KQZ vendos që 59 parti të kthejnë rreth 18.000.000 lekë, ja cilat janë subjektet debitore ndaj shtetit

0
147

Florenc Drizari

PD dhe PS janë dy partitë që duhet të kthejnë numrin më të madh të fondeve, përjashtohet LSI

 

kqz-djathtasNga 65 milionë lekë të marra në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, partitë politike duhet t’i kthejnë shtetit 17.898.689 lekë. KQZ miratoi një ditë më parë projektvendimin që detyron ato parti politike që nuk kapën pragun prej 0.5 për qind të votave në rang kombëtar, të kthejnë fondet e përfituara para fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të KQZ-së, PD-ja është partia që ka për të kthyer edhe numrin më të madh të fondeve me rreth 8.461.327 lekë, ndërsa PS-ja duhet të kthejë 8.461.327 lekë. Ndërkaq, LSI-ja duket se është partia më e favorizuar për faktin se ky subjekt zgjedhor nuk përmendet në listën e KQZ-së. Rezultatet pozitive që ky subjekt zgjedhor arriti të merrte në zgjedhjet e 23 qershorit, bën që të mos dorëzojë fonde të marra më parë. Sipas KQZ-së, fondet e përfituara pjesëtohen me numrin e votave të marra nga çdo parti në zgjedhje.

Fondi prej 65 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, pjesëtohet me votat e vlefshme të grumbulluara nga këto parti në zgjedhjet e datësh 23 qershor 2013, herësi i dalë shumëzohet me votat e vlefshme për secilën parti. Shifra e dalë përcakton shumën që përfiton kjo parti për zgjedhjet 2013. Nga kjo shumë zbritet fondi i dhënë paradhënie sipas përcaktimeve në nenit 87/3 të Kodit Zgjedhor, gjithashtu në zbatim të pikës katër të këtij neni, për tri parti politike do të zbriten sanksionet administrative që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse në zbatim të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së djeshme miratoi me katër vota pro projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë “Partia Kristian-Demokrate”, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe Komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, të datës 1.9.2013”.

KQZ miratoi edhe modelet e dokumenteve që do të përdoren nga grupi i numërimit dhe Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër si dhe projektvendimin “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve të KZAZ-së nr. 73, për zgjedhjet e pjesshme të 1 shtatorit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të mbahen zgjedhje në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës. Zgjedhjet në këto dy komuna do të mbahen referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetues dhe ato i përkasin mandatit të fituar në 2011-ën, dhe jo si pasojë e procesit elektoral të 23 qershorit të kaluar.

Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 159, datë 27.2.2013, ka vendosur shkarkimin e kryetarit të Komunës Dardhas, Pogradec, me motivacionin “për shkak të kryerjes së veprës penale”.

Aleksandër Çela, kryetar i Komunës Dardhas në Pogradec, në datën 1.4.2013, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së tij.

 

 

KQZ çon për ndjekje penale komisionerë dhe anëtarët e grupeve të numërimit në KZAZ 13 dhe 15 në Lezhë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të çojë për ndjekje penale, kryetarët dhe anëtarët e KZAZ-së nr. 13 të Lezhës për abuzimet me numërimin e votave në zgjedhjet e 23 Qershorit.

KQZ kërkoi që anëtarët e komisioneve që kanë bërë shkelje, të ndiqen penalisht dhe të mos jenë më anëtarë në zgjedhje të reja.

Projektvendimin “Për kallëzim penal ndaj personave të ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave të cilët kanë shkelur dispozitat e Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013”. Në zbatim të nenit 21 pika 20, nenit 23 pika 1, gërma “a”, nenit 168 të ligjit 10019 të datës 29.12.2008 “kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 281 i Kodit të Procedurës penale, neni 326 dhe neni 330/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të kallëzojë penalisht 45 komisionerët e ZAZ-së 13 dhe 5 komisionerët e ZAZ-së 15 në Qarkun e Lezhës”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së Klement Zguri kërkoi që jo vetëm numëruesit, por edhe vëzhguesit dhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore që kanë pranuar shifrat e gabuara duhen penalizuar.

“Kolegji jep një lloj amnistie, numëron votat. Veprimi i tij ishte i kundraligjshëm nga një vendimi që u mor nga një strukturë tjetër. Pra, sistemi mbetet korruptiv, – tha Zguri.

 

 

 

 

Neni 87/1

Burimet e financimit të fushatës zgjedhore

Burimet e financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë:

a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore;

b) të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit;

c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna, sipas nenit 89 të këtij ligji;

ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Në asnjë rast vlera e një kredie nuk duhet të kalojë shumën e parave, sipas pikës 2 të nenit 89 të këtij Kodi.

 

 

 

Partitë që kanë fituar fonde dhe kanë kaluar pragun prej 0.5 % të votave

Partia Socialiste e Shqipërisë

Partia Demokratike

Lëvizja Socialiste për Integrim

Partia Republikane e Shqipërisë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Fryma e Re Demokratike

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Partia Demokristiane Shqiptare

Partia Demokracia Sociale

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

Aleanca Kuq e Zi

Aleanca Popullore

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency