Mashtroi një grua me lotarinë në televizion, dënohet 1 vit burg

0
398

Sonja Caka

Vendimi i gjykatës, i pandehuri Edvin Alla i mori përmes mashtrimit kartën e identitetit dhe telefonin të dëmtuarës

 

EuroNjë vit burg i ka kushtuar mashtrimi i një gruaje 28-vjeçarit Edvin Alla, i cili shfrytëzoi shortin që hidhet në një nga televizionet kombëtare për të kryer këtë vepër penale. Por, do të zbulohej shumë shpejt për dy veprime të kryera, telefonata fikse e bërë nga telefoni i familjes së tij dhe denoncimi në kohë i gruas në momentin që ai i mori telefonin celular përmes mashtrimit. Edvin Alla është arrestuar brenda një kohë të shkurtër nga policia e kryeqytetit, e cila arriti të identifikojë falë bashkëpunimit me kompanitë celulare dhe ato të telefonisë fikse. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Edvin Alla është banor i qytetit të Tiranës dhe rezulton të jetë dënuar edhe të paktën një herë tjetër për veprën penale të “mashtrimit”, por jo vetëm, por edhe atë të “vjedhjes”. Në përfundim të procesit gjyqësor, pais pranoi kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, gjykata e dënoi Allën me 1 vit e 6 muaj burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Edvin Petrit Alla dënohet me 1 vit burgim.

Ngjarja

E dëmtuara ka rënë viktimë e mashtrimit në prag të festave të fundvitit 2012. Në datën 29.12.2012, i pandehuri Edvin Alla ka komunikuar nga banesa e tij nëpërmjet telefonit fiks me shtetasen e dëmtuar Donika Muzina, të cilës i ka thënë se ishte një nga fitueset e shortit të fundvitit, të organizuar nga televizioni KLAN. Për të sqaruar më tej i ka kërkuar të dërgonte numrin e një karte telefoni rimbushëse dhe sqarimet do t’i përfitonte pas 30 minutash. Pasi shtetësja Donika Muzina ka blerë kartën dhe i ka dërguar edhe numrin e serisë së kartës rimbushëse, komunikimi mes tyre ka vazhduar dhe përfundimisht mes tyre është lënë takim në afërsi të godinës së parlamentit. Në orën e caktuar, e dëmtuara ka shkuar në vendin e takimit dhe ka komunikuar me personin e panjohur për të (më pas të identifikuar si i pandehuri Edvin Alla), por që kishte komunikuar në telefon. Bashkë kanë shkuar tek godina e qendrës tregtare e njohur si ETC dhe atje i pandehuri i ka thënë se këtu ndodheshin zyrat e televizionit dhe i ka marrë asaj kartën e identitetit dhe telefonin celular me pretekstin se do të bënte regjistrimin në listën e fituesve të shorteut. Ai është larguar për të mos u kthyer më, duke i vjedhur shtetases Donika Muzina telefonin celular dhe kartën e identitetit. Pas rreth 60 minutash, e dëmtuara e ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka bërë kallëzim penal. Nëpërmjet verifikimeve të kryera nga shoqëritë e telefonisë celularë është identifikuar numri fiks i telefonit të familjes Alla e më pas edhe identifikimi i të pandehurit Edvin Alla. Pas ndalimit të të pandehurit është kryer paraqitja për njohje dhe e dëmtuara ka identifikuar qartësisht të pandehurin Edvin Alla si personin që e ka mashtruar duke i vjedhur aparatin cellular, kartën e identitetit dhe një kartë rimbushëse.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency