur gjatë këtyre 8 muajve nga Policia Kufitare, po numri i personave të arrestuar?

Gjatë tetë muajve, nga ana e Policisë Kufitare janë goditur 50 raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku janë arrestuar 50 shtetas që trafikonin lëndën narkotike drejt shtetit grek. Ndër shtetasit e arrestuar ka dhe shtetas të huaj, si shtetas grekë, bullgarë, rumunë e italianë. Sasia e kapur nga policia kufitare për këtë 8 mujor varion nga 700 deri në 800 kg Marijuanë, por e veçanta e kësaj është rritja e forcës goditëse ndaj  këtij trafiku, mënyrës së fshehjes me qëllim shmangien e kontrollit të policisë në Kakavijë. Dua të theksoj se trafikantët kanë përdorur metoda të sofistikuara për ta fshehur lëndën narkotike, deri duke sajuar edhe torta e ëmbëlsira, në bombula gazi, etj.

Sa është vlera e drogës së kapur, dëmi shkaktuar trafikantëve?

Vlera e drogës së kapur dhe dëmi shkaktuar trafikantëve është i madh jo vetëm në vlerën monetare, por edhe se trafikantëve tashmë u është prerë një rrugë, një mundësi e mirë që kanë pasur vite me parë për të trafikuar lëndë narkotike nëpërmjet pikave doganore. Tashmë Kakavija nuk është më portë ku mund të kalojnë trafikantët e drogës, por ajo tashmë për ta është porta e ferrit. Kakavija është portë e hapur për qarkullimin e lirë të qytetarëve që janë në rregull me ligjin.

A ka pasur një rënie të tentativave për kalimin e drogës drejt Greqisë?

Tre mujorin e fundit kemi një rënie të theksuar të rasteve të trafikut të drogës drejt Greqisë, nëpërmjet pikave doganore që mbulon Drejtoria e Policisë Kufitare Gjirokastër.

A ka bashkëpunim mes dy policive, greke dhe shqiptare, për parandalimin e trafikut të drogës?

Sigurisht që po. Unë e theksova dhe më lart që bashkëpunimi ynë është në disa drejtime dhe për shumë problematika, ku një ndër këto problematika është edhe lufta ndaj trafikut të drogës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency