Riberi: Si “përbuza” Barcelonën në 2009-ën

0
182

Përgatiti Altin Vorpsi

 “Mbreti” i Mynihut rrëfen si tentuan ta joshnin katalanasit

 Riberi: Çmimi i lojtarit të vitit më takon më shumë se Mesi e Ronaldo

 

Riberi-dhe-Guardiola-300x168Si në fushë dhe jashtë saj, Frenk Riberi është po ai… altruist dhe shumë i drejtpërdrejtë. Vetinë e parë ai e tregon kur flet se në listën e më të mirëve të Evropës duhet të ishte edhe ndonjë bavarez tjetër, si Tomas Myleri për shembull, që “jeton” me asistencën e francezit. Ndërkohë që të vetinë e dytë Riberi e tregon kur flet për të kaluarën, atëherë kur pati “kurajën” t’i thoshte “jo” një skuadre që e kishte mposhtur 4-0.

Altruisti

Frenk Riberi është një nga tre kandidatët finalistë për të fituar çmimin e Lojtarit Evropian të Vitit së bashku me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Por yllit të Bajernit i mungojnë shokët e skuadrës së tij në këtë klasifikim. Francezi mendon se UEFA nuk ka nominuar mjaftueshëm lojtarë të Bajernit në këtë garë. Gjithsesi, ai mendon se këtë çmim ai e meriton më shumë se askush tjetër, pasi ka fituar gjithçka sezonin e shkuar dhe ka treguar një superformë. “Vetëm një bavarez në treshen e fundit për lojtarin më të mirë të vitit është shumë pak. Për shembull, Tomas Myleri e meritonte te nominohej. Edhe ai ka bërë një sezon të madh dhe më vjen keq që nuk është në mes finalistëve. Shanset e mia? Kam fituar gjithçka që mund të fitohej dhe kam qenë gjithmonë në superformë. Kam bërë gjithçka për ta merituar këtë çmim”, – tha ylli i kampionëve të Gjermanisë në një intervistë për “SportBild”. Megjithatë, ai shpjegon se fakti që në finale nuk ka lojtarë të tjerë të Bajernit rrit shanset e tij për ta fituar këtë çmim. “Personalisht për mua është më mirë kështu, por më vjen keq për kolegët”, – shtoi ai. Më pas flet edhe për dy finalistët e tjerë Mesin dhe Ronaldon: “Ata janë pa dyshim nga lojtarët më të mirë në botë. Kanë shënuar më shumë gola edhe se unë, por nuk kanë fituar tripletën. Në fund vlejnë titujt dhe ata janë shumë më të rëndësishëm se çdo çmim tjetër.

I drejtpërdrejtë

Tridhjetëvjeçari ka rinovuar kontratën pak muaj më parë me Bajernin deri në vitin 2017 dhe shpreson që ta mbyllë karrierën në Mynih. Por ai sot mund të ishte një lojtar i Barcelonës, nëse nuk do t’i kishte refuzuar vite më parë. Katalanasit tentuan ta joshnin në vitin 2009, por Riberi i qëndroi besnik Bajernit: “Shoku im i skuadrës tek Franca, Erik Abidal, që në atë kohë luante për Pep Guardiolën, erdhi tek unë në vitet 2008-2009. Sigurisht që në atë kohë e mora në konsideratë një transferim tek Barcelona. Kishin skuadrën më të mirë në botë. Por nuk ishte një situatë e lehtë. Kisha një kontratë me Bajernin dhe gjithmonë e kam respektuar këtë skuadër. Sidomos për Karl-Hajnc Rumenigen dhe Uli Hënesin, të cilët janë shumë të rëndësishëm për mua. Për herë të parë me Guardiolën kam folur pasi na eliminuan në vitin 2009. M’u afrua dhe më uroi pas barazimit 1-1 në Mynih dhe më tha që jam më i miri. Kjo do të thoshte shumë për mua”.

 

 

E ardhmja

Hicfeld zbulon të ardhmen e Shaqirit

Për Otmar Hicfeldin nuk ka asnjë dyshim që Xherdan Shaqiri do të qëndrojë në Mynih. Në një intervistë për sajtin “Spox.com”, trajneri i Zvicrës theksoi se ai ka folur me mesfushorin kosovar, i cili ka folur me Guardiolën dhe spanjolli i ka thënë që dëshiron të qëndrojë në Mynih. “Shaqiri mund të largohej jashtë Zvicrës shumë vite më parë, por ai preferoi të qëndronte tek Bazeli, luante rregullisht dhe shndërrohej në një lider edhe tek kombëtarja. Unë këtë do ua rekomandoja edhe lojtarëve të tjerë të rinj. Ai ka folur me Guardiolën dhe trajneri beson në kualitetet e tij, prandaj nuk ka asnjë arsye për t’u larguar”, – tha tekniku 64-vjeçar.

 

Liga e Kampioneve

Finalistët rrezikojnë sërish “grup ferri”

Edhe pse ishin finalistë të Champions-it, Borusian e Dortmundit e pret sërish një grup ferri këtë sezon. Nënkampionët e Evropës për momentin janë ende në vazon e tretë, kështu që pritet të kenë dy skuadra më të forta se vetja në grup. Vazot nuk janë bërë ende zyrtare, por në bazë të koeficientit aktual në vazon e parë pritet të jenë Çelsi, Arsenali në rast se do të kualifikohet nga play-off me Fenerbahçen, Mançester Junajtid, Reali i Madridit, Barcelona, Porto, Benfika, por edhe Bajerni i Mynihut. Por duke qenë se kampionët në fuqi janë gjithashtu një skuadër gjermane, ata nuk mund të jenë rivali i Dortmundit në grupe. Vazoja e dytë ka emra si Atletiko e Madridit, Marseja, Luioni, PSG-ja, Shahtjor Donjetsk, Milani, gjithnjë nëse kualifikohet dhe CSKA e Moskës. Juventusi dhe Zeniti kanë shanse që të jenë në këtë vazo. Shalke ka shanse për të qenë gjithashtu në këtë vazo, ndërsa Levekuseni mund të përfundojë në vazon e katërt.

 

Gustavo

“Die Welt”: Ka firmosur me Volfsburgun

Për Luiz Gustavon, veç Arsenalit dhe Volfsburgut, është futur në garë edhe Barcelona me Napolin, por e përditshmja gjermane “Die Welt” ka zbuluar se ai ka firmosur me klubin e parë që u interesua për të, Volfsburgun. “Ujqërit” ishin i vetmi klub që i ofronte 7 milionë euro në sezon mesfushorit brazilian të Bajernit, ndërsa Arsenali ka bërë një ofertë prej 21 milionë eurosh për 26-vjeçarin.

 

Merkato

Martino ndryshon planet e Barçës

Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino, kërkon t’i japë fund debatit të gjerë të dy viteve të fundit për blerjen e një qendërmbrojtësi që jep garanci. I kënaqur me cilësitë që kanë shfaqur futbollistët që ka në dispozicion, tekniku argjentinas në një takim që ka patur me drejtuesit e skuadrës, ka argumentuar se dyshja Pike – Maskerano është e nivelit të parë botëror, ndërsa mjekët i kanë siguruar se kapiteni Karles Pyjol do të rikthehet në formën më të mirë. Presidenti Rozel, drejtori sportive Zubizareta dhe drejtori i përgjithshëm Antoni Rosiç, i dëgjuan me shumë vëmendje argumentet e Tata Martinos, për t’u bindur më pas se nuk është emergjente blerja e një qendërmbrojtësi. Nëse trajneri 50-vjeçar, do të kërkonte përforcime, ky do të ishte momenti i duhur. Por jo, pasuesi i Vilanovës beson se mund t’ia dalë mbanë me organikën që ka në dispozicion. Nëse plani dështon, në janar do të jetë e paevitueshme hyrja në merkato. Mund të thuhet që ky është një bast i Martinos, nëse merr në konsideratë atë që ndodhi me Barcelonën gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar, sidomos në dy përballjet e Champions-it me Bajernin e Mynihut, teksa katalanasit pësuan 7 gola në dy përballjet me formacionin e Jup Hajnkens. Argjentinasi e ka marrë riskun përsipër, pasi mbrojtësit që janë në treg kushtojnë shumë si dhe nuk I përmbushin cilësitë teknike që kërkon një skuadër e madhe si Barcelona.

 

 

 

Liga e Kampioneve

Shalkes i ndërrojnë rivalen

Shalke 04 do të luajë me klubin grek të PAOK-ut në fazën e play-off-it të Champions League, pasi kundërshtari të cilin i vendosi përballë shortit, Metalisti i Kharkivit, u përjashtua nga UEFA për shkak të përfshirjes në një skandal të fiksimit të ndeshjeve. Ky ishte vendimi i marrë nga UEFA, i publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit. PAOK-u u përzgjodh si skuadra e eliminuar në raundin e tretë kualifikuese nga ana e Metalistit. Si humbës në Champions, klubi grek kishte vazhduar rrugën në Europa League, duke u vendosur përballë izraelitëve të Makabi Tel Avivit, në fazën play-off. Për fatin e tyre të mirë, me këtë ndryshim, Makabi tashmë fiton të drejtën për të marrë pjesë automatikisht në fazën e grupeve, pa e luajtur takimin e tij. Kujtojmë që në shortin e raundit të katërt të Europa League, 62 ekipet pjesëmarrëse u ndanë në 12 grupe, gjashtë grupe vazo e parë dhe gjashtë vazo e dytë. PAOK-u ishte një prej atyre pesë rivalëve potencialë, të cilët mund të luanin përballë Skënderbeut, i cili eventualisht “peshkoi” Çernomoretsin e Odesës. Nëse do të na kishte “buzëqeshur” fati, duke vendosur përballë korçarëve një rival më të fortë si PAOK-u, tashmë kampionët e Shqipërisë do të ishin të kualifikuar aforfe për grupet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency